E enjte, 28.03.2024, 07:54 PM (GMT)

Faleminderit

Gani Mehmeti: Heroi Shefki Latifi – Monolli

E premte, 03.07.2015, 07:54 PM


Shefki Latifi – Monolli

(Sot, me rastin e 20 vjetorit të rënies së tij heroike,

4 korrik 1995 – 4 korrik 2015)

Shpirti yt prehet në paqë

Sepse për paqë luftove

Ti engjëlli i Lirisë

Për të cilën jetën dhurove!

Nga Gani Mehmeti

Shefkiu u lind në Pollatën trime e kryengritëse me 18. XII. 1939. Pas kryerjes së shkollës së mesme, ai e nis punën në arsim, i cili me plot dashuri edukon të rinjtë aso kohe. Më vonë kalon në Referent në Sektorin për Bujqësi e më pas në atë për Pylltari në Kuvendin Komunal në Podujevë.

Shefki Latifi nuk e pati të vështirë edukimin e tij atdhedashës, sepse ai mori mjaft nga ngjarjet tragjike të popullit tonë në përgjithësi e të mavriqasëve dhe pollatasëve në veçanti, ngjarje tragjike të shkaktuara nga të gjithë armiqët tanë, i cili ishte secili më i zi, më i keq e më barbarë  se tjetri. Ai u edukua në oda, në ndeja, në traditën patriotike kombëtare shqiptare, ndoshta, më shumë se të tjerët. Kishte qafën e shkurtër dhe nuk duronte askë kurnuk ishte në vi kombëtare, secilit i vërsulej, shpesh jo vetëm me fjalë, me këshilla, me qortime kur e kërkonte nevoja, por shkonte deri edhe me kërcënime. Ai nuk toleronte askë kur ishte në pyetje çështja kombëtare, i mbetej në fyt, siç thotë populli.

Me Shefki Latifin  ishim  shumë  të lidhur  që nga herët. Për lidhjen tonë të ngushtë, ai më ishte ofruar, nga që ishte më i moshuar, po as sot nuk e di përse m’ishte afruar aq shumë, sa edhe unë qesh bërë i pandashëm me të si shok, si mik, si bashkëmendimtar.  Gjithherë më fliste për çështjen kombëtare, e cila dita-ditës më bënte më kurreshtar, jo pse unë nuk e kisha një orientim të tillë, por pse ai plotësonte tek unë zbraztësitë e mia.

Shefkiu ishte njeri i fjalës, i besës, i paqës po edhe i luftës.  Ai  reagonte shumë shpejt. Nuk mundte të pajtohej me ata që nuk përpiqeshin dhe që nuk e mbanin në kokë çështjen kombëtare shqiptare. Shefkiu ishte eksploziv, nuk duronte dhe secilit ia thoshte haptas atë që e meritonte.

Shefkiu dinte t’i ruante shokët, dinte të mbronte që të mos binin në grackën e armikut e të dënoheshin pa një arsye të madhe.

Ishte fillimi i marsit të vitit 1982. Isha duke shkuar nga shtëpia ime në Podujevë në punë në Krypimeh. Kur kam shkuar në kthesën për në Krypimeh, po e takoj Shefkiun, i cili po vinte ngadale e mendueshëm. Mbasi u përqafuam dhe u përshëndetëm, më tha:

- Mua më ka kontrolluar dje policia. Nga krejt çka kanë marrë, është edhe një revistë « Shqipëria e Re ». Në të ishte shkruar emri e mbiemri yt dhe emri i fshatit. Kaq kam arritur të shoh. U mësyna tek ti, të vi e të tregoj, se ata në bazë të saj, do të vijnë edhe tek ti. Për të, mua asnjë fjalë nuk më kanë thënë, por kujdes, po pate diçka tjetër, largoje ! Tani, ne mund edhe të ndahemi, sepse mund të jemi të përcjellur nga dikush. – më ka thënë dhe ne jemi ndarë aty, pa qëndruar shumë bashkë, sepse unë edhe do të vonohesha për punë.

Shefki Latifi po interesohej vazhdimisht për mua, duke pyetur edhe të tjerët, po edhe kur takoheshim, ai nuk e zgjaste tani shumë me mua, duke thënë se po më kursente. Mirëpo, unë e zgjasja kudo që me të takohesha, e edhe aq më shumë në kafene. Shefkiu ishte edhe dhëndërr i  familjes  të fshatit tim, me të cilët isha në marrëdhënie shumë të mirë e ku shpesh shkoja të rrija, kështu që, ne mund të themi se ishim edhe familjarisht të miqësuar, po me Pollatën dhe Mavriqin kisha edhe lidhje tjera miqësore, e së fundmi, edhe kisha punuar atje, çka  arsyetohej edhe ndeja me të.

Shefkiu dha krejt çka pati nga ana e tij për Lirinë e Kosovës. Ai, edhe para rënies së tij, nuk kursente askë, asnjeri pa ia treguar shqetësimin e tij për popullin e shumëvuajtur në Kosovë.  Që kur kishte nisur të punojë në arsim në Zhiti dhe Pollatë,  kishte rënë në sy, prandaj e tërheqin nga arsimi dhe e vendosin si punëtor në administratën e komunës në Podujevë .

Siç e kishte zakon pushteti serbo-jugosllav, që nga viti 1968, pas demonstratave në Kosovë, rrallë herë  kishte festuar festat kombëtare shqiptare  në shtëpi, sepse e izolonin, duke e burgosur deri sa të kalonin festat, nga frika se po organizonte diçka kundër tyre.

Në kohën kur atë e mbytën me dru pse ishte inkasant i trepërqindëshit, për çka sot del dikush haptas kundër tij, pse dikush e kishte keqpërdorur, ai dha jetën e tij, i cili po punonte me tërë qenien e tij fizike dhe shpirtërore, sepse nga ky 3% ushqeheshin ata që po ua mësonin shkrim-leximin  fëmijëve, për të mos mbetur analfabet, siç dëshironte armiku. Nga kjo, kushdo që ngre zërin kundër këtij trepërqindëshi, bie në nivelin e armikut dhe tregon se ai është kundër arsimimit të popullit shqiptar.

Nga ky trepërqindësh po funksiononte administrata kumonale, Shoqata Nënë Tereza, që po mjekonte popullin e sidomos fëmijët e vegjël, funksiononte edhe gjithçka që frymonte shqip, prandaj SHefkiu nuk kursentye asgjë dhe ishte më i suksesshmi në këshillin financiar në komunën e Podujevës. Ndoshta edhe pse ishte më i suksesshmi, ndoshta pse ai haptas fliste për të drejtat e popullit shqiptar që po u mungonin, ata e zgjedhin ; si gjithherë, më të mirin.

Shefkiu shkoi herët, vetëm pesë vite e dy ditë pas shpalljes të Deklaratës Kushtetuese për Kosovën e barabartë me republikat  tjera në federatë a konfederatë jugosllave.

E vranë, e mbytën vetëm fizikisht, sepse nuk mundën ta mbysin shpirtiun e tij dhe asgjë tek ai, nuk mundën të mbysin fjalën e tij që jehon edhe sot thekshëm ndër shokë, miq, familjen e tij dhe kudo ndër shqiptarë. Ndalën së rrahuri zemrën e tij, ndalën doren e poetit, po asnjehere s’mundën të  ndalin idealin e tij prej mesuesit e poetit,

Shefki Latifi – Monolli edukimin dhe guximin i mori nga të parët e tij, që të rrallë ishin ata që kishin vdekur në shtrat, por nga plumbat, duke qëndruar mburojë e gjithë popullit shqiptar që nga Mavriqi i cili i tëri kufizohet sot me Serbinë e deri në jug të saj, sepse serbët nuk po mundnin të kalonin nga kjo grykë kaq liridashëse, i cili kur ishte në pyetje liria Kombetare, Liria e Atdheut, binin në luftë pa iu dhimbsur fare jeta, për çka nuk mbahet mend të ketë hyrë serbi në Kosovë nga kjo anë. Në Mavriq nuk janë vrarë vetëm serbë civilë, por secili që ka tentuar të hyjë këtej si pushtues. Prandaj janë vrarë kryetarë komunash, oficerë të ndryshëm, shumarë që po e ripnin popullin, plaçkitës që po u jepnin vetes këtë të drejtë të turpshme. Në këso rrethanash, në luftëra të përditshme me serbët, në ambient të lartë  malor e kodrinor, ku vetëm Zotin po e duronin më lart sez vetja e askë tjetër, u lind, u rrit dhe u edukua Shfki Mursel Latifi - Monolli:, për të cilin nuk mundemi të shkruajmë aq sa meriton, por nuk do të kursejmë për aq sa mundemi për të.

Ai do të reagonte shumë ashpër edhe sot kundër të gjitha këtyre të këqiave nga vetë shqiptarët, pastaj edhe nga serbët e bashkësia ndërkombëtare, siç është rasti me Mitrovicën dhe me shumë të këqia tjera, me korrupsionin dhe me moszbatimin e ligjit. Atë, që me padurim ka pritur të çlirohet Kosova, kjo gjendje, kjo ngecje zhvillimi, ky numër i madh i mërgimtarëve, do ta bënte të vuante shumë.

Pra, kjo nuk është Kosova e asnjërit prej nesh, që sado pak u përpoqëm të çlirohet nga çizmja e serbit, e të mos flasim për ata që dhanë edhe jetën e tyre për të.

Shefkiu  ishte zjarr, vullkan i pashterrshëm, ka pasur një opus kolosal subjektiviteti edhe një trimëri të pashoq edhe të pamposhtur. Dorëzimi ka qenë inekzistent në fjalorin e tij dhe në qenien e tij subjektive.

Kur askush nuk shihte dritë ne fund të tunelit, ai jepte shkëndijën e shpresës. Ishte flakadan lirie! E deshi Shqipërinë edhe më shumë se Kosovën! E deshi Kosovën edhe më shumë se vetveten!

Luftëtar u lind, qe edhe mbeti deri në fund të jetës.

Këtu poshtë po japim edhe disa nga poezitë e tij të mbetura pas Luftës së vitit 1999, vetëm sa për të paqrë shpirtin e tij eduktaiv, kombëtar e luftarak:

Pra janë këngë të kënduara nga zemra e malli për atdhe e Liri.

 

Shefki Latifi - Monolli nga Pollata

 

Këngë të kenduara për Liri të popullit tim liridashës e të

shumvuajtur

 

RINISË

Rini je lule e këndshme, dritë e vendit

Kënga jote shkendi qielli,

je lulëkuqja më e mirë e Kosovës,

ke për çka të krenohesh.

 

Ndertove URA e hekurudha

Vazhdo RINI vazhdo,

Edhe mëtej ndërto,

Tok me punë kënga të jeho.

 

 

TREMBËDHJET SHTATORI 1990

(Këtë ditë forca të shumta ushtarako-policore serbe rrethuan Pollatën dhe vranë Skënder Monollin dhe Besim Latifin, ndërsa 33 të tjerë morën të lidhur në polici)

 

Mbetet në histori.

Me ushtri e milici na i vranë

dy djem të ri,

33 tjerë nën

tortura e zingji.

 

U dolët në mbrojtje trojeve tona,

armikut ball për ballë,

si është traditë

e trimave Shqiptarë.

 

Besim e Skënder që ratë dëshmorë,

për Liri e Demokraci,

Duke mbrojtur prag e shtëpi,

Ju MARTIRË TE KOSOVËS

ju qoftë LAVDI!

Populli kurr s‘ka për t‘ u harruar

sa të ketë Kosovë e Nënë Shqipëri.

 

SHKOLLËS

Fort e duam shkollën,

Është dritë e Kala e popullit tonë,

Ndaj me çdo kusht do ta mbrojmë.

 

Armiku i tërbuar po përpiqet

të na pengojë,

që dritën të na ndalë

e të na vërbojë.

 

Kot, kot e ka,

se llogarinë keq e ka bërë,

keq edhe për popullin e vet,

se i keqi veç ligësira bënë.

 

Andaj, ne do të fitojmë

se jemi në të

drejtën tonë,

Shkollat tona me jetë do ti mbrojmë.

 

KËNGA

Këngën mallë,

Mallin Zjarrë për atdhe

 

Zogu në arrë,

Thërret Pranverën të dalë

 

Zogj e bilbila të Kosovës

mos e ndalnikëngën.

Se Pranvera -

për Kosovën do vijë

 

KOSOVËS KRESHNIKE

Peshë e shekujve ranë bi ty.

Si shkëmb Graniti qëndruan

bijt e Kosovës martire.

 

Besën na e keqpërdorën

e na tradhtuan,  por

Shqiptarin kurr nuk e gjunjëzuan.

 

Nuk u trembëm, as prej topi,

bajonete e litari.

Demokraci për të gjithë këkoi

Shqiptari.

 

E mbajti të fortë gjithmonë për Liri

ideali,

Nënë Kosova që na lindi e na mësoi.

Besën ta mbani, FITORE do të kemi

 

THËRRAS

Bilbilat e Kosovës të këndojnë

të këndojnë me sy çelur e jo të mbyllur

Sepse dhelpra do na kafshoj

Mençurinë e trimërinë ta mbajmë dhe

tani nga dhelpra plakë mund të

shpëtojmë!

 

POROSIA PËR VENDLIDNJE

VENDLINDJES

Nënë Kosova, për ç’do ditë na porositë:

Të punojmë mos me u koritë,

Kemi dashurinë me traditë,

 

Kala e fortifikata me ndërtue,

Vendlindjen mos me lëshue,

Në qoftë se Nënën s‘e kem ngue

Pasardhësit kanë me na qortue

 

Or, të rinjë e të reja Shqiptarë

Mos lakmoni në vend e kulturë të huaj,

Kem kulturën tonë autoktone,

Pa asnjë behane.

 

Për ca para që i fitoni,

Vendlindjen mos e lëshoni

Lirisë ju kem afrue,

Demokracinë shpejt kem me jetësue

 

Kjo është një porosi

nga e jona POEZI.

 

Arbeni, biri i heroit Shefki Latifi – Monolli, nga i cili morëm poezitë, për çka e falënderojmë, shprehet:

Këto janë vetëm ca vjersha të marrura nga ‘Ditari… i babës Shefki, për këdo që dëshiron dhe ndjen mall t’i këndojë. Pra, siç edhe mund të  ceket, që në krye të herës, citoj:  “Si dashamir i fjalës poetike-artistike vjershat që po i shkruaj, janë më shume, të stilit folklorik popullor,  janë këngë të kënduara nga zemra e malli për Atdhe e Liri”.

Ruaj me xhelozi këtë ditar, edhe pse ai që ishte edhe më i plotë edhe më me përmbajtje, fatkeqësisht është djegur në luftën e 1999.

Sa herë lexoj vjershat edhe copëza nga ditari i tij, më shkojnë të ngjethura nga këta njerëz te ligjë, po sa të ligjë kishin pas qenë  - dhe sa i fortë paskësh qenë babai im!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora