Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Krijimet dhe rrjetet sociale!

| E diele, 26.07.2015, 12:18 PM |


KRIJIMET ARTISTIKE DHE RRJETET SOCIALE?!...

Nga Dibran Demaku

Miku im „poet“ ditë më parë kishte publikuar një krijim poetik që ai e quante „poezi“ në një nga rrjetet e shumëta sociale!Dhe meqë mjetët e sotme elektronike të komunikimit janë sofistikuar deri në atë masë, krijmi poetik i mikut tim „poet“ kishte arritur edhe në kompjuterin tim, që do të thotë në adresën time elektronike. Dhe jo vetëm krijmi poetik, por  në adresën time elektronike kishin ardhur edhe pëlqimet e shumta nga lexues të ndryshëm, si dhe vlerësimet e  tyre! Ishte bërë një mal i tërë emrash të njohur e të panjohur që krijimin e mikut tim  „poet“ e ngrisnin në qiell!Nuk dihet nëse  ata që e pëlqenin atë „poezi“ e kishin lexuar atë apo jo, dhe në anën tjetër nuk dihej edhe për ata të tjerët që kishin shkruar vlerësime shumë pozitive për atë krijim poetik  e kishin bërë atë me kompetencë, apo ashtu shkel e shko sa për të ia bërë qejfin „poetit“?!. . . Vetëm sipas emrave dhe mbiemrave të atyre që e pëlqenin  dhe e vlerësonin  atë krijim poetik, apo atë „poezi“(pa asnjë simbol dhe pa asnjë metaforë), mund të vihet tek përfundimi se shumica e tyre do të ishin kushërinj e kushërira të autorit, vajza e djem hallash apo vajza e djem tezesh të autorit, nipër e stërnipër apo edhe mbesa e stërmbesa të autorit?!Kishte edhe ndonjë emër e mbiemër të ndonjë krijuesi apo „poeti“ që ka bërë emër  falë krijimeve të publikuara nëpër rrjetet e sotme sociale. Ndërkaq nga emrat e njohur,  të dëshmuar si krijues të mirëfillt, nuk kishte asnjë?!. . .

Duke lexuar ato pëlqime dhe vlerësime, që  ishin si të thuash  një mal i tërë, njeriut të thjeshtë, apo si të thuash atij që nuk ka fare njohuri për krijimet poetike në veçanti dhe për krijimet artistike në përgjithësi, i krijohet përshtypja se autori në fjalë sot na qenka poeti apo krijuesi më i njohur dhe më i talentuar i letërsisë së sotme shqipe!Dhe jo vetëm kaq! Por nga gjithë ato pëlqime dhe vlerësime pozitive, do t`i ndërrohet mendja edhe vetë „autorit“ dhe edhe ai do të mendojë se ka arritur në vetë „kulmet“ e krijimtarisë?!. . . Dhe në bindjen e vetë do të vazhdojë të shkruaj „vargje“ dhe do t`i publikojë në rrjetet e ndryshme sociale!. . .

Miku im „poet“, ka shkruar poezi edhe më herët!Ka shkruar poezi atëherë, kur ajo poezia publikohej apo botohej, vetëm pasi të kishte kaluar nëpër duar të kompetentëve, që ishin redaktorët e gazetave, revistave e pse jo edhe të radiove e televizioneve! Në atë kohë miku im „poet“ kishte arritur të publikonte apo të botonte vetëm një tufë poezish apo krijime artistike, që mund të numëroheshin në gishtat e duarve?!. . .  Ndërkaq sot e këtu „muza“ e tij krijuese ka shpërthyer e është shpërndarë gjithandej rrjeteve sociale, aty ku poezitë apo krijimet artistike publikohen pa asnjë kriter?!. . . Dhe këto rrjete sociale mikun tim „poet“ e kanë bërë të famshëm?!. . . Ai ngado shkon, pritet me duartrokitje e ovacione të shumta?!. . .

Rrjetet sociale e kanë shkatërruar krijimin poetik në veçanti dhe atë artistik në përgjithësi, deri në masë të keqardhjes! Kur kësaj t`i shtohet edhe e dhëna tjetër se ato rrjete sociale publikojnë edhe pëlqime e vlerësime nga njerëz jokompetentë, keqardhja shndërrohet në dëshpërim?! Dhe ai dëshpërim arrinë deri tek ata krijuesit e mirëfilltë, të cilët hezitojnë pastaj që t`i publikojnë apo botojnë krijimet e tyre, para masës amorfe që është krijuar?!. . . Sepse masa amorfe e krijuar nga rrjetet sociale, as nuk di e as nuk do që t`i dallojë, t`i shijojë apo edhe t`i vlerësojë vlerat e mirëfillta të krijimtarisë artistike?!. . .

Lexuesi i mirëfilltë, ai që e do krijimtarinë e mirëfilltë artistike, nuk do të duhej që të merrej fare dhe as t`i lexonte krijimet artistike të publikuara nëpër rrjetet sociale, sepse ato nuk e ofrojnë krijimin e mirëfilltë artistik!  Ato, pra rrjetet sociale ofrojnë shkrime e shkarravina të ndryshme të krijuesve  diletantë?!Sepse ato, rrjetet sociale nuk e kanë asnjë redaktor që do ta vlerësonte një krijim artistik, para se ta publikonin?!. . .