E premte, 19.04.2024, 01:00 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Sylejman Morina: Falë Bernardit botohet kroatisht vepra e Tulio Erberit kushtuar arbneshëve të Zarës

E marte, 21.07.2015, 08:31 PM


Falë Bernardit botohet kroatisht vepra e Tulio Erberit kushtuar arbneshëve të Zarës

Nga Sylejman Morina

Arbneshët, duke jetuar të vetmuar e të  izoluar, pa kontakte me atdheun, pos rasteve individuale,të paktë në numër, të ballafaquar me ndryshime të shpeshta të pushteteve sunduese, herë të manipuluar nga sunduesit, fare të pa mbrojtur, herë- herë politikisht të ndarë, si dhe të akuzuar pa të drejtë nganjëherë, dhe herë mbi ta  shfryen mllefin e tyre tjerët, megjithatë ideja e kroatizmës  ka dominuar në mesin e tyre.

Pos faktorëve objektiv që ndikuan në asimilimin e tyre, janë edhe politikat asimiluese të pushteteve sunduese, si edhe mos gatishmëria  dhe indiferenca  e institucioneve  të Shqipërisë dhe Kosovës, për ta ndihmuar këtë  etnitet  që të ruaj identitetin e tij. Megjithatë, sikurse në të kaluarën që kishte individ të interesuar për  çështjen e arbneshve, po ashtu edhe sot, ka individ që angazhohen të bëjnë diçka të dobishme për komunitetin e tyre, duke u bazuar në forca të veta intelektuale e financiare. Këta individ, qenë dhe janë të shtyrë nga dashuria ndaj origjinës  së të parëve, dhe ndaj të veçantës së tyre. Një personalitet i tillë që me dekada vepron në vijimësi, është intelektuali i shumanshëm z. Bernard Kotlari . Ai me veprimtarinë e tij, komunitetin  e abnshëve, fuqishëm e ka prezantuar para opinionit arbnesh dhe kroat. Aktivitetet e tij i janë kushtuar çdo gjëje që lidhet me jetën, historinë e kulturën e bashkëvendësve të tij.

Para do kohësh, më 10 maj u bë promovimi i veprës së përkthyer në gjuhën kroate të historianit italian që jetoi në Zarë .Tullio Erber(1854-1909) me origjinë nga Verona, i cili në Zarë kishte punuar prof. i gjimnazit italian për tri dekada. Kjo vepër i ishte kushtuar arbneshve  të Zarës, e cila titullohet: “ Kolonia Shqiptare e Arbneshit Pranë Zarës”,për të cilën Prof.  i Universitetit të Zarës, Sergjo Dokoza, në pasthënie  të librit  shkruan: “shkrimtari i parë që ka shkruar historinë e arbneshëve, nuk është zaras e as  arbnesh” , kjo nuk na habit fare se edhe historinë e shqiptarëve të parët që e shkruan, po ashtu   ishin  të huaj.

Ideja  për realizimin e këtij projekti, që pas 132 vjetëve, të përkthehet kjo vepër  dhe botohet  në gjuhën kroate, nuk  është  veprim  i ndërmarrë nga  ana e institucioneve të  qytetit  Zarës, e as    zhupanisë, por   falë kontributit   dhe angazhimit  të Bernardit dhe arbneshëve tjerë. Megjithëse,  përkthimin e kishte përgatitur  disa vjet  më parë, por  botimi i ishte shtyrë  në mungesë  të mjeteve  financiare. Fatmirësisht, angazhimi, mundi  e dëshira e  Bernardit,  gjetën mirëkuptim dhe  gatishmëri  për mbështetje  financiare  nga vëllezërit  Peroviq: Kërsto dhe Tomisllavi, të cilët e kishin marrë përsipër financimin  e botimit të këtij libri.

Këta  burra arbnesh  janë nipërit e fra. dr.Bonifacije Peroviqit, priftit e intelektualit të shquar, shkrimtarit  i cili  konsiderohet  edhe si themelues i sociologjisë në Kroaci.

Për ekzistimin e  kësaj vepre, pak individ e kanë ditur nga zarasit  edhe nga arbneshët, pos hulumtuesve  të çështjes arbneshe. Bernardi, redaktor  i librit i cili me profesion  është inxhinier ielektros, njëherazi  e  ka bërë dizajnimin  artistik  dhe përgatitjen teknike. Ky, për herë të parë  për ekzistimin  e këtij libri ishte njoftuar nga  historiani dhe ilirologu më i madh   Aleksandër  Stipçeviq,  i cili për këtë libër i kishte thënë “ ajo është vepra  më e mirë që është shkruar ndonjëherë   për shpërnguljen e të parëve tanë  në rrethin e  Zarës” .Në  prologun e librit  Mr.Ivica Mateshiq shkruan: “Bernardi i vendosur  në planin e tij, kërkon edhe mendimin e meritorit  Sergjo Dokozës ,nga gjinia Nikpal, se sa është e saktë  pohimi i Lalës Shandri ,Sergjo  me  admirim pohon që ai libër nuk ka ndonjë vlerë për kroatët,por as për  historinë e Zarës, por si për këto tri  kilometra nga bedemët(muret mbrojtëse të qytetit)  në Ravnicat deri te  maja e Punta Bajlos, ai libër  paraqet pasuri të pa llogaritshme.” Ari të thatë”, shprehet Bernardi dhe vendos ta përkthej  librin  e Tullio Erberit... Por ai  nuk i kishte paraparë vështirësitë  me të cilat do të ballafaqohet. Për ndihmë e drejtohet prof. Dr. Lerka  Shimunkoviq,Suzanu Martinoviqit, dhe  Branka  Hërbokut, të cilat kishin  pranuar  të përkthejnë gjithçka që është  në at libër, për atë një falënderim i madh arbnesh.”( Kolonia Shqiptare e Arbneshit Pranë Zarës” faqe 6). Arbneshët e Zarës e kanë  pasur  tregimin  e tyre të përcjellë  gjeneratë pas gjenerate, se kush janë edhe prej nga kanë ardhur. Libri i Erberit, nuk ka pasur ndonjë ndikim, në opinion e gjerë e as te arbneshët,  sepse për ekzistimin e saj e kanë ditur vetëm  ca intelektual të interesuar.

Prof. i Universitetit  Zarës, Dokoza, mos ndikimin  e kësaj vepre e  shpjegon me vështirësinë e sigurimit  e saj, për shkak se herët ishte e botuar, pastaj gjuha në të cilën ishte shkruar(italiane).

Po ashtu  as botimi në gjuhën  shqipe  nga Bashkësia  Shqiptare në Republikën e Kroacisë më 1997 Zagreb, as gjë nuk i ka ndihmuar arbneshve  për ta njohur  historinë e tyre sipas veprës së  Erberit, sepse arbneshët, e kanë harruar arbnishten, e lëre më ta kuptojnë  gjuhën letrare shqipe. Ndërsa ,burimi kryesor për njohjen e historinë e arbneshve ishte  shkrimi i botuar në “Zadarski Zbornik” 1964, nga penda e intelektualit erudit arbnesh, i cili ishte i diferencuar politikisht, Dr. Kruno Kërstiq. Hulumtimet e tija të gjithanshme për arbneshët kanë vazhduar edhe më vonë, por nuk arriti t’i kompletojë edhe botoi vet autori, sepse vdekja ia ndërpreu  jetën  më 1987.Megjithat, disa materiale të  kompletuara, Prof. Stipçeviqi dhe bashkëpunëtorë e Krunos, arrijnë  t’ia botojnë në broshurën” Doseljenje Arbanasa u Zadar”(Vendosja e Arbneshve në Zarë) nëpërmjet Bashkësisë Lokale të Arbneshit, më  1988. Vepra në fjalë e Erberit, ndahet në dy pjesë :në pjesën e parë të ndarë në katër kapituj, dhe pjesa e dytë i kushtohet dokumenteve  të cilat ishin të lidhura me shpërnguljen e arbneshve  në Zarë. Pjesa e par fillon me diasporën shqiptare në tërësi  në periudhën turke, kapitull të veçantë i dedikohet shqiptarëve  Istrisë  dhe Italisë, pastaj  e vazhdon  kapitullin e dytë arbneshve  të Zarës. Sipas Dokozës “ Erberi në kapitujt  tjerë i  kushton më shumë rëndësi periudhës pas vendosjes në  atdheun e ri duke e pasuruar  me shumë të dhëna të cilat e  kanë pasqyruar  jetën e atëhershme të arbneshëve”   (Pasthënie , faqe 114). Në kapitullin, ”shënimet statistikore për arbneshët” fletë  për numrin e arbneshve  në Arbanas dhe Zemunik, si dhe shtimin e  arbneshve  në 100 vitet e para , si edhe shënime për  gjendjen   e familjeve dhe të  pronave tokësore. Numri i arbneshve ndër vite në Arbanas  ishte: ”Më 1756 ishin 409 banorë,1853 ishin  900 banorë më 1888  ishin 2000 banorë. Nëse merret parasysh  që në Ploqe  dhe  Zemunik, edhe sot jetojnë 40 familje  arbneshe ,të cilat më spaku 200  veta ,duke i llogaritur nga pesë në  familje, patjetër duhet thënë  që numri i arbreshëve po shtohet shumë shpejt, kështu që duhet frikësuar  nga varfëria e madhe; nëse nuk gjendet  një mënyrë e re  për punësimin e tyre”.

( Tulio Erber. Kolonia Shqiptare e Arbanasit Pranë Zarës, faqe 42)

“ Kapitull të veçantë i kushton, traditës së abreshëve ku është përpjekur  të regjistrojë të gjitha të veçantat e tyre , zakonet me rastin e ngjarjeve  të rëndësishme jetësore, kurorëzimet, vdekjet, vëllazërimet, gjakmarrjet etj”

Erberi, ua çmon  lart aftësitë e arbneshve  në muzikë, duke i përmendur  gratë arbneshe,  të cilat këndonin    mbrëmje kur ktheheshin nga punët e fushës. Një aftësi e cila është trashëguar edhe sot , skena muzikore e Zarës ,sot  s’mund të  imagjinohet  pa prezencën e  këngëtarëve  arbnesh. Erberi,i cili mund të konsiderohet edhe hulumtuesi nismëtar i gjuhës arbneshëve, që  më vonë i ka shërbyer edhe hulumtuesve të tjerë.

Në pjesën e dytë Erberi, i sjell 50 dokumente  autentike historike  të cilat ishin të lidhura  me historinë, diplomacinë e zhvilluar mes përfaqësuesve të Venedikut dhe  Turqisë , pas largimit të  arbneshve nga territori që e kontrollonin turqit,dhe kjo kishte qenë pjesa më e vështirë e përkthimit  të librit.

Për rëndësinë  e këtij  libri, Prof Dokoza shkruan “kjo vepër ende e ka  vlerën e vete shkencore dhe vendin në njohjen tonë për të kaluarën e arbneshëve, mu për atë ishte e dobishme përkthimi në gjuhën kroate ..(pasthënie, faqe 114)

Se kjo vepër  kishte zgjua  interesim të madh në mesin e arbneshve: intelektualëve  studentëve e qytetarëve tjerë, shihet nga pjesëmarrja dhe shitja e librit gjatë promovimit. Kjo tregon se arbneshët  janë të interesuar të informohen për origjinën e tyre, për të cilën shumica  janë edhe krenarë. Promovimi i kësaj vepre  ishte bërë në kuadër të manifestimit tradicional të arbneshëve kushtuar, “Zonjës Loret”. Të pranishmit  me vëmendje i dëgjuan fjalët e rastit të prof. Sergjo Dokozës,Kërsto Peroviqit dhe Bernardit, ndërsa prologun e shkruar nga mr. Ivica Mateshiqi, i cili nuk kishte pasur mundësi të merrte pjesë në këtë promovim, e lexoi prof. Lucija Peroviq. Të pranishmit  i argëtoi  bendi më i vjetër në Zarë, që është nga Arbneshi ” Donat”  dhe solisti arbnesh  Kreshimir Peroviq. Të gjithë  librat në promovim janë shitur, dhe  Bernardi mendon    ribotim e sajë. Kjo vepër  do t’ia mundësojë  gjeneratave    reja të arbneshëve ta njohin më mirë historinë e tyre.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora