E enjte, 28.03.2024, 11:39 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 65 vjetori i Don Prennushit n'amshim

E merkure, 01.07.2015, 08:21 PM


2 KORRIK 1950 – 2015

65 VJETORI

I DON KOLEC PRENNUSHIT N’ AMSHIM...

Nga Fritz RADOVANI

?Vetem në Shekullin XX, kësaj epoke të ndritun dhe të lavdishme per Klerin Katolik në Shqipni, Familja Prennushi me origjinë nga Zhupa i dha pesë Klerikë të njohun dhe të përgatitun per Vetflijim në sherbim të Atdheut dhe të Fesë, Don Matinë, At Matinë, Imz. Vinçencin, At Karlon dhe Don Kolec Prennushin, nder të cilët tre mbesin të pavdekshem si Martir të Kishes Katolike në kohen e pushtimit sllavokomunist, nga viti 1944 – 1991.

?At Matia ishte Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë dhe u pushkatue në vitin 1948, Imzot Vinçenci ishte Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës dhe vdiq në 1949 në burgun e Durrësit, ndersa Don Koleci vdiq në Shkoder me 2 Korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi. ?Kështu, Gjenocidi i shtetit komunist mbrenda tri vjetësh zhduku edhe Klerikun e fundit të Prennushve, që gjithë jeten e vet ia kushtoi Fesë Katolike dhe Shqipnisë së Kastriotit perballë luftës ateiste shkatrrimtare komuniste. Këta Klerikë njihën edhe nga historia e Malëve tona si Burra që u vetsakrifikuen për Trojet e Shqipnisë së Lirë e Demokratike. Në asnjë periudhë historike Ata nuk janë pajtue me sundimin e të huejve, monarkinë dhe sistemet diktatoriale cilatdo kjofshin ata, por kanë mbyllë jetën e vet të martirizuem po, por edhe të nderuem nga shfarosja e atij Gjenocidi që ka përfshi gjithë Popullin aqsa Atdhetar aq edhe besimtar katolik Shqiptar mbas vitit 1944.

?Don Koleci asht lé në Shkoder me 2 Janar 1902. Mbas studimeve të para në vendlindje, studimet e nalta teologjike i ka perfundue në Linz të Austrisë. Asht shugurue meshtar me 25 Qershor 1925. Ka sherbye në fshatra të Shkodres. Kur ishte në Dajç të Bregut të Bunës, ku ka mbyllë jeten e Tij me 2 Korrik 1950, asht arrestue me 5 Dhjetor 1948 dhe mbas 11 muejsh asht lirue i shkatrruem nga torturat, pasojë e të cilave edhe ka vdekë.

?Nder ditët e para mbasi u lirue nga hetuesia, gjendja shëndetsore e Tij ishte vazhdimisht me trazime dhe në ramje. Nana e Tij Ninia, u mundonte me ia zgjedhë gojën, si thotë populli, por “një grup tre – katër vetësh i panjohun” që vinin e shkonin nga Tirana, mbasi rrinin të mbyllun me nga 5 – 6 orë në dhomën e pritjes vetem me Don Kolecin e shqetsonin aq shumë sa asnjëherë nuk mund ta harroj merzinë e Tij, ndër ato orë që nuk kalonin kurrë “diskutimesh të pafund…”.

?Njëditë e motra Roza e marakosun për ardhjen e tyne e kishte pyet, se kush janë e pse vijnë, po Ai i kishte përgjegjë shkurt: “Nuk tregojnë kush janë, po nga gjuha kuptoj se vijnë nga Tirana për me më pyet rreth lidhjeve që ka Kisha e jonë me Vatikanin…”.

?Lirimi i shumë Klerikëve Katolik nga hetuesia ishte kuptue vetem atëherë kur 6 ase 7 muej mbas në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres, ku ishte vetem Imz. Bernardin Shllaku dhe Don Ernesto Çoba, mbasi Ipeshkvijt tjerë nuk ishin ma, u patne ba edhe dy mbledhje aso kohe, që zbuluen arësyen e “lirimit” sepse qeveria e Tiranës, nëpërmjet gojës së “shokut” Tuk Jakova, i kishte ba të ditun Klerit Katolik se Papa i Romës dhe Vatikani, janë “armiq të betuar të socializmit” prandej, duhet mendue rruga nga Kleri per shkëputjen përfundimtare. Tashti orjentimi dhe veprimet e qeverisë sonë ishin direkt nën urdhnat e padronit vendeve të Lindjes komuniste, Bashkimit Sovjetik e Stalinit të “math”, prej ku “buronin” mjerimet e njerzëve të skllavruem mbas vendimëve të Jaltës.

?Kleri Katolik kishte ngarkue Don Kolec Prennushin për shqyrtim të “Projekt Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” si teolog i njohtun. Ish xhakojt, ndonjë nga ata që mendonin me u ba meshtarë apo që kishin marrë edhe urdhna mësheftas mbas 1944, nuk janë kenë lejue me marrë pjesë ndër ato mbledhje, kështu, shkrimet apo shpjegimet e tyne që nuk ishin klerikë për atë kohë, nuk janë të sakta, siç, më ka shpjegue për këte fakt At Konrrad Gjolaj OFM., i cili, ka shkrue mjaft gjatë për “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” (fq. 123 – 129) në librin e Tij “Çinarët”.

?Çeshtja thëmelore mbi të cilën bazohej kundërshtimi i “Projekt Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik ishte kenë, siç më ka shpjegue At Konrradi, nga argumentët e paraqituna prej Don Kolecit se: “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sëpse, Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat, asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët Shqiptarë kanë për nacionalen e tyne.”

?At Gjolaj shkruen: “Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do t’ na thonë se do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë.

E, nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj..! Unë do të qendroj në këta mendime, fjalë tjetër s’ kam!...Zgjedhja e ipeshkvijve nga qeveria, asht shkatrrim i Kishës.”(Çinarët, fq. 125).

?Don Koleci shkruen: “Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ atmosferën e përgjithshme i duhët popullit me i pasë për dorësh e kundra të zakonshmëve, e kundra atyne ma të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cillat edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë si  meturina rrënojash qi hjedh dallka e detit në bregore tona.” (Parathanje ‘Rrimë shtremt e flasim ndrejtë”)

?Don Koleci me guxim shprehet për At Gjergj Fishtën: “Poemi epik  “Lahuta e Malcis” asht nji vade mecum i çdo atdhetari”

?Papritmas me 2 Korrik 1950, Don Koleci keqsohet dhe dy mjekët e ndodhun aty prezent Dr. Karaxhozi dhe Prela, vertetojnë vdekjen e Tij nga zemra e shkatrrueme në tortura. Me 3 Korrik, Ju ba salikimi në Kathedrale tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë, në fundin e Kishës, ku përveç Don Ernestos, ishte edhe Imz. Bernardin Shllaku dhe fratel Ljarja…Kishte shumë fshatarë nga të gjitha fshatrat e Bregut të Bunës dhe qytetarë të Shkodres…mungonin xhakoj e priftën, shumica e të cilëve nuk kanë marrë pjesë nga frika…Vorrimi u ba familjar në Rrëmaji, në Shkoder.

***

?Disa mendime të përsonalitetëve të asaj kohë për Don Kolecin:

?At Gjergj Fishta OFM., i tha Nanës Don Kolecit (rreth vitëve 1915 – 16):

“…Ai do të bahet nji prift i mbrekullueshëm, se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për Meshtar.”

?Ai njihëj ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Thaçit, At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës. Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e bane të dashtun dhe të paharrueshëm në popullin e Shkodres.

?Imzot Gasper Thaçi, me humor thonte: “...Ai duhët me ndejë atje në katund, me ardhë edhe ai në Shkodër, ku me predikue na të tjerët?”

?Kur z. Nush Tukja ishte i burgosun në burgun e Burrelit, tregonte se njëditë rreth vitit 1948, kur pothuej po zhdukej Kleri Katolik, e kishte pyet me keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë veç jush që jeni këtu në burg?” ... At Frano Kiri i ishte përgjegjë: “Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, ashtv Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë kemi boll!..”. At Frano Kiri kur fliste për té, mbas vitit 1964 më thonte: “Don Koleci ishte shpnesa e fundit e jona!..”.

?At Pjetër Meshkalla SJ., shkruen në kujtimet e Tija: Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemët filozofike dhe teologjike. Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vjenë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Ketedrale të rëndësishme ku, atë natë ishin të mbledhuna vajzat që pergatitëshin për murgesha të reja. Ai u fliste për guximin dhe sakrificën. Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë, thonte At Meshkalla, tue pyet vienezët: “Në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964). Dhe po aty shkruen:

“Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjen e mikut tem të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit.”

?Kardinal Mikel Koliqi, tha (në vitin 1951): “Don Kolecin e paska dashtë Zoti ma fort se ne të tjerve, …Ai vdiq me faqe të bardhë. Zoti e mori për mos me e lanë me ra në durtë e këtyne, ndërsa, halli i jonë nuk po dihet, por ishalla edhe ne na ruen që mos turpnohemi. Vullnesa e Tij u baftë!”

?Kardinal Koliqi në vitin 1992, më thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifët stili i veçantë i shkrimëve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar mbasi ka shkrue pak proza por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë, edhe ate e mori vala komuniste.”

?“Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik Shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitëve, mbasi ata jo, vetëm, e respektonin por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij.” (1964)

 ?At Zef Valentini S.J. ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për Shqiptarë, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: “Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania”.

?Don Kolec Prennushi  (1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950),  vdiq në moshen 48 vjeçare…

Në këte 65 vjetor të vdekjes së Tij, këta pak rreshta të jenë një lule e freskët nga Autori.



(Vota: 8 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora