E enjte, 25.04.2024, 05:21 PM (GMT+1)

Faleminderit

Reshit Maloku, mjeshtri i madh që rindërtoi urat e Shqipërisë

E diele, 27.07.2008, 03:58 PM


Si u persekutua inxhinieri i famshëm tiranas, Maloku, ish-nxënësi i Fultzit dhe kolegu i Spiro Kolekës që projektoi urat dhe rrugët e shkatërruara nga Lufta 

Nga
Dashnor Kaloçi

Reshit Maloku ishte njeriu që në vitin 1963 projektoi varrezat e Sharrës dhe 30 vjet më vonë u varros në pjesën më të dukshme të tyre, si shenjë respekti për kontributin e jetës së tij, që kaloi midis rindërtimit të Shqipërisë dhe persekucionit komunist. Ai lindi më 15 maj të vitit 1917 në një familje tiranase dhe qysh në moshën dyvjeçare i vdiq babai, duke i lënë mbi kurriz varfërinë dhe vështirësitë ekonomike të mbijetesës.

Megjithatë, qysh nga kjo kohë e deri në vitin 1969, ditët e jetës së tij janë të mbushura me ndërtime urash dhe hidrocentralesh, për të rindezur shpresën dhe besimin e brezave të ardhshëm tek vendi i tyre, i djegur dhe i porsadalë nga lufta e Dytë Botërore.

Kush ishte Reshit Maloku

Megjithëse në kushte të vështira ekonomike, Reshit Maloku në vitin 1936 mbaron studimet në shkollën amerikane Harri Fulc me nota të shkëlqyera. Kështu, vit pas viti ai tregoi me talentin e tij se ishte pikërisht njeriu që i duhej Shqipërisë për të rindërtuar atë çka shkatërroi Lufta e Dytë Botërore. E ëma e tij, Hafsaja dhe vëllai, Shabani çonin armë dhe veshëmbathje në çetën e Dajtit dhe të Pezës. Ndërkohë që nipi i tij, (Tasim Xhafa) dhe dy kunetërit (Shefqet dhe Mahmut Mezini), ishin partizanë dhe luftuan kundër okupatorëve. Vetë Reshiti ka punuar si ndihmësmjek pranë doktor Locit dhe me çantën e ndihmës së shpejtë e flamurin e Kryqit të Kuq, gjendej pranë popullsisë civile në periudhat e bombardimeve gjatë luftës. Madje mbahet mend se Reshiti gjatë asaj kohe shpëtoi nga vdekja dhe mjekoi në shtëpinë e tij edhe dy parashutistë anglezë dhe për këtë, gjermanët i shkatëruan krejtësisht shtëpinë duke ia goditur me flakëhedhës. Gjithashtu gjatë asaj kohe shtëpia e motrës së tij, (Lym Xhafës) ishte shndrruar në një bazë të luftës. Familja e Reshitit, si edhe farefisi i tij, Xhafët, Rrelët, Fortuzët, Tafajt, Mezinët cilësohen si familjet më të vjetra të Tiranës. Ndërkohë ishte pikërisht gjyshja e tij, Hatixheja që mbahet mend si më e moshuara e Tiranës, (107 vjeç) dhe familja e tij kishte miqësi me nënën dhe motrën e Gonxhe Bojaxhiut, (Nënë Terezës). Nga ana tjetër shokët e tij më të ngushtë të asaj kohe ishin figurat që më vonë spikatën si talente në fusha të ndryshme të jetës. Të tillë ishin: Sandër Prosi, Ibrahim Kodra, Abedin Çiçi, etj.

Rindërtuesi i urave

Diploma e shkollës amerikane për studentin Reshit Maloku përmbante vetëm vlerësime të shkëlqyera. Ishte kjo arsyeja që fill pas çlirimit të vendit, Spiro Koleka, e zgjodhi Reshitin si bashkëpunëtor, duke i ngarkuar rindërtimin e të gjitha urave kryesore që lidhnin Veriun me kryeqytetin, të cilat ishin shkatërruar nga gjermanët. Ajo që bie në sy gjatë aktivitetit të tij të dendur rindërtues është Ura e Bahçallëkut, (Shkodër), Ura e Lanës (Tiranë), Ura e Limuthit, etj. Në vitin 1945 ai punonte edhe vetë së bashku me 600 ushtarë italianë që prisnin në atë kohë riatdhesimin. Gjatë kësaj kohe Reshiti drejtonte punimet, e rindërtimit të urave por bënte edhe punën e infermierit të batalionit. Familja e tij bashkëjetonte me kampin e italianëve në Kamëz dhe nëna e gruaja e tij, pregatisnin ushqime dhe lante rrobat e robërve, së bashku me disa gra të asaj zone. Ai thoshte gjithmonë se familja e tij shpenzonte kohë, energji dhe pasuri për mbajtjen e italianëve, ndërsa Shqipëria përfitonte ura, rrugë dhe plot rindërtime nga puna e tyre. Në fakt kalendari i aktivitetit profesional të Reshitit nis me rrugën e Thethit dhe vazhdon me rrugën e Rinisë Kukës-Peshkopi, tharjen e kënetës së Maliqit, ndërtimin e vilave në plazhin e Durrësit, ku arrin kulminacionin me ndërtimin e hotel Adriatikut. Më tej, në vitin 1946-48 ai drejtoi punimet në hekurudhën e parë shqiptare, Tiranë-Durrës, në sektorin e Kasharit dhe Vorës. Reshiti ishte një ndërtues i devotshëm që shqetësohej për çdo digë, për çdo urë, për çdo trase. Gjatë kësaj kohe, duke menduar për brezat e rinj të teknikëve dhe inxhinierëve të ardhshëm, Reshiti ngriti edhe kursin e parë të teknikëve të rinj, të cilët mësonin teorinë pranë digave dhe hekurudhave, sepse Shqipërinë e prisnin mijra projekte që kërkonin njerëz të devotshëm e të shkolluar. Të njëjtën gjë Reshiti bëri edhe gjatë ndërtimit të Rrugës së Dritës dhe tunelit të Shkopetit. Në këtë tunel gjatë gjithë orëve të ditës qëndronte i varur me litar për të bërë përpilimin e detajeve teknike. Ndërsa në darkë u jepte mësim bashkëpunëtorëve të tij duke demostruar energji të pabesueshme. Mjaft projekte dhe zbatime të veprave madhështore të asaj periudhe tregojnë se Reshiti ishte fjalëpak dhe i papërtuar. Qysh nga viti 1946 Reshiti u dekorua me urdhra e medalje pune, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Shoku i tij më i ngushtë i asaj kohe ishte Sali Vata, që të gjithë e njihnin me pseudonimin "Luani i tuneleve".

Pedagog në Universitetin e Tiranës

Për të gjitha virtutet dhe vlerat e punës së tij, më 1956 Reshiti caktohet me punë në Ministrinë e Ndërtimit, si edhe nëndrejtor i politeknikumit 7 Nëntori. Më vonë ai u bë pedagog i universitetit të Tiranës, por asnjëherë nuk i ndërpreu kontaktet e tij me prodhimin. Kështu ai ka projektuar dhe ndërtuar Ujëmbledhësin e Selitës, ujësjellsa të qyteteve kryesore dhe shumë vepra të tjera me rëndësi kombëtare. Më pas, më 1963, pikërisht atëherë kur varrezat tek Varri i Bamit po shkatërroheshin, Reshiti propozoi ndërtimin e varrezave në Sharrë dhe Shish-Tufinë dhe projektoi e ndërtoi Varrezat e Sharrës. "Tani dua të projektoj vendin ku do të prehem përgjithmonë", u shpreh Reshiti. Më vonë ai u mor vetë me drenazhimet dhe kanalizimet e varrezave të Sharrës. Dhe koha dalëngadalë nisi të shfaqë pasojat e mbingarkesave të dikurshme në trupin e mjeshtrit të ndërtimeve. Për vite me rradhë Reshiti ishte kryetar fronti i lagjes së tij. Kështu në vitin 1969 ai u paralizua dhe qëndroi në shtëpi. Por në shenjë respekti për punën e tij drejtuesit e lartë të shtetit i dhuruan një karrocë ortopedike dhe një televizor bardhë e zi dhe një shpërblim. Dhe vetë Spiro Koleka u ngarkua për të dërguar dhuratën, në shtëpinë e ndërtuesit veteran, duke i thënë: "Këto nuk janë asgjë, para asaj që ke bërë ti për Shqipërinë".

Kampioni i Qitjes

Por midis viteve më të suksesshme të Reshitit shkëlqen edhe një kontribut kombëtar, në fushën e sportit të qitjes. Ai për vite me rradhë ishte kampioni i këtij sporti në vendin tonë, (pushkë, pistoletë), si edhe njëri midis talenteve më të spikatura të Evropës. Më vonë, Reshiti u bë trajner i ekipit të Partizanit dhe ekipit kombëtar. Shokët e tij të ngushtë të sportit Rexhep Rama dhe Ali Mata tregojnë se në vitin 1965, në kampionatin botëror të Qitjes (Rumani), Reshiti bëri një figurë shumë të mirë, nëpërmjet elokuencës, sjelljes dhe kulturës së tij, (dinte 5 gjuhë të huaja). Për këtë shtypi botëror sportiv shkroi se "Reshit Maloku ishte trajneri më i përgatitur intelektualisht në kampionat dhe ka dhënë një kontribut të madh në përkthimin e literaturës së qitjes". Për kontributin e tij, ai është nderuar me një sërë diplomash e titujsh nderi. Nipi i tij, Ismail Maloku ishte gjithashtu një Mjeshtër Sporti dhe pjestar i ekipit kombëtar në volejboll. Shtëpia e Reshitit ishte qendra sportive e mëhallës, ku dolën më pas mjeshtrat e mëdhenj sportit nga familjet Mema, Nuri, Mëniku, Galanxhi, Shala, Ferhati, etj, (gjithsej 17). Por pikërisht kur duhet të merrte titullin "Mjeshtër i merituar i sportit", në familjen e tij ndodhi arrestimi politik i të birit, Saimirit, (inxhinier elektronik ushtarak), i njohur si "shpikësi i kanoçes". Kjo ndikoi në mosdhënien e titullit, ndërkohë që një dokumentar i Kino-Studios që tregonte jetën e tij, u ndërpre papritur. Tani ai konsiderohej babai i armikut dhe për këtë arsye edhe djemtë e tij të tjerë patën pasoja të panumërta në jetën e tyre personale dhe familjare. Ndërkohë që djali i madh, Agimi kishte qenë oficeri më shembullor i reparteve kundrajrore, ndërsa djali tjetër, Fatosi ishte përgjegjës i laboratorit në Hidrocentralin e Fierzës. Por, Reshiti gëzoi gjatë gjithë kohës respektin e kolegëve dhe nxënësve të tij, si Farudin Hoxha, Emin Musliu, Faik Alimehmeti, Muhedin Muço, etj. Edhe fëmijët e tij kanë trashëguar prej Reshitit talentin, përkushtimin dhe reflektimin e mirësisë njerëzore. Edukata, humanizmi dhe virtytet më të mira të Reshitit i reflektoi edhe djali i tij, Saimiri i cili ka shpëtuar jetën e dhjetra vetëve. Për aktet e tij humane, më 17 janar 2002 Saimiri u dekorua nga Presidenti i Republikës me medaljen e artë "Për merita të veçanta civile", ndërkohë që shtypi dhe mediat e vendit dhe të huaja cilësuan si njeriun më human të Shqipërisë dhe pasues i veprës së Nënë Terezës.

Si vdiq i paralizuar

Reshit Maloku vdiq më 6 tetor 1986, dhe u varros pikërisht në Sharrë, atje ku ai drejtoi projektin dhe drenazhoi kanalizimet e ujrave. Para se të vdiste, ai kaloi një periudhë të gjatë 17 vjeçare i paralizuar. Gjatë kësaj kohe, duke udhëtuar me karrocën ortopedike në kryeqytet, Reshiti shikonte veprat që kishte ndërtuar vetë dhe thoshte me zë të qetë: Unë u dorëzova por Ura e Lanës qëndroi. Po kështu edhe ajo e Bahçallëkut, e Limuthit, rruga e Thethit", etj, etj. Dhe ndonjëherë, kur arrinte t'i numëronte të gjitha veprat e tij, i thoshte nipërve: Unë bëra detyrën ndaj vendit tim, duke ndërtuar urat që do lidhin të ardhmen me të kaluarën dhe këtë nuk e bëra që ju të mburreni me mua, por e bëra që ju të mburreni me Shqipërinë".

11 vjet burg njeriu që shpiku kanoçen

HISTORIA E INXHINIERIT QE U DENUA SE DONTE TE LIDHTE SHQIPERINE ME PERENDIMIN


Saimir Maloku, inxhinier elektronik


Shok banke me Sokol Hoxhën dhe shok burgu me Haxhi Hafiz Sabri Koçin, i dekoruar me medalje ari në Elektronikë dhe i dënuar me 11 vjet heqje lirie për shpikjen e "kanoçes", i akuzuar si "armik i popullit" në diktaturë dhe i reklamuar si shëmbëlltyrë e Jesu Krishtit, në vitet e demokracisë. Ky është Saimir Reshit Maloku, të cilin hyjnitë e kërkojnë në qiell, por njerëzit e thjeshtë e gjejnë në tokë, ose në det duke shpëtuar fëmijët që mbyten nga dallgët. Publikimi i historisë së Saimir Malokut përbën një detyrim sepse ai është shembull i qartë i vazhdimit të traditës së Nënë Terezës, e cila energjitë e saj i vuri në shërbim të njerëzimit. Aktualisht, Saimirin e kërkojnë dhe e ndjekin nga mprapa pjesëtarët e 52 familjeve shqiptare, për ta falenderuar sepse ai i ka shpëtuar jetën fëmijëve ose të afërmve të tyre. "Kush shpëton një jetë njeriu ka shpëtuar një botë të tërë", thotë Bibla. Kjo, së bashku me thjeshtësinë dhe varfërinë e tij, na mjaftojnë të bindemi se busti i Saimirit së shpejti do të jetë prezent në njerin prej shesheve të Shqipërisë.

Saimir Maloku, kur ishte oficer ndërlidhjeje në Burrel

Kanoçet...

Saimiri ka lindur shtatanik. Nëna e tij në atë kohë ishte e sëmurë dhe asaj i bënë shumë presione që ta hiqte fëmijën, por ajo nuk pranoi. Lindja e parakohshme e Malokut, (peshonte 1.700 kg) e shtoi mosbesimin e të afërmve tek aveniri i djalit. Por rritja, formimi dhe talenti i tij për elektronikën, më vonë e ndryshuan mendimin e tyre. Në moshën 6 vjeç ai bëhet radioamator, ndërsa 16 vjeç Saimiri ndërton vetë radion e parë me 4 llampa. Më tej, bën pajisje për manjetofon dhe në moshën 27 vjeçare nxjerr në dritë shpikjen e famshme që hyri në histori me emrin "kanoçja". Atëherë ishte inxhiner ushtarak në korpusin e Burrelit. Regjimi, duke ndërprerë të gjitha kontaktet me botën perëndimore kishte shpikur heqjen e grupit të televizorëve qysh në fabrikën e montimit të Durrësit, ose në dogana. Njerëzit shihnin në TV vetëm stacionin e Tiranës që niste emisionet pas orës 18.00 të darkës. Për pjesën tjetër të kohës televizioni ishte i padobishëm. Në atë kohë Maloku bëri një provë të suksesshme dhe me anë të "kanoçes", kapi disa stacione të huaja. Shpikjen në fillim e mbajti sekret dhe të tjerët e kuptuan si një magji. Ai mbante në xhep kanoçen dhe vibratorin poshtë kapotës. E lëvizte vidën dhe gjente stacionet. Por pastaj ndodhi diçka e çuditshme. Në repart erdhën drejtuesit e lartë të ushtrisë që donin të shihnin një ndeshje ndërkombëtare futbolli dhe kërkuan një teknik. Malokun e thirrën menjëherë. "Duhet ta nxjerësh patjetër stacionin që kërkojnë se ndryshe do të kesh pasoja", i thanë. Maloku aplikoi shpikjen e tij. Kanoçen e mbajti poshtë kapotës, së bashku me një antenë të vogël dhe në mënyrë të fshehtë bënte koordinimin e vidës me dorën tjetër. Drejtuesit po kënaqeshin nga ndeshja por çuditeshin nga marifeti i Malokut: "Ti qënke magjistar", i thanë ata, "si mund të lëvizësh stacionet duke mbajtur dorën në xhep". Pas kësaj, lajmi mori dhenë kështuqë erdhi menjëherë Petrit Dumja. Ai kërkoi të njëjtën gjë. Saimiri vazhdoi magjinë e tij duke mbajtur "kanoçen", poshtë kapotës. Dumja nisi të argëtohej dhe të qeshte. Por dalëngadalë enigma nisi të zbardhej. "Përse e mban, dorën në xhep, ç'ke aty", etj, etj, ishin pyetjet e para. Më pas, kur Balluku e Dumja u dënuan, nisën edhe akuzat. Ç'është kjo shpikje e çuditshme" thanë drejtuesit e rinj. Saimirin e thirri me urgjencë komisari: Ti nuk je magjistar por një armik i popullit", ishin fjalët e para të tij. Filluan hetimet. U gjend një marrëdhënie e çuditshme për të qepur akuzën. Maloku kish pasur një lidhje spontane me disa filatelistë anglezë të cilëve u dërgonte pulla dhe i kërkonte ilaçe për babanë e paralizuar. Lidhja e akuzave u bë shpejt e shpejt: Ti ke bashkëpunuar me të huajt për të sabotuar punën e partisë duke u hequr si magjistar. Ke shpikur kanoçen, që është njëloj sikur të bombardoje Shqipërinë me avionë.

Sot inxhinieri elektronik shpëton jetë njerëzish

Në sallën e gjyqit, ku ishin dy mijë vetë nga turma nisën ta godisnin me domate dhe vezë duke e cilësuar "armik të rrezikshëm" dhe "bashkëpunëtor të Beqir Ballukut". Ndërkaq gjatë qëndrimit 7 mujor në qelinë e nëndheshme të Burrelit, nga mungesa e ushqimit, (vetëm pak kokrra fasule) e zuri skorbuti dhe i ranë 7 dhëmbë. Hetuesia niste në 12.00 të natës dhe mbaronte në 06.00 të mëngjesit. Ai ishte i zhveshur, i zbathur dhe i pangrënë me duart dhe këmbët të lidhura me hekura. Ndërkaq jashtë dritareve të burgut njerëzit kishin nisur të montonin "kanoçet" e para.

Televizorët e burgut

Në burgun e Spaçit kishte dy televizorë të cilët funksiononin me kabllo të dëmtuara dhe priza të prishura. Shpeshëherë, mungonte llampa e figurës, por të burgosurit ishin të kënaqur sepse dëgjonin vetëm zërin për të ndjekur lajmet. Maloku nisi të sajonte llampa të ndryshme. Policët e burgut dhe drejtuesit e lartë filluan të sjellin fshehurazi televizorët e tyre për t'i rregulluar në dhomën e Saimirit. Vetë komisari solli televizorin e tij dhe të vjehrrit për t'ia rregulluar. Por një ditë, qelia nuk xinte më dhe njëri prej gardianëve u ankua. Atëherë komisari e nxorri para gjithë të dënuarve dhe e ndëshkoi: tre ditë do të qëndronte në birucë. Gjatë viteve të burgut, maluka ka qëndruar në një qeli me Sabri Koçin. "Unë isha mirëmbajtës televizorësh, ndërsa ai hidraulik-saldator", thotë Maloku. Ai tregon gjithashtu një rast të veçantë kur po shkarkoheshin thasët e ushqimit të burgut. Ishin 5 thasë me fasule dhe oriz që peshonin, 230 kilogramë. "Kush i mban të gjitha me një rrugë do t'i ulim pesë vjet nga dënimi", tha drejtori. Maloku ngriti dorën. Të gjithë pritën. Ai mori ngarkesën në kurriz dhe duke thyer paametrat e peshëngritjes i transportoi ato në një distancë 120 metrash. Por në vend të shpërblehej me ulje të burgut u dënua me tre ditë në birucë sepse gjatë transportit ishte dëmtuar një pako makarona spagetti. Më vonë pas daljes nga burgu, Saimiri e provoi përsëri të mbante të njëjtën ngarkesë në kurriz, por faktikisht nuk arriti të mbajë as gjysmën, duke vërtetuar thënien se "burgu dhe sidomos premtimi i lirisë, i jep njerëzve energji të çuditshme". Në qelinë e Spaçit, Saimiri i shquhej si mirëbërës dhe ndihmonte ata që binin në komo. Po kështu nxirrte edhe burgosurit e vdekur nga galeria, ku i kishte zënë shembja. Ndërsa në një rast, ai shpëtoi një të burgosur i cili gabimisht, piu alkool metilik (alkol frenash) dhe u helmua. Saimiri tregoi se ishte një profesionist i dhënies së ndihmës së parë. Këtë prirje, ai e reflektoi qartë pas daljes nga burgu me shpëtimin e 52 njerëzve nga vdekja e sigurtë. Gjatë viteve të jetës së burgit ai ka qenë pranë Osman Kazazit, sherif Nerdanit, Kurt Kolës, Abdulla Sallakut, etj, ndërsa në Spaç qëndronte në një qeli me Sabri Koçin.

I talentuar apo delirant?

Ditën kur doli nga burgu ndërsa kthehej në shtëpi me tren, ndodhi që në vagonin e tij u ulën 5-6 studentë të degës së Inxhinierisë Elektronike. Njëra nga vajzat nxorri prej çantës së saj një kanoçe, (pajisjen e shpikur nga ai) dhe filloi t'i shpjegonte shokëve se si e kish realizuar ndërtimin e pajisjes. "Tani do të shikojmë Elektrik blu, të cilën në Vlorë e quajmë "Korrent mavi", tha vajza. Maloku u drodh, por guxoi të pyesë për çfarë pajisje bëhej fjalë. Studentët i shpjeguan se bota kish evoluar dhe kish ishte shpikur "kanoçja" që zëvendësonte grupin e televizorit për të parë botën. "S ke faj, thoshin herë pas here studentët, ti nuk mund ta dish se bota moderne pasqyrohet nëpërmjet një kanoçeje". Shumë vonë kur treni, ishte duke mbrritur afër kryeqytetit, dikush e kish pyetur malukën përse, kishte hyrë në burg. "Ja pikërisht për atë kanoçe", iu përgjigj Maloku, por zëri i tij ishte i dobët dhe artoparlanti paralajmëronte atë çast udhëtarët të përgatisnin valizhet për të zbritur. "Unë kam shpikur kanoçen i pari dhe për këtë jam dënuar 11 vjet burg", tha Maloku duke dalë nga vagoni, por studentët panë njëeri-tjetrin duke thënë, "si nuk e kuptuam më parë që ishte i lajthitur".

Tani... shpëtimtar

Klodian Laska, 9 vjeç, nga fshati Bubq i Fushë-Krujës duke u larë në det papritur prej dallgëve, kish pirë ujë dhe kish përfunduar në fund të detit. Ishte data 10 qershor, kur fëmija u nxorr në breg në prezencë të dy mjekëve të huaj dhe 1 mjekeje shqiptare. Sytë dhe buzët i kishte blu, ndërsa fytyrën me ngjyrë të zezë. Mjekët, dhanë menjëherë opinionin e tyre, "ka mbaruar". Ndërkaq, Saimir Maloku, u ul pranë trupit të fëmijës dhe nisi të bëjë veprimet duke, i nxjerrë gjuhën, dhe duke e kthyer me kokë-poshtë për të hequr sekrecionet dhe ujin që kishte pirë. Mjekja u nervozua dhe madje e kapi prej flokësh Saimirin duke i thënë, "qërohu" dhe "mos u tall me vdekjen". Por Saimiri nuk tallej. Ai i hoqi edhe rrobat e banjës së fëmijës dhe vazhdoi më tepër ngulmimin e tij. I fillo frymëmarrjen artificiale dhe veprimet e tjera. Një polic, i nxitur nga mjekët u afrua dhunshëm dhe i tha Saimirit të largohej. "Mjekët thonë se fëmija ka mbaruar, prandaj qërohu", ishte urdhëri i tij. Por Saimiri nuk u ngrit. I ndihmuar nga njerëzit ai e ktheu fëmijën disa herë përmbys dhe nisi t'i bëjë masaxh dhe frymëmarrje. Papritur fëmija dha shenja jete. Saimiri vazhdoi punën. Tani polici duke parë nme urrejtje mjekët e ndihmoi dhe e pyeti: "Ç'farë nevoje ke". Fëmija shpëtoi. Vetëm pas disa orësh kur fëmija ishte mirë, Saimiri pranoi ta dërgonin në spital. Mësuesit që shoqëronin fëmijën gjatë i thanë: Na jep adresën dhe do të sjellim një autobus me dhurata". Ndërsa në një rast tjetër, ishte kur Saimiri bëri të njëjtat veprime për shpëtimin e një fëmije 11 vjeç. Pasi e ktheu në jetë ai e çoi vetë në spital dhe kur u kthye në plazh ishte pasdite. Ai pa një grua që kërkonte djalin e saj në bregdet. Dikush i tha se një fëmijë ishte mbytur dhe i treguan rrobat e banjës së fëmijës. Asaj i ra të fikët, por kur u përmend i treguan se në botë ishte gjendur një shpëtimtar që quhej Saimir Maloku. Fjalët e saj të vetme në atë çast ishin: Do shes shtëpinë që t'i bëj monumentin prej bronxi këtij njeriu". E njëjta gjë pak a shumë ka ndodhur edhe me fëmijë të tjerë, si edhe me 27 burra e gra që ai i ka shpëtuar nëpërmjet veprimeve të tij efikasae. Njeriu që është i aftë të bëjë 4 kilometra not, është i pajisur edhe me virtytin e mirëbërjes. Atë tani e kërkojnë qindra familjarë për ta falenderuar, por numri i tij i telefonit, 257933 deri tani nuk është publikuar asnjëherë. Vetëm në një rast aimiri nuk ka mundur të marrë falenderime nga familjarët. Ishte një fëmijë jetim, të cilin Saimiri e shpëtoi nga vdekja. "Nëna nmë ka vdekur ndërsa babanë nuk e njoh", i tha fëmija duke qarë, "por unë të falenderoj nga zemra dhe një ditë do të ta shpërblej". Saimiri i përket racës së njerëzve që nuk presin falenderime sepse ata i pret nesër një akt tjetër humanizmi. Po kështu një rast tjetër është shënuar në 14 shkurt. Ditën e Shën Valentinit, të vitit të kaluar një djalosh 17 vjeçar pas një basti me shokët piu 1 kile e gjysëm konjak dhe pati një gjendje komo. Rreziku i një vdekjeje të sigurtë, ishte evident. Por aty gjendej, Saimir Maloku që nisi menjëherë veprimet e tij të shpejta dhe gjithçka kaloi me sukses. Ka dhjetra raste të tjera, që nisin me aksidente, djegje, helmim, tentativa vetvrasjesh, pjagosje etj, ku Saimir ka shmangur një mort. Në Bibël shkruhet se "Kush shpëton një jetë njeriu ka shpëtuar një botë të tërë". Ndërsa Saimiri ka shpëtuar të paktën 52 jetë njerëzish. Kështu dekorimi me Urdhërin e Nënë Terezës dhe titulli "Për merita të veçanta civile", i dhënë nga Presidenti Meidani, çoi në vend kërkesën e dhjetra shoqatave dhe partive politike, të Qendrës për të Drejtat e Njeriut dhe mbarë opinionit publik, për nderimin e Saimirit. Atë ditë pjesëtarë të familjeve të fëmijve kanë derdhur lot për gëzimin e tyre dhe për të gjitha ato që kanë ndodhur. Tani ata kërkojnë vetëm një gjë: Saimiri të takohet me Papën e Romës. Ky takim duket se do të realizohet së shpejti, ku ai do të shoqërohet nga zonja Kati dhe Rrok Mirdita. Ndërkohë, regjisori i talentuar Saimir Kumbaro dhe skenaristi Roland Gjoza po përgatisin filmin dokumentar kushtuar shembëlltyrës së Jezu-Krishtin në Shqipëri. Dhe rastet e shpëtimit janë të panumërta...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora