E enjte, 25.04.2024, 09:00 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Murat Gecaj: Festë e bukur në Gjimnazin e Rrëshenit

E hene, 27.07.2015, 07:23 PM


Marie Brozi, duke i përshëndetur pjesëmarrësit…

FESTË E BUKUR E MATURANTËVE, NË GJIMNAZIN E RRËSHENIT…

(Sipas tregimit të drejtoreshës, Marie Brozi-Nikolli)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

Në jetën e tij, njeriu ka mjaft ngjarje të shënuara e të paharruara. Ndër to, padyshim, është dhe përfundimi i maturës. Për një festë të tillë të gëzuar, si për maturantët e prindërit e tyre dhe për mësuesit e gjithë kolektivin e Gjimnazit të Rrëshenit, në rrethin e Mirditës, na foli me krenari të ligjëshme dhe me emocione të kuptueshme, drejtoresha, Marie Brozi. Ndër arsyet e saj, është edhe se ajo ka afër 40 vjet që iu ka përkushtuar mësimit dhe edukimit të brezit të ri në vendlindjen e saj, si në qytet e fshat dhe në shkolla 9-vjeçare e të mesme.

Ja, duke u ndalur në faktin e mësipërm, shënojmë këtu se, para disa ditësh qyteti i Rrëshenit, por dhe mbarë Mirdita, ishin në një festë të bukur, të gëzuar e mbarëpopullore. Kështu, të gjithë banorët e qytetit dhe të disa fshatrave në afërsi,  ishin tubuar në sheshin “Abat Doçi”. Ata po vazhdonin një traditë të përvitshme, pra morën pjesë në festën e mbarimit të “Maturës 2014-2015”, e cila është e 51-ta, në Gjimnazin e Rrëshenit.

Pamje nga parakalimi i maturantëve…

Drejtoria e shkollës, duke bashkëpunuar me kolektivin pedagogjik e prindërit, por dhe me vetë maturantët, që më parë, kishin hartuar një program të detajuar. Siç dihet, ceremoni të tilla janë të paharruara e mbresëlënëse për të gjithë. Vetë maturantët do ta ruajnë gjatë në kujtesë këtë ditë edhe kur t’i ndjekin studimet e larta, brenda ose jashtë Shqipërisë. Prandaj u vlerësua çdo pjesë e kësaj ceremonie. Ndër të tjera, u mendua për dekorin e jashtëm para Gjimnazit dhe u vazhdua më tej me fjalët, që do të mbaheshin, paraqitjen e vetë maturantëve me veshje sa më të bukura e domethënëse etj.

Në këtë festë shumë kuptimplote të maturantëve të Gjimnazit të Rrëshenit, ishin të pranishëm: drejtori i Zyrës Arsimore të Mirditës Gëzim Kaçorri, nënprefekti i Mirditës Kolë Bardhoku, kryetarja e Bordit të Shkollës Lindita Çupi, si dhe mjaft prindër e të ftuar të tjerë.

Festa u shoqërua me këngë e valle, nga nxënësit e Gjimnazit të Rrëshenit…

Maturantët ishin rreshtuar në oborrin e shkollës dhe ata bënë kalimin ceremonial në sheshin e zbukuruar me flamuj e lule.  Pas Himnit Kombëtar dhe disa pjesëve artistike, të luajtura nga nxenësit e kësaj shkolle, në emër të drejtorisë së Gjimnazit dhe tërë kolektivit pedagogjik, i përshendeti përzemërsisht pjesëmarrësit dhe, në veçanti, maturantët  drejtoresha, Marie Brozi. Ajo foli për punën dhe përpjekjet e bëra gjatë disa viteve, që të arrihej në këtë ditë të shënuar e të paharruar për të gjithë. Ndër të tjera, ajo tha:

“Eshtë kënaqësi e veçantë për mua  që t’u drejtohem me këtë përshëndetje, bashkëqytetarëve të mi,  prindërve, kolegëve, këtyre djemve e vajzave, të cilët vet ata e zgjodhën mënyren se si t’i percjellin te ju, në këtë ditë, emocionet, vrullin e tyre rinor, gëzimin dhe nostalgjinë e tyre për tërë vitet e shkollimit, në ciklin e sistemit parauniversitar. Sot mbyllet për ta një cikël i plotë shkollimi. Për ta,  tre vitet e gjimnazit janë të shënuar,  si vitet më të bukura të jetës së tyre, si vite të paharruara:  të mirësive, ëndrrave, pse jo, edhe të aventurave të tyre të përligjura pra me moshën. Festimi i Maturës dhe diplomimi i tyre është kthyer në një festë të përbashkët për të gjithë banorët e Rrëshenit. Ndaj edhe unë ju them: Mirëse erdhët, në këtë festë të të gjithëve!”

Pastaj Gëzim Kaçorri i përshëndeti pjesëmarrësit, në emër të Zyrës Arsimore në Mirditë dhe të Ministres së Arsimit e Sportit, Lindita Nikolla.

I paharruar për të gjithë ishte parakalimi i maturantëve, të cilët u shoqëruan me duartrokitje të pandërprera. Po kështu u ndoqën me vëmendje dhe emocione pjesët e tjera të programit të kësaj feste.

Në fund të ceremonisë festive, nga drejtoria e Gjimnazit u shpërdanë “Diploma” dhe “Çertifikata”, për nxënësit më të dalluar gjatë tre viteve. Ndër ta, u veçua maturantja më e mirë e Gjimnazit Rrëshen, Egi Kalaj.

Pastaj maturantët, në mënyrë të organizuar, i kaluan disa orë të gëzuara së bashku, në një lokal pranë Pallatit të Sportit të qytetit Rrëshen. Aty ata kënduan e vallëzuan, por dhe rikujtuan ngjarje të bukura e të paharruara, nga jeta shkollore në vendlindje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora