Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbana Xharra: Festa antiamerikane

| E shtune, 04.07.2015, 02:39 PM |


Festa antiamerikane

Nga Arbana Xharra

Në mars të këtij viti, në New York, takova një gazetar, njohës i çështjeve të Ballkanit, rreth të 50-tave, i cili kishte mbuluar nga afër luftën në 1999-n, dhe për 16 vjet me radhë nuk i kishte ikur asnjë zhvillim i rëndësishëm për Kosovën. Fliste për “proamerikanizmin” e dikurshëm të kosovarëve. Dhe kujtoj një ngjarje të tij personale. “Isha në një restorant me ish-diplomatin Richard Holbrook, papritmas na afrohet një kamerier, u ul në dy gjunjë dhe duke i puthur duart Holbrook-ut i rrodhën lotët në faqe, iu falënderua për ndihmën që ai dhe SHBA-të i kishin dhënë Kosovës. Kamerieri ishte kosovar që pas luftës kishe ardhur në SHBA për të studiuar dhe për të punuar”, tregon rrëfimin gazetari, për të hapur një temë tjetër. “Por, kam frikë se shumë shpejt nuk do t’u jeni mirënjohës SHBA-ve për ndihmën dhe miqësinë. Në Kosovë po rritet frymë antiamerikane dhe kjo është e dukshme”, m’u drejtua ky gazetar teksa më numëronte rastet, sinjale të qarta të antiamerikanizmit të shtrirë dita-ditës në Kosovë.

Dhe sot kur lexova lajmin se 16 vjet pas luftës, për herë të parë nuk ka asnjë organizim në Prishtinë për të festuar në shenjë respekti dhe falënderimi për SHBA-të, Ditën e Pavarësisë - 4 Korrikun, m’u parafytyrua gazetari amerikan, sikur më përsëriste paralajmërimin e tmerrshëm që ma kishte thënë pak muaj më parë.

Instinktivisht, provon të mos besosh se kjo po ndodh, por në kokë të sillen të gjitha ngjarjet që të bindin se për një dekadë e gjysmë u ushqye në heshtje antiamerikanizmi dhe sot kjo “bishë e fjetur” po zgjohet. Më ranë ndërmend: dy amerikanët e rrahur në parkun e Gërmisë; deklarata e prindit të dy djemve të ikur në Siri nga Gjilani, të cilët kishin thënë se duhet sulmuar baza amerikane në Bondsteell se ”amerikanët janë kundër myslimanëve”; 300 kosovarët tashmë pjesë e “Shtetit Islamik”, në mesin e tyre 20 familje me gra e fëmijë; vajzat e reja nga Kosova të lindura në fillim të 90-ve, duke luftuar krah monstrës Lavdrim Muhaxheri; paralajmërimet e kosovarëve nga Siria me video-incizime për sulmet e ISIS-it e gjithë ata të rinj e të reja në Kosovë që përkrahin terroristët e “Shtetit Islamik”, që nuk fshehin identitetin e tyre përmes rrjeteve sociale, e shumëngjarje të tjera.

***

Antiamerikanizmi nuk na u shfaq në befasi. Fytyrat përfaqësuese të grupeve fundamentaliste islamike në Kosovë kishin nisur aktivitetin e tyre shumë kohë më parë në Kosovë. Këto grupe që numerikisht na janë dukur të vogla, por që e kanë kompensuar atë me zhurmën e rrezikshme që kanë bërë prej vitesh në Kosovë. E që sot shohim para nesh “frytet” e tyre. Këta hoxhallarë, grupe në mbështetje të ideologjisë së tyre, nga frika kanë nisur të ndryshojnë qasjen në muajt e fundit. Por, janëpo këta manipulues, të cilët çmenduritë e tyre ekstremiste i ilustrojnë me “citate” arabe. Në këtë mënyrë kjo fytyrë e rrezikshme që fliste në emër të islamit u bë pjesë e debatit publik dhe nxitësi primar i grupeve ekstremiste. E gjithë ky rrugëtim me financime të mëdha nga shtete arabe, përcillej me fenomenin përforcues të ideologjisë, antiamerikanizmin.

Fëmijët, që pas luftës u ofroheshin kurse falas të kompjuterëve dhe të anglishtes, duke iu kërkuar në kthim mësim-besimi, sot janë gjenerata, e që emrat Flamur, Çlirim, Fitim... jo pak prej tyre i kanë ndryshuar me nofka arabe, që kanë një qëllim: të bienshehid në tokën e shamit.

***

E në anën tjetër kemi skenën politike që për një dekadë e gjysmëkanë folur si mbrojtës të vlerave amerikane, të vetëdeklaruar “proamerikan”. Pushteti që për vite të tëra u është referuar vlerave amerikane, por që në realitet ka shkelur gjithçka që përfaqëson demokracia amerikane. Pushtet ky që secilin veprim e ka arsyetuar me kartën e “proamerikanizmit” duke e mashtruar dhe duke e kërcënuar opinionin, derisa asetet kryesore ia dhanë dhëndrit të Recep Tayyip Erdogan-it. E që për kalkulime politike kanë flirtuar fshehurazi me grupe fundamentaliste fetare, madje liderët e tyre i kanë shfrytëzuar për t’iu mbledhur vota gjatë fushatave zgjedhore.  Ndryshe, “Vetëvendosje” shpreh qartazi antiamerikanizmin dhe nuk e fsheh afrimin me këtë komunitet në kalkulim të votave.

***

Nga tensionet dhe paniku për Gjykatën Speciale po e fusin vendin në qorrsokak dhe duan ta marrin edhe popullin me vete,duke i  thënë “jo” SHBA-ve që dha miliarda euro për ta shpëtuar popullin e Kosovës.  Të vetëdijshëm për biografitë e të tyre të errëta politike, nuk e kanë aspak dert që djegin ardhmërinë e vendit. As sot, nuk kanë bërë përpjekje të ndajnë nga pak buxhet për të shënuar së paku në shenjë falënderimi, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, 4 Korrikun.

Sepse këta janë “proamerikanët” e Kosovës!

ZERI.INFO