E premte, 19.04.2024, 03:13 AM (GMT+1)

Mendime

Dibran Demaku: 2 korriku i vitit 1990

E merkure, 01.07.2015, 07:22 PM


2 KORRIKU I VITIT 1990

Nga Dibran Demaku

Ishte ditë e zakonshme vere. Mëngjesi ishte i freskët, ashtu siç janë të freskëta mëngjeset verore në Prishtinë. Ishte ditë e hënë. Rrugët e Prishtinës atë mëngjes të freskët veror ishin disi krejt të zbrazta, një dukuri kjo krejt e pazakonshme për qytetin e madh. Shihej betëm ndonjë kalimtar i rastit apo ndonjë punëtor i vonuar tek nxitonte për në punën e tij. Gjithandej ndihej një qetësi siç thuhet para furtunës!Gjithandej ishte e ditur se e hëna e dy korrikut ishte ditë pune edhe për Delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kishte ditë që populli i Kosovës , nëpërmjet të mjeteve të ndryshme të informimit, si Televizioni, Radiot, Gazetat e ndryshme ditore, kërkonte që Kuvendi të miratonte Deklaratën Kushtetuese të hartuar nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Kosovës. Në shumë seanca plenare  , delegatët shqiptar të Kuvendit së bashku me delegatët e minoriteteve tjera kishin tentuar që të bënin diçka në atë drejtim, por ishin penguar nga delegatët e minoritetit serb në mënyra dhe forma të ndryshme. Andaj gjithandej mendohej se edhe seanca plenare e dy korrikut nuk do të sillte diçka të re për Kosovën dhe popullin e saj. Ne punëtorët e atëhershëm të Televizionit të Prishtinës, merrnim informata të dorës së parë nga reporterët tanë që ndodheshin në vendin e ngjarjes, që do të thotë nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Nga atje na vinin lajme, për atë kohë të pazakonshme dhe dramatike. Reporterët tanë na lajmëronin se Delegatët e Kuvendit të Kosovës nuk ishin lejuar që të hynin nëndërtesën e Kuvendit! Dikush që me mëngjes ishte kujdesur që dyert e Kuvendit të Kosovës të qëndronin të mbyllura. Delegatët e Kuvendit megjithate qëndronin para dyerve dhe prisnin që ato të hapeshin. Siç ndodhë në raste të tilla, filluan të vinin edhe lajme të trilluara  se si Policia e asaj kohe kishte filluar t`i arrestonte Delegatët që qëndronin para dyerve të Kuvendit. Fill pastaj vinte lajmi tjetër që demanotnte të parin?!Ne punëtorët e Televizionit të atëherëshëm të Prishtinës, atë ditë të hënë të dy korrikut, kishim lënë çdo punë dhe me ankth pritnim lajme nga Kuvendi. Nga andej vinin vetëm lajme se Delegatët edhe më tej pritnin para dyerve të mbyllura të Kuvendit. Nën qiellin e kaltër dhe nën diellin e nxehtë të korrikut!Vinin edhe lajme se forcat policore e kishin rrethuar ndërtesën e Kuvendit dhe Delegatët që prisnin para dyerve të mbyllura?!

Diku nga ora një e asaj dite, redaktori i Programit për fëmijë, Hajro Ulqinaku,  do të më niste për në ndërtesën e Radio Prishtinës. Nga atje do të duhej të mirrja ca këngë të reja për fëmijë, të cilat i kishte komponuar kompozitorja e njohur Pranvera Badivuku. Duke shkuar nga ndërtesa e Televizionit për në ndërtesën e Radios, domosdo se do të kaloja pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës!Nga larg do të vëreja Delegatët e Kuvendit të Kosovës, që edhe mëtutje qëndronin para ndërtesës. Kishte lëvizje të shumta të popullatës, por edhe të Policisë drejt dhe rreth ndërtesës së Kuvendit. Lëvizje të shtuara të popullatës dhe të Policisë kishte edhe në rrugën kryesore të Prishtinës! Tensionet e shtuara si të popullatës ashtu edhe të Policisë shiheshin gjithandej! Ato tensione të shtuara të bënin të besosh se po ndodhte ose do të ndodhte diçka e pazakonshme…

Sapo kisha kaluar pragun e zyrës së Pranvera Badivukut dhe të disa kompozitorëve të tjerë, Pranvera do të më oriste me një buzëqeshje të jashtëzakonshme. Ndërkaq kompozitori tjetër Tomor Berisha do të shtonte:-Ke arritur në kohën e duhur, mor djalë. Edhe pak sekonda e do të dëgjosh lajmin më të pazakonshëm dhe më tëmirë të ditës!. . . Në ato momente do të fillonte emisioni jashtë radhëe i lajmeve. Ne tëgjithë sa ndodheshim në zyrën e kompozitorëve të Radio Prishtinës ishim shndërruar në sy e vesh:Me vesh dëgjonim Lajmin e jashtëzakonshëm, ndërkaq me sy e shikonim njëri-tjetrin të gëzuar! E Lajmi thoshte:Delegatët e Kuvendit të Kosovës në seancën e zhvilluar në këmbë dhe para dyerve të Kuvendit e kishin miratuar Deklaratën Kushtetuese të hartuar nga Akademia e shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Kosovën e shpallte subjekt të barabartë me të gjitha me të gjitha subjektet e tjera të Federatës së atëhershme Jugosllave!Dhe duartrokitjet e Delegatëve pas shpalljes dhe aprovimit të Deklaratës kushtetuese!. . . Dhe duartrokitje të popullatës gjithandej rrugëve e shesheve të Kryeqytetit!. . . Dhe duartrokitje nëpër zyret e korridoret e Radio Prishtinës!. . . Gëzim dhe lot në sy të kalimtarëve rrugëve dhe shesheve të Prishtinës!. . . Dhe urime e përgëzime!. . . Urime e përgëzime për rrugëtimin e Kosovës drejt ardhmërisë!. . .

E Hëna e dy korrikut e vitit 1990, në mëngjes kishte filluar si një ditë krejt e zakonshme vere, me freskun e saj karakteristik, për të hyrë në historinë e Kosovës, në pasditën e saj të nxehtë natyrore dhe politike!E Hëna e dy korrikut do të ishte ajo dita e parë kur Kosova do ta hidhte tutelën serbe që kishte bartë me vite mbi supe dhe do të niste rrugën e saj drejt Lirisë dhe Pavarësisë!. . .



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora