E diele, 31.05.2020, 07:37 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Viktimat e monizmit

E diele, 05.07.2015, 05:42 PM


VIKTIMAT E MONIZMIT – PASQYRË TRONDITËSE E KALVARIT SHQIPTAR

Nga Xhelal Zejneli

Dëshmi tronditëse për dhunën ndaj shqiptarëve të boshtit të krimit Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni u akuzua për nacionalizëm, irredentizëm dhe separatizëm. U akuzua se punon kundër vëllazërim-bashkimit, kundër rendit kushtetues, kundër politikës së Lidhjes së Komunistëve. Ajo u akuzua se vepron për shkatërrimin e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ-së), për bashkim me Shqipërinë dhe për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shkollat shqipe u shpallën bastione të ideologjisë shqiptaromadhe. Ndaj intelektualëve u zbatuan masa ndëshkuese drakonike: u diferencuan politikisht dhe ideologjikisht; shumë prej tyre u dëbuan nga puna dhe u flakën në rrugë;  u morën në biseda informative; për ta ndaluar arsimimin në gjuhën shqipe, u krijuan të ashtuquajturat paralele të përziera; u nxorën do ligje, sipas të cilave ditarët nëpër shkolla duhej të plotësoheshin në gjuhën sllavo-maqedonase; u ndalua pagëzimi i foshnjave të porsalindura me emra të gurës shqiptare dhe ilire; nga repertorët e stacioneve radio-televizive u flakën këngët me motive atdhetare; nga bibliotekat e shkollave, nga ato publike, përkatësisht private u sekuestruan librat që ishin botuar në Shqipëri; nëpër dasma u ndalua ekzekutimi i këngëve me përmbajtje atdhetare; personat që merrnin pjesë nëpër dasmat në të cilat këndoheshin këngë patriotike - u dënuan; u dëbuan nga puna intelektualët që ishin shkolluar në Universitetin e Prishtinës; me buldozerë u prishën muret e shtëpive dhe u prenë dyert e shtëpive - si në kohën e {ubrilloviqit; nga plan-programet arsimore u hoqën njësitë mësimore që ndikonin në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të nxënësve; pronarët e tregtizave që mbanin emërtime shqiptare ishin nën syrvejim permanent; policia e armatosur deri në dhëmbë i mbyllte shtëpitë e mallrave dhe me shkopinj gome rrihte popullsinë civile të mbyllur në to; arrestoheshin demonstruesit; torturoheshin të burgosurit; montoheshin procese gjyqësore; shqiptoheshin dënime drakonike. Duart e zeza të shërbimit sekret sllav shtriheshin kudo. Shteti policor përcillte dhe syrvejonte çdokënd. Shqiptarët ndodheshin në shtetrrethim. Syri i Vëllait të Madh të ndiqte në çdo hap. Kjo të kujtonte skenat e Xhorxh Oruellit. Shovinistët sllavo-maqedonas, këta lakej të Beogradit, të ushqyer me ideologji bolshevike, staliniste, kominterniste dhe pansllaviste, zbatuan ndaj shqiptarëve metoda bizantine të dhunës. Intelektualët shqiptarë që përmenden në librin Viktimat e monizmit të autorit Ismail Arsllani, ishin në krye të përgjegjësisë historike. Në luftën e tyre - historikisht të justifikueshme - për të drejta, barazi, liri dhe demokraci, ata nuk u hamendën në asnjë çast.

Jugosllavia, për shkatërrimin e së cilës u akuzuan, më në fund u shemb. Kosova fitoi lirinë, ndërsa shqiptarët në viset e tjera, vazhduan rrugën drejt ditës së re. Politikës unitariste, monoetnike, centraliste, etatiste, diskriminuese, restriktive dhe opresive po i vinte fundi.

Përballë kësaj dhune irracionale, inteligjencia shqiptare në Maqedoni, si një mal i vetmuar, e patundur qëndroi.

* * *

Në librin Viktimat e monizmit të Ismail Arsllanit, pasqyrohet njëra nga periudhat më të rënda të popullit shqiptar në Maqedoni. Protestat masive të shqiptarëve në Kosovë, në mars dhe në prill të vitit 1981, sipas shumë studiuesve të zhvillimeve politike në Jugosllavi, paraqesin fillimin e shpërbërjes së amalgamës jugosllave. Protestat e sipërthëna do t’u shërbejnë pushtetarëve maqedonas si pretekst për të ushtruar dhunë mbi shqiptarët.

Pas vitit 1981, qarqet shoviniste sllave, kundër shqiptarëve në Jugosllavi do të ndërmarrin një fushatë, deri atëherë të paparë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo fushatë antishqiptare do të zhvillohet shkallë-shkallë dhe do të arrijë kulmin kah mesi i viteve ’80 të shekullit XX, kur akademikët serbë publikuan Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, që doli në Beograd në janar të vitit 1986, si një libër anonim.

Pas publikimit të këtij Memorandumi famëkeq që u quajt nekrolog i Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ), politika antishqiptare u intensifikua. Boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd u shpalli shqiptarëve luftë speciale, d.m.th. luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, luftë kundër separatizmit shqiptar dhe luftë kundër secesionizmit shqiptar. Sipas boshtit antishqiptar të lartpërmendur, shqiptarët në Jugosllavi luftojnë për Shqipëri të madhe. Sipas këtij boshti të krimit, shqiptarët janë: kundër Jugosllavisë, kundër tërësisë tokësore të saj, kundër vëllazërim-bashkimit, kundër politikës dhe ideologjisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, kundër Armatës Popullore Jugosllave, kundër fryteve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, kundër figurës së Josip Broz Titos.

Në këtë periudhë të rëndë për shqiptarët në Jugosllavi, e sidomos në Maqedoni, kundër shqiptarëve u angazhuan institucionet dhe organet e shtetit, si: Lidhja e Komunistëve, krerët politikë, qarqet ushtarake, organet e policisë, shërbimet sekrete, institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, qarqet universitare dhe kleri ortodoks. Në këtë dance macabre u përfshinë edhe mediumet, e sidomos shtypi i Beogradit, me propagandën e tij gebelsiane. Si përbindësh kundër shqiptarëve u ngritën edhe filialet në Shkup - të institucioneve të sipërthëna. Shqiptarët u shpallën trup i huaj në Jugosllavi.

Lufta kundër shqiptarëve, në të vërtetë ishte synim i serbëve për të sendërtuar ëndrrën historike për një Serbi të madhe. Me një fjalë, duke realizuar idenë garashaniniste, të rimëkëmbet perandoria mesjetare e car Dushanit.

Për këtë arsye u ndërmorën masa që të ndryshohet Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, sipas së cilës Kosova ishte element konstitutiv i Federatës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni gëzonin statusin e popullit shtetformues. Me ndryshime kushtetuese, do të duhej të shembej shteti federal dhe do të ndërtohej një Jugosllavi unitariste, centraliste dhe etatiste. Rrjedhimisht, edhe Maqedonia do të shndërrohej në një republikë unitare, monoetnike dhe centraliste. Pas kësaj histerie kundërshqiptare, Kosovës do të duhej t’i suprimohej autonomia, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm. Me fjalë të tjera, duhej të rrënohej statusi juridik dhe politik i shqiptarëve.

Në rrethana të tilla, pozita e shqiptarëve në Jugosllavi, në veçanti e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte e njëjtë si në kohën e Mbretërisë Jugosllave, të mbiquajtur burg i popujve. Për shqiptarët, duhej të rikthehej periudha famëkeqe e karagjorgjeviqëve, e Nikolla Pashiqit dhe e Aleksandër Rankoviqit.

Antishqiptarizmi i periudhës së viteve 1981-1990 në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi ishte politikë e shtetit. Boshti antishqiptar i krimit, Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990 ushtroi mbi shqiptarët gjenocid. U sajua një i ashtuquajtur diferencim ideopolitik, si hap i parë për t’i dëbuar shqiptarët nga puna. për t’i disiplinuar dhe për t’i pacifikuar shqiptarët, sllavët morën masa të rrepta policore dhe gjyqësore. Ndaj shqiptarëve do të ndiqet politikë diskriminuese, politikë restriktive dhe politikë represive. Opresioni ishte pjesë e pandarë e kësaj strategjie. Me shqiptarët do të merren gjyqtarët, policët, hetuesit, dëshmitarët e rrejshëm dhe gardianët. Shqiptarët do të arrestohen, do t’i nënshtrohen hetuesisë, do të torturohen dhe do të dënohen me dënime drakonike.

Në periudhën e viteve 1981-1990, politika irracionale dhe destruktive e boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd, ringjalli ideologjinë retrograde dhe anakronike, hegjemoniste dhe ekspansioniste të Ilija Garashaninit dhe të akademikut Vasa Çubrilloviq. Sipas një interpretimi të Naçertanies nga radikalët serbë, shqiptarët duhet të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna. Ndërkaq, elaborati famëkeq i Çubrilloviqit duhej të zbatohej me përpikëri, në mënyrë që shqiptarët të detyrohen t’i braktisin trojet stërgjyshore. E tërë kjo do të ishte në funksion të pastrimit etnik të trojeve shqiptare. Maqedonia, kjo kreaturë serbokomuniste dhe kominterniste, në vitet 1981-1990 ishte shndërruar në instrument të verbët të Beogradit për denigrimin dhe përndjekjen e shqiptarëve.

Autori i librit Viktimat e monizmit – Ismail Arsllani, dëshmon me argumente dhe në mënyrë rrëqethëse për ngjarjet dramatike të viteve 1981-1990, nëpër të cilat kalon populli shqiptar në Maqedoni. Do të sulmohen me egërsi dhe në mënyrë barbare: gjuha shqipe, kultura shqiptare, kënga shqipe dhe folklori shqiptar. Do të vihen në shënjestër: arsimi shqiptar dhe plan-programet mësimore. Shkolla shqipe do të shpallet bastion i nacionalizmit dhe i irredentizmit shqiptar. Partia komuniste sllavo-maqedonase do të japë direktiva që nga repertori i këngëve nëpër dasmat shqiptare, të hiqen këngët që cilësohen si nacionaliste. Nëpërmjet të ashtuquajturave paralele të përziera, synohej të ndalohej arsimi shqiptar. Shovinistët sllavo-maqedonas e ndaluan pagëzimin e fëmijëve shqiptarëve me emra shqip, si Ilir, Shkodran, Berat, Sarandë, Shqipe, Adriatik…Me fjalë të tjera, foshnjat shqiptare nuk mund të emërtoheshin sipas onomastikës iliro-shqiptare. Emrat toponomastikë si Tetovë, Dibër, Kërçovë, Kumanovë, Shkup, Manastir etj, duhej të shqiptoheshin sipas shqiptimit sllav. Format e gjenocidit mbi shqiptarët ishin të shumta. Pjesë e trysnisë ishte edhe prishja e mureve të shtëpive. Shovinistët serbë dhe sllavo-maqedonas krijuan edhe index librorum prohibitorum. Me një fjalë, librat që cilësoheshin se posedojnë përmbajtje nacionaliste, u flakën nga bibliotekat dhe u futën nëpër bodrume që të myken. Intelektualët syrvejoheshin, ndiqeshin, përcilleshin dhe përndiqeshin në çdo hap. Të dënuarit, pasi shpalleshin armiq të Jugosllavisë, të vëllazërim-bashkimit, të LKJ-së dhe të socializmit, dënoheshin – në emër të popullit – me dënime drakonike.

Fatkeqësisht, ndër bashkëpunëtorët e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror (Uprava državne bezbednosti – UDB) kishte edhe shqiptarë. Syrvejimi i tërë një populli dhe thirrjet në të ashtuquajtura biseda informative të përkujtonte botën e tmerrshme oruelliane. Vëllai i Madh i Xhorxh Oruellit të ndiqte në çdo hap.

Makina bizantine dhe bolshevike e tmerrit mbi një popull të pambrojtur, nuk ndalej së ushtruari dhunë. Funksionarët shqiptarë ndërkaq, nuk kishin kurrfarë kapaciteti për t’i dalë para dhe për ta frenuar ideologjinë totalitariste të shovinistëve serbo-maqedonas. Midis tyre kishte edhe karrieristë. Disa prej tyre u bënë pjesë e pandarë e politikës gjenocidale që ndiqte ndaj shqiptarëve boshti i krimit Shkup-Beograd-Titograd.

Përballë dhunës bizantine, populli shqiptar, si një mal i vetmuar, i patundur qëndroi. Duke qenë popull autokton, shqiptarët manifestuan një vitalitet të jashtëzakonshëm. Nga kalvari që përjetuan shqiptarët, nuk u thye vrulli faustian i tyre. Kauza shqiptare, historikisht e drejtë, bëri që stërnipat e ilirëve të lashtë, t’i bëjnë ballë golgotës, ndërsa me forcën prometeane dhe racionalizmin kartezian, të përqafojnë epokën e pluralizmit politik dhe demokracinë perëndimore. Shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre s’ishte bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Libri Viktimat e monizmit i Ismail Arsllanit është një dëshmi e gjallë për ngjarjet dramatike dhe për golgotën që e ka përjetuar populli shqiptar në Maqedoni në periudhën e viteve 1981-1990. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe stil të përkryer dhe i pajisur me prova, argument, dokumente dhe fotografi figurash dhe personalitetesh që kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, libri paraqet burim të dorës së parë për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm. Kjo vepër u bën të mundur brezave të ri për ta njohur ferrin dantesk, terrin bizantin dhe tmerrin bolshevik që kanë përjetuar etërit e tyre nga shovinistët sllavo-maqedonas. Libri ka dhe një mesazh të fuqishëm: Një sasi lirie që gëzojnë shqiptarët sot, nuk është fryt i një sakrifice të djeshme, por i një lufte dhe i një qëndrese shekullore të shqiptarëve, ndër breza.

Ideologjia retrograde, anakronike dhe destruktive e akademikëve serbë çoi në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë së Titos. Popujt e Ballkanit duhet të zgjedhin paqen si alternativë e konfliktit, të jenë të pavarur dhe sovranë, ta njohin njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë ndër vete, të ndjekin politikë paqësore dhe stabilizuese, të ndërtojnë shtete ligjore, t’i zhvillojnë proceset demokratike, të zhvillohen ekonomikisht dhe të integrohen në familjen perëndimore.

Heronjtë e kësaj drame tragjike që i dolën përballë të keqes me gjoksin prometean, duhet të zënë vendin e merituar në historinë e popullit shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora