E enjte, 25.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Anton Gojçaj: Rikonstruksion letrar i realiteteve historike

E shtune, 26.07.2008, 12:26 PM


RECENSION

Rikonstruksion letrar i realiteteve historike

(Anton Gjuravçaj, Vdekja e valëve, roman, TOENA, Tiranë 2008)

Për nga fryma stilore teknikat e shkrimit të përdorura në roman janë realiste dhe surrealiste, një gërshetim i tyre, pra, që pasurohet edhe me elemente të botës së përrallës. Kufijtë midis ëndrrës dhe realitetit, historisë dhe fiksionit, midis periudhave të ndryshme kohore, nganjëherë me shekuj të ndara mes tyre, shkrihen, gjithnjë duke ruajtur bindshmërinë e rrëfimit. 

Romani ka edhe cilësi të romanit psikologjik dhe eseistik, kështu që paraqet një strukturë mjaft komplekse zhanrore, stilore dhe narrative.

Nga Anton Gojçaj

Kohëve të fundit në letërsinë dhe kulturën shqiptare sikur flitet, shkruhet dhe debatohet më shumë se zakonisht mbi identitetin.

Anton Gjuravçaj me romanin e tij të parë futet fare natyrshëm në këtë vorbull. Pasi që identiteti lidhet gjithmonë me historinë, edhe romani në fjalë ka elemente të romanit historik, megjithëse i kapërcen ato korniza. Sigurisht që kur flitet për identitetin, në njërin krah qëndron një "unë" ose "ne", e në tjetrin një "ju" ose "ata". Kështu ndodh edhe te "Vdekja e valëve".

Letërsia dallon nga historia sepse nuk e ka domosdoshmëri thirrjen në data ekzakte dhe as në   ngjarje të caktuara historike, ajo nuk merret as me ofrimin e të dhënave statistikore të viktimave të fituesit dhe të humbësit... Letërsia historinë e shqyrton në brendësinë, në frymën e saj.

"Vdekja e valëve" nuk flet për një kohë historike të caktuar me datë, por njëra nga linjat narrative të saj vendoset në periudhën e Perandorisë Osmane. Linja e dytë rrëfimore vendoset në periudhën e sundimit të diktaturës së proletariatit, kurse e treta rrëfen për periudhën e dobësimit të socializmit. Megjithëse në aspektin gjeografik, lidhur me emrat e vendeve, nuk ka të dhëna të hollësishme, pra narratori nuk i emërton konkretisht vendet (fshatrat, qytetet, liqenin...) ku zhvillohen ngjarjet, lexuesi mund të kuptojë se kjo duhet të jetë diku në trevat e Malësisë, këndej e andej kufirit.

Para së gjithash, mendoj se ky është një roman të cilin duhet lexuar ngadalë, sepse është shumë i ngjeshur me informacione, me ngjallje asociacionesh, me gjykime e qëndrime të shumta dhe të thella. Romani nuk synon paraqitjen si në pasqyrë të realitetit historik, por është një rikonstruksion, madje kritik, i realiteteve historike.

Te "Vdekja e valëve" gjenden gjurmë të relacioneve intertekstuale, si p.sh. me Biblën,  pastaj me mitologjinë iliro-shqiptare dhe bestytnitë popullore etj.

Veç tipareve të romanit historik, te "Vdekja e valëve" hasen edhe shenja të letërsisë që një krijues shqiptar e quajti "burgologji", pra të asaj krijimtarie që flet për vitet e diktaturës së proletariatit dhe ferrit të burgjeve komuniste. Pikërisht në këto pjesë të romanit gjenden mjaft elemente të prozës surrealiste, që kanë peshë emblematike dhe që janë krijuar ashtu që të mos harrohen kollaj. Historia e Prekës me fërlikun e Shënkollit në shpinë, ose ajo e Kolës që bredh me kusi në kokë, që edhe pas vdekjes u paraqiten (si fantazma) njerëzve, janë imazhe tipike surrealiste, kurse vetë Preka e Kola "heronj" surrealistë.  Natyrisht që ato kanë edhe funksione të posaçme kuptimore, simbolike, që duhet të zbërthehen me shumë kujdes.

Periudha e dobësimit të socializmit dhe e tranzicionit, që personifikohet me Agronin, Martën, Ismailin dhe një të huaj me emrin Daniel, në të vërtetë është një vazhdim logjik i ndodhive historike dhe pasojave të sistemeve totalitare (qoftë ai pushtues i huaj, qoftë diktator vendor) mbi fatet e individëve të caktuar.

Gjuravçaj është prozator i mirë, por në këtë roman poeti e dominon prozatorin. Është konstatim, e jo kritikë. "Vdekja e valëve" vërshon me figura të bukura e të thella stilistike, që do të dukeshin fare të natyrshme edhe në poezi, si p.sh.: zogjtë e burimit (zogjtë e mençur që kishin pirë ujin e burimit), Sofra e qyqeve, kulla që askush s'e shihte, liqeni ka orën e vet etj.    

Në këtë vijë duhet vlerësuar edhe praninë e fuqishme të alegorisë në roman. Një shembull model i rrëfimit alegorik të Gjuravçajt është ky:

"Lisin e madh në ballë të pyllit drunjtë e tjerë e duan vetëm kur u ndalon erërat e forta apo rrufetë. Por kur situata qetësohet, gjithkujt i bëhet pengesë. Disa i pengon vjetërsia e tij. Disa ia kanë zili trupin e drejtë e të palakuar, të tjerëve u bën hije. Dikë e pengon mishërimi i rrënjëve të tij të trasha me tokën dhe shkëmbinjtë përreth. Të gjithë pengohen duke filluar prej druve më të afërm deri tek ata më të largëtit."    (f.103)

Për nga fryma stilore teknikat shkrimore të përdorura në roman janë realiste dhe surrealiste, një gërshetim i tyre, pra, që pasurohet edhe me elemente të botës së përrallës, (zogu që flet me protagonistin narrator në ëndërr). Kufijtë midis ëndrrës dhe realitetit, historisë dhe fiksionit, midis periudhave të ndryshme kohore, nganjëherë me shekuj të ndara mes tyre, shkrihen, gjithnjë duke ruajtur bindshmërinë e rrëfimit dhe duke krijuar paralelizma historikë. 

Romani ka edhe veçori të romanit psikologjik dhe eseistik, kështu që paraqet një strukturë tejet komplekse zhanrore, stilore dhe narrative.

Mjeshtria narrative e Anton Gjuravçajt meriton respekt. Ai bën një gjetje mjaft inventive për të lidhur kohët dhe ngjarjet e ndryshme e për të ruajtur koherencën e romanit, kështu që p.sh. periudhën e Perandorisë Osmane ai e jep në formën e një tregimi të cilin Danieli e lexon në një  revistë në aeroplan, me ç'rast atij i ngjallet kureshtja për  vendin ku është zhvilluar ajo histori, të cilin edhe e viziton dhe ku, përveç se nga afër sheh se si ndërron faqe historia, ai përjeton edhe një çast erotik, të përshkruar me mjaft ndjeshmëri, me një grua të martuar.

Ky është një roman mbi luftën e dritës me terrin, mbi qëndresën përballë dhunës dhe  strategjive dinake për transformimin e identitetit me objektiva afatgjate (një personazh bë roman, Osman Pasha, thotë se "më vështirë është që dikujt t'ia ndryshosh shpirtin sesa t'ia marrësh" sepse ai "në vend që të të luftojë ty ai e lufton vetveten").

"Vdekja e valëve" nuk mbetet në nivelin e një kronologjie neutrale të historisë, por merr një qëndrim të caktuar përballë realiteteve historike dhe asaj se si historia është zhvilluar te ne.

Tash është epoka e pluralizmave dhe tani më flitet edhe për ekzistencën e botëve paralele, kështu që pyetja që shtron narratori i romanit, - "Sa të drejta ka?",  (në kuptimin: sa të vërteta ka?), është një pyetje fare bashkëkohore, në të cilën përgjigja (në frymën e kohës sonë) është: shumë! Por seriozisht: Cila është historia (më) e vërtetë dhe a mund të interpretohet historia objektivisht?

Një mesazh bazë i romanit del në letrën që njëri nga protagonistët, Danieli, i dërgon një gazetareje në Perëndim:

"Fati i çdo personi në këtë vend – për të cilin dëgjova rastësisht – ishte lufta e pashmangshme e tij si individ dhe e çdo breznie me Perandorinë që kishte mjaft kohë që ishte larguar prej këndej." (f. 123) 

Thënë ndryshe, në të kaluarën e fisit dhe etnisë ka pasur sulme brutale mbi shtratin e identitetit tonë ("ne"). "Vdekja e valëve", me vetëdije të autorit a pa të, sikur u kundërvihet atyre që në frymën e njëfarë "iluminizmi" pluralist dhe postnacionalist, pushtimin dhe ankorimin pesëshekullor të Perandorisë Osmane në këto treva priren që ta vlerësojnë si prurje begatuese nga një civilizim tjetër e jo si një tragjedi komnbëtare.  Sepse, në fund të fundit,  historia e civilizimit s'është tjetër veç kronikë e pushtuesve dhe e diktaturave.

Personazhet e romanit të Gjuravçajt më tepër janë martirë sesa heronj. Ndërsa stoicizmi, qëndresa, mosnënshtrimi marrin energji jo nga frika ose urrejtja ksenofobe për të huajin dhe kulturën e tij, por nga fakti se ai nuk erdhi si mik dhe as në paqe, por me dhunë dhe imponime.

Veprat e këtilla kur e trajtojnë të kaluarën, reflektojnë mbi të sotmen. Prandaj ky është edhe një roman bashkëkohor.  

Anton Gjuravçaj në asnjë mënyrë nuk është i huaj në botën e letërsisë, por është një subjekt krejtësisht i barabartë me subjektet e tjera.

Dikush mund të mos pajtohet me këtë apo atë tezë, apo mendim, të paraqitur në roman, por kjo është e vetëkuptueshme, rëndësi ka që në aspektin e mjeshtrisë artistike autori jep vulën e një krijuesi serioz, që ka kulturë letrare, kulturë gjuhësore dhe kulturë historike të mjaftueshme për të pluguar në botën plot fshehtësi të artit dhe për të nxjerrë në dritë  vepra që e begatojnë ndjeshëm letërsinë shqipe në Mal të Zi.

Box

Anton Gjuravçaj u lind në Podgoricë. Shkollën fillore e mbaroi në Triepsh, gjimnazin në Shkup, kurse studimet në Fakultetin  e Mjekësisë të Prishtinës dhe atë të Shkupit. Punon si mjek në Podgoricë, por merret edhe me letërsi. Ka botuar veprat: "Balada vertikale", përmbledhje poezie, si dhe librin "Memento", poezi e prozë. Romani "Vdekja e valëve" është libri i tij i tretë. Vepra "Memento" është përkthyer edhe në gjuhën malazeze dhe është botuar në Podgoricë në vitin 2001.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora