E premte, 19.04.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Sulollari & Haxhillari: Poet me frymëzim të pazakontë

E merkure, 22.07.2015, 06:12 PM


Një poet me frymëzim të pazakontë

( Përsiatje mbi vëllimin “Jeshile” të Luan Xhulit. )

Nga Eduart Sulollari, Istref Haxhillari

Luan Xhuli është poet i pajisur. Larmia e vargut ngjyros pafund faqet e librit. Poezia e tij është frymëmarrje, prek jetën me temat e larmishme që vallëzojnë mes ndjesive origjinale.

Shfaqet fjalë pak. Metaforat të presin tek porta e poezisë, ashtu siç rrinë nënat pragut në pritje të fëmijëve, “duke përtypur heshtjen” sikundër autori shprehet në poezinë hyrëse të vëllimit.

Të bën për vete komunikimi brilant me realitetin. Poeti mban në dorë brishtësinë e vet që  nuk ka moshë, është e pacak, e pa kohë. Ka nisur të ecë me të që nga fëmijëria për të mbërritur moshën madhore ku “vetëm nëna mund ta kuptojë”.

Në rrugën e gjatë të leximit gjoksin ta çan dhimbja e poetit, dhimbje e veshur me lot të rëndë ashtu siç janë ato të burrit:

“Vetëm dy lot

të ngarkuar si prindërit.”

Ulërin ky varg. Bluan eshtra, godet zemra, rrëzon edhe murin më të fortë të qëndresës, atë kala madhështore që ka ngritur për jetën.

Ka ëndrra poeti. Do që në agim  të çdo dite të shohë njeriun brenda gëzimit të bukës së ngrohtë, nuk do pranvera të plagosura,  por “në oxhakun e ndajnatës ulet prehrit të tij zog i pikëllimit.”

Shkëlqen kjo poezi në poteren e pafund të lëmit të poezisë shqipe.

Dalta xhuliane skalit shkëmbin e fortë të temave pa iu dridhur dora për copëzat e rënda të flakura. Kur poezia ka mbaruar, zemra e tij digjet si kërcuri vatrës së dimrit.

Mungesa e mikut Riza Lahi derdhet fisnikërisht, dashuria për mikun e munguar është tamam si buzëqeshje e vajzës në një udhëkryq. Pengu që s’do ta shohë kurrë më, është aty dhe poeti vë gjëmën.

“Mos më braktis në kryqëzimin e mëdyshjes.”

Poeti Xhuli nuk është një kambanë që dëgjohet vetëm në oborrin e vogël të katundit Baban, apo në Devoll. Këngën e kësaj kambane e ka dëgjuar qyshkur atdheu ynë dhe Greqia.

Modestia e tij do që të rrethohet vetëm nga “pasditja në ballkonin e shtëpisë.” Por holli i magjisë së poezisë xhuliane ndriçon kangjellat e çdo shtëpie. Guxon “ në atdheun e mendimeve të humbura të ngrejë kështjellën.” Përvojën e ka mike të mirë, por fat për ne që kjo është vetëm  metaforë, ndryshe “gjithë ato mendime të humbura” do të vdisnin vërtet brenda minutës nëse në xhepin e vogël të këmishës nuk do të gjendej lapsi dhe fleta e bardhë.

Në skajin më të largët të poezisë s’ka si mos lexojmë rreshtat për nënën. Në limanin e mallit herë pas here ankorohet kjo dashuri që të përlot, të rrëqeth sepse pas mureve të viteve kalon koha ngarkuar me nostalgji.

Lehtësia me të cilën prek shqetësimet e së përditshmes të mahnit, noton lumit poetik pa kërkuar të kapet tek e njëjta degë. Vetmia që e mbërthen kurrë nuk është pa derë, “ nuhat strehët e lagura të fëmijërisë.”

“Zë miqësi me detin

dhe harroj zogjtë e fshatit ku linda.”

Udhëtar i çuditshëm i kësaj bote mahnitet tek shikon se “një ditë pas dallëndyshes

papritur dhe moti u freskua.” Skicon pareshtur çmenduritë e jetës teksa “mëngjesi grindet si një mashkull”

Baret dhe befas në fytyrën e javës:

“ Sheh ditën që rrëshqet

si dashnore e vjetër.”

Poetët që kanë tharmin e modernes, gjerësinë e përmasave të poezisë xhuliane, janë

lajmëtarë në kërkim të absolutes. Çdo fjalë e poezisë është e thjeshtë si dëbora e parë e Krishtlindjeve, tokë e begatë ku do të mbijnë filiza. Janë hapa të matur, dega e bajames që lëkundet dritares së ëndërrimtarit, librat e pa lexuar, orët me tik-taket që godasin të nesërmen.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora