E enjte, 28.03.2024, 05:21 PM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: Kënga e Tërbaçit, thesar i folklorit

E enjte, 16.07.2015, 07:22 PM


KËNGA E TËRBAÇIT,  THESAR I FOLKLORIT SHQIPTAR

Nga Albert HABAZAJ, studiues

Kur ishim të vegjël, shikonim më të rriturit që mblidheshin grupe - grupe dhe i dëgjonim si këndonin aq mirë, aq bukur, aq natyrshëm. Na dukej se konkuronin me biblibat e malit. M’u kujtua një burrë i asaj kohe. Pa sy qe. Po Zoti, në vend të gurmazit, i kishte vënë një bilbil në fyt, thoshnin pleqtë. Prënjo Xhaka quhej. Ishte biblbil gjyzar, siç thoshnin lisat e moçëm në vitet ’65 -‘70 të shekullit XX për këtë banor të Tërbaçit, që s’ kishte sy, po zë kënge si ai s’kam dëgjuar deri më sot. Ata burra, kur bëheshin tok, sidomos pasdarkeve apo nëpër dasma e festa tradicionale, këndonin këngë të shtruara, në shtrat, këngë tabani, këngë burimi, që të kënaqnin shpirtin me atë karakterin e tyre sinkretik, që e bën folkorin krijimtari artistike specifike. Me ato fjalë që ngjitnin, që zinin vend e mbaheshin mend, që i krijonin në moment, si të zgjedhura me dorë, si bleta zgjedh nektarin nëpër lule, vargje të atypëratyshme, sa të thjeshta aq sublime, me bukuri estetike, me melodi të pëlqyeshme, me një akustikë magjike, me veshjen karakteristike, që u kishte hije, në atë mjedis, në atë kohë dhe hapësirë praktikmi, kënga e atyre burrave të lartë e hijerëndë më dukej se vinte tek ne e kulluar nga një burim hyjnor. Me të drejtë gjeniu Kadare (vetëm burokratikisht ende i pashpallur si Nobelist nga Akademia Suedeze) e cilëson folkorin shqiptar “Autobiografia e popullit në vargje” (1971, 1980, 2002). Kur ishim të vegjël e të rriturit na merrnin pas, dëgjonim që flisnin për Këngën Himarioçe, për Këngën smokthinjoçe dhe për këngën Tërbaçioçe. Kuptuam më vonë që, në vijë kronologjike, se këto tre variante, melodi, apo avaze, si flitej nëpër lokalitetet përkatës, ishin tre stilet muzikore që e pasuruan dhe e ngritën artistikisht këngën labe në veçanti dhe shtuan një shufër floriri në minierën e artë të Folkorit Shqiptar. Në atë kohë, (ende pa dalë televizioni) Radio Tirana kishte një program, Radio Posta quhej dhe jepte këngë që të zbukuronin botën e brendshme, të mbushnin shpirtin me dashuri, me ndjenja të larta se ishin kënëg të ngrohta, të bukura si thëllëza, jo si ca laraska e sorra që dalin fatkeqësisht sot (edhe ndër këto vise), kishte një emision me këngë popullore, i cili realizohej dhe me një nënndarje të titullura: Këngë labçe, vënçe, himarioçe, që më vonë nga studiuesit e folkorit u emërtuan këngë polifonike labe (Spiro Shituni, Agron Xhagolli, 1986: ndër figurat më të spikatura të folkoristikës shqiptare, me që kënga labe këndohet nga shumë zëra - shën im: A. H). Këngët labe himariote të Neço Mukës deri te Dhimitër Varfi, ato smokthinjote të Qazim Ademit deri te Hysen Ruka dhe Këngët labe tërbaçiote të Kujtim Micit me Sinan Hoxhën e Syrjat Hodon janë tre maja malesh me trëndelinë në diell e suferinë, në Vargmalin Folkorik Madhështor të Folklorit Shqiptar, që shkëlqen në Etnokulturën Kombëtare. Shkëlqyen në ato vite stile e variante, si një mozaik ylberor, që e ngritën në nivele artistike të larta këngën labe me grupe të mëdha nga pesha specifike, si grupi i Pilurit me të madhin Lefter Çipa, i Bënçës me Maliq Lilën e paharruar, i Vranishtit me Muhamet Tartarin e papërtuar, i Tragjasit me Hamdi Pulon vargbrilant, “Violinat” e Lapardhasë me ustain e labërishtes Feti Brahimi. Në sotshmëri është grupi i Dukatit me Fatosh Likën etnopërbashkues që është ngjitur në majë të Malit Folklorik. Dhe të tjerët ecin, fushave, brinjave, kodrave të shpirtit të gjerë të Folkorit Shqiptar, që kemi si visar ne labët, si pjesë e së tërës etnokulturore. Të gjithë ë eduan majën, por jo të gjithë arrijnë. E rëndësishme është që rrjedh e nuk shteron kurrë ujët e kulluar nga Gurra Popullore.

***

- Janë mbi 400 këngë të kënduara nga grupi i Madh i Tërbaçit, ku përveç teksteve të Dragoit të Këngës Kujtim Mici - Mjeshtër i Madh, këndohen këngët e bardëve të traditës edhe të autorëve të njohur jotërbaçiotë.

- Grupi i parë që bëri emër doli në skenë në vitin 1967, si vijim i grupit të vjetër të Riza Beqirit, Sefer Bilbilit, Tahir Lilos me shokë.

- Grupi i valleve qe një meteor që shndriti me Mujo Gjondedën, Mejdi Skëndon, Kujtim Micin, Rexhep Abazin, Abaz Abazin, Qazim Çelon, Ago Rustemin (Beqiri), Qazim Abazin, Asllan Nikën dhe Izet Skëndon e Rrapush Mehmetin që mbyllin Harkun e Vetëtimave me 11 valltarë sa 11 male, që mbetën të paharrueshëm, të papërsëritshëm, të paarritshëm!

- Kur flasim për këngën polifonike, në qoftë se është një Tërbaç (për këngën), gjysma është një Nebi Xhakë.

- Syrja Hodo është pasuri kombëtare.

- Sinan Hoxha është themeli i këngës së re të Tërbaçit.

- Endri S. Hodo duket si filiz i gjelbër i këngës labe.

***

E di që këto rreshta që po shkruaj për Tërbaçin dhe këngën e tij janë më të thjeshta se sa e ndiej unë brenda shpirtit polifoninë labe të vendlindjes time. Nisa një ndërmarrje të vështirë, por duke qenë i bindur se një punim sado modest për këngën e madhe Tërbaçiote është kurdoherë më i dobishëm se heshtja nuk ngurrova  t’i përvishem një diskutimi të tillë nëpërmjet këtij studimi në maket, i cili shpresoj të ngjallë interesim. Kënga si transmetuese gojore, zanore e traditave, zakoneve, e vlerave njerëzore, e mënyrës së jetesës bëhet zëdhënëse në breza, duke realizuar një mision të lartë fisnik sa që mund të përdoret seriozisht si një dëshmi historike me ngjarje, data, personazhe, periudha e bëma të të parëve tanë. Vini re sa qartë, në pak fjalë na kthjellon origjinën tonë kënga e Tërbaçit të Kujtim Micit (është fjala për këngën “Lindi luania luanë” kënduar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 1973, me tekst të Kujtim Micit, kënduar nga grupi i burrave me marrës Sinan Hoxhën e papërsëritshëm, kthyes Rexhep Abazin me famë, sepse futi për herë të parë të kthyerit me grykë në Tërbaç, me hedhës Bilbil Xhakën e mrekullueshëm, që çeli një periudhë të artë të hedhjes së këngës së Tërbaçit sikurse Sinan Hoxha, duke kujtuar e ngritur në një stad të ri hedhjen hyjnore himarjote të incizuar në pllakat disqet “Pathe” të Parisit, qysh në vitet 1929 dhe 1930 me Koço Çakallin, Neço Muko (H. Marjoti), Tula Paleologu, Tefta Tashko, Llambi Turtulli, Kleo Georga, Dhimitri Rumbo, P. Kokaveshi, A. Bala*, që u dritëroftë shpirti atje ku prehen të qetë si fisnikë të trëndafiltë të këngës së shkëlqyeshme lirike që bënë! Të rikthehemi tek kënga e Tërbaçit të Kujtim Micit që thotë: “Nëna shqipëtare,/ Mbes’e ilireshës,/ Ke lind’ e ke rritur/ Trima dhe të besës”. Ja si bëhet kënga e popullit e respektuar dhe e vlerësuar jo vetëm nga komuniteti qytetar, por e përfillur, edhe nga elita intelektuale, studiues, historianë e gjuhëtarë, sepse ka peshën e vërtetë të një burimi autentik. Nëna shqiptare është mbesë e ilireshës. E thotë qartë, saktë dhe e sigurt kënga faktin historik, prejardhjen tonë ilirjane. Gjuha u mbrujt bashkë me këngën dhe të dyja mbajtën njëra-tjetrën. Kur plagosej gjuha luftonte kënga, dhe, atje ku kënga mundohej të vritej, gjuha lëshonte ilaçin e shërimit e të mbijetesës. Për fat kënga “Lindi luania luanë” është e regjistruar edhe nga Instituti i Kulturës Popullore: Bob. 982/6. Po e japim për lexuesin tonë dhe dashamirësit e polifonisë si buqetë këtë këngë të transkriptuar nga specialistët e folklorit shqiptar: (Shih: Neço Muko (H)Marjoti: Zemra kërkon miqësinë: Vepra letrare, përgatitur prej Andrea Varfit;Tiranë: Toena, 1996). Në guidën folklorike “Vlora nëpër festivale” - Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 2004 bëhet edhe një paraqitje e shkurtër e grupeve pjesëmarrëse të qarkut të Vlorës. Në këtë festival, gjë që plotëson historikun e këngës popullore të trevës. Ndër të tjerë, patjetër që jep profilin edhe të grupit tonë. Në këtë manual shkruhet “Grupi i Tërbaçit është një nga grupet më të hershme të polifonisë labe të trevës së Vlorës. Kënga për ta ka qenë si ushqim i shpirtit. Rapsodët e mirënjohur të këtij grupi që nga Xhebro Gjika, Arshi Xhelili, Hyso Salati, Sinan Mullahu, Izet Skëndo e deri tek i mirënjohuri Kujtim Mici kanë qenë furnizuesit kryesorë me tekste po në këtë grup. Grupi është pjesëmarrës pothuajse në të gjithë Festivalet Folklorike Kombëtare dhe në disa prej tyre dhe është vlerësuar me çmime e medalje. Vlen të përmendet marrësi kryesor i këtij grupi Syrja Hodo, i cili me zërin e tij kumbues dhe mjaft melodioz di të transmetojë emocionet e këtij repertori të shumtë që ruan ky grup” (Shih: “Vlora nëpër festivale”, Vlorë: Triptik; 2004, f. 18). Kuptohet që ndryshimet e sistemit pas viteve ’90 shkaktuan edhe çorientime deri në prishjen e traditës së organizimit të Festivaleve që bëheshin në kalanë e Gjirokastrës një herë në pesë vjet, ku tundej kalaja e gjëmonte Mali i Gjerë. Përveç një harrese të plote 7 vjeçare për visaret e folklorit, edhe sofra e festivalit u zhvendos nga kalaja e Gjirokastrës në atë të Beratit. Edhe pse Vlora nuk u vlerësua (nuk po merremi me arsyet e ditura apo të paditura) por Vlora polifonike e shfaqi përsëri gjallërinë, freskinë dhe origjinalitetin e folklorit të trevave të saj, saqë në koncertin përfundimtar në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, nga grupi i Vlorës u muarën shtatë materiale muzikore, nga më të mirat kur rrethet e tjera kishin vetëm nga një apo fare asnjë. Viti 2000 na gjen përsëri në kalanë e Gjirokastrës, por në bazë Prefekture këtë radhë, ku Vlorës i shtohen Saranda, Delvina dhe rrethinat e tyre. Në guidën që cituam përmendet një fakt interesant, që të bën të ndihesh mirë e krenar për vlerat e pashtershme të gurrës sonë popullore. “Nëse Vlora çoi në festivalin Folklorik të Gjirokastrës një sasi vlerash të spikatura, shkruhet në këtë historik - në Vlorë mbetën po aq vlera të tjera”. (Shih: “Vlora nëpër festivale”, vep. e cit., f. 13). Ky fakt na kujton një thënie lapidare të enciklopedistit Sami Frashëri:...”Banorët e Labërisë, kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi dhe këngë...”. Grupit polifonik të Tërbaçit i ra shorti të hap tiparin për grupin e prefekturës së Vlorës. Kënga “O shokë do zëmë një këngë” vjen si një oshtimë nga malet e Labërisë si një shpalosje e fustanellës labe, me zërin plot kumbim të këngëtarit të mirënjohur e poetit Syrja Hodo” shkruhet në këtë historik të Vlorës së Festivaleve Kombëtare të Folklorit. (Po aty, f.13). Janë kuptim plotë vargjet e kësaj kënge që ka bërë Sinan Mullahu:” O shokë, do zëmë një këngë, /Do ma mbani a ta lëmë!/ Medet ne për mëndjen tënë,/ Mbetëm shamata e grënjë./ Nga e gjithë puna që bëjmë,/ Një metër vend do zëmë/ Dhe ajo gur e shkëmbënjë,/ O baltë e kuqe këlkënjë./ Këngët-o, dertet – o/ Këngë e derte pambarim...”.Kjo është bëra para një gjysmë shekulli e më shumë, që më 1945, pra 65 vjet më parë. E këndoi grupi polifonik i Tërbaçit në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Sa aktuale, ç’mesazhe të qarta që na përcjell. As ke ç’u shton, as ke ç’tu heqësh edhe pse 65 vjet s’janë pak. Lum kush ka fat të gdhendë vargje të tilla. Faleminderit, xha Sinan! (Shih: gazeta “Labëria”. Albert Habazaj: “Një tufë me lule”, data 15 gusht 2002, f. 7, 11). Edhe në FFK Gjirokastër 2004, së bashku me grupet e tjera pjesëmarrëse të Qarkut të Vlorës, Tërbaçi u paraqit siç i ka hije. Ja çfarë shkruan studiuesi e poeti Kozma Billa: “Me mjeshtëri të pazakontë vjen tema e atdhetarisë, e cila përcillet bukur me vargjet e Çajupit të madh “Mëmëdheu”, nga grupi i mirënjohur i Tërbaçit. Ajo ka një vlerë të madhe dhe aktuale edhe sot ku një pjesë e madhe e popullsisë ka emigruar. Dihet që historia përsëritet dhe si e tillë kjo këngë është një grishje, një thirrje e fortë popullore, ku në refren të çdo strofe ajo të ngjeth dhe të krijon një emocion të thellë për ta dashur dhe për të mos e harruar mëmëdheun” (Shih: “Guida e situar, f. 21). Sipas Prof. Dr. Bardhosh Gaçes - Mjeshtër i Madh: “Vlora dhe Shkodra janë dy qytete shqiptare të kënduara më shumë nga bardët popullorë dhe kjo edhe nga ndikimi i vjershërimit të Ali Asllanit e të Gjergj Fishtës....Në vitet 1990-2000, vargjet poetike të Ali Asllanit kanë marrë një përhapje edhe më të gjerë në jetën folklorike labe...Edhe kënga: “Më lejon ta puth njëherë” është kënduar nga grupi polifonik i Tërbaçit, sipas vargjeve të poezisë me të njëjtin titull...(Shih: Gaçe, Bardhosh: “Përkime poetike midis poezisë popullore dhe poezisë së shkruar shqipe; Vlorë: Triptik, 2010). Përveç teksteve të Pelivan Bajramit, që është tërbaçiot me rrënjë, grupi i Tërbaçit ndër vite ka kënduar tekste të autorëve të njohur, por jo tërbaçiotë. Fjala vjen kënga “O ju nëna tërbaçiote” është e Lefter Çipës - Mjeshtë i Madh dhe e këndon si shenjë mirënjohjeje grupi i Tërbaçit. Kjo tregon që përveçse këto këngë janë futur natyrshëm në Tërbaç dhe kanë fituar autoktonicitet në të tëra përmasat, Kujtim Mici si udhëheqës vizionar i grupit e si autor i fuqishëm e i pazëvendësueshëm për këngën e madhe të grupit të tij tekstet mbresëlënëse që i kanë dhuruar miqtë e mëdhenj të këngës si Lefteri etj. Kjo tregon botën e begatë shpirtërore, frymën e hapur përfshirëse që ka tërbaçioti dhe Tërbaçi ynë. Kënga “Dy vajza, të dyja labe” kushtuar heroinave Persefoni Kokëdhima e Bule Naipi është tekst i Kujtim Micit, që e mirëpriti dhe e këndoi me grupin e Himarës bilbili Dhimitër Varfi  në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1973, vit kur Vlora fitoi çmimin e parë për folklorin. Shumë këngë të tij janë interpretuar nëpër skena lokale e kombëtare edhe nga grupi i Bratit, Bolenës e janë transmetuar mbarë Labërisë... I frymëzuar nga këto vlera të padiskutueshme, shkruaj në kohë të reja himnin e Tërbaçit në një trajtë të re: “Marr frymë Tërbaçi/ të ngrohtë, të ëmbël,/ një mëllë kulaçi,/ një rreze për ëndërr./ Lavdia merr qiell/ mirësisë tënde./ O Tërbaç, me diell/ i mbush këto vende./ Ne - trojet spërkatur/ me dritë dashurie,/ o Tërbaç i dashur,/ o vëlla me yje!/ Foleja e Shpresës,/ buza e besimit,/ o gurra e besës,/o drita e Trimit!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora