Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Radovani: Kush punoi me shburrnue Malet e Lekës?!

| E hene, 20.07.2015, 10:34 AM |


KUSH  PUNOI  ME  SHBURRNUE  MALET  E  LEKËS ?!

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

?1945  EDHE SHPELLAT KANË DOSJE...

Heeee...bre, ku i keni ata dy komunistët “trima” Enverin e Mehmetin, që kanë ba namin tue luftue, vra e therë ke i erdhi perdoresh, sa herë e kanë vizitue krahinen e Dukagjinit?

– Asnjëherë... E pse? Ata per “trima” me vra mbas shpine pra, i njihte gjithë Shqipnia!?

?Sigurimi i shtetit komunist  kishte marrë përsipër  me shburrnue Bjeshkët e Nêmuna, si për qejfë të serbit e “druzhe” Titos. Lakmija me i pushtue ata male ishte shekullore!

Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë postavë e sermt, për me i grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të malit ngarkue me hebe e buljera për me u çue ujë, bukë, duhan trimave ndër shpella. Ishin mbi 400 burra dukagjinas ndër male shka merr në Qafë të Agrit tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as shpellat.

Ata janë lidhë njëbesë me u vra dhe në dorë komunistëve mos me u ra. Kërcnohen me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash e kësollash, zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia pa gjyqe, shfarosje fisi, grabitje bereqeti e buke, therje bagtishë, me një skam e vorfni të pashoqe të modelit titist e stalinjan, e prapë se prapë nuk shtrohen.

Shumë krahina kanë qendrue me armë në dorë për mos me u shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër skutat ma jugore, por krahina e Dukagjinit do të zajë vendin e  veçantë në fletët e asaj historie të lavdishme antikomuniste se, rezistenca e Popullit aty ishte shumë aktive, e gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë e papajtueshme me pushtetin e tradhëtarëve komunistë, sidomos deri në vitin 1948.

Çdo pëllambë e asaj tokë të bekueme asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë ma në za për kah ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue me shekuj mburojë.

Duhej fillue me njerëzit që kishin influencë në ato krahina. Vëprimet komunistët i filluen kundër Parisë së Malësisë dhe Klerit Katolik (ndonëse i pakët në numër, por shumë i fuqishëm aty), veprime të  shpejta, të doemosdoshme dhe shumë kriminale për me u ba shembull për gjithë Shqipninë kundërshtare, si në kohën e luftës aty ku i shkeli kamba tue vra e plaçkitë, kryesisht në krahinat jugore, mbasi largohej gjermani. Instruktorët ishin agjentat shovenistë jugosllavë, të cilët mbas rezistencës së Prenkë Calit e Llesh Marashit filluene terrorin ndër malet e Shllakut, Pukës, Dukagjinit, Mirditës e Dibres...

?HAPNI DOSJET: Fillohet me vrasjet! Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para Kishës në Kodër Shën Gjergj mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i njohun për burrni ndër kuvende malësorësh. Ai u tha para pushkatimit: “Shka i duhet jeta shqiptarit maleve pa armë? Nuk ua jap!”. Tue u nisë nga siguria e kenjes së At Anton Harapit në Dukagjin, brigadat e ndjekjes komuniste fillojnë masakrat me malësorët e pafajshem.

Marrin 10 djelmoça të rijë, gjoja me i angazhue me brigadën, por meqë kundërshtojnë me iu kundërvue bashkëfshatarëve të vet, në fshatin Xhan i pushkatojnë pa gjyq.

?Në Palç të Nikaj-Merturit porsa At Mëhillë Miraj mbaron meshën, tue dalë njerëzit prej Kishe, partizanët e Ndjekjes kërkojnë prej Fet Sadikut, burrë afër të 70-tave me dorëzue armët. Feta nuk i dorëzon, atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi mbas një kodrës. Partizanët i thonë Fetës se, me që ti nuk pranon me na i dhanë armët na të kemi pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain Ademin, (kjo nuk ishte e vërtetë, por kishin shkrepë armët për me ligshtue Fetën që ai me tregue armët), atëherë Feta iu përgjegjet: “Mo’ brè, ju kishe dhanë edhe djalin tjetër, por vllaun jo!”, e prapë armët nuk i dorëzoi. Tue pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi trupin e tij dhe ashtu të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé e lanë aty me e pa katundi.

Kështu fshatrat me rradhë u njohën me ata kriminelë që thirreshin “çlirimtarë”.

?Në Shalë arrestohet bajraktari Kol Ndou, pak mbasi në Breg-Lumi sekretari i frontit të Qarkut të Shkodrës, komunisti terrorist Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshefej Partia Komuniste), atje organizon një mbledhje ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun, i shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi Ndok Pëllumbi vritet po aty prej Bal Markut, kështu fillon pushka... Për me ndalue gjakmarrjen dhe përçamjen e krahinës bajraktari Kol Ndou, hyp mbi një shkamb dhe thërret: “Në emën të Zotit Burra, me prâ pushka!”, dhe pushkët pushuen. Sigurisht një burrë me kaq influencë që ndalon vëllavrasjen, nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij Prel Marku ikë ndër shpella dhe një ditë bashkë me familje arratiset dhe nuk këthehët ma në Atdhé, si shumë të tjerë ndër ato krahina.

?E njajta gja kërkohet me u ba me bajraktarin e Shoshit, Lulash Gjeloshin, por ndodhë shka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët lidhin besën mos me pranue thirrjen e frontit (ose të partisë). Kur forcat e Ndjekjes shkuen atje krisi pushka dhe vriten tre vetë të Ndjekjes.

Bajraktari del në mal. Bashkë me té janë edhe gjashtë djelm sokola mali që syni s’u ban vék. Koha e gjatë bani që shpesh këta trima me u përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë luftimeve u vranë pesë djelmë nga çeta e bajraktarit.

? Rreziku i daljes farët të fisit asht kenë ba shkak që shumë burra janë detyrue me u dorëzue. Kështu ka ngja tek ura e Bregut të Lumit: I çuen fjalë një burri, “eja, se për një orë po nuk u dorëzove të pushkatojmë djalin 14 vjeç!”. Ai erdhi ma shpejtë. Aty ishte krimineli katil Xhemal Selimi tue thye arra me revolver mbi kokën e një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit, Xhemali ma parë i vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në Lumin e Shalës. Shumë kanë pa e provue ata lumej e shkambijë!

?Tirana mendonte se rezistenca e malëve po dobësohej, ndër male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani, shpellat sa vinin e u mbushnin me djelmë të tjerë. Ma siguri kishin ndër shpella se tek shtëpia. Forcat e Ndjekjes vazhdonin me lanë të vramë nga mosnjohja e krahinës, shkonin e binin si miza në qumësht ndër shtigje ku u fluturonte koka bashkë me “yllin e kuq” në ballë. Me u largue nga brigada prap pushkatohej si dezertor nga Mehmet Shehu, Haki Toska e sa kriminelë kështu, vazhdonte sa të shkojë kjo punë. Për këtë arësye në muejn prill-maj të vitit 1946 Mehmet Shehu, dërgon një brigadë të drejtueme nga një terrorist tjetër i njohun, major Ndreko Rino. Po të shikoni dokumentacionin e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që ruhet edhe sot, ju tregon ma së miri masakrat, pushkatimet pa gjyq, djegëjet e shtëpive dhe arësyet pse këta kriminelë dekoroheshin e thirreshin “heronjë të popullit” e, për fat të keq vazhdojnë edhe sot!

?Majori i porsaardhun filloi detyrën në Kuvendin e Bashkimit të Shalës e të Shoshit, tek Ura e re e Dukagjinit. Aty pushkatohen katër vetë pa gjyq pse nuk kishin dorëzue armët. Në Vuksanaj vritën dy të tjerë, ndërsa në përpjekje me forcat e ndjekjes plagoset randë Zef Kol Prela, i cili mbasi mjekohet, torturohet në qeli nga Xhemal Selimi e Sabri Shema, dhe i përcillet Aranit Çelës në Shkodër me i dhanë plumbin ballit. Edhe Araniti si terrorist i njohun e kreu porosinë më 11 mars 1948 tue e vue në rresht me Atdhetarë të tjerë, në Zallin e Kirit edhe Atdhetarin Zef Kol Prela, që la letren e shkrueme me gjak!

?Kur Nik Sokoli formon Komitetin për çlirimin e Dukagjinit fillon një fazë e re.

E rrethonin Nikën por nuk ua kapte plumbi, tregonte Ejëlli... Fillon marrëveshja për organizimin e një Kryengritje të përgjithshme në Veri. Lidhja e malësorëve me Muharrem Bajraktarin, forconte besimin në fitore. Puka me Mirakaj, Mirdita me Markagjonët e i pavdekshmi Alush Leshanaku në Shqipninë e mesme, tronditën pushtetin qendror, i cili në këtë kohë forcoi edhe ma shumë lidhjet me druzhe Titon, i cili ishte i interesuem për me realizue qellimet e përbashkëta antishqiptare.

?Me plasjen e “parakohshme” (po i themi) të Lëvizjes së Postribës, planet dështuen. Edhe pse dështoi papritmas plani malësorët vazhdonin rezistencën e tyne. Lufta sa vinte e bahej ma e rrebtë. Arrestimet e pushkatimet nuk pushonin asnjë çast. Shkak u ba ma vonë edhe prishja me Jugosllavi. Forcat e Ndjekjes u trefishuan. Mjaft malësorë po dëzertojnë nga mobilizimi ushtarak. Shumë bashkohen me shokë ndër male. Disa arratisën. Atëherë u ikë përduersh komunistëve At Danjel Gjeçaj i njoftuem nga një mik.  ?Me shkuemjen në Dukagjin të Idriz Çobës si kryetar dege, kriminelat Xhemal Selimi dhe Sabri Shema kryejnë aq shumë krime atje sa pak shtëpi mund të kenë mbetë pa të pushkatuem, të arrestuem ose pa u djegë e plaçkitë. Edhe jugosllavët u kanë dhanë ndihmesën e tyne edhe pse në dukje ishin të prishun me ne. Ata dërguan prej UDB së Jugosllavisë të arratisun, që ishin vue në shërbim të komunistëve (të këndejshëm e të andejshëm) dhe mbasi bashkohen me të arratisunit që ishin ndër malët e Veriut, një natë tradhëtisht vrasin komandantin trim të shpellave Gjergj Vata, i njohun me pseudonimin “Cukali”, një emën tmer për komunistët dhe brigadat e Ndjekjës antishqiptare...

?Një ndër betejat e paharrueshme asht edhe ajo që asht ba në Palaj të Shoshit, ku edhe pse u plagos komandanti i 87 burrave të armatosun Mark Mala, lufta e përgjakëshme vazhdoi me ikjen e turpëshme të forcave të Ndjekjes që lane disa të vramë në atë betejë.

Perpjekjet dhe qendresat e oficerëve trima Martin Sheldija, Gjon Destanisha, Kol Mark Toma, Ded Mirash Zefit (vra në gusht 1946), Mëhill Ndoja, Mark Malaj etj. janë një epope në vedi në lavdinë e atyne malëve. Këtë epope jo vetëm, nuk e njohim por as nuk e gjejmë kurrkund të shkrueme ...prej kurrkujt...Vazhdon heshtja!

?Asht fakt i pamohueshem që në vitin 1947 në krahinën e Dukagjinit nuk kishte asnjë komunist të luftës dhe asnjë të ri komunist. Kjo asht prova ma e saktë që tregon ma së miri së kush ishin DUKAGJINASIT  E  LEKËS, burrat besnikë të Kanunit ku kryet e vendit e xen pushka e jo furka! Fatkeqsisht, ka nga ata që po i sherbejnë antishqiptarit!

?Faktet e ngjarjeve të fundit duhen pa me synin e një Gjykatësi që sot nuk ekziston nder ata Male, e madje, as në Shqipni! Vetë perpjekjet per “ringjallje komuniste”, “rikthim të dënimit me vdekje” dhe shumë kerkesa të tjera antikombtare dhe anti-Europjane, janë dëshmi të vazhdimit të një perpjekjes së re per shkatrrimin e plotë të Shtetit Shqiptar!

Binomet diktatoriale, autoritetet antidemokratike që po drejtojnë Shqipninë, kunder të gjitha standardeve të parlamentarizmit demokratik e konstitucionalizmit dhe kryesisht pikës ma delikate të organeve të hetimit, që asht rregulatori i sistemit gjyqsor, që shkon drejt një teposhtes në rrokullisje me shpejtësi, tue mëshef perditë e ma shumë pasunimin e paligjshëm të të gjithë pushtetarëve që askush nuk e di se kujt i sherbejnë perveç, një faktit të kuptueshem dhe të njohun nga të gjithë Shqiptarët: Krimit të organizuem!

Ky krim i organizuem në kjoftë se, nuk do të shikohet me sy kritik dhe urgjent, ky do të jetë varrmihës edhe i arritjeve minimale në perpjekjet e Shqiptarëve per Demokraci, dhe kryesisht, në kushtet anormale të zhvillimit të Shtetit dhe gjendjes së Popullit sot, ashtusi

asht edhe vetë shprehja rregresive gjoja n’ emen të “drejtësisë”, “Shteti jam unë!”...

Melbourne, Korrik 2015.