E shtune, 20.04.2024, 03:21 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Mbi reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin

E marte, 21.07.2015, 07:25 PM


Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë

Demokratë të Shqipërisë

Dega  Tiranë

Nr. 5 Prot.                                                                 Tiranë, më 20.07. 2015

Lënda:        Mbi reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin

Drejtuar:      Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

Komisionit Parlamentar për dekriminalizimin

Për dijeni:                                    Zotit  Donald  Lu

Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Zonjës  Romana  Vlahutin

Ambasadore e Bashkimit Europian

Tiranë

Nje zhurmë e madhe po bëhet këto ditë në vendin tonë mbi këto dy çështje që kanë zaptuar opinionin e gjerë publik të vendit tonë. Madje janë krijuar edhe komisione parlamentare që,  prej muajsh, po punojnë për zgjidhjen e saj. Në këto çaste na lind një pyetje:

-     A janë, me të vërtetë këta deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që mund ta zgjidhin këtë

nyje gordiane? Kush janë ata?

Na duket e pamundur përgjigjja e kësaj pyetjeje. Përse, do të thoni ju. Për t’iu përgjigjur kësaj duhet të kthehemi shumë prapa, në ato kohët e errëta të asaj periudhe mizore që kishte gllabëruar vendin tonë, viktimat e së cilës jemi edhe ne. Ata që i kanë kaluar të pesëdhjetat, e njohin fare mirë atë periudhë. Njohin diktaturën e proletariatit në përgjithësi, por njohin gjithashtu edhe ato që quheshin levat e tij, levat e diktaturës dhe pikërisht për këto leva do të flasim.

Kush ishin ato?  Ishin organet e Sigurimit të Shtetit dhe ato të drejtësisë. Një mori individësh si, për shembull, hetuesat dhe operativët e Sigurimit, gjykatësit dhe prokurorët, bashkëpuntorët e ndryshëm të këtyre organeve dhe të tjerë të këtij kallëpi ishin zotërit e vërtetë të këtij vendi në atë kohë.  Ishin pikërisht hetuesat dhe operativët që kurdisnin lloj-lloj intrigash të paskrupullta që  i çonin njerëzit e pafajshëm para hienave të tjera, prokurorve dhe gjykatësve, të cilët pa hezituar i syrgjynosnin nëpër burgjet e tmerrshme, madje nje pjese jo të vogël të tyre, ua prisnin fare fillin e jetës. Ishin bashkëpuntorët e sigurimit ata që shërbenin si manekinë të ndyrë në duart e mjeshtërve të  errësirës.

Na   lejoni   t’ju  sjellim   një   shembull  fare    vogël  nga  proceset  gjyqësore  falso 

asaj periudhe, proces i zhvilluar në fundin e vitit 1989 kur komunizmi  kishte  marrë  rrokullimën

në të gjithë vendet e lindjes. Mendoni si kanë qenë këto procese në periudhat e mëparshme kur dikatura ishte në kulmin e saj. Bëhet fjalë për Vendimin Nr. 261, datë 16.11.1989 të Gjykatës Rrethit Durrës. Po e japim të plotë këtë vendim:

Gjykata e rrethit  Durrës    15-16.11.1989, shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale nr.253 që i përket:

Të pandehurve:

1.Adnan Balla, i biri i Tasimit dhe Dritës, datëlindja 1963, lindur e  banues në  Durrës,   pa parti, i pa dënuar, i pa dekoruar, me arsim të mesëm profesional, beqar, me punë në Portin Detar “Enver Hoxha”, i arrestuar (ndaluar) më 25.7.1989

2. Kastriot Mara, i biri Halitit dhe Lumes, datëlindja  1960,  lindur e banues në Durrës,  pa parti, i padënuar, i padekoruar, me arsim të mesëm profesional, me punë në NI Goma, i arrestuar më 27/7/1989, mbrojtur nga këshilltarja ligjore Vasilika Sotiri.

3. Agron Fico,  i  biri  Avdullajt  dhe  Meremes,  datëlindja  1961,  lindur  e  banues në  Durrës,  me  origjinë  e gjendje punëtor, i pa dënuar, pa parti, i pa dekoruar, me arsim të mesëm profesional, i martuar me një fëmijë, me punë në NIQ Durrës, arrestuar më 16.8.1989, mbrojtur nga këshilltari ligjor Rustem Syziu.

Të akuzuar:

* I pandehuri Adnan për moskallzimin e krimit të tradhëtisë ndaj atdheut, neni 11/2 K.Penal.

* Të  pandehurit  Kastriot  dhe   Agron  për  krimin  e  tradhëtisë  ndaj  atdheut  kryer 

bashkëpunim neni 47/gj – 31/b  K.Penal

Gjykata pasi shqyrtoi materialet e denoncuara nga hetuesia, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit dhe prokurorin që kërkoi:

* Të deklarohet fajtor i pandehuri Adnan Balla për veprën penale të moskallëzimit të një krimi kundër shtetit dhe sipas nenit 112/2 K.Penal të dënohet me një vit heqje lirie

* Të deklarohet fajtor i pandehuri Kastriot Mara për nenin 47/gj, 31/b K.Penal, dhe të dënohet me gjashtë vjet heqje lirie.

* Të deklarohet fajtor i pandehuri Agron Fico për veprën penale të tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes dhe sipas nenit 47/gj, 31/b K.Penal, të dënohet me shtatë vjet heqje lirie.

VENDOSI

Të deklarojë fajtor dhe të dënojë për veprën penale të tradhëtisë    ndaj   atdheut      formën   e  arratisjes  kryer  në bashkëpunim:

* Të pandehurin Agron Fico, sipas nenit 47/gj, 31/b, 32 të Kodit penal  me  5 (pesë)  vjet  heqje  lirie  duke  filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 16.8.1989.

* Të pandehurin Kastriot Mara sipas nenit 47/gj, 31/b, 32 të Kodit penal me 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj heqje   lirie,   duke   filluar  vuajtja  e  dënimit  nga data  e arrestimit 27.7.1989.

* Të pandehurin Adnan Balla për veprën penale të moskallëzimit të një krimi kundër shtetit dhe në bazë të nenit 112/2 të K.penal e dënon atë me një vit heqje lirie duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 25.7.1989.

Por ky proces nuk ishte i vetmi. Një numër i madh prej tyre zhvillohej në atë kohë në vendin tonë. Midis tyre ka patur edhe nga ato procese që përfundonin me likujdimin fizik të viktimës, siç ndodhi me rastin e poetit martir Havzi Nela në gushtin e vitit 1988 që  e  çoi  atë 

Litar. Por ne nuk do të zgjatemi më me to por duam të përqëndrohemi në  ditët  tona,  ku  realiteti është krejt ndryshe nga i së kaluarës.

Ku ndodhen  shkaktarët e këtyre masakrave të përbindëshme në ditët tona. Mos u çudisni por, jo pak prej tyre dhe midis tyre edhe gjykatësi që dënoi tre të rinjtë e sipërpërmendur,  i gjen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, gjykatat e apelit, gjykatat e shkallës së parë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe prokuroritë e rretheve, madje edhe deri në Ministrinë e Drejtësisë dhe funksione të tjera të larta të vendit.

Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit diktatorial dhe politika shqiptare vazhdon të mbështetet ende në elementet më famëkeq të asaj periudhe. Përse? A nuk ka kuadro të reja, qofshin ata socialistë apo demokratë që mund t’i zëvendësojnë? A mos vallë janë të paktë të rinjtë tanë që kanë mbaruar shkollat më të mira të botës perëndimore duke fituar madje edhe tituj shkencorë? Nuk janë të pakta rastet kur universitete të njohura të botes perëndimore u ofrojnë bursa falas studentëve shqiptarë të shkëlqyer. Bota perëndimore po thith trurin shqiptar. Po politika shqiptare kur do të kujtohet të thithë rininë shqiptare?

Mendojmë se përgjegjësia më e madhe në këtë drejtim u përket pothuajse të gjithë udhëheqësve të forcave kryesore politike që aktualisht janë relativisht të rinj por që ruajnë ende mentalitetin komunist dhe që vazhdojnë ta mbajnë peng vendin me politkanë të ardhur nga bota totalitare. Të tillë politikanë kanë depërtuar në të gjitha sferat e politikës shqiptare dhe madje  edhe në komisionet e ngritura për reformën e drejtësisë dhe në atë të dekriminalizimit, ndaj e bëmë pyetjen në fillim të kësaj shkrese Çfarë reforme mund të bëjnë tipa të tillë? Kë do të gjykojnë?  Kë do të dekriminalizojnë? Mos vallë veten e tyre? Pasi janë ata që, në rradhë të parë, duhej të dilnin në bangën e drejtësisë.

Ndaj iu bëjmë thirrje atyre që kanë marrë përsipër reformimin e drejtësisë dhe dekriminalizimin e shoqërisë shqiptare, të shkëputen nga mentaliteti i vjetëruar komunist që vazhdon ende dhe të përqafojnë frymën e re demokratike të perëndimit, të gjejnë forca për të hedhur në koshin e plehrave të gjitha mbeturinat e atij sistemi të përmendura më sipër. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me ligj. Kjo nuk është një shkelje e të drejtave të njeriut.  Është vendosja e një drejtësie bashkëkohore. Ata individë nuk po i burgos apo eliminon njeri, siç kanë vepruar ata me viktimat e tyre. Sistemi i sotëm i lejon të merren me çfarë ta shohin të përshtatshme. Le të ushtrojnë profesionet e  tyre ose çdo lloj aktiviteti që mendojnë, por kurrë nuk duhet të jenë në organet drejtuese të shtetit shqiptar.

Le të pastrohet administrata shtetërore nga hienat e së kaluarës!  Kjo është “A”-ja e një demokracie të vërtetë.

Për Kryesinë e Degës Tiranë

Sekretari                                                                  Kryetari

Sejdi   Peka                                                        Reshat   Kripa



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora