E premte, 29.03.2024, 12:56 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Qorr me sy të hapur

E shtune, 25.07.2015, 10:52 AM


Qorr me sy të hapur...

Tregim

Nga Përparim Hysi

Kështu "qorr me sy të hapur" më quajti mikja ime dhe, po kështu, pa i luajtur asnjë fjalë po e vë si titull të këtij tregimi.

*     *     *

Ndodh që , megjithëse sytë i ke në ballë, ca gjëra, po nuk i pe me vëmendje, zëre se nuk i ke parë. Jo më kot nuk thonë: sheh mendja dhe nuk sheh syri. Kështu, për fat të keq timin, paska ndodhur dhe me mua. Kur  mora vesh, pothuaj, qe djegur Roma, por, sidoqoftë, unë po e sjell ashtu e zezë mbi të bardhë para lexuesëve.

Kisha vjete pa u parë, me Inën, të cilën e kisha njohur që aty nga vitet '80-të. Njohja ndodhi për arsye pune, kur mua, sado që isha veç mësues  në një fshat jo larg qytetit, seksioni i arsimit më caktoi në një ekip kontrolli  në një shkollë të mesme të një qyteze nja 20 km nga qyteti. Për të tjerat, më mirë ndiqni se ç'më shkruan ajo.

*    *    *

... ty, ndoshta, nuk të kujtohet, por unë e mbaj mirë mend kur erdhe me shpurën e seksionit. Deri atëherë as të njihja dhe as të kisha parë. Ekipi i kontrollit ishte i frikshëm dhe këtë stres frike, ne, femrat,e vuanim  më shumë. Ti ( siç morëm vesh, drejtorin tonë e kishe shok dhe ky, të paska thënë,se nga 15 mëusese, 7 prej tyre kishin sjell raporte mjekësore), meqë kishe mik drejtorin, na thirre ne, të raporteve, dhe na the: e kuptoj  stresin tuaj, por  ju siguroj për një gjë: jo vetëm që nuk do kërkojmë"asprën",por do tregohemi aq luajalë sa do të çuditeni. Sidomos, garantoj mësueset që japin gjuhë e letërsi. Tri  prej  nesh, ishin të lëndës suaj. Dhe njëra qeshë unë. Të sugjestionuar nga fjala jote, i grisëm raportet dhe, kur mbaroi kontrolli, për çudi, shkolla dhe drejtoria u lakuan për mirë. Sidomos, u fol mirë për mësueset e gjuhës dhe letërsisë dhe,ashtu siç na vlerësove ti, zumë dhe ne që të vinim notën mirë për ty. NJëgojësh thamë:- Sa i mirë! Por për të qenë, më e drejtpërdrejtë, unë atë "sa i mirë!" e thashë: Shumë i mirë! Kaq. U bënë konkluzionet dhe më nuk u pamë. Ne qemë larg nga njëri-tjetri. Puna më nuk na lidhte dhe...

*      *     *

Unë me origjinë jam nga Berati dhe, kur shkova  për vizitë tek familja, takoj një miken time, mësuese e vjetër gjuhe atje. Meqë vija nga Fieri, muhabet pas muhabeti, kur më thotë:- Moj a e njeh...?

Po si nuk e njoh,- iu përgjigja dhe shtova se si të kisha njohur. Por ç'kaq,- më thotë ajo. Bobo, ç'ka bërë ai në Elbasan, kur u diskutua për normat e vlerësimit në punët me shkrim? U hëngër dhëmbë për dhëmbë, me sh.A... dhe, përfundimisht, i pamë që u ulën dhe pinin kafe si dy miq të mirë. Mua, tek të lakonte mikja ime nga Berati, sikur m'u drodh një tel në zemër, po nuk e dhashë veten. Por, të them të drejtën, më erdhi mirë. Me këtë imazh dhe jetoja. As që e dija , në do shiheshim më.

*      *      *

Kur erdhi  demokracia, ndodhën dhe përmbysje dhe në arsim. Specialistët më të mirë zunë e quheshin  formatorë. Ti ishe mësues në fshat dhe në fshat banoje. Unë kisha kohë që isha mësuese në qytet. Për çudi, ti që ishe nga fshati qe caktuar nga Departamenti i Arsimit si formator për qytetin. Fieri qe rreth i madh dhe, veç teje, për gjuhë-letërsi qenë dhe dy formatorë të tjerë dhe, sado nga qyteti, ato qenë formatore për fshatin. Tek mbaje leksion për "punët me shkrim" unë, ndoshta, isha e vetmja që njihja "luftën" tënde me kryenispektorin e MA, z.A...  Ke parë, e merrja si një kredit që më takonte vetëm mua. Kur flisje, mes tjerash, thoshe:"... ju, mësuesët e gjuhë-letërsisë jini më të ngarkuarit në shkollë,se, veç tjerash, jua  hanë shpirtin punët me shkrim". Dhe  ne na ngrohte fjaja jote. Mua pak më shumë. Po ti as që ishe kthyer nga kjo  anë. Po pse do ktheheshe, xhanëm? Me status unë isha,prej kohësh, e martuar dhe ti ca më i vjetër nga unë. Pas dy vjetësh si formator, ti fillove punë si inspektor për rrethin. Dhe, ja një  ditë prej ditësh, të erdhi radha që t'më kontrolloje në një orë mësimi. Bobo! Dhe tani që po të shkruaj, sikur po dridhem. Më erdhe në një orë leximi .Qe "Kumbullat matan murit" të Ernest Koliqit. Sado një tregim i bukur, por unë lëshova djersë të ftohta gjatë gjithë orës. Dhe nuk më doli ora për të realizuar ato dreq kërkesa që ka një orë leximi letrar. Qeshë e ndërgjegjshme për dobësitë e mia dhe, tek prisja ndëshkimin e merituar, gjatë analizës, ti, pa  më lënë që të shpjegohem më the:- Moj mësuese, e di se çfarë të gjeti? Kur kam qenë i vogël, kam patur një ves të keq: kumbullat, sado me bërthamë, i kapërdija. Mirëpo, ashtu si dardha e ka bishtin prapa, një ditë prej ditësh një bërthamë më mbeti shul e shul në fyt. Hidhu përpjetë nga e keqja dhe shokët, duke më marrë si një shakaxhi dhe aq, as që e vinin re që, për pak, po ikja nga kjo botë. Veç një shok qe i mënçëm: më jep një grusht pas qafës dhe bërthamë kërceu mbi tokë. Sa u gëzova që shpëtova sikletit dhe,qysh atëherë, edhe qershitë i qëroj me politesë si ato zonjat spitullaqe. Unë, sado e skuqur nga halli që më kish zënë, mezi e mbajta të qeshurit. Ti as më shikoje mua (duket të kish marrë prej dore fëmijëria), por e zbraze:- Kumbulla të mbeti në fyt, moj mësuese, se Ernest Koliqi,sado shkrimtar i madh, tregimin e ka shkruar gegërisht dhe, sa shpjegove fjalët dhe i shkrove në dërrasë, ra zilja. Kështu,- tani po flisje shpenguar,- u dodh lojtarëve  të shahut: x- lëvizje për y - kohë, nuk i realizojnë dhe humbin ndeshjen. Tani (epo shyqyr që u kujtove që jam gjallë), u ktheve nga unë, më pe mirë e mirë, dhe the: unë jam si ai ushtari që vij nga fusha e luftës. E di seç është një orë mësimi. Nuk ke përse skuqesh fare. Dhe, kur  lexove akt-kontrollin, lexove:"... mësuesja Ina N..., është racionale; di të gjallërojë orën e mësimit dhe nxënësit e ndjekin me kërshëri...". Ti lexoje dhe mua ajo "kumbulla që të kish mbetur ty në fyt", kish fluturuar si në përrallë dhe kish mbetur shul e shul mu në fytin tim. Kushedi  se si  do qeshë bërë në fytyrë?

Kur ike, më  dhe dorën..., unë, sado që ta shtrëngova më shumë se sa duhet, si shënjë falnderimi, ti nuk u tundove fare. Ore, je njeri apo jo? Unë nuk e doja veten.

-Po si nuk e vë re, xhanëm, që unë, tanimë, jam bërë tjetër?

*        *      *

-Dale,- thashë,- po do më shohësh. Kisha një mësim të hapur dhe kë mund të pyesja më shumë se  sa ty? Trokita, si me turp tek zyra dhe, kur ndjeva zërin tuaj që më the "hyr", tak dhe"kumbulla më erdhi në fyt".Kështu, me "kumbullën në fyt". u futa në zyrë dhe ti, pa më pyetur pse kisha ardhur, ma pate:- Kumbull, po ç'të ka gjetur?!!! Duket doli  kumbulla nga fyti, po më mbuloi turpi nga këmbët e e deri tek koka. Dhe ti siç je vet i çiltër, më çlirove me fjalët që the:-  Pa ulu aty, përballë dhe më trego. Nuk e di në më kish ikur skuqja, po, kur more vesh hallin tim, më tha:- Duhet ta zhvillosh orën e mësimit me çiltërsi sikur nuk ke askënd në klasë veç nxënësve. Kështu çlirohesh nga emocionet dhe vepron lirshëm. Kaq. Asgjë më. Duket, mendova, as që i hyj në sy. Çfarë? Mos është qorr me sy të hapur?!!! Por...

*     *    *

Jo. Nuk mbaron me kaq kjo histori. Ti po na merrje në provim për testimin e vjetërsisë. Qemë gati 70 mësues dhe mbi 60% e tyre ishim gra. Tek mora të përgjigjesha, sipas radhës, ti the:- Oh, po ti je ajo, mikja e vjetër! Je ajo, kumbulla... dhe, për të mos lënë vend për keqkuptime për auditorin, u shpejgove se si qe historia. Mua, nga sikleti, përsëri erdhi "kumbulla" e më kërceu në fyt. Po ti kishe vetinë që ta hiqje sikletin si me dorë dhe, tek më pyete (sa për sy e faqe), më vlerësove me shumë mirë. U bëra si me krahë dhe, tek do ikja, të dhashë një shikim shumë  domethënës. Por... E,ç'por? Siç ishim dhe mbetëm. Unë vazhdoja me"kumbullën" në fyt.

Ngjarjet o rrokullisën me shpejtësi. Erdhi lajmi që ti do ikje në Amerikë. Të erdha për vizitë me gjithë timshoq dhe,si ike,as që u pamë më. Siç kam llogaritur, atje qëndrove 12-vjet. Koha ka bërë të sajën. Gjatë kohës paske shkruar dhe libra dhe vazhdon të shkruash. Kot nuk thonë: mali me malin nuk takohen, po njerëzit takohen një ditë.

U takuam plot pas 12-vjetësh.  Ke ndryshuar, me domosdo. Po dhe unë,kam ndryshuar. Tek u takuam, fare pa pandehur, e vura re që po më shihje me sy tjetër.

Ti më dhe një nga librat e tua dhe unë të thashë:- Kam shkruar dhe unë një libër me poezi. Të nesërmen  ma dhe librin, të paketuar me kujdes, dhe më the: aty brenda është një letër. Të lutem, lexoje në shtëpi.

*   *    *

E hapa pakon me kujdes dhe, mu në mes të librit, ishte një letër e shkurtër që, në"vija të trasha", më thoshte: "... ore qorr me sy të hapura! A nuk e ke vënë re që kam kaq kohë që të dua? Kur do ta vësh re apo kur të bëhem si një oshaf e thatë. Sa vura re, mbi ty, sikur ke vënë proteza. Me proteza as "oshafin e thatë" nuk e kafshon dot më...

dhe, ca nga vapa afrikane e këtyre ditëve të nxehta korriku dhe,ca se" jam qorr me sy të hapur", vuaj dyfish dhe më duket vetja si ai bullari mitologjik që jeton dramën e syve të mbyllur. "Kumbulla" tani është shul e shul në fytin tim dhe zor se do ta nxjerr prej andej. Sidoqoftë, nga pala tjetër, zaret janë hedhur, po do shoh "qorri", vallë?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora