E enjte, 25.04.2024, 08:14 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Bardhyl Selimi: Një ditë e mbarë

E merkure, 08.07.2015, 07:22 PM


Një ditë e mbarë

Nga Bardhyl Selimi

E kishim bërë me fjalë me bashkëshorten të shkonim në Lipjan (Kosovë) javën e parë të korrikut, jo  vonë, pasi prisnim shumë ngjarje familjare: lindjen e nipit, 60-vjetorin e vëllait, më pas 70-vjetorin tim, takimin me mbesat, martesa të miqve.

Për fat, pak para se të niseshim herët në mëngjes dje, më telefoni djali i vogël e më njoftoi që sapo doli në jetë fëmija e tij e parë dhe nipi im i parë.

Patjetër, që u lumturuam bashkë me gruan dhe shpejtuam t'i lajmëronim të afërmit. Bashkë me ne do udhëtonin edhe vëllai me bashkëshorten. Gjithçka kaloi këndëshëm. Kunata, fierake, nuk kishte qenë asnjëherë në Kosovë, kështu që për të ishte befasuese. Kosova iu shpalos jo thjesht si një vazhdim i maleve tona të veriut por si një rrafshnaltë po aq e bukur si Myzeqeja. Padyshim përshtypjet e saj do thellohen me kalimin e kohës, ashtu sikundër ka ndodhë më parë më mijëra shqiptarë "të vjetër" duke filluar nga tre vitet 1941-1944, kur pjesa më e madhe e trojeve jashtë atdheut "londinez" iu bashkua qeverisë së Tiranës..

Këtë herë, miku im i kurdogjindshëm, Behadini po udhëtonte me familjen për Shkup, për arsye shëndetsore, por megjithatë e kisha pranë me telefonata. Ai lajmëroi edhe mikun tonë të përbashkët, Seferin nga Gadimja, që të na takonte në lokalet e Komunës, ku ai mbulon, si nënkryetar, problemet sociale. Ndodhemi në periudhën e Ramazanit dhe Seferi gjithnjë agjëron. Dita e gjatë e agjërimit këtë verë, sigurisht, që e lodh edhe atë, gjë që dukej qartazi, por nuk ja humb vullnetin për punë dhe ndjenjën e respektit për miqtë. Përveç se na qerasi me pije freskuese e kafe, na foli për vitet kur ka punuar edhe në Shqipëri (fillimet e 90), përndjekjet nga regjimi milosheviçian, ndihmesën për familjet në nevojë dhe luftëtarët e U?K gjatë viteve 1998-1999.

Në kohën e ish Jugosllavisë shqiptarët atje nuk gëzonin të drejta etnike, ndonëse ishin të lirë të lëviznin nëpër Evropë, ndërsa "lufta e klasës" vepronte edhe atje në format e saj. Gjatë bisedës erdhi dhe z. Xhelal, përgjegjës për gjelbërimin, të cilit Seferi iu lut të kujdesej për varrezat e serbëve të një fshati, ndonëse kjo ishte një detyrim jo i Komunës, por patjetër një qendrim politik korrekt.

Një drekë e shijshme në një nga qebabtoret e qytetit na e hoqi disi lodhjen e mëngjesit.

Duke u kthyer në Prishtinë, i telefonova dr. Shqiptar Demaçit. Ai më sqaroi se gjendja shëndetsore e bacës Adem është më e mirë, ai ka nisë të bëjë edhe shëtitje të shkurtra pranë shtëpisë.

Në bar Liqeni në Kukës dhe në një lokal pranë Prizrenit

Edhe miq të tjerë që u telefonova, ishin mirë. Drejtor Ilmiu tanimë ishte liruar disi nga fluksi i punëve të gjimnazit të ri, kushëriri Rakip po pushonte në basenin e Smallushës, Nebiu ishte mirë por nuk mundej të më takonte dot, Heseti nuk më përgjigjej (desha ta pyes për shëndetin e familjes).

Në stacionin e Prishtinës u freskuam më akullore të shijshme dhe u furnizuam më disa paketa "Amoreti"  që televizioni i reklamon shpesh.

Me vëllanë në autobuzin "Arditi" dhe një djalë simpatik dyvjeçar që shkonte me gëzim te daja në Kosovë

Këtë ditë ishte e natyrshme të isha ca i hutuar..Kështu në mëngjes kur porosita të mbushja telefonin me kartën e "Valës" i dhashë operatorit një numër gabim, (në vend të 760, 706) kështu që 10 eurot i shkuan një tjetri...por ende ka njerëz të ndershëm. Personi në fjalë, i ktheu pothuaj të gjitha me kërkesën e operatorit. Po ashtu  në kthim, në vend që ta lija çantën në autobuzin "Arditi"  që ishte në stacion, e kisha lënë në autobuzin që ndodhej ngjitur me të. Per fat, arrita në kohë, para se autobuzi tjetër të largohej bashkë me çantën time..

Rrugës u ndalëm në një benzinatë të re, para Rëshenit, e cila ishte jo vetëm me stil të veçantë arkitektonik, por edhe me një kompleks tregtar e kulinar model dhe higjienë shembullore.

Nga aeroporti, ku po i lanin të gjitha rrugët e deri në Tiranë, shihje flamuj shqiptarë e gjermanë me rastin e vizitës që bën sot zonja Merkel.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora