E enjte, 18.04.2024, 09:08 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Zgjohu shpirt dhe ndize zjarrin

E hene, 06.07.2015, 09:18 PM


KALOSH ÇELIKU

 

DITËN E SHTATË

 

ZGJOHU SHPIRT DHE

NDIZE ZJARRIN

 

(Njërës nga Tri Zanat e maleve: Fatmira Çeliku. Që,

më dha gji me dy shtamba. Fuqi për luftë. Nateditë

më priu para përmes zjarreve. Dhe, Dy Zanave tjera,

ende që më mbajnë përkrahu në Luftën me penë)…

 

(Varg nuk kam ta shkrep armën)

 

Moti kohë më pate thënë: Përgëzime!

Poezia është arma yte besnike.

Po, nëse ik Unë. E di se, do të çmendet vargu?!

 

Vite më vonë, kur ike Ti natën nga Shtëpia

Poezia u çmend. Herët, mori malet.

Imzot, si ta kthej në shtrat?! Ditën e Madhe.

Varg, kur nuk kam ta shkrep armën

Në mes të Pazarit ta vras hasmin e Babait…

 

 

(Varre e varre në Katundin

e flamurit kuqezi)

 

Gjithë jetën, tri herë u shpalla i vdekur

Herën e parë në Ulqin. Pastaj, në Korçë.

Varri, ende rri hapur rrëzë Çukës

Herën e fundit kërceva në Qafë Thanë.

 

Vite më vonë i vizitova të vdekurit:

Nënën e Babain. Vëllezërit. Gjakun.

Kaçakun e maleve: Emin Çeliku (Xhambazi)

Që, dikur mbi varr Babai i vuri pllakë të madhe

Guri. Që, e veçonte nga të tjerët katundarë.

 

Varre e varre, në Katundin e flamurit kuqezi

Përçudi: shumë pak përmendore të heronjëve…

 

 

(Marrëzi)

 

Marrëzi është sot t’i dorëzosh armët

Shtambat me verë t’i rrokullisësh nën Rrap.

Gjokun ta lidhën nën hije.

Edhe, kokë më kokë me Miken

Nateditë ta vajtosh Atdheun.

 

Heroizëm është sot: vargun kaçak

Nga brezi ta nxjerrësh në mes të Bit-Pazarit…

 

 

(Derë e atij varri)

 

Derë e atij varri nuk ka oxhak

E, as baxhë mbi çati.

Lejlekët ende i ka në çerdhe

Qiellin e ka Shtëpi.

 

Derë e atij varri, rrëzë Çukës

I pret miqtë që vdesin për Liri…

 

 

(Ditët që nuk vijnë më kurrë

në Bregliqe)

 

Moti kohë kanë ikur ditët e lumtura

Netët pa gjumë. Trokitjet te porta.

 

Zonja Vdekje, sot shëtitet nëpër Katund

Dhe, kërkon vullnetarë për Luftë…

 

 

(Përzënja nga mesi i varreve)

 

Xha Derallën, dikur e ndoqi policia serbe

Sot, e ndjekin “patriotët” kuqezi.

Përmëkeq, pasardhësit e tij “komandantë”

Që, përditë shpallin “dëshmorë” lufte.

Nesër, që nuk do t’i përmendi historia.

 

Xha Derallë, fli i qetë mes varreve

E di, se: Nesër këto “komandantë”.

Edhe të vdekurit, rrëzë Çukës

Njëzëri do t’i përzënë nga mesi i varreve…

 

 

(Largpamësi)

 

Im Atë, shpesh më rrëfente

Sesi, pas Lufte e ka bindur Imer Luma

Veten ta shpëtoj nga vërshimi.

 

Erdhi natën vonë pasmesnate

Edhe, më tha: A sheh se çka ka në Lëmë?

Jo, i thashë. E, unë shoh edhe në Lëmë

Prandaj, koha është ta shpëtosh Veten.

Familjen. Jetën ta vazhdojë Nesër.

 

Pasmesnate, im Atë pa në Lëmë

E shpëtoi Veten. Familjen.

Luftën, sot ta vazhdojmë me penë…

 

 

(Rrapi Nesër do lulëzojë

prej Rrufesë)

 

Patjetër, Nesër varri do lulëzojë prej rrufesë

Arsye: shiu do të bie me shtamba.

Çatitë t’i lajë nga bërlloku shekullor

Rrëzë Çukës të rritet bari mbi varre.

 

Nesër, do të zgjohen të vdekurit nga varret

Shkaku, se: Sot na mbytën të gjallët…

 

 

Dhe në fund

(Zgjohu shpirt dhe ndize zjarrin)

 

Zgjohu Shpirt! Dhe, ndize zjarrin

Derën mbylle me shul! Dritaret!

Oxhaku nuk ka derë mbi Çati

Qiellin e ka Shtëpi. Diellin fener

Kashtën e Kumtrit djeg në vatër.

 

Zgjohu Shpirt, ma shtro shtratin

Gjergj Elez Alisë jepi gji me dy shtamba.

Fuqi me nëntë plagë të çohet nga shtrati.

 

Plagën e dhjetë, Nesër e shëron varri…

 

Shkup, 06 korrik 2015

 

Zana e Malit (Fatmira Çeliku) me veshje kombëtare kërçovare duke pritur Poetin në breg të Lumit, rrëzë Çukës (Kërçovë)…



(Vota: 147 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora