E enjte, 25.04.2024, 01:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënderbeu ynë në shpirtin kroat

E diele, 27.07.2008, 02:48 AM


Cili ishte Antun Augustinçiç, mjeshtri kroat i skulpturës që fitoi çmim të parë për momentin ekuestër të Skënderbeut në vitin 1937

Çmimi i parë nga kroati Antun Augustinçiç, ishte një befasi për opinionin publik dhe qeveritarët e asaj kohe, organizatorët e konkursit ndërkombëtar për monumentin e Skënderbeut që u shpall me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Aq më shumë ishte e tillë për të gjithë ata që shpresonin se monumenti i Heroit tonë Kombëtar do të vinte nga Italia. Anëtarët e jurisë: A.Lufi, S.Luarasi, V.Mio dhe A.Buza votuan për bocetin e kroatit, të bindur në vlerat artistike, gjetjen mjeshtërore të figurës mbi kalë, zbulimin e karakterit të kryetrimit dhe modelimin plastik të detajeve që shoqëronin skicë-idenë. Ata nuk e dinin se pas motos sekrete qëndronte mjeshtri kroat, Antun Augustinçiç. Kryetari i jurisë kishte votuar për një skulptor belg, ndërsa anëtarët e tjerë të jurisë: Piro Markoni dhe Leon Reji, përkatësisht të komisionit italian të arkeologjisë dhe atij francez insistonin për vlerat e maketit të italianit De Marchis. Sikundër dihet, konkursin e fitoi kroati me shumicë votash. Ai mori çmimin në të holla, por vepra nuk u realizua. Në librin "Skënderbeu në monumente ekuestër" që kam përgatitur, shpjegoj të gjitha peripecitë dhe arsyet përse nuk u realizua ky monument.

Antun Augustinçiç lindi në Kllanjec (Kroaci) më 4 maj 1900. Më 1918, ai filloi të studiojë për skulpturë në Shkollën e Lartë të Artit dhe të Zejeve Artistike në Zagreb, me mësues Rudolf Valdeci dhe Robert Frangeshi. Kur kjo shkollë u kthye në Akademi, nga viti 1922-‘24, ai studioi në atelienë e mjeshtrit të madh, Mikelanxhelos së kohës, Ivan Meshtroviçi, ku mësoi dhe perfeksionoi anë të çmuara të mjeshtërisë artistike, veçanërisht të modelimit shprehës artistik realist. Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Zagrebit, ai vazhdon studimet e mëtejshme në Paris (1924-26) në Shkollën e Arteve Aplikative dhe në Akademinë e Arteve të Bukura, ku jepte mësim A.Injalberti, por mësuesit e tij shpirtërorë ishin: Donatelo, Mikelanxhelo e Burdelli. Duke qenë në Paris A. Augustinçiçi ekspozoi dy herë në Sallonin e të Pavarurve dhe njëherë në Sallonin e Artistëve Francezë. Ai projektoi shumë objekte me vlerë e mes të cilave në konkursin për rregullimin arkitektonik të shtëpisë tregtare Selfrixh në Londër fitoi shpërblimin artistik. Më 1925 ai hapi një ekspozitë në Show-Room të artistëve francezë, ndërsa më 1926, ai ekspozoi në atë të "Artistëve të Pavarur". Me punimet e veta grafike merr pjesë në ekspozitën e Zagrebit, në vitin 1926, bashkë me mjeshtrit e mëdhenj: O. Postruzhnikun, I. Tabakoviqin, O.Mujaxhiqin etj. Në vitin 1928 ai merr pjesë në ekspozitën e fundit të Sallonit të Pranverës. Gjatë kësaj kohe, Augustinçiçi përfundon Përmendoren e Shumadinasve në Kragujeve (1928) dhe më vonë (1929) Përmendoren e Petar Koçiqit në Banjallukë. Në këtë vit merr pjesë në formimin e grupit përparimtar të piktorëve "The Earth" (Zemla) - "Toka", ku u bë edhe president i saj. Ai bëri ekspozita me grupin më 1929, 1931 dhe 1932 në Zagreb, ndërsa më 1931 në Paris. Në vitin 1933 ai u nda përfundimisht nga grupi për arsye gjeografike, por jo shpirtërore e artistike. Ndërkohë, veprat e tij ekspozoheshin në Barcelonë (1929), Londër dhe Beograd (1930). Duke marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, më 1930 ai realizon "Përmendoren e Nishlinjve" në Nish, fiton konkursin për Përmendoret në Split, Shkup etj. Në konkursin ndërkombëtar për punimin e Përmendores së Kryengritjes së Silezisë në Katovicë të Polonisë, në mesin e mbi 70 konkurrentëve, ai fiton çmimin e parë me figurën qendrore të kalorësit, të Pilsudskit, rrethuar me figura simbolike që përfundoi dhe u derdh në bronz në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore e që nuk u vendos. Vetëm pas luftës kjo skulpturë madhështore gjeti vendin dhe pa dritën në këtë vend për ku qe projektuar. Në konkursin ndërkombëtar për përmendoren e prijësit republikan të Argjentinës J.J.Urquizi, mes 100 konkurruesve, ai u vlerësua ndër më të mirët. Në lëmin e monumenteve ekuestër A. Augustinçiçi u çmua shumë dhe u angazhua në vepra që kanë mbetur vlera të veçanta artistike, sikundër është edhe "Figura e Madhe e Kalorësit" në Nju-Jork.

Në ballë të Pallatit të Kombeve të Bashkuara qëndron madhështor statuja ekuestër e mjeshtrit kroat, Antun Augustinçiç, që ka marrë emrin "Kalorësi i Paqes", punuar në vitin 1954. Mbi një piedestal 10 m. të lartë, ndërtuar me gurë të ishullit Braç të Kroacisë, ngrihet skulptura në bronz 5.5 m e lartë që paraqet një figurë mbi kalë, simbol i paqes dhe lirisë. Modeluar në forma të mëdha, një plastikë të ngrohtë Rodentane, plot patos e dinamizëm figura lëviz vrullshëm, gati fluturon me flamurin e paqes ngritur lart. Kjo vepër është kthyer në pjesë e idealit të madh që bashkon kombet, ajo njëherësh është vlerë botërore e skulpturës monumentale.

Vepra e Augustinçiçit përbën gjithashtu portrete, buste dhe shtatore të figurave të shquara politike, shkencore e artistike. Ai është autor i motiveve lirike nga baleti, figura nudo, reliefe dhe skulpturë funerale, sikundër është "Përmendorja mbi varrin e Aviatorit të Rënë" në Zagreb dhe të tjera të ngritura në Nish, Varazhdin etj.

A. Augustinçiçi është pjesëmarrës në luftë qysh në vjeshtën e vitit 1943, duke bashkëpunuar në të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike. Në fillim të vitit 1945, ai realizon në Beograd "Përmendoren e Armatës së Kuqe", në Batina skela mbi Danub. Punoi mbi dy vjet për këtë vepër që të vendosej në buzë të lumit, në vendin historik ku ushtria jugosllave dhe ajo e Armatës së Kuqe kaluan Danubin. Arkitektura e Përmendores e lartë 35 m. është punuar prej guri dalmatin. Në majë të shtyllës monumentale qëndron figura e Fitores prej bronzi - 8 m. e lartë, shoqëruar në bazament prej figurash të bronzta të luftëtarëve që u shquan gjatë kapërcimit heroik të lumit. Pesë figura në gur, me madhësi mbinatyrale, përfaqësojnë në mënyrë simbolike armët e ndryshme me të cilat u arrit kjo fitore.

Në Zagreb, nga viti 1946 ai punon kompozimin skulpturor "Bartja e të plagosurit", "Përmendoren e Titos" për vendlindjen e tij në Kumanovë, "Përmendoren e Livnos", "Përmendoren e studentëve të Rënë të Fakultetit Veterinar", "Përmendoren e Kreshnikëve në Banja Llukë" etj. Ai punoi portretet e Ismet Mujezinoviqit, piktorit të madh boshnjak të tablove bataliste etj., si dhe figurën nudo titulluar "Turpi" që gjendet në Brione.

Mbi shkëmbin e Stërmecit ai realizoi përmendoren kushtuar Kryengritjes së Fshatarëve dhe prijësit Matia Gubecit. Ajo ngrihet në përmasa 40m. x 7.5m., me mbi treqind figura ndarë në dy krahë të reliefit, ku në të majtë shihen motivet e luftës së Stubicës, ndërsa në të djathtë motive nga jeta e bujkrobit zagoras. Në mes të dy pjesëve qëndron prijësi fshatar, Matia Gubeci - 6.25 m.

A. Augustinçiçi ishte anëtar i Akademisë Jugosllave të Shkencës dhe Artit. Ai ishte nga të parët profesorë të Akademisë së Artit dhe rektor i saj. Në vitin 1970 ai ia dhuroi të gjitha punimet e tij qytetit të lindjes Kllanjec, ku në vitin 1976 u përurua galeria "Antun Augustinçiç". Ai vdiq më 10 maj 1979 në Zagreb.

Antun Augustinçiç është skulptori i madh kroat, por edhe ndër më të mëdhenjtë e Ballkanit me renome të veçantë në Evropë e që bashkë me mësuesin e tij, Ivan Meshtroviç, themeluan shkollën e shquar kroate të skulpturës.

A. Augustinçiç e filloi krijimtarinë artistike mbi baza të shëndosha të një artisti që kishte prirje të veçanta në modelimin plastik, që bazohej në harmoninë e ndërtimit anatomik të trupit të njeriut, me një figuracion të shqetësuar nga evidentimi i muskulaturës, me gjeste dinamike e të stuhishme, me një skulpturë vizionare humane. Atë nuk e shqetësuan motivet letrareske, simbolistike apo frazomania e politizuar, por as edhe stilizimet e thata e amorfe arkaike apo pseudomoderniste. Duke pasur gjithmonë parasysh bindjet e tij artistike respektive ndaj artit të vërtetë, lojës virtuoze të dritës dhe hijes mbi mermer, si e vetmja magji që duhet të dominojë sipas tij mbi skulpturë. Augustinçiçi me nudon "Turpi" në Brione skaliti bindjen e tij për artin e skulpturës së drejtpërdrejtë, të shkathët dhe plot lirizëm. Ai kapërcen statizmin dhe rregullat strikte të akademizmit, gjë që shihet qartë në figurën mbi kalë të Pilsudskit, që mbetet një ndër monumentet - ekuestër më të bukura të kalorësve në artin monumental evropian.

Pjesëmarrja e A. Augustinçiçit në Konkursin Ndërkombëtar të vitit 1937 kushtuar Skënderbeut dhe boceti i mrekullueshëm realizuar nga ai, janë ngjarje e rëndësishme për skulpturën tonë ekuestër. Mbi kalin që hov përpara, me të dy këmbët ngritur, qëndron figura madhështore e heroit me shpatë të zhveshur, i gatshëm në ndeshje me kundërshtarin. Vrulli dhe shpërthimi dinamik që karakterizon kalin dhe kalorësin përshkohet nga një modelim plastik tepër emocional, rodenian, duke gdhendur deri në detaje një gjendje tërheqëse tepër përfaqësuese e individuale. Në shkallët e platformës, poshtë piedestalit, autori ka vendosur figurën simbolike të një gruaje që shpreh fitoren (figurë që do ta shohim më vonë të modeluar në Monumentin e Armatës së Kuqe). Detajet e dorës dhe portretit të Skënderbeut janë vlera me të vërtetë shprehëse dhe në një mënyrë, garanci e autorit për mundësitë e tij profesionale. Edhe pse vepra nuk u realizua, edhe si bocet shpreh vlera të shquara artistike dhe numëron edhe një punim tjetër për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun, dhe aq më shumë realizuar nga një skulptor me emër të madh, siç ishte kroati Antun Augustinçiç. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora