E premte, 26.04.2024, 12:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Petraq Zoto - ''Enigma e një ftese''

E marte, 30.06.2015, 06:59 PM


Mendime dhe mbresa për përmbledhjen me tregime të zgjedhura:

’Enigma e një ftese,’ të shkrimtarit Petraq Zoto.

Nga Kristaq Turtulli

Përpara se të flas dhe të shkruaj përshtypjet e mija për një përmbledhje volguminoze me tregime, të cilat e kanë fillesën e tyre në fillim të viteve 70 deri në vitin 2014. Pra për një autor që ka shkruar dhe krijuar për afro një gjysmë shekulli, i cili me kujdes e përgjegjësi ka përzgjedhur dhe përmbledhur tregimet e tija të shumta në vëllimin më të ri me tregime të zgjedhura: ‘Enigma e një ftese’.

Me sa shohim në këtë vëllim janë krijimet më të mira të shkrimtarit Petraq Zoto, i cili është një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë Korçare, si për të rritur ashtu dhe për fëmijë. Ndjej detyrim qytetar, sepse së pari më duhet të flas për Njeriun, qytetarin Petraq Zoto, i cili tashmë i ka kaluar të shtatëdhjetat, i thinjur, por energjik dhe zëri i tij gurgullon kthjelltësi e ngrohtësi. Për përgjegjësinë e tij qytetare, përkushtimin, mirësinë dhe dashamirësinë, për gjithë shokët, miqtë dhe në veçanti për krijuesit e rinj, të cilët i përkrahte dhe inkurajonte.

Vëllimi voluminoz me tregime të zgjedhura:’ Enigma e një ftese,’ të shkrimtari Petraq Zoto ndahet në tre pjesë me tituj insifikativë dhe shumë kuptimplotë: 1-Përjetime. 2-Përsiatje. 3-Përjetësi.

Autori ka eksperiencë të gjatë krijimtarie në tregimin e shkurtër, romane, etj. Romanet ‘Genta,’ ‘Vetja tjetër’. Librat me tregime:’Dritat nuk u shuan,’ ‘Taksia u ndal te kthesa,’ ‘Kumbimi i një krisme,’ ‘Bredhi i gjelbër,’ ‘Nesër bëhet vonë,’ ‘ Universi njeri,’ dhe ‘Enigma e një ftese.’ Shkrimtari Petraq Zoto është i dalluar edhe në letërsinë për fëmijë, në prozën e shkurtër dhe të gjatë. Për këtë letërsi aq të ndejshme dhe të veçantë, mbasi përpara se të ulesh të shkruash duhet të njohësh, të depërtosh në botën e pasur, të papërsëritshme dhe të bukur fëmijërore. Shkrimtari ynë e ka gjetur këtë çelës magjik dhe është vlerësuar edhe me çmime të ndryshme kombëtare, në letërsinë për fëmijë.

Librat për fëmijë me tregime janë:’ Mësuesi i parë,’ Ndërgjegjja,’ ‘Tregimet e një nxënësi,’ ‘Mëngjes i përflakur,’ ‘Dy buzëqeshje,’ ‘Tregime të zgjedhura,’ ‘Gjahu i së dielës.’ Gjithashtu romanet: ’Dhe ditët që vijnë,’ ‘Kali fluturues,’ ‘ Bishti i dhelprës,’ ‘ Burimet e drerit,’ etj

Duke parë dhe njohur më së miri krijimtarinë e shumëllojshme dhe të spikatur të  Petraq Zotos. Duke u joshur nga mënyra e të shkruarit, stili, qëmtimin e fjalës së bukur shqipe, bukurinë, shkathtësinë, ngrohtësinë plot kolor, përkushtimin. Zhbirimin si rrallë tjetër autor në botën e magjishme të fëmijëve, të kafshëve, si librat interesante për fëmijë: ‘Kali fluturues’ dhe’ Gjahu u së dielës’... Ndalesh dhe sheh se rrjedha e jetës për këtë autor ka qenë e lidhur ngushtë me letërsinë dhe nuk ke sesi të mos ndjesh respekt.

Por unë do ndalem pak më tepër në përmbledhjen me tregime të zgjedhura:’ Enigma e një ftese.’ Libri më i ri i autorit ku ai me seriozitet dhe përkushtim ka përmbledhur tregimet më të mira përgjatë krijimtarisë së tij të larmishme dhe pasi e lexon librin të lë një befasi të këndshme. E mbyll librin e mban një copë herë në dorë dhe pastaj e shfletoj përsëri, duke i parë sërish ato tregime që të kanë mbetur në mendje.

Tregimi:’Edhe njëqind vjet,’i është kushtuar gruas së tij Lirikës. Ky tregim për mendimin tim është ndër tregimet më të ndjera dhe më të bukura të librit, mbart thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe ndjeshmërinë e thellë. Shpirti i autorit është delikat, si një tel i vetëm violine, në të cilën luajti dikur Paganini. Tregimi është një krijim intensiv, himn emocionues për dashurinë e pakthyeshme dhe fisnikërinë e bukur. Sa bukur e mbyll tregimin autori;’ Në mes është një ndjenjë e thellë, të kapllon një ndjesi e fortë përdëllimi dhe ngjan se një gjë e fuqishme të rilind e të përtëritet në shpirt... Vazhdon më tej: ‘ dhe kujtimet dhembin ngado që ti prekësh...’

Të bën përshtypje tregimi i shkurtër dhe konciz:’I ngjashmi tjetër,’ Kushtuar mësuesit Rrok Jakova, Në tregim zhvillohet një situatë intensive, ku vihet në lojë jeta, midis intelektualit shqiptar të studiuar jashtë shtetit dhe pushtuesit. Midis tyre zhvillohet një duel i mprehtë dhe dinjitoz, ku mësuesi, paçka se është në një pozitë tejet të vështirë, i qëndron  me stoiçizën presionit psikologjik. Autori na ka dhenë një portret të skalitur ku në të janë gërshetuara, mësuesi i popullit, patriotizmi dhe intelektuali.

Petraq Zoto e qëmton faktin, gjetjen artistike, e zgjedh materialin, vendin kohën, përpara se të zërë brumin e krijimit. Kjo është një veçori e dallueshme e këtij krijuesi me përvojë të gjatë. Ai na sjell të freskët, me thjeshtësi e bukuri dhe ndjenjën më të brishtë, dashurinë, siç është përshkruar në tregimin: ‘E para herë,’ Në tregim pasqyrohet një ngjarje , ku në të ka regëtimat e para të ndjenjës, surprizës, të magjisë së adoleshencës. Në esencë tregimi ka të bëjë me një nga elementet e rëndësishme të cilat duhet ti ketë provuar shumëkush në jetë; të papriturën e ndrojtur, disi të hutueshme, njëherësh të ngulmueshme, por të mrekullueshme: Atë të kapërcimit të hendekut dhe njohjes midis dy sekseve. Por kjo ngjarje dhe moment kaq i rëndësishëm dhe i paharruar është dhënë bukur dhe thjesht nga autori. Kur përfundon tregimin padashur vë buzët në gaz, sepse intiktivisht kujton ndiçka nga vetja e cila qëndron përherë në memorie.

Petraq Zoto parapëlqen temën e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, dhe kjo temë e rëndësishme e historisë, ka zënë vend të rëndësishëm në krijimet e tij. Ai u është kthyer dhe rikthyer disa herë. Në përgjithësi tregimet e Petraqit janë të ngrohtë, lirikë, meditativë, me fraza të shkurtra, plot muzikalitet dhe herë janë intensivë. Autori ta paraqet situatën, të joshën, e thotë ngjarjen dhe mendimin me frymëzim. Një moment të ndal, të marrësh frymë, pastaj të çon me kujdes, me art e bukuri në pikën kulmore, gjetjen  interesante, më pas e lë lexuesin ta mendojë vetë përfundimin si fjala vjen te tregimi:’ Ngashnjim.’

Vend të veçantë në këtë libër me tregime të zgjedhura: ‘Enigma e një ftese,’ zë pjesa e tretë: ‘Përjetësi.’ Mbasi vërtet për vetë faktet dhe figurat e shquara shqiptare të rilindjes, që trajton autori në  këtë libër, kanë zënë vend prej kohësh të panteonin Shqiptar, pra kanë mbetur në përjetësi në memorien dhe historinë e popullit shqiptar. Dikur pata rastin të lexoj një libër të autorit, ku ishin pasqyruar një pjesë të figurave shquara, të trajtuara prej tij me përgjegjësi qytetare dhe dashuri, të botuar vite më parë. Këto tregime me temë historike dhe me figura të rëndësishme, qysh atëherë më lanë mbresa për vërtetësinë dhe seriozitetin e autorit për të zbuluar, paraqitur përpara lexuesit një faqe të rëndësishme, të patjetërsueshme të historisë së popullit shqiptar.

Autori na sjell në këtë përmbledhje këto ngjarje të mëdha, më të pasuruara  dhe dhënë më art, heroikën,  vetëmohimin deri në faljen e vyer të jetës për një ideal të madh, Shqiptarinë dhe realitetin tronditës të pushtimit, terrorit dhe luftën për të mbrojtur e përhapur gjuhën shqipe. Përpara syve të lexuesit shpalosen një sërë figurash të shquara, të madhërishme të historisë së lavdishme të kombit shqiptar si: Themistokli Gërmënji, Mihal Grameno, Abdyl Frashëri, Koto Hoxhi, Hasan Prishtina, Isuf Arapi etj. Mësueses së parë të gjuhës së bukur shqipe, Persefoni Trenit. Sakrificat dhe përkushtimin e patriotëve të tjerë korçarë për të përhapur dhe mbrojtur gjuhën e shenjët shqipe.

Shkrimtari Petraq Zoto vjen më i pjekur, i konsoliduar dhe dinjitoz përpara lexuesit shqiptar në përmbledhjen me tregime të zgjedhura:’ Enigma e një ftese.’ Ai vjen përpara nesh në kohën e duhur, të vlerës së duhur dhe me pjekurinë e duhur, për të dhënë vlera të qenësishme, larmi temash, ngjarjesh, figura, të shquara, data, me një shkallë të re ngjitjeje krijuese.

Autori është i ngrohtë, jetësor, me gjuhë të zhdërvjellët, fjalor të pasur, karakteristik, stilin e vet, fraza të shkurtra, të kursyera të qëndisura bukur, figura funksionale. Të gjitha këto e bëjnë të njohur e të dallueshëm si në prozën për të rritur po ashtu dhe për fëmijë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora