E marte, 27.10.2020, 08:47 PM (GMT)

Personalitete

Vataj: George Sand, gruaja e kapërcyellit të epokave

E merkure, 01.07.2015, 06:32 PM


George Sand, gruaja e kapërcyellit të epokave

Nga Albert Vataj

Sot 211 vite më parë, më 1 korrik të vitit 1804, lindi George Sand, erdhi në jetë një grua, zëfilli një epokë, i mbujt në të asokohshmen tokësore një personazh i pazakontë, gjegji në galaksi një konstelacion yjësie,... e cila do të ndeshej me kohën për ta ndryshuar atë në themel. Më shumë sesa si e tillë, ajo triumfoi si një shkrimtare, dramaturge, kritike letrare dhe aktiviste e zjarmtë e çështjeve sociale dhe politike, në vlimin e së cilës gjendej Franca e asokohëshme.

George Sand (Zhorzh Sand) mbetet një grua që plazmoi në memorien e epokës së saj një prej vullnesave më të njimendta dhe kurajot më të qenësishme. Edhe atëherë roli i gruas penetronte përmes rrapëllimash të zëshme të zinte vendin e saj të merituar. Ajo u desh të ndeshej me aktin e heroit në zemër e të kacafytej me cingërimën e një moralo konservator që nderej si një re dhe gërmushte rrebeshe dhe stuhi në qiellin e sertë. Në atë nevojë fluturimi, krahët e saj të brishtë kërkonin t’i jepnin përmasat e hyjshme lirisë. Megjithëse ajo gjendej në shoqërinë më të zëshme të kohës, ishte pjesë e vërshimit dhe mendimit të saj, u desh të përleshej dhe të fitonte, të kaplonte triumfin e gruas, zellin dhe forcën e saj përtëritëse.

George Sand është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare. Më pas, Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Ndërsa roli i saj bëhet gjithnjë e më dominues, tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuara me tema nga fshati, si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849),“Fransua Shampi” (1850) etj. Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini tëtjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik, “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane, ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”,(1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII.

George Sand, kjo grua në zenit

Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, GustavFlober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë. Kujtojmë sakaq lidhjet e ngushta nëpërmjet letërkëmbimit me shkrimtarin Viktor Hygo.

Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndërtë cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804. Tre vitet e para të jetës i kalon në një shtëpi të vogël. Familja shpërngulet në Madrid dhe pas ca kohe kthehet përsërinë Nohant te gjyshja e Amantinës. Më 16 shtator 1808, i ati vdes pas një rënie nga kali. Amantina rritet në Nohant, në fillim me të ëmën dhe pastaj me gjyshen. Më vonë gjyshja kujdeset për të dhe merret me arsimimin e saj, ku i gjen edhe një mësues privat, i cili kishte mësuar edhe të atin e saj. Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820. Pas vdekjes së gjyshes, e ëma e thërret në Paris, por marrëdhëniet e tyre acarohen dhe në fillim të vitit 1822, e ëma ia beson të bijën një familjeje me pesë vajza. Aty ajo njeh Fransua Dydëvo, me tëcilin martohet në shtator të atij viti dhe shkojnë për të jetuar në Nohant. Më 30 qershor 1823, sjell në jetë djalin e saj Moris. Gjatë një udhëtimi në Pirenej, njihet me Oreljë dë Sez me të cilin ka një marrëdhënie platonike. Nga viti 1826 deri në 1831, qëndron kryesisht në Nohant.

George Sand, rrëfenjë dhe kumt

“Rrëfimi i një fëmijë të këtij shekulli”. Pas vdekjes së Mysesë, Sand boton “Ajo dhe Ai”, ku tregon historinë e tyre. Në vitin 1835, Sand njihet me një avokat të famshëm i cili e mbron në divorcin me të shoqin. Ky avokat e frymëzon për personazhin e Simonit në romanin me të njëjtin titull. Ndahet prej tij në 1837 dhe po atë vit, mësuesi i djalit të saj bëhet një nga të dashurit e saj të shumtë. Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë- bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rëniene mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së Korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe.

George Sand, ishte gruaja e kapërcyellit të epokave. Përpjekjet e saj mbetet emblematike. Një grua që jetoi çdo moment si një grua bashkëshorte, grua nënë, grua kohë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora