E shtune, 20.04.2024, 03:53 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Zerimi total i përparimit 14 vjeçar të çështjes shqiptare në IRJM

E marte, 21.07.2015, 08:59 PM


Zerimi total i përparimit 14 vjeçar të çështjes shqiptare në IRJM

Nga Elvi Sidheri

Për pak ditë do të mbushen plot 14 vjet qysh nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, falë së cilës në vitin e nxehtë dhe fort luftarak 2001, dy vjet pas luftës dhe çlirimit të Kosovës, shqiptarët e IRJ Maqedonisë, ia dolën që me forcën e armëve në terren përballë ushtrisë maqedono-sllave, dhe atë të argumenteve të forta në tavolinat e negociatave, të impononin një realitet të ri në këtë vend.

Shqiptarët kështu, në IRJM arritën që pas shumë dekadash të dalin përtej apartejdit dhe diskriminimit të përditshëm, me të cilin qenë përballur gjer në vitin 2001, nën disa sisteme dhe regjime, qysh në kohën e Jugosllavisë mbretërore, në atë të Jugosllavisë Federative dhe të Maqedonisë komuniste, e deri pas pavarësisë së këtij shteti në 1992-in.

Por, me krijimin e rrethanave të reja politike, sociale dhe zhvillimore në Shkup ? që kulmuan me ngjarjet e muajve të fundit, ku regjimi brutal autokratik dhe oligarkik rusofil i kryeministrit antishqiptar Gruevski, u sfidua në mënyrë të fuqishme nga qytetarët maqedonas të të dyja kombësive (shqiptare dhe sllave); gjithashtu pas ndërhyrjes kriminale ushtarake në një lagje të banuar shqiptare të Kumanovës, ku regjimi i Gruevskit dhe shpurës së tij vrasëse, nuk ngurroi të përdori armët e kalibrit më të rëndë, në një zonë të mbipopulluar me popullsi civile ?, gjithësesi dita e marrëveshjes së re të nënshkruar në orët e fundit të datës 14 korrik në Shkup mes liderëve të partive kryesore të skenës politike maqedonase në prani të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Johannes Hahn; mënjanë të mirave të pamohueshme për situatën e trazuar në këtë vend, solli edhe një zhvillim thellësisht pezmatues sa i përket aspiratave legjitime të shqiptarëve, të cilat u keqpërdorën (urohet) për herë të fundit në mënyrë të pafalshme nga ata që hiqen ende, si përfaqësuesit e tyre politikë në institucionet dhe parlamentin e Shkupit.

Detajet e marrëveshjes së 14 korrikut janë sigurisht dhe pa asnjë mëdyshje të vetme, të rëndësishme, dhe kryesisht, ato mund të shihen si fundi, sadoqë i ngadaltë, por gjithësesi i pashmangshëm i regjimit të Gruevskit dhe VMRO-së.

Dhe kjo nuk është pak fundja!

Dihet botërisht se përgjatë nëntë viteve pushtet, Gruevski ia doli mbanë që IRJ Maqedoninë, ta shndërrojë në një shtet të izoluar dhe në konflikt të përhershëm me vetveten, në konflikt me qytetarët e saj, qofshin ata shqiptarë apo sllavë, në konflikt të pazgjidhshëm me identitetin e vet të papërcaktuar, të ngërthyer vazhdimisht mes përkatësisë sllavë (që i korrespondon origjinës së vërtetë të banorëve sllavë të këtij vendi faktikisht)... dhe fantazive të lajthitura megallomane të Gruevskizmit, që rreket më kot që t’i barazojë sllavët e sotëm të Maqedonisë, me popullsinë e lashtë të Maqedonisë antike!

Nuk do shumë mend që një njeri si Gruevski (e sidomos kur ky i fundit, është edhe një lider i gjithëfuqishëm, tejet i kamur, që ka në dorë frerët e tërë piramidës shtetërore dhe të ekonomisë së vendit të vet, të cilin e kontrollon me anë të një sistemi autokratik korruptiv, që rrënjët i ka në Shkup, por degët e të cilit rriten gjer në Beograd, e ndoshta mbarojnë brenda në Kremlin, në Moskë); një regjim pra, apo një vijë e çakërdisur të menduari, një filozofi qeverisëse që jeton në konflikt të vazhdueshëm ekzistencial me vetveten; që mbetet gjithherë e ndarë brenda një identiteti të dyzuar (sllav, apo maqedonas antik; me Perëndimin demokratik, në BE dhe NATO, apo me babain Rus, me Putinin dhe Erdoganin?!); gjithsesi nuk e ka të gjatë, dhe kjo çmendinë e madhe në të cilën qe shndërruar mjerisht IRJ Maqedonia, dhe e cila mishërohej fare mirë tek “monumento-mania” e marrë që pati pushtuar krejt Shkupin; si përfundim, po e përpin vetë Gruevskin, partinë, qeverinë, filozofinë dhe pushtetin e tij jetëgjatë.

Gruevski dhe të tijët, u përçapën t’i hynin detit me këmbë, të viheshin kundër Perëndimit dhe SHBA, duke sfiduar idiotësisht dhe dritëshkurtësisht gjeopolitikën e pacënueshme, që IRJ Maqedoninë, e përcakton si territor nën ndikimin Perëndimor (ashtu si edhe Shqipërinë, apo Kosovën... për fat të Perëndisë).

E bënë këtë akt vetvrasës politik dhe jetësor, duke shpresuar tek dora e gjatë e Vladimir Putinit, dhe tek dëshira ruse për të “nxjerrë kunja” me BE-në dhe Uashingtonin; por faktikisht, këto “kunja” Gruevskit i përfunduan direkt në prapanicë!

Dhe me siguri, pas nja 9 muajsh, po qe se nuk i ka mbledhur rraqet (miliardat që ka zgrapur gjithë këto vite), do ta ngrenë majë asaj “kunje” (“huri” ndoshta), dhe do ta lënë që ta hanë sorrat dhe korbat në mes të Shkupit njerëzia e irrituar; dhe aty paskëtaj, le të rrijë ai, e t’u bëjë shoqëri monumenteve të tij të dashura, që kanë mbirë si shumë herpes plot qelb, anembanë udhëve dhe shesheve shkupiane.

Por Gruevski është një aspekt i kësaj marrëveshje, dhe faktori inekzistent politik shqiptar në Shkup, është (mos)aspekti tjetër që do vënë në dukje pas saj.

Them “(mos)aspekt” jo për ndonjë lojë fjalësh, por sepse dy partitë e ashtëquajtura të mëdhaja politike shqiptare të pranishme në parlamentin dhe qeverinë e Shkupit; në marrëveshjen 14 korrikut, të nënshkruar në praninë e faktorit ndërkombëtar, nën përkujdesjen direkte të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; formacionet politike shqiptare, qofshin opozitare, apo qeverisëse (PDSH-ja dhe BDI-ja), nuk figurojnë ASKUND!

Mënjanë ndonjë aneksi të parëndësishëm të kësaj marrëveshjeje, ku “lahet goja”, sa për t’i përmendur ndonjëherë këto parti si pjesëmarrëse në këto negociata.

Ç’ka ndodhur pra vallë?

Si është e mundur kështu, që për turp të Zotit, 14 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ? e cila në mënyrë direkte apo indirekte, ishte përcaktuese për zhvillimet e gjithanshme në Maqedoni, përgjatë një dekade e gjysëm pas nënshkrimit të saj, duke i dhënë këtij vendi një fytyrë krejt të re, falë faktorizimit të shqiptarëve si kombësi e dytë (thuajse) shtetformuese në IRJM, duke i dhënë gjuhës shqipe “ligjshmërinë” e pranisë së saj kudo ku shqiptarët jetojnë në këtë vend, dhe duke ia hequr “vargonjtë” shpalosjes së flamurit tonë kombëtar në rajonet shqiptare të këtij vendi ?, tanimë, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të re, e cila do të jetë po kaq përcaktuese për të ardhmen jetëgjatë të këtij vendi, shqiptarët të jenë defaktorizuar pothuajse tërësisht?

Si është e mundur që në distancë 14 vjeçare me arritjet kulmore të gushtit 2001 ? kur me luftë dhe diplomaci, shqiptarët për herë të parë, ditën të ligjërojnë aspiratat e tyre, edhe në mënyrë kushtetuese ?,  sot, në agun e një dite të re për Maqedoninë; në bisedimet, negociatat dhe në vetë kushtet e marrëveshjes së re që do të rrezatojë për shumë kohë me efektet e veta për të gjithë qytetarët e këtij vendi (pra edhe për shqiptarët e atyshëm); partitë politike shqiptare të shërbejnë vetëm si “stoli dhe zbukurime bredhi”; ndërsa në realitet, vetë bredhi në fjalë (thelbi pra, i kësaj marrëveshje, dhe i formatit të ardhshëm institucional të pushtetit në IRJM); tashmë duket se falë kësaj “zbythjeje” të faktorit politik shqiptar në Shkup, do të mishërohet ekskluzivisht nga faktori politik sllav?!

Ky është një regres i pakuptueshëm dhe i papranueshëm që me siguri shqiptarët e IRJ Maqedonisë, nuk e meritojnë, por që atyre u është imponuar prej 23 vitesh, nga të gjitha partitë e tyre që kanë flirtuar dhe janë “joshur” dhe u janë dorëzuar pa kushte, zotërve të tyre sllavë!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora