E hene, 10.08.2020, 12:35 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Skena politike shqiptare në Maqedoni

E marte, 14.07.2015, 08:00 PM


SKENA POLITIKE SHQIPTARE NË MAQEDONI

Nga Xhelal Zejneli

Partitë politike lindin në rrethana të caktuara. Këto rrethana mund të jenë:

- momentet historike në të cilat bëhen kthesa të mëdha;

- krizat politik edhe krizat ekonomiko-sociale.

Në periudhën e pluralizmit politik, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni ka pasur dy momente historike:

- shpërbërja e Jugosllavisë, në vitin 1991; dhe

- lufta e 2001-shit.

Shpërbërja e Jugosllavisë ishte moment historik. Në rrethana të tilla, në hapësirën politike shqiptare lindi Partia e Prosperitetit Demokratik, e cila i kishte karakteristikat e një lëvizjeje popullore. Me një fjalë, kjo parti shumë pak ishte politike dhe shumë më tepër ishte populiste. PPD-ja nuk posedonte potencial politik të mjaftueshëm për të qenë në krye të përgjegjësisë historike. Si pasojë, nga gjiri i saj lindi fraksioni, i identifikuar si PPDSH. Sa më tepër që dështonte PPD-ja në planin politik, aq më tepër krijoheshin rrethana për forcimin dhe shtrirjen e fraksionit të saj – PPDSH-së. Rruga e një fraksioni politik drejt konsolidimit si parti është e gjatë dhe e mundimshme. Ka raste kur fraksionet kurrë s’ia dalin të ushtrojnë ndonjë farë ndikimi të theksuar në elektorat.

*   *   *

Lufta e 2001-shit po ashtu paraqet moment historik. Në kuadër të këtij momenti historik lindi Bashkimi Demokratik për Integrim. Shtrirja e saj në popull, ia jep këtij subjekti karakteristikat e një lëvizjeje popullore. Edhe ky subjekt, sa më populiste të jetë, aq më pak politike është.

Me fjalë të tjera, në periudhën e pluralizmit politik, në hapësirën politike shqiptare kanë lindur dy parti-lëvizje: në vitin 1991 – PPD-ja, përkatësisht PDSH-ja, dhe në vitin 2001 – BDI-ja. Brenda periudhës së sipërthënë, ka pasur edhe ndonjë subjekt tjetër politik, si p.sh. Partia Demokratike Popullore, por pa ndonjë ndikim të theksuar. Me paraqitjen e BDI-së dhe me hyrjen e saj në institucionet e pushtetit, PPD-ja pothuajse u shua si parti. Në skenën politike mbetën: BDI-ja, si parti me shtrirje të gjerë, dhe PDSH-ja, me ndikim dhe shtrirje të reduktuar dhe të kufizuar.

Rrethanat ekonomiko-sociale në Maqedoni ndikojnë që subjekti politik në pushtet të arrijë shtrirje të gjerë dhe t’i marrrë tiparet e një lëvizjeje politike. Një subjekt politik, sa më shumë të jetë lëvizje populiste, aq më pak është faktor politik. Qëndrimi një kohë të gjatë në pushtet i një subjekti politik e forcon atë dhe e dobëson partinë opozitare. Me një fjalë, raporti i forcave midis partisë në pushtet dhe oponentit të saj në opozitë – çrregullohet. Kjo ndikon që të kemi në skenë: një parti e gjysmë, përballë një gjysmë partie në opozitë. Raporti i lartpërmendur është në dëm të procesit demokratik.

Pas 2001-shit ka pasur tendenca të krijimit të fraksioneve të tjera, si p.sh. Demokracia e Re. Sistemi i votimit në Maqedoni nuk i favorizon partitë e vogla. Rrjedhimisht, udhëheqësit e këtij fraksioni dështuan. Nga individë dhe grupe, shpesh janë bërë përpjekje për të krijuar parti politike. Pothuajse të gjitha përpjekjet kanë dështuar.

Këtu nuk bëhet fjalë për mungesë idesh, platformash, programesh politike, ofertash ekonomike, sociale apo infrastrukturore. Populli apo votuesi as që i lexon ndonjëherë programet apo platformat partiake. Në fund të fundit, letra duron ç’mos. Ju mund të hartoni një program politik apo një platformë politike aq të përkryer dhe joshës, sa s’mund ta marrësh me mend. Ju mund të dilni me oferta të tilla, saqë kufijtë e Shqipërisë t’i çoni deri në Nish. Po kush ju beson se?! Në letër mund të projektoni edhe autostrada, por vetëm në letër. Pra, nuk është vetëm çështje programesh politike, platformash apo ofertash. Të gjithë këta që kanë tentuar të organizohen si grupe politike, kanë pasur programe, por njerëz nuk kanë pasur.

*  *  *

Përpos në momente historike të caktuara, partitë politike lindin edhe në kohë krizash politike, ekonomike dhe sociale. Në një krizë të tillë ndodhet sot Maqedonia. Po qe se kryeministri Gruevski mbetet në skenën politike, VMRO-ja përsëri mund t’i fitojë zgjedhjet. E po qe se ai largohet nga skena politike, atëherë epilogu i betejës midis dy partive sllavo-maqedonase, mbetet për t’u analizuar. VMRO-ja fiton për dy arsye:

- e para, është e shtrirë tej mase;

- e dyta, çështjen shqiptare e ka nxjerrë nga rendi i ditës, ndërkaq faktorin politik shqiptar e ka margjinalizuar.

Pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni është LSDM-ja. Si do të dilte Maqedonia nga kriza politike sikur opozita maqedonase të bojkotonte procesin politik dhe demokratik? Me fjalë të tjera, largimi i kryeministrit të komprometuar nga skena politike do ta lehtësonte zgjidhjen e krizës politike. Kriza politike në Maqedoni mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrjen e Uashingtonit.

*   *   *

Me politikën dhe me strategjinë e vet antishqiptare që nga viti 2006 e këndej, VMRO-ja faktorin politik shqiptar e ka margjinalizuar, e ka instrumentalizuar, e ka zhveshur nga subjektiviteti politik dhe e ka privuar nga aktet e vendimmarrjes. E margjinalizuar dhe e instrumentalizuar, partia politike shqiptare në pushtet – BDI-ja, është privuar nga aktet e vendimmarrjes, ndërkaq, partia politike shqiptar opozitare ka mbetur jashtë procesit politik. Partia opozitare ka për detyrë të ketë qëndrim kritik ndaj qeverisë dhe jo të jetë pro qeveritare. I margjinalizuar dhe i instrumentalizuar, i zhveshur nga subjektiviteti politik dhe i privuar nga vendimmarrja, faktori politik shqiptar, përballë krerëve të VMRO-së - është defaktorizuar. I margjinalizuar, i instrumentalizuar, i mbetur pa subjektivitet politik, i privuar nga vendimmarrja dhe i defaktorizuar, faktori politik shqiptar në Maqedoni, para syve të popullit të vet, është komprometuar dhe është diskredituar. Faktori politik shqiptar, e në veçanti BDI-ja, në vitet e fundit nuk arriti të lirohet nga hija e burgut ku e kishte mbyllur VMRO-ja.

*  *  *

Duke qenë një kohë të gjatë në pushtet, BDI-ja, njësoj si VMRO-ja, ka një shtrirje të gjerë në elektorat. S’ka dyshim se zhvillimet e fundit atë e dobësojnë, por ajo, në mungesë të një opozite të fortë, është e bindur se përsëri do t’i fitojë zgjedhjet. Problemi i BDI-së qëndron në faktin se lehtë ia del ta mundë një opozitë politike shqiptare të atrofizuar, por vazhdimisht të humbë nga VMRO-ja. BDI-ja duhet ta dijë se t’i fitosh zgjedhjet, në një anë dhe të jesh i zoti për ta zgjidhur çështjen kombëtare, në anën tjetër - janë dy gjëra të veçanta. Me një fjalë, nuk mjafton vetëm t’i fitosh zgjedhjet, por nevojitet t’i dalësh zot edhe interesit kombëtar. Fitorja e zgjedhjeve duhet të jetë komplementare me aftësinë për realizimin e interesit kombëtar. BDI-ja duhet ta dijë se një parti politike nuk mund të funksionojë në mënyrë efektive, duke i rrotulluar vite me radhë nga një post në tjetrin - personat e njëjtë, një pjesë e të cilëve me aftësi profesionale të diskutueshme.

*   *   *

Në këtë kohë krize të thellë politike, ekonomike dhe sociale, në skenën politike shqiptare veprojnë edhe tre grupe të tjera politike: grupi politik që identifikohet si PDSH e reformuar, RDK-ja dhe Lëvizja Besa. Këto grupe politike mund të ushtrojnë njëfarë ndikimi kryesisht në Strugë, në Gostivar dhe në Shkup. Pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, ndikimi i BDI-së në atë rajon mund të jetë reduktuar. Në hapësirën politike shqiptare ka edhe grupe politike të cilat gjatë zgjedhjeve ia dalin të marrin jo më shumë se nga 150 vota. Skenës politike pretendojnë t’i bashkëngjiten edhe grupe shoqërore që veprojnë si organizma të shoqërisë civile, por me ambicie për t’u profilizuar si organizma politikë. Që të mund të ballafaqohen me BDI-në, duhet të bashkohen të gjitha grupet politike shqiptare, përfshi këtu edhe PDSH-në që aktualisht ndodhet në opozitë. Shpesh flitet edhe për ekzistimin dhe për veprimin e dhjetëra shoqatave joqeveritare. Nuk duhet harruar se disa prej tyre kanë vetëm nga një anëtar – kryetarin, i cili, për të mbijetuar, përpiqet të realizojë ndonjë të ashtuquajtur projekt. Për ta rrezikuar VMRO-në dhe BDI-në, ka edhe një mundësi: reduktimi i numrit të të punësuarve fiktivë në administratën shtetërore dhe në atë vendore.

*   *   *

Organizimi dhe veprimi politik në shumë vende të botës determinohet edhe nga faktorë të tjerë. Pra, nuk janë vetëm momentet historike apo krizat politike, ekonomike dhe sociale që bëjnë të mundur lindjen e subjekteve politike. Faktorë të tjerë që determinojnë organizime politike alternative janë:

- potenciali demografik, dhe

- determinantët sociologjikë dhe historikë.

Në hapësirën politike shqiptare mungojnë edhe potenciali demografik edhe determinantët sociologjikë dhe historikë. Faktorët e sipërthënë përbëjnë promotorët e zhvillimit të proceseve politike, ekonomike dhe shoqërore. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë një klasë intelektuale vlerash të mjaftueshme. As që kanë një shtresë shoqërore relevante, d.m.th. klasë qytetare (borgjezi). Po të kishin pasur, qëmoti do ta kishin fituar statusin e popullit shtetformues. Si pasojë e diskriminimit serbo-maqedonas, shqiptarët në Maqedoni sot nuk kanë as klasë të mesme të mirëfilltë. Shoqëria shqiptare në Maqedoni dita-ditës po varfërohet. Si pasojë e politikës diskriminuese serbo-maqedonase, që nga viti 1912 e deri më sot, shqiptarët në Maqedoni nuk ia dolën të krijojnë as klasë politike, as elitë intelektuale, as shtresë shoqërore relevante. Pa një elitë intelektuale dhe shoqërore, proceset në një shoqëri nuk mund të zhvillohen me ritëm të duhur. Ndër intelektualët shqiptarë në Maqedoni, përfshi edhe ata me tituj akademikë, ke edhe të tillë që nuk dinë ta shkruajnë drejt gjuhën amtare. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni dhe establishmenti shoqëror notojnë në detin e thellë të oportunizmit dhe të konformizmit.

*   *   *

Duhet ditur se rreth 50% e shqiptarëve nuk dalin në votim. Në vitin 1991 shqiptarët vinin për votim edhe nga Suedia. Sot ndërkaq, vendvotimin e ka 200 metra afër dhe nuk shkon të votojë. Shumë shqiptarë janë të lodhur nga premtimet. Janë të zhgënjyer, të dëshpëruar dhe pa shpresë. Ka edhe të tillë që mezi presin të ikin në Perëndim. Çështja shqiptare ka dimension social, ndaj për t’i fituar zgjedhjet, partisë shqiptare në pushtet nuk i duhet të bëjë politikë, mjafton të punësojë njerëz. Çështja shqiptare në Maqedoni ka kohë që ndodhet në agoni. Derisa faktori politik shqiptar nuk ia doli ta zgjidhë atë me luftën e 2001-shit, përkatësisht me Marrëveshjen e Ohrit, atëherë ka pak gjasa që ajo të zgjidhet nga grupet politike në formim e sipër. Kauza shqiptare në Maqedoni, gjatëkohë do të qëndrojë në agoni, për arsye se:

- forcave politike të amortizuara – BDI-së dhe PDSH-së – askush nuk u beson. Propozimet, projektet dhe platformat e tyre “të reja” askush nuk i merr seriozisht, as populli shqiptar, as pala sllavo-maqedonase dhe as faktori ndërkombëtar;

- grupet politike që janë në krijim e sipër, janë të paformuara për t’u marrë me çështje politike dhe kombëtare.

Optimizmi i pabazë është po aq i dëmshëm sa edhe nihilizmi. Në hapësirën politike shqiptare veprojnë edhe individë që merren për analistë apo ndërtues opinionesh. Një pjesë e tyre vite me radhë, përkatësisht nga 3-4 mandate kanë qenë ose ministra, ose deputetë, ose zëvendësministra, ose ambasadorë, ose liderë partiakë. Derisa kanë qenë pjesë e pushtetit sllavo-maqedonas, këta individë shumë pak kanë punuar në të mirë të shqiptarëve. Sot ndërkaq, kjo kategori e të ashtuquajturve analistë dhe ndërtues opinionesh, shpesh i gjen nëpër mediume duke folur për problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Analizat dhe opinionet e kësaj kategorie të analistëve kurrë s’kanë për të ndihmuar në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare.

Veprimtarët dhe nismëtarët e grupeve politike që janë në formim e sipër, janë individë të cilët në njëfarë mënyre, ose kanë qenë pjesë e pushtetit, ose kanë tentuar të ngjiten në pushtet, si në atë qendror, ashtu edhe në atë vendor. Lufta për të marrë pushtet për interesa personalë dhe për qëllime karrieriste, në një anë, si dhe lufta politike për të sendërtuar një ideologjie kombëtare, në anën tjetër, janë dy gjëra që nuk ndërlidhen me njëra-tjetrën. Çështja kombëtare nuk është çështje e individëve ambiciozë dhe as e grupeve që i veshin vetes atribute politike dhe ideologjike.

Potenciali demografik shqiptar në Maqedoni nuk ka kapacitet për të nxjerrë në skenën politike më shumë se dy subjekte politike. Fragmentarizimi i faktorit politik shqiptar nuk është në interes të kauzës kombëtare. Fragmentarizimi sjell edhe segmentarizimin e elektoratit dhe disperzimin e votës shqiptare. Jemi shumë të vegjël dhe të brishtë për të krijuar çarje të mëdha. Në kohë krizash politike, ekonomike dhe sociale, subjekte të reja lindin kryesisht në vendet me potencial të madh demografik.

Çështja kombëtare shqiptare është çështje e krijimit të një fronti politik të përbashkët dhe e veprimit të tij jashtë institucioneve të sistemit, derisa të mos arrihet një marrëveshje politike historike midis dy bashkësive etnike – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve.

Nuk duhet harruar se qendrat politike ndërkombëtare influente – Uashingtoni dhe Brukseli nuk parapëlqejnë që shqiptarët në Maqedoni të veprojnë si një front politik unik dhe jashtë institucioneve të sistemit. Sipas ndërkombëtarëve, veprimi i faktorit politik shqiptar si një front politik unik si dhe veprimi jashtë institucioneve të sistemit, shpie në homogjenizim mbi baza etnike dhe në radikalizim të çështjes. Mirëpo shqiptarët në Maqedoni, duke iu shmangur radikalizimit, janë duke u shndërruar në minoritet të papërfillshëm. Me fjalë të tjera, ripozicionimi i faktorit politik shqiptar është conditio sine qua non për realizimin e interesit kombëtar.

Çështja kombëtare nuk është monopol i asnjë individi dhe i asnjë partie politike. Partitë politike nuk janë pronë e individëve apo e liderëve që pandehin se janë të pazëvendësueshëm. Partitë duhet të reformohen dhe të riorganizohen dhe reforma apo riorganizimi duhet të fillojë dhe të kryhet nga maja e partisë. Skena politike shqiptare kurrë s’ka qenë më e dekonsoliduar se sot. Faktori politik shqiptar duhet të manifestojë kapacitet politik dhe jo ta shndërrojë hapësirën politike në kënetë politike. Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos ashtu siç ka ndodhur. Çdo popull ka udhëheqës politikë siç është dhe vetë. Megjithëkëtë, populli shqiptar në Maqedoni meriton më shumë se kaq.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora