E premte, 29.03.2024, 07:56 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Dibran Demaku: 7 ditë në plazhin e Punta Canas!

E premte, 17.07.2015, 06:36 PM


SHTATË DITË NË PLAZHIN E PUNTA CANAS!. . .

Udhëpërshkrim nga Dibran Demaku

Avioni i linjes ajrore Toronto-Punta Cana niset me një ore vonesë. Gjatë fluturimit, që zgjatë afro katër orë, miqtë tanë Besa dhe Faiku(Bytyqi)na flasin me entuziazëm për pushimet verore që na presin në Punta  Cana-vend ky turistik në Republikën Domenikane, në të cilin vend ata kishin bërë pushime edhe herë të tjera. Nga bisedat e çiltëra me ta  edhe fluturimi afro katër orësh  është më i këndshëm dhe edhe vetë koha të duket sikur fluturon më shpejt.

Meqë avioni në nisje është vonuar me një orë edhe në destonacion arrinë me një orë  vonesë. Kur avioni ateron në aeroportin e qytetit Punta Cana, është pasdite e vonë , edhepse sipas kohës lokale akrepat e orës shënojnë orën shtatëmbëdhjetë.  Dielli i është drejtuar perëndimit dhe rrezet e tij bijnë pjerrtazi në pistën e aeroportit. Sapo kemi dalur nga avioni dhe ajri i nxehtë sikur na e vështirëson edhe frymëmarrjen, ndërkaq nxehtësia e tij na e përshkon edhe tërë trupin, sikur të i ishim ofruar ndonjë oxhaku të hapur dhe të ndezur me zjarrë. -Dita këtu qenka shumë e shkurtër!-i drejohem Faikut, ndërkaq ai ma kthen:-Mos u mërzit, sepse këtu do të të mjaftojnë e do të dalin për hundësh ato orë me diell, të cilat do të të përcëllojnë!Dhe pastaj ai vazhdon të tregojë se në pushimoren e Punta Canas edhe uji i detit është i nxehtë  si uji i Banjës së Pejës. Sipas Faikut kjo ndodhë, pasiqë në Punta Cana dhe në krejt Republikën Domenikane gjatë tërë vitit egziston vetëm një  stinë e që është Stina e Verës. -Kur në vende të tjera bie borë e bënë ftohtë, këtu në Punta Cana, në veçanti dhe në Replikën Domenikane në përgjithësi turistët e shumtë bëjnë plazh në valët e detit dhe nxijnë lëkurën e trupit!-dhe qeshet. -Por, çfarë po flas edhe unë, kur do ta shohësh edhe vetë!-përfundon Faiku.

Me autobusët që kanë dalur të na presin vetëm pak metra larg pistës së avionit, ne nisemi për në Punta Cana, destinacion që e kishim prenotuar që më parë. Nga aeroporti deri në destinacion, nga dritaret e autobusit shihen shtëpi me mure dhe me kulm nga llamarinat,  fakt ky që të bën të mendosh dhe besosh se vendasit duhet të jenë tepër të varfër. Flas me Faikun dhe i them se sipas asaj që shihet nga dritaret e autobusit, vendasit duhet të jenë tepër të varfër!-Mos e qajë kokën!-ma kthen Faiku. -Në pushimoren ku ne shkojmë do t`i keshë të gjitha të mirat si në asnjë vend tjetër!

Kur arrijmë në destinacion, pra në pushimoren Punta Cana, në hyrje të saj shohim roje dhe rrethojë teli mbi dy metra të lartë që rrethon tërë pushimoren në fjalë. Faiku na tregon se gjatë shtatë ditëve sa do të qëndrojmë aty do të jemi të sigurtë sepse vendi është i rrethuar gjithandej dhe në hyrje gjithmonë gjenden rojet.

Pas formaliteteve të zakonshme si dorëzimi i pasaportave dhe marrja e çelsave të dhomave të apartamenteve, që Faiku i quan Hotele(përndryshe mjaft moderne) dhe të shumta në këtë rezervat, ka rënë mbrëmja. Pas një fluturimi të gjatë me avion dhe pas mbarimit të formaliteteve të zakonshme, që nganjëherë zgjasin me orë të tëra, domosdo se do ta ndiesh lodhjen. Dhe kur lodhjes t`i shtohet edhe uria, atëherë domosdo do t`i drejtohesh restorantit për të shuar urinë….

Pas një gjumi jo fort rehatshëm(mbase nga nxehtësia) jemi zgjuar dhe bashkë me ne është zgjuar edhe dita e parë jona në Punta Cana. Dielli përvëlues me rrezet e tij ka depërtuar gjithandej dhe vapa përcëlluese ka përfshirë gjithçka në vorbullën e vet. Edhepse gjithandej lokaleve të shumta, ku hahet e pihet sillen me tër forcën e tyre freskuesë të shumtë, vapa sikur të zë frymën. Palmat e shumta si dhe pemë nga më të ndryshmet gjithandej, krijojnë ngapak freski, por deshe nuk deshe ti je i detyruar që freskinë ta kërkosh ose në valët e detit ose në pishinat e shumta që ndodhen gjithandej. Sipas marrëveshjës që ne kishim arritur që më parë(ne ishim katër), ditën e parë do ta kalonim në ujin e detit apo të oqeanit Atlantik, uji i të cilit rrahë brigjet e Punta Canas dhe krejt bregun lindor të Republikës Domenikane. Palmat e shumta gjithandej bregdetit, zalli i bardhë dhe i butë si dhe uji i ngrohtë i Atlantikut e bëjnë pushimoren e Punta Canas pothuajse një Parajsë të vërtetë. Dhe kjo Parajsë e vërtetë, është e tillë vetëm për turistët, që këtu vijnë nga të katër anët e Globit, por jo edhe për vendasit që e kanë të ndaluar qasjen në të. Dhe jo vetëm këtu në Punta Cana, por në të gjitha rezervatet e tjera të tilla të ngritura gjithandej brigjeve bregdetare në Republikën Domenikane!Këtu vendasit kanë qasje vetëm në punët e shumta të fuqisë punëtore ,  që në këto rezervate( të ngritura nga kush e di se cili Miliarder)janë të shumtë. Ata do t`i shohësh gjithë ditën tek vrapojnë gjithandej duke u shërbyer turistëve të shumtë?!Dhe për punën që bëjnë paguhen me një pagë minimale. Megjithate ata duken të jenë të kënaqur, sepse së paku kanë arritur ta kenë një punë dhe një pagë sado të vogël, në numrin e të pa punëve të shumtë që duhet t`i ketë vendi i tyre. Dhe vendi i tyre duhet të jetë tejet i varfër, kur gjithandej sheh shtëpi të ngritura dhe të mbuluara me llamarinë. Por, banorët e Republikës Domenikane duhet t`i gëzohen faktit, që edhepse të varfër, megjithate e kanë pasur një fat që ua ka dhuruar  vetë natyra apo Zoti, duke ua dhuruar vetëm stinën e nxehtë të verës. Paramendojeni sikur në vendin e tyre të vinte dimri me acar se si do të mbroheshin ata nga të ftohtit në kasollet e tyre prej llamarine!. . .

Kur njeriu i thjeshtë i sheh dhe i prekë këto rezervate për pushime( të ngritura nga kush e di cili Milisrder) domosdo i shkon në mendje ajo shprehja e famshme, e ngritur edhe në formë rezolute nga Organizate e Kombeve të Bashkuara ku thuhet:!Të gjithë njerëzit e Planetit tonë janë të lirë dhe të barabartë“!Por, kur e sheh jetën se si ecën në rezervatet e ndërtuara për pushime( e për fitime të dikujtë që është i pangijshëm)atëherë e kupton se rezoluta përveq fjalëve nuk ka asgjë tjetër me jetën e vërtetë. Sepse në rezervatet( pushimoret) e tilla disa janë edhe më të barabartë se të tjerët(në këtë rast turistët në raport me vendasit?!. . . Dhe ty që vjen nga një vend po ashtu i varfër, do të të shkojë mendja edhe për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tënd dhe të kombit tënd! Dhe domosdo se kur ta krahasosh realitetin e hidhur në të cilin punojnë dhe jetojnë punëtorët vendas të pushimores  në Punta Cana dhe të pushimoreve të tjera të Republikës Domenikane, domosdo se do të mendosh se si jetojnë dhe do të jetojnë në të ardhmen punëtorët e vendit tënd që emrin e ka Kosovë?! Sepse edhe në Kosovë( pas luftës) disa u pasuruan tej mase dhe me atë pasuri blenë toka të pakufizuara të vendit. Dhe një ditë ata të pasurit(kapitalistët e Kosovës) do të kenë nevojë pët fuqi punëtore për punimin e atyre tokave të paana!Dhe domosdo që do të gjejnë punëtorë vendas që mbase do t`i paguajnë me një pagë edhe më të ulët se punëtorët apo shërbyesit në pushimoren e Punta Canas?!Dikush apo disa me vetëdije apo pa të ua shiti tokën e punës pronarëve të mëdhenj,  që një ditë ata që do të lindin dhe të rriten në tokën e Kosovës, mos ta kenë asnjë pëllëmbë të tokës së tyre, por të jenë të detyruar , që për të mbijetuar,  të shkojnë e të punojnë me mëditje tek pronarët e pasur?!. . .  Dhe vetëm mendimi për këtë domosdo që  edhe pushimit t`i japi shije të hidhur?!. . .

Meqë siç e cekëm edhe më lartë, dita me diell, në pushimoren e Punta Canas ishte tepër e shkurtër, edhe ditët tona të pushimit kaluan shumë shpejt! Mbase ato kaluan shumë shpejtë sepse që të gjitha ishin të njëtrajtëshme, që do të thotë i ngjanin njëra-tjetrës, pasi që ne nuk kishim zgjidhje tjetër vetëm që gjatë ditës të shuanim vapën në ujërat e Atlantikut, ose në ndonjërën nga pishinat e shumta dhe mbrëmjeve të silleshim e pështilleshim nëpër hapsirën e kufizuar. Udhëheqësit e pushimorës na kishin udhëzuar që asesi të mos kalonim përjashta telave kufizues, përndryshe e rrezikonim vetëvetën?!. . . Pas shtatë ditësh ne do ta linim pushimorën e Punta Canas, me lëkurë të nxirë dhe me peshtë të shtuar, sepse duhet pranuar se ushqimi ishte shumë i zgjedhur dhe me shije!. . .



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora