E enjte, 18.04.2024, 11:45 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ramadan Asllani: Njeriu i shëndetit të popullit

E hene, 13.07.2015, 07:22 PM


NJERIU I SHËNDETIT TË POPULLIT

NË NËNTËVJETORIN E AMSHIMIT TË DR. TEFIK IDRIZIT

NGA RAMADAN ASLLANI

Për kë duhet shkruar e kujtuar, nëse nuk shkruajmë për atë që kujdesej për shëndetin e popullit të tij, përkundër kohëve të vështira okupuese serbe, të uzurpuara nga ish-pushteti në fjalë. Për kë duhet shkruar tjetër, nëse nuk shkruajmë për atë që u dha frymë dhe jetë minatorëve të Trepçës, të cilët i shpëtuan nga ngujimi, më 1989. Për kë duhet shkruar tjetër, nëse nuk shkruajmë për njeriun, i cili tinëz nga pushteti okupues vaksinoi popullatën shqiptare në malësi për t’i shpëtuar nga epidemitë shfarosëse. Për kë duhet shkruar tjetër, nëse nuk shkruajmë për vajzat dhe nuset shqiptare, të cilat u edukuan se si duhet mjekuar plagët, që lufta do të nisej shpejt për lirinë e Kosovës. Për kë tjetër, pos, në mesin e shumë sosh edhe për dr. Tefik Idrizin e Brodit të Shterpcës, që ndërroi jetë tani dhjetë vjet në Ferizaj, më 14 korrik 2005, duke lënë bashkëshorten dhe katër djem të shkolluar, e mbi të gjitha, duke lënë një bagazh të madh kujtimesh te populli, që e deshi aq shumë dhe që ishte shembulli më tipik se si duhet të jetë mjeku dhe humanisti.

Dr. Tefik Idrizin e kisha fqinj dhe mik të mirë familjar. Por, ai nuk ishte vetëm imi, por i krejt Kosovës, bile kishte kapërcyer kufijtë e hapësirës shqiptare, duke marrë pjesë në takime të ndryshme të Evropës me kumtesa për tema shëndetësore, por edhe atdhetare.

Tri orë na ndau nga ndarja fizike me të. Doktori kishte mbledhur disa shënime gjatë aktivitetit të tij jetësor dhe më ftoi natën e 13 korrikut 2005 për të bashkëbiseduar për botimin e tyre, sepse aso kohe isha redaktor në gazetën “Bota sot” që t’i ndihmoja paksa. U morëm vesh dhe u dakorduam për punën e dorëshkrimeve. Ndenjëm deri në orën 23.00 të 2005-ës, që nesër të fillojmë ditën si zakonisht. Dy orë pas mesnatës së kësaj date, më 24 korrik 2005, në orën 2.00, dr. Tefiku kishte ndërruar jetë, pas tri orësh që kishim ndenjur me të dhe ishim përshëndetur me natën e mirë! Nuk mund ta besoja kumtin, kur në mëngjes vajza duke shkuar në qytet e kishte parë karrigen dhe foton e tij me shirit të zi, e cila duke qarë ma kumtoi lajmin pikëllues, që prapë s’e besoja. Me gjithë përpjekjet urgjente të familjes për t’i dhënë ndihmën mjekësore mjekut, dr. Tefiku kishte ndërruar jetë!

Letërnjoftim

Dr. Tefik Idrizi ka lindur, më 30 janar 1953 në fshatin Brod të Shterpcës. Pas kryerjes së shkollës fillore në vendlindje vazhdoi gjimnazin në Ferizaj e më pas studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, të cilat i kreu më 1982, kurse specializimin nga Shëndetësia Publike në Nish, më 1984-88, duke marrë gradën specialist i Ekologjisë Humane. Një kohë të gjatë, që nga viti 1984 ishte marrë me vaksinimin e fëmijëve, ku kryente punën e mjekut. Ishte asistent i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, sot “Hasan Prishtina”, si dhe kryeshef i Edukimit Shëndetësor dhe Ekologjik në Institutin e Shëndetit Publik në Ferizaj. Me hapjen e kufijve me Shqipërinë, atje paraqiti tezën e doktoratës, ku pritej ta mbronte, por mjerisht vdekja e ndau nga jeta dhe nuk arriti ta përfundoi. Nëntë vjet, nga 1990 e deri më 1999 punoi në vaksinimin e fëmijëve parashkollor dhe shkollor, duke udhëhequr shumë programe me UNICEF-in dhe Mjekët e Botës nga ShBA-ja, referencë e dr. Allan Rossit dhe dr. Lisa Adamsit. Ishte udhëheqës i projektit të TBC-së nga OBSh, ku ekipi i tij kishte bërë testimin me vaksinën PPD3 dhe BCG. Një kohë kishte bashkëpunuar me shumë mjekë nga ShBA-ja dhe Evropa me vaksina parandaluese kundër poliomielitit dhe të sëmundjeve të tjera ngjitëse. Pas qershorit 1999 qe zgjedhur drejtor i Institutit për Shëndet Publik në Ferizaj, institut për veprimtari rajonale për Kaçanik, Shtime dhe Shterpcë, duke bashkëpunuar me KFOR-in amerikan, duke qenë disa herë në Bonstill, me USAID-in, me shoqatat joqeveritare ADRA, OXFAM dhe Mjekët e Botës, me organizatën “Braun et Rute” etj.

Pas luftës 1999, kishte marrë pjesë në trajnime të ndryshme që kishin të bënin për shëndetin publik, edukimin shëndetësor, shëndet reproduktiv, epidemiologji dhe sëmundje ngjitëse. Më pas ka udhëhequr shoqatën OJQ për Moskonsumim të Duhanit, Alkoolit dhe të Drogës në Kosovë, njëherit duke qenë edhe anëtar i Komisionit teknik për vetëdijesimin kundër HIV/AIDS-it në Kosovë, e cila ishte themeluar më 1986, duke qenë e vetmja e këtij lloji në Kosovë.

Në autobiografinë e tij, dr. Tefiku shprehte këtë dëshirë: “Kam dëshirë të shërbej në një vend jashtë Kosovës për të treguar aftësitë e mia, por edhe të huazojë përvojën e të tjerëve”, çka do të thotë se dashuria për studim e mësim për të ishte deri në vdekje.

Njeriu i popullit për popullin

Dr. Tefiku me shokë, duke e ndjerë thellë në shpirt gjendjen e vështirë të popullit shqiptar, sidomos pas heqjes së autonomisë së Kosovës, që kishte shkaktuar regjimi millosheviqian, ai me mjekët e Ferizajt ishin të parët që u solidarizuan me grevën e minatorëve, duke qenë edhe të parët që dërguan telegram përkrahës, i cili njëkohësisht ishte dërguar edhe në OBSh, ku hartues i tij ka qenë dr. Tefiku.

Më 28 shkurt 1989, dr. Tefiku, dr. Ramiz Avdulli, dr. Shyqeri Hyseni etj., pas një konsultimi edhe me dr. Bahri Gogën, drejtor, kishin vendosur t’i vizitojnë minatorët në minierën e Babushit, në Mgure dhe në Stan Tërg, te minatorët e Trepçës. Ishte ekipi i vetëm shëndetësor, që minatorët e Trepçës kishin pranuar të hynin brenda, mu për shkak të telegramit solidarizues me ta. Kishin hyrë në horizontin e tetë dhe ishin takuar me njerëz të sakrificës, ku kishin bashkëbiseduar gjysmë ore. Duke pritur ashensorin vjen lajmi se udhëheqësia kishin dhënë dorëheqje, që ishte parakushti për ndërprerjen e grevës dhe dalin në sipërfaqe, ku pritnin shumë gazetarë dhe fotoreporterë nga anë të ndryshme, e ku dukej edhe ekipi i mjekëve ferizajas, të cilët vazhduan kontributin e tyre për minatorët që t’u përshtaten kushteve të tokës, sepse kishin qenë të ngujuar disa ditë, pa e parë dritën e diellit.

Pas këtij veprimi filloi mbyllja e të gjitha institucioneve shtetërore, duke i përjashtuar shqiptarët nga puna, por edhe duke i shkarkuar drejtorët shqiptarë nga postet, ku në vend të tyre i vendosnin serbët e malazezët.

Shumë punëtorë dhe pacientë shqiptarë mbetën pa përkujdesje shëndetësore, gjë që u detyruan të gjenden kush si mundet. Arritën të hapnin ordinanca private për të mbijetuar dhe për të shpëtuar popullatën. Edhe dr. Tefiku hapi ordinancën “Preventiva”, e cila punon edhe sot në përkujdesje të djalit.

Shoqata humanitare bamirëse “Nënë Tereza”

Për shkak të nevojave të mëdha qytetare, Ferizaj si dhe komunat e tjera: Kaçaniku, Shterpca, Shtimja, Vitia e Lypjani kishin nevojë të madhe për një spital, e lere më për një ambulancë, përkundër ambulancave private të hapura deri atëherë. Edhe pse, në fillim bisedat me subjektet e qytetit qenë të pasuksesshme, të cilat më në fund do të realizohen, duke qenë nevojë e të gjithëve. Pra, bartës i subjektit juridik do të jetë Shoqata humanitare bamirëse “Nënë Tereza”, kurse kuadrin do ta sigurojë Shoqata e Mjekëve. Projekti ideor ishte organizuar me një mjek, dy motra, një pastrues, në dy ndërrime dhe me pagesë përveç lokalit, ku ishin caktuar edhe detyra të tjera për nëndegët e qytetit të Ferizajt e më gjerë.

Vdekja e “aktorëve” të Kanit

Viti 1990 ishte pa dyshim një nga vitet e kthesave më të mëdha dhe fatale në Kosovë ngjarjet vinin njëra pas tjetrës me shpejtësi marramendëse. Tubimet kundërshtuese të janarit dhe të shkurtit të 1990-ës, bëheshin sipas strategjisë “zyrtare” (serbe-RA), të cilat u përmbyllen me 29 të vrarë dhe 135 shqiptarë të plagosur me armë zjarri. Pranvera e atij viti erdhi me helmimin e nxënësve. U helmuan 7 mijë nxënës shqiptarë, kryesisht nxënës të shkollave fillore dhe të mesme – yndyra e popullatës. Ministria Federative e Shëndetësisë në krye me Radisha Gaçiçin refuzuan ndihmën që e ofroi Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky helmim bëri edhe ndarjen e nxënësve serbë e shqiptarë, aty ku ishin të përzier. Shqiptarët u shpallën njerëz me sjellje histeriform, kurse populli – popull histerik.

Duke mos pasur laborator toksikologjik në Kosovë për analizat e helmimeve, ato qenë dërguar në Akademinë e Shkencave Medicinale Ushtarake në Beograd, në Zagreb, në Lubjanë dhe ndoshta edhe jashtë ish-Jugosllavisë. Sipas rezultateve, ishte lajmi qesharak, gjoja se nuk kemi të bëjmë me helmimin e nxënësve shqiptarë të Kosovës. Sipas mjekut Balosheviq, para gjashtë javësh kishte thënë se kemi të bëjmë me një helmim të paidentifikuar, kurse pas asaj kohe deklaron: “Se kemi të bëjmë me një aktrim, i cili po përgatitet për Festivalin e Kanit”. Në mbështetje të saj del edhe Akademia e Shkencave Medicinale Ushtarake e Beogradit, e cila thoshte se kemi të bëjmë me “simulim të nxënësve shqiptarë”, sepse një gjë të tillë e paskan pasur vështirë ta thonë edhe laboratorët e specializuar botërorë.

Më pas, në një Konferencë Ndërkombëtare në Paris, prof. A. Hendriko, drejtor i Laboratorit të Universitetit Ndërkombëtar të Referencave dhe ekspert i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lëshoi një kumtesë për shtyp, në të cilën tha: “Është përdorur një gaz organik kimik nervor, sarin dhe tabun, që janë gazra kimikë të luftës”.

Përkundër këtyre dëshmive, kjo çështje ka mbetur në vend dhe kurrë më nuk është aktualizuar e përmendur në asnjë takim ndërkombëtar.

Shërbimi gjatë luftës

Edhe në flakët e luftës 1998-1999 popullata shqiptare, pos asaj në qytet është vaksinuar edhe në fshatra, sidomos ku zhvillohej lufta. Kjo ekipë, më 14 janar 1999 shkoi në Jezerc për ta vaksinuar popullatën dhe ushtarët e UÇK-së.

Meqë dr. Tefiku është dashur të dalë i maskuar në Maqedoni, menjëherë ka bërë një shtab për shëndetësi në Tetovë, pa i ditur se ku e ka familjen. Në Teleferikun e Tetovës bashkë me Valbona Govorin hapën shtabin mjekësor. Pas kësaj, ai hapi ambulancën e parë humanitare jashtë kampeve dhe objekteve fetare të quajtur “Galaksia”, duke dërguar ekipe në Jazhincë për pritjen e të dëbuarve shqiptarë nga anë të ndryshme të Kosovës. Aty, pos mjekëve të Ferizjat qenë përfshirë edhe mjekë të tjerë nga Kosova.

Kjo ordinancë ka punuar dy muaj, duke filluar më 17 prill deri më 22 qershor 1999, ku janë trajtuar 2470 pacientë ushtarakë dhe civilë, 479 prej tyre edhe me infuzione, barëra, mobilizime të përkohshme dhe vendosje në spital.

Punime shkencore

Dr. Tefiku kishte bërë një studim të thuktë për duhanin, duke intervistuar nxënës të moshave të ndryshme në shkollat fillore dhe të mesme. Ato të dhëna i jep me përqindje të cigareve dhe të prejardhjes së duhanpirësve nga prindërit duhanpirës dhe joduhanpirës. Duke dhënë anët e këqija të konsumimit të këtij artikulli, ai ua shpërndante të dhënat, duke ndikuar e ndërgjegjësuar të rinjtë për t’iu shmangur kësaj dukurie të keqe për shoqërinë dhe për mbarë njerëzimin e rruzullit tokësor. Pastaj ka bërë punime për ambientin, ndotjen e tij, por edhe masat mbrojtëse për ujin, gjelbërimin etj. Nuk ka lënë pas as sëmundjen bashkëkohore AIDS-in (SIDA), ethet Lassa, Ebolën e shumë sëmundje të tjera ngjitëse, që përmes masave parandaluese ta ruaj popullatën e në veçanti rininë tonë – pasurinë më të madhe kombëtare në Evropë.

Duke u bazuar në këtë kujtim të vogël për këtë përvjetor të dr. Tefik Idrizit, e që për më shumë atë mund ta njihni në librin tim monografik, “Dr. Tefik Idrizi”, botuar në Ferizaj, më 2007, shpreh mirënjohjen dhe dashamirësinë për veprën humane të tij, për çka e kishte edhe profesion e mbi profesion.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora