E enjte, 28.03.2024, 10:34 AM (GMT)

Faleminderit

Odhise Goro: Evriviadhi Goro - portret i intelektualit himariot

E shtune, 26.07.2008, 01:02 PM


EVRIVIADHI GORO- portret i intelektualit himariot



Për mjekun - poet Evriviadhi Goro

Shkruar nga Odhise Goro

Çdo fjalë e thotë në emër të jetës. Prandaj dhe është Një jetë në Luftë... Në luftën e madhe për Njerëzit e hedh çdo hap. Më shumë ka vrapuar se sa ka ecur. Mjeku – artist. Artisti – mjek. Xhaxhai im i dashur... Ai që më vuri emrin. Në rrëfenjat e tij pashë osideun. I tëri mall e brengë – tek po kthehej nga Troja për në Itakë... Qysh fëmijë, më hodhi në shpirt magjinë e pasionit për letërsinë. Nipit të vogël, nxënës i shkollës fillore, buzë Jonit, përherë të kaltër e poetik, i lëshoi frerin e fantazisë, të ndjekë pas pa përtim Aventurat e Tom Sojerit, Din Pakut e Hekëlberi Finit, të vrapojë me Djemtë e rrugës Pal, në zhytet 40 mijë lega nën det, etj... Në moshën dymbëdhjetëvjeçare më bëri të qaj me Hamletin e Ofelinë, me Romeon e Zhuljetën, me Otellon e Desdemonën, në tragjedi e tmerr... Më mori për dore dhe më futi në shtigjet e artit, ai, Xhaxhai im... Madje nxori edhe xhaketën e tij... Ma dha të ngrohtë në ngjitjen time të parë auditorëve të shkollës së lartë... Dy fjalë zemra, lexues të dashur, dy fjalë zemre, të mos i shkruaj për të? Në vitin 1934, në më të mirin muaj të verës, në gusht, kur hëna e mbushur plot pikonte arin e kulluar mbi det, kur rrushi i posapjekur kullonte mushtin dehës për verën si ajo e Dionisit të lashtë, u lind në Himarë mjeku-poet Evriviadhi Goro. Djali i tretë i Jani Goros, i cili dikur, nga minerat e Lavrios solli me vete Iliadën dhe Odisenë e Homerit, kurse nga minierat e Sent Etienit pruri “Të mjerët” e Hygoit, kulturën e Qytetit të Dritës – Parisit, një aparat fotografik mbi një trikëmbësh, si dhe gramofonin me pllaka të firmës Pathe... Pra, në një vatër të ndershme e punëtore, kulturëdashëse e patriote, hodhi hapat e parë mjeku dhe poeti i ardhshëm himariot. Në shpirtin e tij të njomë e tepër të brishtë ndjeu gërvishtjen e thellë të luftës italo-greke, provoi dhimbjen e ikjes refugjat në Korfuz e Zakintho, e pas kthimit përsëri familjarisht në vendlindje, gjatë Luftës Çlirimtare, pa nga afër partizanët... Në zjarrin e vatrës së Mëmë Fotinës, grua kapedane... Nënë himarjote e vërtetë. Jetim në vitet e para të çlirimit, (babanë 47 vjeçar e shoi tuberkulozi marrë minierave të mërgimit, tok me torturat çnjerëzore në qelitë naziste – shumë më zi se galeritë e zeza-, në kampin e përqendrimit në Prishtinë, ku e internuan pushtuesit), rrugën e nuk e kishte të shtruar me lule, ai, nxënësi i shkëlqyer. Pas përfundimit të shkollës së mesme mjekësore, i futuri “gabimisht” në mjekësi, punoi si ndihmësmjek në Vlorë, Brataj, Selenicë. Puna me shumë seiozitet e përkushtim në spitalet e mësipërme dhe jeta e vështirë mes popullit, e frymëzuan të përfundonte me rezultate të shkëlqyera studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë. Në fillim-vjeshtën e vitit 1961, u kthye mjek, mes himarjotëve. Ashtu i gjallë e i qeshur, i shkathët, i hyri punës, me plot vrull e ëndrra djaloshare... Me stetoskopin si stoli të çmuar në fytyrën e mbushur tërë dritë mirësie, u detyrua të linte mënjanë penën, kaq premtuese në letërsi. Qysh në vitet e para studentore botonte në organet qendrore të kohës, poezitë e veta. Ishte pritur kaq ngrohtë nga kritika dhe lexuesit, për idetë e reja dhe frymën e stilin bashkëkohor që përcillte me krijimet e tij të frymëzuara e jetëdhënëse. Por pas një “ndarjeje me shumë dhimbje”, shkrimin e bukur e kaq të kuptueshëm (gjë e rrallë kjo për dorën e nxituar të mjekut), tash e tutje e përdorte për shëndetin e njerëzve. Si qëndisma do të ngjanin shkronjat në dhënien e recetave, në plotësimin e regjistrave e të formularëve, në mbushjen e kartelave mjekësore, në epikrizat, e letrat shoqëruese... Ku shkonte fletë a zarf që mbante firmën e tij, edhe vetë profesorët që i kishin treguar sekretet mrekullibërëse të shkencës së mjekësisë, mbeteshin të mahnitur. Kudo flisnin me shumë admirim. Prandaj i ka akoma lezetin e viteve të rinisë së parë bluza e bardhë për trupi dhe i ngjan e sapo-veshur, e porsa-hekurosur nga duart fisnike, me merak të madh, nga bashkëshortja e tij, Ana, që e ndoqi hap pas hapi, me dinjitet të rrallë si punonjëse e shëndetësisë. Prandaj s’ka kurrë të plakur ky burrë i pashëm me temperament të zjarrtë, i cili një jetë të tërë, jetë e ndihmë ka dhënë... T’i japësh ndihmën tënde tjetrit, e njeh apo s’e njeh, i atij njeriu i zgjat jetën. Por që t’i shtosh shpresat njërit, që t’i zgjatësh atij gjënë më të shtrenjtë, jetën, së pari duhet të duash ta bësh një gjë të tillë. Të duash dhe të dish! Doktor Evriviadhin e karakterizon dashamirësia e madhe për këdo. Natyrë që kërkon të dijë së më shumë, me punë e studime të vazhdueshme, ai mbetet përherë derëhapur, 50 e ca vjet në rojë të shëndetit të njerëzve... S’është vetëm derëhapur, prit e përcill – i buzëqeshur, por është njëkohësisht specialist, intelektual e krijues me vizione europiane, që nga i Ati... Këmbëngulës në cilësinë e tij që të mendojë ndryshe dhe të shprehet ashtu siç i do shpirti. Në lirinë e tij e ndjen veten kurdoherë të lirë, pa cënuar lirinë e të tjerëve. Me një intuitë të admirueshme ta kap mendimin që larg dhe ta kthen përgjigjen aty për aty. I rregullt në jetë e në shoqëri, nuk e jeton jetën si shenjt... E kthen gotën e verës a të rakisë; s’e kursen thumbin a shakanë, pasi, siç e pohon edhe vetë, “te kjo botë, mes nesh, s’para gjen shenjtorë!”... Përherë me popullin, si njeri i thjeshtë e i zakonit, mbetet përherë mes njerëzve të thjeshtë, që janë dhe miqtë e tij më të mirë. Që nga vitet e rinisë, deri në moshën e thinjave të argjendta, atë e sheh me shoferët, peshkatarët, bujqit, barinjtë. Paçka se pragun e shtëpisë së tij e kalojnë mjekë, deputetë, ministra, shkrimtarë, artistë, gazetarë, jataku i tij i zemrës mbetet “vegjëlia”. Kush e di se sa njerëz kanë kaluar nga stetoskopi i tij, nga dashuria dhe përpjekjet e tij, si njeri dhe si mjek. Nuk kanë të numëruar... Me qindra, me mijëra... Ka përjetuar shqetësimet e tronditjet e tyre. ka përballuar urgjenca ngjarjesh që të rrëqethin e të lenë pa frymë. Ky hequr hallet dhe dhimbjet e tyre. Ka qarë e ka qeshur nga gëzimi i zanatit, bashkë me të tjerët. “Biografia” e pacientëve të shumtë është bërë “biografia e profesionit” të Doktor Evriviadhit. Kush e di sa herë ka prishur gjumin dhe ëndrrat? Kush e di sa herë ka lënë përgjysmë drekën a darkën? Kush e di sa herë i ka hedhur pas krahëve dasmat a festat? Kush e di sa herë ka shtrënguar zemrën si gur në gji, dhe ka lënë në mes pikëllimet e shumta të fisit e të t’ afërmve, për t’u hequr dhimbjen – thikë të tjerëve?... Të gjitha këto, në emër të jetës, në emër të betimit të bërë para Hipokratit, babait të mjekësisë, si shërbëtor i denjë i shkencës më humane. Prandaj ka qenë dhe mbetet: Njeriu që bashkon gëzimin me dhimbjen, dhimbjen me gëzimin, a mund të ketë lumturi njeriu, mjeku dhe poeti Evriviadh, kur dhimbja njerëzore i djeg fletët e zemrës? Falë shpirtit të tij, sa të hollë dhe shpërthyes, falë fjalës së tij, sa të prushtë edhe të ëmbël, plot humor e kulturë, në dëshpërime e prekje, në hare e gëzime, prania e tij është ringjallje e forcë, në rrjedhën e vrullshme të jetës. Por jeta atij s’i ka shkuar si në vaj... Kur ishte në kulmin e aftësive të tij profesionale, si mjek dhe si intelektual me horizont të gjerë e dije të shumta, të shumtë qenë edhe kundërshtarët e tij, të patalentuarit, të paaftët, dembelët, ziliqarët... Ata, duke gërmuar, shkumonin me çdo kusht që ta përmbysnin dhe nuk e linin të çante më lart e të merrte atë që meritonte. Në këto lojëra, nuk lihej kurrë në harresë biografia “me cen”... Rëndësi ka që emri i tij mbetet përherë i nderuar. Ai rrethohet ngado prej vlerësimit e mirënjohjes së thellë të mbarë krahinës, gjithë himarjotëve e tërë Bregut. Përmendet me respekt nga banorët e Lumit të Vlorës e të Kurveleshit, nga pushues që kanë kaluar në Bregdet, sepse të tërëve, pa dallim u është gjendur në çdo kohë stetoskopi i tij i artë... Vitet e fundit, plot e plot emigrantë shqiptarë e nga vende të tjerë në Athinë, madje dhe shumë vendas, kanë kaluar në ambulancën e tij të vogël, në rrugicën e ngushtë “Igjias 7-9”, pas kishës së Shën Pandelejmonit, në rrugën e gjerë “Aharnon”, plot gjallëri e zhurmë. Deri në qershor të këtij viti, kur Doktor Evriviadhi doli në pension. Në ecje e sipër, herë i ngjan një bardi që rrezaton muzë e mirësi, herë një enciklopedisti, përherë në lëvizje, përherë në shfletim, përherë në plotësim, përherë duke mësuar. Me gjithë barrën e moshës e të halleve, gjyshi çamarrok, i dhënë me gjithë shpirt pas dy nipave binjakë, pas nipërve e mbesave që i mbushin prehrin e shtëpinë, ai nuk rresht së shkruari. Pranverën e këtij viti, mes dashamirësve, krijues e miq, ai prezantoi librin me titullin kuptimplotë, “Një jetë në luftë”, që është mirëpritur nga njerëzit e letrave e lexuesit. Të tjerë libra kanë zënë radhën dhe presin të dalin së shpejti në dritë, nga dora e tij, sa e ngrohtë dhe e kujdesshme në lëmimet që i bën fjalës së shkruar, dashurisë së tij të parë, në emër të jetës, me njërën dorë te stetoskopi e me tjetrën te pena... Ashtu siç ve gishtin dhe zemrën në plagën e të sëmurëve – si mjek, po ashtu ai ve, si poet, gishtin e zemrën në plagët e kohës, për një të nesërme më të mirë, më të lumtur. Më të gëzuar... E bën këtë plot zgjuarsi e ndjenjë. Njerëzit e zgjuar e të ndjeshëm lenë pas gjurmët e punës së mençur e të mirë, gjithë largpamësi e urtësi, në shërbim të shoqërisë, për të cilën vepra e tyre merr kuptim të madh e domethënës, sepse me një shije poetike të hollë e jetëgjatë, u përcillet njerëzve. Një nga ata njerëz, që u takojnë dhje brezave të ardhshëm, është dhe mjeku-poet Evriviadhi Goro, për të cilin kam bindjen e patundur se askush nuk do të më qortojë pse “mburra xhaxhanë”. Pasi ai nuk është vetëm njeriu im. U takon të gjithëve, ai, njeriu me shpirt shërues...
www.tribuna-news.com/

Foto artistike nga Vasil Qesari


  BLOG-PORTA 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora