E shtune, 20.04.2024, 04:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Kur i çelë sytë mëngjesi

E hene, 27.07.2015, 06:57 PM


Adem Zaplluzha

Pesë poezi nga libri “Një shi prej bryme”

 

TË CILAT HUMBJE

NA GËZONIN PAMASË

 

Në këtë lagje të vogël

Ishte dikur shtëpia e jonë e madhe

Jetonim të lumtur

Pa brenga si zogjtë nëpër degë

Jetonim po ashtu me dëshira të vogla

 

Çatia e ultë ishte e mbuluar

Me kashtë thekre që s’pikonte askurrë

Për çudi

Asnjëherë nuk i njohëm vdekjet

Nën hijen e saj nuk vdisnin njerëzit

 

Kishim edhe çaste të hidhura

Më kujtohet kur qante nëna e madhe

Qanin edhe trarët e tymosura

Ajo me lot në sy

I përcillte nipat dhe djemtë e saj

Nëpër luftëra të huaja

 

Kishim edhe ditë të lumtura

Kur na ktheheshin shëndosh e mirë

Xhaxhallarët dhe baballarët tanë

E na rrëfenin me mburrje

Për humbjet e mëdha

Të cilat na gëzoni pa masë

 

 

SI NGA NJË VAZO PARAJSE

 

Mos trokitni sonte në derën time

Nuk jam vetëm

Me mua rri këmbëkryq

Përballë ikonës familjare

Vetmia ime e kahershme

 

Edhe nata është ulur mbi supin tim

Dhe i ujit vazot e pikëlluara

Në qoshe të dhomës së madhe

Dëgjoj një buzëqeshje

E cila është këputur nga lulet e kopshtit

 

Sonte jam fare mirë

Me një gotë të zbrazët prej kristali

I ujis kujtimet

Dhe bisedoj me lirikat e mbetura peng

Për një tjetër kohë

Ikonat pikturojnë këtë heshtje madhështore

 

Sonte nuk jam vetëm

E tërë bota qenka ulur përreth sofrës

Me pirunë dhe thikë të sermtë

Po ja shqyej rropullitë e një trishtimi

Sonte përballë ikonës familjare

Si nga një vazo parajse çelin lulet e vetmisë

 

 

KUR I ÇELË SYTË MËNGJESI

 

Nëpër një stacion të braktisur

Ecin valixhet

Vallëzon edhe nata një vals nëpër shi

Nën kapela të shqyera kalojnë njerëzit

Secili udhëton nëpër këtë natë

Duke e fshehur kokën prej vetvetes

 

Një shi idhnak troket me hidhërim

Nëpër xhamat e ajrit

Disa zogj shtegtarë pushojnë nën një pemë

Pushojnë si taksitë e lodhur

Nata ishte tepër e gjatë

Deri në ferr shkisnin rrotat e harxhuara

 

Kur i çelë sytë mëngjesi

Nëpër bankina

Buzë rrugëve të harruara

Zgjohen sytë mbushur me sklepa

Zgjohen lypësit e përgjumur

Kolonë duarsh të zgjatura shtrihen

Nëpër lagjet e qytetit me qepena të mbyllura

 

 

MBI BANKINAT E BRAKTISURA

 

Mes meje dhe kujtesës

Një rrugë e gjatë e kallkantë

Treni i mbrëmjes

Erdhi me shumë vonesë

Binarët i përtypte era

 

Mbi bankinat e braktisura

Fluturojnë zogjtë e nakatosur

Pranvera e humbi rrugën

Mes stinëve

Zgërdhihet një thikë e topitur

 

Ende kemi kohë për tu penduar

Ju lutem

Ndalni fluturimet e korbave

Nuk durohen sonte

Krakëllimat e kësaj nate

 

Ky shi i akullt i cili çmendurisht troket

Mbi xhamat e kujtesës

E paska futur kohën mes dy binarëve

Dhe po largohet diku

Si lypsarët me valixhe të arnuara

 

 

I PJEK PËLLUMBAT PREJ ARGJILE

 

Me një sqep gjigand

Dhe krah të padukshëm

Një zogj i vetmuar

Në pluhurin e yjeve po i lanë krahët

 

Hëna imiton fluturimin e mjegullave

Jashtë kohës dhe hapësirës

Sërish një zog

I shkund pendlat prej pluhuri

 

E tërë galaktika

Mbështjellë me hijet e brymta

Në një shkretëtirë të paanë

Shuan etjen e kaktusit

 

Një oazë ka rënë në dy gjunjë

Dhe i lutet devesë së verbët

Dielli i përskuqur

I pjek pëllumbat prej argjile



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora