E enjte, 28.03.2024, 04:02 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Veprim shqiptarie nga idealistët

E merkure, 22.07.2015, 06:30 PM


NJË VEPRIM SHQIPTARIE NGA NJERËZ IDEALIST

Nga Kadri Tarelli

Në kushtet e ditëve të sotme, kur të gjithë i kanë sytë tek paraja dhe sa të mundin po rendin ku është fitimi, gjithkush mund të mendojë se fisnikëve idealistë u erdhi fundi, për të mos thënë se edhe kur çfaqen shikohen si të dalë mode, apo të ardhur nga nonjë planet tjetër.

Pavarësisht se nuk ka dobi të merresh me analizën e shkaqeve dhe rrjedhojën e kësaj dukurie shoqërore, duhet thënë se kjo racë e idealistëve nuk shuhet kurrë. Analiza nuk i shërben askujt, sepse askush pa e patur në shpirt, ndërgjegje, botkuptim, kulturë e prejardhje fisnike, nuk mund të bëhet idealist me urdhër, vendim apo dekret institucionesh. Le që po e hape këtë temë muhabeti, të shikojnë me mospërfillje, (kjo më e ëmbla e më e buta), pasi ka edhe kundërshti me zë të lartë, për të mos thënë deri në cinizëm. Të turren e të japin një dynja me shembuj e argument se shpirti nuk mbahet me idealizma, ose kjo frymë e përvojë nuk sjell para e fitim për jetë bollëku, qejfi e lluksi.

Edhe kur përpiqesh të kapesh te shumë figura atdhetarësh të vjetër e të rinj, apo të mbështetesh te bëmat e rilindasve tanë të ndritur, që shkrinë mençuri, energji dhe pasuri për ta bërë këtë copë Shqipëri, bëjnë sikur nuk dëgjojnë nga ai vesh, e të përgjigjen me përçmim: ishte kohë tjetër atëherë. Kësaj llogjike të çoroditur i shkon përshtat pragmatizmi i çastit, që shkon deri në harrimin, për të mos thënë mohimin dhe shkatërimin e vlerave të kombit, për të cilat aty-këtu, edhe ngrihet zëri, pa shtruar pyetjen pelin të hidhur: Kush i dëgjon, e kush i pyet? Ndëras mbledhim buzët e fjala meket për veprimtarët që, heshturazi, pa bujë e klithma për lavdi, mundohen me çka mundin të thonë fjalën e tyre, të mbledhin e të ruajnë me fanatizëm, ato sende e objekte që i shërbejnë historisë, traditës dhe kulturës shqiptare dhe t`i shfaqin në publik, jo thjesht për njohje, por për edukim me ndjenja krenarie kombëtare e atdhetarie.

Nuk mund të rrinja pa i thënë këto fjalë, tani që u njoha me një veprimtari të çmuar shqiptarie, të ndërmarrë kohët e fundit nga Qëndra Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë, me presidentin e saj, historianin e koleksionistin e njohur Shpëtim Sala. Është një njoftim në faqet e internetit me shumë pak fjalë, ku i kërkohet krijuesve shqiptar të dhurojnë libra të shkruar në gjuhën shqipe, për fëmijët, shkollat dhe bibliotekat shqiptare të Plavës dhe Gucisë. S`besoj se ka nevojë të komentohet më gjatë ky njoftim dhe veprim, bile kam frikë se fjalët e shumta e zbehin vlerën dhe rëndësinë e kësaj ndërmarrje të guximëshme, që ka brenda shqiptari, fisnikëri e idealizëm pa kufi. Edhe krahasimet, sado të bukura e të qëlluara qofshin, janë të padobishme, pasi secili le gjurmë duke bërë jetën dhe historinë në kohën që jeton, në kushtet, rrethanat dhe mjetet që ka.

Edhe unë, së bashku me z. Bajram Gashi, si shumë krijues të tjerë i`u përgjigjëm thirrjes, duke çuar secili nga pesë kopje të librave tanë, përkatësisht “Misionarë në udhën e dijes” dhe “Një shekull në udhën e dijes”, ku në faqe të parë shkruam shënimin: “Dhuratë për Plavë e Guci”.

Një kafe me z. Shpëtim dhe vizita në shtëpinë e tij, na mundësoi të njihemi më mirë me veprimtarinë e Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptar, me  ekspozitat e hapura në Tiranë, Prishtinë, Prizren, Ulqin, Strugë, Durrës, Korçë, Pogradec, Vlorë e deri në Budapest të Hungarisë. Në të gjitha rreh pulsi i atdhetarëve pasionant për kulturën materiale të gjetur e grumbulluar dhe të ruajtur me aq kujdes e dashuri, pa u kursyer edhe për shpenzimet që dalin vetvetiu. Ky është vështrimi i parë dhe i përmasave mbarkombëtare, por mrekullohesh kur njihesh nga afër me objektet që ka secili, në këtë rast vetë z. Shpëtim. Pa i përmendur të gjitha, po mjaftohem vetëm me koleksionin e plotë të flamurëve shqiptar, mijëra dokumenta e fotografi të arsimit e shkollës shqipe, e deri tek kopjet origjinale të fjalorëve të Kristoforidhit e Thimi Mitkos. Një “thesar” i tërë për historinë dhe kulturën tonë, me të cilin do krenohej secili nga ne. Një thesar njohjesh e dijesh për publikun shqiptar, e në veçnti për shkollarët dhe të rinjtë.

Përshëndetje falënderimi dhe urimi për suksese në përmbushjen e pasionit të tyre, është më e pakta gjë që mund të themi për këta misionarë të heshtur të historisë dhe kulturës materiale.

Nga e djathta: Sala, Tarelli, Gashi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora