E diele, 19.09.2021, 08:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djemtë në Amerikë

E shtune, 25.07.2015, 01:19 PM


Djemtë në Amerikë

Tregim nga Bahri Myftari

Një çift të moshuarish, ardhur prej anës së Gramozit, ishin në pritje në sallonin e madh të Ambasadës Amerikane. Qe punë e mërzitshme dhe  për ta, për moshën e tyre, qe dhe e lodhshme. Zotëria, ndër mësuesit më të vjetër dhe të respektuar të zonës, Z.Qiriazi, po shkonte te të shtatëdhjetat. Pak ngjante si mësues, pasi kurrë, për gjatë gjithë jetës, nuk i pati lënë mënjanë punët e bujqësisë, ndërsa zonja, gati moshatare me të, ishte më e mbajtur, me një fytyrë të shëndetshme, të bardhë, si bora e malit mbi kokë të saj. Do të shkonin në Amerikë!E kishin bërë këtë përpjekje edhe dy herë të tjera, po patën dështuar, paskësh qenë krejt e pamundur. Në ato vite, ikja për në Perëndim e, sidomos drejt Amerikës, ishte tepër e madhe, ishte me forcën e një sëmundjeje ngjitëse! Njerëz që shkonin të takonin të afërmit, të rinj që niseshin për studime, të tjerë që shfrytëzonin mundësinë që u krijonte llotaria e famshme, por më këmbëngulësit, më të paepurit, ishin ata që dhjetëra a dhjetëra vjet kishin kërkuar dhe ende kërkonin të realizonin ëndrrën amerikane! Punonjësi i ambasadës kaloi dy-tri herë mespërmes sallës dhe, pikërisht kur dy të moshuarve po u vinte radha e intervistimit, i tha koleges së vet, njëherësh dhe përkthyese, që, edhe me ata dy pleqtë të vepronte, ashtu si me të shumtët, pra t’i përcillte! Mësuesi i nderuar, z.Qiriazi, sikundër dhe herë të tjera,pati bërë gati treqind kilometra rrugë dhe, siç pohoi, i kishte vajtur shpirti në majë të hundës, reagoi jashtë natyrës së vet të urtë, më egërsi dhe guxim.

- Zotëri! tha, si të bisedonte me ndonjë të njohur, - Unë dhe ime shoqe, plaka ime,jemi shumë të mërzitur.Vijmë nga larg. Jemi të pamundur, siç e sheh, pleq hesapi! E kemi të përsëritur këtë kërkesë. Ne duam vizë për në Amerikë!

Punonjësi i ambasadës u kthye brinjazi e, si më përtim dhe i habitur, ia ktheu;

- Për vizë janë të gjithë, si këta që qenë para teje si dhe ata..

- Unë nuk po flas në emër të atyre. Nuk flas për ta, se nuk më takon. Po flas për vete dhe ta dish djalosh, se mua ajo vizë më takon. Aq sa ç’kanë bërë njerëzit e mi për Amerikën. Mos u ngut, nuk po i kërkoj borxhin jo jo, Amerika është e madhe, nuk më ka kurrfarë borxhi, po nderin, nderin e dua!

Punonjësi u largua me nxitim. Fjalët e mësuesit të vjetër e qëlluan në zemër. Ç’do të thoshte zotëria e tij? Ai, sepse përsëriti fjalët e arta të presidentit të tij të dikurshëm, Kenedit të madh ”Mos pyet ç’ka bërë Amerika për ty, po ç’ke bërë ti për Amrikën?” Ç’mund të kishin bërë njerëzit e atij mësuesi të vjetër për Amerikën?! Vërtet, ai nuk po kërkonte borxhin, madje siç pohoi as që ekzistonte një gjë e tillë, veç nderin, nderin e kërkoi! Punonjësi i ambasadës, tashmë, shkoi direkt te dosja e dokumenteve të z.Qiriazi.Ai lexoi gjithë kërshëri: Zotërinjtë Qiriazi kishin një garanci prej qytetarit amerikan nga Filadelfia, Luis Qiriazi, veteran i Luftës së Dytë Botërore, në radhë të marinsave të lavdishëm që zbarkuan në 6 qershor 1944 në brigjet e Francës,në Normandi.Me dorën e tij veterani tregonte e shkruante për atë “folenë” e mitralozit nazist, i bërë tashmë i njohur për gjithë sytë e botës. Pikërisht, ai i mallkuar, i rrëmbeu jetën mikut të tij, një djalë po prej Shqipërie, me të dalë në breg. Dhe vetë Luisin, ai mitroloz i mallkuari e goditi në shpatull. Perëndia bëri mrekulinë, që ai mbeti gjallë! Më në fund, lubisë naziste i zuri fytin dora e marinsit që i futi në grykë granatën shpëtimtare e kështu u mundësua, që forcat e çlirimit të botës të nisnin marshimin e fitoreve të mëdha. Çliruan Normandinë, Francën të gjithë dhe deri atje, ku aparati kishte fiksuar një berlineze të bukur, duke i dhuruar një buqetë me lule çlirimtarit të ri!. Më poshtë luftëtari veteran numëronte dhjetëra e dhjetëra djem, bashkëpatriotë, më të shumtët qenë me rrënjë anës Gramozit. Nënpunësi nuk po i ndahej informacionit. Për të qenë të vërtetë, ai pak dinte, fare pak për çka shkruhej aty. I ra në sy numri 87, i cili qënkej numri i batalionit të famshëm, ku dhjetëra e dhjetëra djem të rinj, me gjak e gjuhë, me origjinë të vjetër e të re, qenë shqiptarë, qenë rreshtuar në radhët e Forcave Ajrore, Detare e Këmbësore në  Europë, Oqeani dhe deri në brigjet e Japonisë. Në fragmentin e fundit të atij rrëfimi, punonjësi i ambasadës u ndje keq. U mbush tërë ngashërim dhe djersë të ftohta. Njëherë në dy vjet, veteranët e batalionit 87 mblidheshin në një qytet të radhës  në Amerikë. Herën e fundit qenë mbledhur në Indianapolis. Dikur patën qenë me qindra që kishin shpëtuar nga ferri i luftës e tani, vit pas viti, dekadë pas dekade kishin mbetur vetëm njëzet e shtatë! Luftëtarë të gjallë, vetëm 27!. Jeta kishte bërë të sajën. Ata që kishin çliruar botën, po rralloheshin, po iknin! Prej kësaj të nesërme, prej këtij fati të keq e të rëndë, nuk mund të përjashtohej as veterani i Luftës së Dytë Botërore Z.Luis Qiriazi! Nënpunësi kërkoi të qetësohej. Hapi dritaren që kishte në krah. U mbush më frymë. U qetësua disi dhe nxori një përfundim, që nuk iu duk pa vlerë;

-           Ndonjëherë, burrokracia, sado perfekte, sado pranë ligjit, lind armiqësinë!

…Dhjetë ditë më pas, atje anës së Gramozit të largët, mbërriti një letër prej Ambasadës Amerikane, ku lajmërohej çifti i moshuar, se vizat për në Amerikë i kishin gati dhe mund t’i përdornin kur të donin! Po në atë letër, ishte edhe një pamje me ngjyra e Statujës së Lirisë me dedikimin:

- “Zotit dhe zonjës Qiriazi, kjo statujë e lavdishme, është e Juaja sa ç’është për çdo qytetar amerikan!”

Shkëputur nga libri "Darka e Berlinit", Shtëpia Botuese "Onufri", Tiranë, 2015



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora