Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Kur librin e shkruan zemra

| E diele, 26.07.2015, 10:47 AM |


Kur librin e shkruan zemra

(Duke lexuar librin: “Ju dua më shumë se veten”  të shkrimtarit Viron Kona)

Nga Bashkim Saliasi

Kur mbarova së lexuari librin më të ri të shkrimtarit Viron Kona  “Ju dua më shumë se veten!” instinktivisht kalova dorën mbi sy, si të doja të largoja një ëndërr. Ishte një ëndërr e bukur, si ato që sheh Vironi  në një ag maji. Në atë mëngjes të qelqtë, natyra konkurron me bukurinë, teksa Viron Kona me shpirtin e tij sikur konkurron vet natyrën me shkrimet e tij...

“Ju dua më shumë se veten!”, është një libër me një subjekt të gjerë dhe jetësor, me një dialog ngacmues dhe rrëfenja të mbushura me jetë dhe imagjinatë, të cilat, fiksojnë në mendjen dhe kujtesën e lexuesit respekt dhe admirim për rilindësin e kohës sonë Sadulla Zendeli-Dajën, shqiptarin nga Sërmnova e Maqedonisë, me banim prej 50 vjetësh në ujdhesën Ëland të Suedisë.

Vepra e Viron Konës kushtuar Sadulla Zendelit, të cilin të gjithë e njohin me emrin Dajë, të bënë të zhytesh në detin e pafund të emocioneve që vërshojnë varg njëra pas tjetrës, si dashuritë e bukura, që vijnë krejt pa pritur për mëmëdheun, prindërit, shokët e miqtë e shumtë që Sadulla Zendeli-Daja u detyrua t`i braktisë për shkak të përndjekjes nga regjimi i egër serb.

Përshkrimi i jetës së tij, ajo e një burri të vërtetë, është si ajo rruga që hap akullthyesja në një det të ngrirë, kur poshtë saj gëlon jeta; si një lumë që rrjedh pambarimisht dhe nuk ndalet në kohë...

“-Vepra është një monografi kushtuar atdhetarit, mësuesit, publicistit, gjuhëtarit, poetit, dijetarit dhe shkencëtarit Sadulla Zendelli-Daja, -shkruan në hyrje të librit publicisti Kadri Tarelli”.

E kam njohur edhe unë nga afër Dajën, kam pasur rastin të qëndrojë disa herë në shoqërinë e miqve të tij, Viron Kona, Murat Gecaj, Bardhyl Xhama, Kadri Tarelli, Sejdo Harka, Sokol Demaku, Abdyl Bucpapaj, Bujar Poçari...Në mendjen time, pas çdo ndarje të përkohshme me të, më ka më mbetur në përfytyrim  burri fisnik, fjalë pak, që di të të dëgjojë me kujdes, por dhe të lë radhë të tregosh edhe ti. Siç del nga libri, Daja është një Promete, një atdhetar i zjarrtë, i cili  gjithë jetën e vet ia ka kushtuar Kombit shqiptar: edhe atëherë kur hapte shkollën e parë shqipe në Suedi; kur me bashkatdhetarë krijoj shoqatën “Ilirida”; kur restorantit të tij i vuri emrin “Shqiponja” dhe në ballë të tij vuri flamurin kombëtar, më pas edhe atë të Kosovës; edhe kur hartojë fjalorët suedisht - shqip, shqip - suedisht, vepra këto monumentale; ashtu dhe kur krijojë një sërë veprash me karakter atdhetar, publicistik dhe poetik, të gjitha me një kushtim: MËMËDHEUT.

Ai gjendet kudo ku është djepi i dijeve, në panaire, promovime librash, konferenca shkencore, gjithnjë mes njerëzve të dijes, mes njerëzve të librave.

Më ka mbetur në mendje një bisedë e zhvilluar në takimin midis miqsh e Dajës në restorantin e hotel “Livia”, ku ai ka rezidencën e tij të përhershme sa herë që vjen në Shqipëri, midis tij dhe Prof. Muratit.

Murati po i tregonte Dajës për nipin e tij se si shkonte në shkollë dhe se si sillej në shoqëri. Të gjithë po e dëgjonim me qetësi. Kur Murati mbaroi së treguari për nipin e tij,Daja  e pyeti qetësisht:

-Sa vjet ka nipi që qëndron me ju Prof. Murat?

-21 vjet.

Atëherë Daja tha:

-Unë, fëmijët i rrita vet dhe, fëmijët e mi duhet t`i rritin vet fëmijët e tyre. Kur ata vijnë për vizitë, i kam edukuar që të më lajmërojnë për kohën që do qëndrojnë dhe unë të qëndrojë në dispozicion të tyre.

E dëgjova Dajën dhe nuk e kundërshtova, por në mendjen  time edhe sot e kësaj dite pyes veten:-Përse ne shqiptarët nuk duam të mësojmë nga bota e qytetëruar që, kur fëmija mbush 18 vjeç të dalin të lirë dhe ta ndërtojnë vet jetën ashtu sikundër tregon në tregimin  e tij Viron Kona, mbështetur te biseda e zhvilluar me heroin e  veprës. Nga njëri tregim në tjetrin, lexuesit kanë mundësinë të njihen  me jetën e përditshme të Dajës, që nga fëmijëria, shkollimi, punësimi në vendlindje dhe deri te marrja e vendimit dhe largimi nga Sërmnova, vend i argjendtë, që Dajës nuk i  shqitet nga mendja për asnjë çast.

Sa interesante është ngjarja që na përshkruan Vironi, kur, vajza suedeze me të cilën punonte Daja, gaboj në llogaritë, por ajo nuk dinte se në atë lokal punonte edhe  djaloshi i mençur nga Shqipëria, që tregonte me vepra jo vetëm vlerat e tij, por të mbarë kombit shqiptar.

Skena të tilla që të lehtësojnë shpirtin dhe të rrisin vlerat e krenarisë kombëtare lexuesi do t`i gjejë në veprën e re të Konës kushtuar Sandulla Zendelit, përmes një rrëfimi artistik, të kombinuara bukur me gjininë e skicës dhe tregimit, të kombinuara njëherazi me historinë e dy popujve, atij suedez dhe shqiptar, të cilët kanë pika të përbashkëta duke  respektuar dijen dhe kulturën e njëri-tjetrit. Gërshetimi i kulturave të dy popujve që përshkruan shkrimtari Viron Kona, tregon për rritjet artistike të të dy personazheve, të Dajës, si mëmëdhetar dhe leksikograf, dhe, Vironit si prozator, tregimtar dhe romancier, që di t`i hedh në letër bukur dhe pastër  vlerat që shprehin vlera dhe mbeten të skalitura në jetë.

Nuk kam në mendje të sjell pjesë apo fragmente nga libri, por do t`ia lë lexuesit, sidomos atij emigrant, që do ketë mirësinë kur ta lexoj të këshillohet me veten dhe të thotë :  -“Vallë, i ngjajë edhe unë  Dajës!”

Libri lexohet shpejtë, i shtyrë nga kureshtja se çfarë tregon Daja për jetën e tij dhe si ka arritur Vironi t`i skalit me penën e tij tregimet që portretizojnë këtë personalitet të letrave shqipe.

Meritë e shkrimtarit është se nuk prek vetëm një temë, por ai tashmë me penën e tij të artë nga dita në ditë po i dhuron shqiptarëve dhe, pse jo edhe suedezëve, vepra me vlera historike, që  krijojnë ura miqësie midis dy popujve. (Lexo vlerësimet që bën për këtë autor, albanologu i madh suedez Ullmar Qvick).

Është kënaqësi të qëndrosh me këtë njeri dhe shkrimtar, i cili dëgjon me respekt dhe përqendrim bashkëbiseduesin, flet pak, por, ato që thotë, të mbeten në mendje.

Këto ditë Vironi doli në pension. E takova rastësisht në 24 qershor, ditën në të cilën kishte bërë dorëzimet dhe kishte pirë një kafe me kolegët dhe miqtë e tij të punës të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku ai punoi gazetar i “Mësuesit” dhe specialistë, në disa sektorë këto 10 vjetët e fundit deri  ditën e daljes në pension.

Ishte gjithë emocion. E urova për mbylljen e suksesshme të punës dhe duke i shtrënguar dorën i thashë buzagaz:

-Tani do kesh mundësi të realizosh objektivin që i ke vënë vetes, të botosh 100 libra! Na i trego gjerë e gjatë të gjitha ato që ke akumuluar gjatë këtyre 49 viteve pune(Gjysmë shekulli punë të ndryshme, pa e ndërprerë punën asnjëherë).

Qeshi dhe, duke më shtrënguar dorën më tha:

“-Doemos që do ta realizoj objektivin që i kam vënë vetes. 100 libra? Mbase, por më shumë se 100 libra, është liria dhe energjitë që më vlojnë brenda vetes, që të  them gjithçka ndjej, gjithçka mund nga ato që kam në shpirt..., veçse, kam merak nëse do të arrijë t`i them dot aq mirë sa ç `i ndjej, apo ashtu siç duhet...Ti, Bashkim, më kupton çfarë dua të them, sepse ti je edhe vetë krijues...”

Dola pak nga tema pasi, si autori veprës, ashtu edhe personazhi janë shkrimtarë, artistë dhe engjëj të kësaj bote, midis mijëra apo miliona njerëzve të tjerë, edhe ata shpërndajnë mirësi, dritë,  dashuri ... E dini se ç`bëri Vironi gjatë muajit qershor 2015? Pasi botoi librin për të cilin po flasim, kishte merak të madh që t`ia dërgonte 10 kopjet e para Dajës, atje në ishullin e Ëland të Suedisë, pikërisht më  03 qershor, ditën që ai mbushte 80 vjeç.

 

-Arrita, - më tha me gëzim teksa pinim kafe, - ia dërgova. Kur Daja të mblidhet me familjen, shokët dhe miqtë suedezë e shqiptarë, librin do ta ketë në tavolinë, dhuratë nga unë për 80-vjetorin.....Më pas? Më 29 Qershor 2015, kur Gostivari e nderoi birin e  tij, Sadulla Zendeli-Dajën me titullin e lartë “Qytetar nderi” dhe, simbolikisht, i dha Çelësin e qytetit, Vironi shkoi atje në Gostivar, foli edhe ai për mikun e tij të madh dhe të të gjithë shqiptarëve, dhuroi edhe atje librin “Ju dua më shumë se veten”, ashtu edhe një dhuratë - portret të Dajës- në një kornizë të punuar bukur, e nderoi pra, edhe në vendlindje, rilindësin Sadulla Zendeli-Daja, personazhin e madh të librit të tij, ashtu siç ai e meritonte

Lexuesi do gjej në faqet e këtij libri, kujtime, dëshmi e fakte të shumta të jetës së heroit Sadulla Zendeli-Daja, të cilat të mbushin me emocione dhe të prekin gjer thellë në shpirt, të frymëzojnë për gjëra të bukura në jetë. Kush ka provuar jetën e kurbetit, për një moment ndalon së lexuari dhe thotë: “-Mos jam edhe unë në këtë libër?”

Duke i uruar jetë të gjatë Heroit të librit-Dajës, si dhe urime për 65 - vjetorin e  lindjes dhe pension të mbarë, mikut tonë Viron Kona, dëshiroj t`ju them juve miq të librave: -Lutem, hidhni sytë dhe lexoni veprën monumentale të Konës kushtuar rilindësit Sedulla Zendel-Daja dhe... do të më besoni...

Faleminderit!

Tiranë, më 23. 07. 2015