E shtune, 20.04.2024, 01:49 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Vrasja e dy çekëve - akt i turpshëm

E merkure, 08.07.2015, 08:00 PM


VRASJA E DY ÇEKËVE – AKT I TURPSHËM

Nga Xhelal Zejneli

Dy qytetarët e Çekisë, Ana Kosinova dhe Mikael Svato e kishin adhuruar Shqipërinë. Ata kishin lexuar për Shqipërinë, për natyrën e bukur të saj, për peizazhet, për qiellin e blertë, për florën dhe faunën dhe për brigjet e Adriatikut e të Jonit. Ata kishin lexuar edhe për shqiptarët  dhe kishin mësuar se janë popull mikpritës, bujar, fisnik, solidar dhe human. Nga të gjitha vendet e Evropës, për vizitë kishin zgjedhur pikërisht Shqipërinë.

Vrasja e tyre paraqet turp për Shqipërinë dhe për tërë kombin shqiptar në Ballkan. Tragjedia i ka mbuluar në zi dy familjet çeke. Lajmin për këtë krim të rëndë e kanë dhënë  agjencitë më prestigjioze të botës. Me këtë akt barbar Shqipëria dhe shqiptarët humbin para syve të botës.

Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, për qëllime studimore, Shqipërinë e kanë vizituar shumë dijetarë perëndimorë. Asnjërin prej tyre s’e gjeti gjë. Përkundrazi, kudo që venin,  priteshin mirë nga popullsia.

Ndër shqiptarë qëndroi një kohë të gjatë poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni  (1788-1824) dhe s’e gjeti gjë. Babai i studimeve shqiptare Johan Georg fon Han (1811-1869), autor i trevëllimshit Albanesische Studien, Jena 1854, si konsull i Austro-Hungarisë në Janinë, bëri udhëtime në mbarë Shqipërinë dhe asgjë s’e gjeti. Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (1810-1880) nga Gëtingeni shërbeu në flotën detare greke. Ky autor i librit Noctes Pelasgicae, Athinë 1855 (Net pellazgjike), përmbledhje kjo me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare bashkë me një gramatikë të shqipes - u njoh me folklorin shqiptar nga detarët shqiptarë dhe s’e gjeti gjë. Autori i librit Manuel de la langue chkipe au albanaise, Paris 1879 (Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze) – konsulli francez Ogyst Dozon (1822-1891), me seli në Janinë dhe Selanik, po ashtu ishte i nderuar nga shqiptarët. Udhëtime nëpër Shqipëri bëri edhe etnografja dhe publicistja angleze Mis Meri Edit Durham (1863-1944), autore e gjashtë librave dhe e 100 artikujve, në të cilët trajtoi gjerësisht temën mbi Shqiprinë dhe shqiptarët. Kjo mike e shqiptarëve, qysh para një shekulli i ra kryq e tërthor Shqipërisë dhe s’e gjeti gjë. Ajo u mirëprit në zonat e malësisë dhe asnjëherë nuk pati probleme me popullsinë vendase, pavarësisht nga fakti se shpeshherë udhëtonte vetë, d.m.th. pa shoqërues. Shqiptarët e quajtën Mbretëresha e malësorëve.

Pra, asnjërit prej studiuesve të sipërthënë që udhëtuan nëpër Shqipëri, nuk i ndodhi asnjë e keqe. Në çdo cep të vendit u pritën nga shqiptarët me bujari. Ndërkaq sot, në shekullin XXI, për motive të ulëta, në tokën shqiptare dy të huaj vriten me pabesi.

Kjo është e pashpjegueshme. Këtu s’kemi të bëjmë me dëmet që mund t’i pësojë turizmi shqiptar, por me diçka tragjike dhe me një turp kombëtar. Bota do të thotë: Shqipëria është vend i pasigurt për të huajt; ndaj të huajve në Shqipëri, kryhen akte barbare; të huajt në Shqipëri mund të plaçkiten; të huajt në Shqipëri mund të përjetojnë pabesi, mund të dhunohen, mund edhe të vriten.

Dy familjet e të vrarëve, përjetësisht do të kenë mendim të keq për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Nuk duhet harruar se Çekia është vend mik i shqiptarëve. Është ndër shtetet e para të Evropës që e njohu pavarësinë e Kosovës. Studiuesit çekë janë marrë me studimet shqiptare qysh në shekullin XIX. Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923), profesori i gjuhëve dhe i letërsive romane, në librin e tij Zur albaneschen Sprachenkunde, Lajpcig 1881 (Mbi gjuhësinë shqiptare) botoi lëndë folklorike shqiptare, një vjershë, dy përralla popullore dhe 53 fjalë të urta nga krahina e Shkodrës. Jarniku është autor edhe i librit Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, përmbledhje kjo me rrëfenja dhe anekdota, përsëri nga Shkodra, të botuar në gjuhën çeke në Pragë më 1883.

Çdo shqiptar kudo që ndodhet, ndjen dhimbje të thellë për humbjen e jetëve të dy të rinjve, miq të shqiptarëve – Anës dhe Mikaelit. S’ka shqiptar në rruzullin tokësor që nuk e dënon këtë akt makabër dhe që nuk u shpreh ngushëllime familjeve të pikëlluara.

Në çdo vend të botës ku ka rend dhe rregull, të huajve u kushtohet një kujdes i veçantë, qoftë nga qytetarët, qoftë nga organet e rendit.

Problemet ekonomike dhe sociale me të cilat ballafaqohen individë të caktuar në Shqipëri, në asnjë mënyrë nuk e arsyetojnë sulmin mbi të huajt dhe plaçkitjen e tyre. Vrasjet ndërkaq, nuk arsyetohen në asnjë rrethanë. Ato janë krime makabre dhe akte barbare të dënueshme.

Gati të gjithë të huajt që e kanë vizituar Shqipërinë brenda këtyre 25 viteve, për vendin e shqiponjave dhe për shqiptarët flasin sa më mirë.

Vrasësi i dy çekëve – Anës dhe Mikaelit - duhet të dalë para drejtësisë. Shteti shqiptar duhet t’i ngushëllojë familjet e viktimave dhe t’i shpreh keqardhje shtetit çek. Organet shtetërore, në bashkëpunim me shoqërinë civile, duhet t’ia bëjnë me dije mbarë shoqërisë shqiptare se të huajt në Shqipëri, derisa e respektojnë rendin dhe ligjin, janë të mirëpritur, të mirëseardhur dhe të paprekshëm.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora