E enjte, 28.03.2024, 01:15 PM (GMT)

Mendime

Albana Lifschin: Çfarë përfaqson ky flamur amerikan?

E marte, 30.06.2015, 06:59 PM


Në përgjigje të pyetjes: Çfarë përfaqson ky flamur amerikan?

Nga Albana Melyshi Lifschin, Nju Jork

Dje më erdhi një letër në e-mail nga një mikeshë nga atdheu e cila më pyeste lidhur me ngjarjet e fundit në Amerikë dhe një flamur “të ri” amerikan që është shfaqur në ekranet televizive për të cilin diskutohej se do të hiqej. ”Unë kujtoja se Amerika kishte vetëm një flamur, atë me 50 yje të bardhë…” shkruan ajo.Pyetja e mikeshës sime është interesante e përgjigjen e saj e gjen në historinë e SHBA, mbi 150 vjet më parë gjatë periudhës së luftës civile. Në mesin e shekullit 19, në të gjithë Amerikën kishte filluar një debat i madh mbi skllavërinë. Në 1850, Kongresi Amerikan aprovoi ligjin për skllavin që arratisej nga i zoti. Ky akt u njihte të drejtën pronarëve të riposedonin skllevërit e tyre që guxonin të arratiseshin. Madje edhe në Boston, vendin e lirisë amerikane, u panë skllevër që tërhiqeshin zvarrë nëpër rrugë të lidhur me zinxhirë nga policë që i kthenin ata tek ish pronarët e tyre. Biseda mbi skllavërinë në jug të vendit, kishte hyrë në çdo vatër familjare. Shtypi i kohës paraqiste pikëpamje të ndryshme rreth kësaj teme që ishte bërë e ditës dhe problem i shtruar për zgjidhje. Njerëzit nga më të thjeshtët deri tek përfaqësuesit e popullit amerikan dhe burrat e shtetit ishin përçarë në opinionet e tyre: Kundër ose pro skllavërisë –sistem mbi të cilin mbështetej jeta dhe ekonomia e shteteve të jugut të SHBA. Pikërisht në këtë kohë doli libri "Kasollja e Xha Tomit" e Herriet Biçër Stoun. Eshtë e pamundur të flasësh për luftën civile në Amerikë pa përmendur librin e saj që ndihmoi në ndërgjegjsimin e njerëzve në veri të vendit për gjendjen reale të shteteve në jug. Qe libri me impaktin më të madh atë kohë për çështjen që shtrohej. Ishte hera e parë që në një libër amerikan heroi kryesor ishte një zezak. Libri qe mbushur me përshkrime rrënqethëse të trajtimit çnjerëzor që u bëheshin skllevërve nga pronarët e tyre. Shumë vdisnin nga rrahjet. Skenat ishin të përshkruara me besnikëri, pikërisht siç i kishte parë ajo vetë. Libri u shpërnda në mënyrë të rrufeshme brenda dhe jashtë Amerikës. “Xha Tomi” shtoi urrejtjen e popullsisë së shteteve të Veriut të SHBA ndaj sistemit të skllavërisë në Jug. Pas botimit të librit u bë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për pronarët e skllevërve të jugut të kërkonin t'u ktheheshin skllevërit e tyre të arratisur në veri. Në adresë të Herrietës filluan të vinin letra plot me kërcënime. Madje një ditë në postë erdhi një pako ku qe mbështjellë një vesh i prerë skllavi. Kjo ishte një shprehje e hapur e zemërimit të pronarëve të skllevërve ndaj veprës se saj. Gjithësesi për të treguar se sa i ndarë ishte vendi atë kohë mjafton të përmendim faktin që vetë zv.presidenti i SHBA Xhon Kallhun ishte pro shteteve të Jugut, pra për përçarje e jo për ruajtjen e vendit të bashkuar. Amerika po kalonte një periudhë delikate e të rrezikshme Vendimi final do të përcaktonte fatin e vendit: Nëse do të ruhej shteti amerikan i bashkuar në një (si Union) apo do te ndahej në dysh,në shtete te lira dhe shtete me sistem skllavërie. Ky vendim do të merrej nga presidenti i ri i SHBA, Abraham Linkolni. Abraham Linkolni jo më kot është konsideruar si një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës, krahas me Xhorxh Uashingtonin. Kjo për arsye se ai ruajti unitetin e vendit në periudhën e tij më kritike, gjatë luftës civile 1861-1865.Në fjalën e tij të inaugurimit, me një ton të butë,presidenti i ri bëri të qartë se Unioni është i pandashëm. Sipas Kushtetutës së SHBA-theksoi Abraham Linkolni, detyra e tij ishte të siguronte zbatimin e ligjit në të gjithë vendin. "Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vendi jo!”, tha ai.Pas këtij mesazhi njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta.Pas zgjedhjes së Linkolnit si president, Karolina e Jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet i pavarur.Brenda një muaji shembullin e saj e ndoqën Misisipi, Florida, Alabama, Xhorxhia, Luiziana dhe Teksasi. Këto 7 shtete u quajtën “Shtete të Konfederates” dhe ngritën flamurin e tyre,( per te cilin behet pyetja me lart) që ndryshonte nga flamuri amerikan. Lufta civile midis veriut dhe jugut filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet.Ushtarët e shteteve të jugut luftonin nën flamurin e konfederatës. Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi.Lufta civile i kushtoi vendit 600.000 viktima. Fitorja e luftës nga shtetet e veriut konsolidoi idenë se SHBA-Unioni ishte i pandashëm. Normalisht mendohet që flamuri i konfederatës 150 vjet pas luftës civile, duhej të kishte hyrë në muze, si pjesë e asaj periudhe historike të SHBA, e megjithatë për çudinë e shumëkujt ai ende valëvitej edhe deri para disa ditësh në sheshet e bashkive të kryeqyteteve të shteteve të jugut. Ngjarjet e kohëve të fundit, akti kriminal i një të riu të bardhë 21-vjeçar, supremacist, Dylann Roof, që glorifikonte konfederatën, i cili hyri në një kishë historike të popullsisë me ngjyrë në Çarlston, Karolina e Jugut, dhe kreu masakër duke vrarë njëherësh 9 vetë përfshirë edhe priftin,shqetësuan kombin amerikan dhe qe shtysë për një kthesë të shpejtë. Këto ditë politikanët e shteteve të jugut vunë në pyetje simbolet e konfederatës, përfshirë këtu edhe flamurin, gjë që para masakrës as që u shkonte ndër mendje.Për shumicën e amerikanëve flamuri i konfederatës është simbol i skllavërisë, racizmit, konfliktit më të madh brenda vendit që shkaktoi qindra mijëra viktima. Por për shumë të tjerë në shtetet e jugut flamuri i konfederatës dhe simbolet e asaj kohe, janë ruajtur si memorial respekti për ushtarët e jugut që ranë në atë luftë. Shtetet e jugut kanë qenë të mbushura me simbole të konfederatës, që shiheshin në parqe, shkolla, emra rrugësh, targa makinash, statuja të udhëheqësve të famshëm të konfederatës . Ky flamur është valëvitur në sheshet e godinave qeveritare të shteteve të ish konfederatëspër një kohë të gjatë.Masakra e fundit në Çarlston, Karolina e Jugut,ndryshoi mendimin për flamurin dhe qëndrimin ndaj tij në kohën e sotme. Guvernatorja e Karolinës se Jugut, Nikki Haley, republikane, të hënën e kaluar iu referua flamurit dhe simboleve të së shkuarës së shtetit, si simbole respekti e integriteti, duke arsyetuar heqjen e tyre nga godina qeveritare, theksoi: “Ky flamur ndërkohë që është pjesë integrale e të kaluarës sonë, nuk përfaqëson të ardhmen e shtetit tonë të madh”. Ajo deklaroi që flamuri i konfederatës do të hiqej nga ambienti i godinës qeveritare të shtetit. Shembullin e saj po e ndjekin edhe shtete te tjera të jugut, dikur shtete të Konfederatës, që ishin për ndarjen e Amerikës. SHBA ka vetëm një flamur, atë me 50 yjet që përfaqësojnë 50 shtetet e saj në një union të përbashkët. Vendi i flamurit të konfederatës që lindi në një periudhë të caktuar historike është në muze. Mbyllja e atij kapitulli u kurorëzua me fjalimin monumental të presidentit Abraham Linkoln në Getisbërg 150 vjet më parë, kur tha se "gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vend, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë, dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora