E merkure, 24.04.2024, 05:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Poezia shqiptare në kufijtë ballkanik

E premte, 26.06.2015, 08:13 PM


POEZIA SHQIPTARE NË KUFIJTË BALLKANIK

Nga Remzi Salihu

Kornizat e drejtimeve dhe formave të ndryshme kreative të letërsisë shqipe nuk mund të definohen dhe përkufizohen aq lehtë dhe në mënyrë eksplicite nga studiuesit e letërsisë, sepse përcaktimi i letërsisë nëpër sfonde të caktuara të periodizimit varet nga shumë kushte e faktorë shoqërorë e politik që determinojnë artin apo poezinë në përgjithësi. Në këtë rast ky realitet i mundësuar i zhvillimit letrar kushtëzohet më së miri nga rruga që ka ndjekur letërsia shqiptare gjatë historisë së saj. Asnjë letërsi botërore nuk do të gjente shtegun e vet të sigurt, afirmativ të zhvillimit, pa u bazuar në traditën më të mirë të zhvillimit kulturor të një populli e vendi. Kështu që edhe letërsia shqiptare duke u bazuar në standardin e zhvillimeve kulturore të traditës së vet dhe të popujve të tjerë, ka sjellë përmasa të nivelit të saj artistik letrar, përballë konkurrencës së letërsisë ballkanike e asaj botërore. Sepse premisat e zhvillimit artistik të nivelit gjithsesi se janë të kushtë­zuara dhe lidhur ngushtë me traditën e një populli. Kur na imponohet tradita, si poentë trashëguese, padyshim, se në konturat, përvijimet e bindjeve tona hyn elementi tipik pozitiv i së kaluarës, së sotmes dhe të ardhmes së saj. Porse ky kontinuitet zhvillimor, me çdo kusht, kushtëzohet nga ana tjetër e vrazhdë e medaljes letrare se çdo zhvillim dhe ngritje, kërcim, risi, nuk mundet të duket qartë pa llupën kritike të vlerësimit të drejtë dhe të saktë, pa mohimin e diçkaje që është e vjetër, e tejkaluar dhe bastarduar deri në skajshmëri, e cila sot po të pranohej si e tillë, pa një zë të mirëfilltë kritik, analitik, do të bjerë në kundërshtim me standardin e lartë të kërkesave të kohës sonë. Sepse pa kapërcimin e urave, të etapave ku frekuenton letërsia gjithëshqiptare, nuk do të kishim njohuri të mirëfillta të nivelit artistik të kapshëm.

Nëpër kufijtë e lansuar ballkanik letërsia shqipe vepron si një faktor aktiv vlerash dhe hap mundësi të reja të kërkimit të formave të reja të pasqyrimit artistik, duke u bazuar nëpër të arriturat e saj si letërsi gjithë kombëtare. Kur dihet se letërsia shqiptare krijohet në shtete e regjione të shumta gjeografike e politike. Në këtë segment kulturor e politik të shumanshëm të shpalimit të saj shohim edhe ndikime e drejtime letrare të ndërsjella.

Letërsia apo poezia, në këtë rast të qasjes sime subjektive, ka shumë krahë të zhvillimit hapësinor, madje, këto janë degë që përmbushin me fryte pemën e shartuar me kujdes nga mjeshtrit e mirë të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Në kohën e realizmit socialist, duke u bazuar në rrethin politik dhe ideologjik, letërsia dhe tradita jonë letrare është diskutuar mjaft, por ato diskutime sot janë tejkaluar dukshëm nga kriteret e standardet e zhvilluara letrare të kohës sonë. Mendimi i tyre i kontrolluar, atëherë, ngushtohej në shpalim nga cungimi i kufirit ideologjik që mbretëronte në shtetin amë, kështu, që letërsia shqiptare mbetej pa u studiuar tërësisht, si vlerë e përmbushur me përmasa gjithëkombëtare. Studimi sipërfaqësor bëhej për shkak të bindjeve politike të ndryshme që kishin regjionet, vendet, ku zhvillohej letërsia gjithëshqiptare. Pjesë e rëndë e këtij problemi madhor ka qenë studimi dhe drejtimet letrare jashtë kufijve të shtetit amë. Letërsia shqiptare gjatë shekullit të fundit mori një zhvillim të vrullshëm dhe të madh. Ajo u pasurua me drejtime dhe shkolla të ndryshme letrare, duke u bazuar në zhvillimet dhe trendët e mprehta letrare të nivelit artistik dhe mendimit teorik për të. Në këtë rast madje edhe drejtimi Social-realist, si i tillë që ishte, me norma të kufizuara e të përcak­tuara në vete, e ka përmbushur letërsinë si traditë gjithëkombëtare me kriteret dhe kufizimet e saj për një kohe të gjatë. Ky fakt nuk mund të mohohet, sepse krijuesit e asaj periudhe akoma janë aktiv dhe veprojnë në letrat tona. Madje ato sot janë ura të forta që bëjnë kapërcimin e artit nga ajo tradicionale te modernja, bashkëkohorja.

Unë s’dua të vë koncepte grilash periodizimeve që përjashtojnë njëri-tjetrin, por dua të vë bazë mendimi të shëndoshë shkencor për të gjitha këto kapërcime letrare në kohë dhe hapësirë, që të zbulohet e vërteta artistike e zhvillimit mbarë shqiptar. Prandaj letrarët dhe estetët modern të kohës sonë nuk duhet harruar kriterin artistik të të gjitha kohëve, sepse vetëm ajo mund t’i përmbush standardet e vërteta të kohës sonë. Veprat e mira s’kanë kohë e afat të caktuar, por mund të jenë vlera klasike nga të cilat mund të mësohet se si duhet shkruar e vepruar në të ardhmen. Fërkime midis vlerash ka pasur dhe do të ketë gjithnjë nëpër të gjitha periodat kohore, pasi vet subkultura e individit është e dallueshme, e veçantë, sepse përpjekja dhe lufta e saj fërkuese për të sjellë individualitet do të ekzistoj gjithnjë, deri sa do të ekzistoj vet qenia njerëzore. Kërcime letrare, do të ketë deri sa të dallohen veçantitë dhe alternativat e kreativitetit të mirëfilltë midis njerëzve.

Përderisa te shoqëritë totalitare pretendohej se mendimi i individit se s’është kurrgjë, përballë mendimit tërësor, të përbashkët shoqëror, dhe pretendohej me çdo kusht se vetëm ajo si e tillë është garanci dhe e aftë për vlera të qëndrueshme kolektive, që të zbuloj kontradikta dhe ligjshmëri politike. Te sistemet e zhvilluar demokratike këto barriera u thyen dhe vlera e individualitetit merr përmasa tjera të drejta e stimuluese të zhvillimit profesional, duke u marrë edhe me anën më irracionale të jetës psikologjike të tyre, për të krijuar mjete universale të artit modern. Siç dihet, në zhvillimin tonë letrar, sido­mos pas ardhjes së demokracisë në këtë pjesë të botës shqiptare, u zgjua interesim i madh i shpirtit patriotik për të afruar lidhjen e ngushtë të tërësisë gjeografike kombëtare dhe problemeve të rëndësishme të popullit dhe, të afirmimit gjithë kombëtar, si dhe përpjekjeve të shumta të gjykimit e të zhvillimit të drejtë demokratik. Shkathtësia dhe ngritja e krijuesve shqiptar është shprehur në forma dhe shkallë të ndryshme për të sjellë një frymë të përgjithshme të nivelit artistik të kohës sonë. Pas daljes nga diktatura mbizotëruan fryma dhe drejtime të ndryshme të shprehjes letrare. Nuk mungoi edhe ajo e militantizmit, patetizmit, deklarativizmit, si dhe ajo e hermetizmit të tepruar.

Mundësia e hapjes së kufijve të lehtësisë kreative të konkurrimit dhe komunikimit masiv, afirmativ, solli edhe vërshimin e vlerave të pa kontrolluara në ringun e zhvillimeve kulturore të hapësirës sonë letrare. Ajo inkarnoi në vete një fushë të gjerë të çrregullimeve të shumta të cilësisë dhe kritereve të mirëfillta. Në këtë kuptim të rrethanave zhvilluese të shoqërisë, është thelbësore të dihet se çdo rend shoqëror ka edhe anomalitë dhe vështirësitë e veta që kushtëzojnë dhe që dallojnë me tiparet e veta me kalimin e kohës. Dalja me bërryla në skenën letrare është fryma më e pakon-trolluar e deformuar e nivelit të disa gazrave pseudo letrare, të pa kriter, që me çdo kusht kërkojnë mundësi afirmative të dukjes së tyre të shëmtuar, për të kaluar gardhiqet e anonimitetit individual. Ajo madje nuk zgjedh mjete dhe kohë veprimi për t’u servisuar e nazuar në arenën letrare me nivele të brishta. Kështu që bie në sy një farë mos kontrollimi i bashkëveprimit reciprok të botimit të veprave dhe kriterit të devalvuar artistik të autorit. Shumë libra u botuan pa nivel artistik të duhur. Ato tash më nuk përputhen as me metodat e realizmit të mirëfilltë socialist. Por nga ana tjetër kemi edhe botime dhe autorë që vërtet mund të konkurrojnë me nivele të larta e cilësi artistike në letërsinë botërore.

Letërsia shqipe dhe sidomos poezia duhet ta ketë standardin e vet zhvillimor. Ajo tani më në suazat e veta ka trashëguar një zhvillim normal të jetës së saj gjatë historisë. Një rritje dhe ngritje e tillë gjithsesi se ka sjellë individualitete të ndritura në të gjitha etapat e historisë së letërsisë. Tani me plot gojë e bindje, mund të themi se letërsia shqipe e mirëfilltë është e madhe dhe shumë vëllimore. Ajo ka ecur pa u shkëputur nga tradita me këmbë të shëndosha, duke bartur me vete cilësi e vlera të larta letrare në etapa kohore, sidomos me realizimet e saja artistike, që quhet art në kuptimin e vërtetë dhe të plotë të fjalës. Sepse veprat e mira, me kriter e cilësi, nuk kanë kohë dhe afat të caktuar. Ato vepra të tipizuara dhe artistikisht të realizuara mirë bëhen shembull dhe vlerë e spikatur e të gjitha kohëve. Shumëkuptimësia e një vepre është produkt i njohjes dhe talentit individual të çdo krijuesi, që ka kujdes për të sjellë vlera të mirëfillta.

Nga një epokë në tjetrën në letërsinë e rrymave të ndryshme artistike e letrare të vendeve të huaja janë dalluar shumë këngëtime të reja. Por kjo ngritje është bërë me shkathtësi nga parimet e zhvilluara teorike letrare. Ky nivel është arritur mbi bazën e normave dhe shijes së kultivuar artistike. Letërsia e vërtet moderne dhe avangarde asnjëherë nuk shkëputet krejtësisht nga vlerat e mirëfillta të traditës. Ajo bart në vete kritere, si përvojë standardizuese të gjitha ato elemente artistike të mundshme që mund ta bëjnë një vepër moderne, të pavdekshme. Shembuj të bindshëm kemi në historinë e letërsisë botërore, kur autorë dhe vepra të arritura artistikisht citohen edhe në kohën tonë. Tiparet dhe cilësinë karakteristike të veprave të mira nuk e bën vetëm figuracioni i thjeshtë, por edhe gjuha simbolike e pasur dhe stili i të shkruarit, rima, ritmi, aliteracioni, ironia dhe shumëkuptimësia e domethënies së tekstit. Naimi, De Rada, Mjedja, Noli, Fishta Konica, Migjeni, Mekuli,Camaj,Reshpja, Isaku, Islami, Xhaferi, Shkreli, Kukaj,Dervishi,Deva,Elshani,Arifi,Xhemajli, Bekteshi, Behliu, Desku, tani më që nuk janë midis nesh, kanë lënë vepra të rëndësishme letërsisë shqiptare. Asnjëri prej tyre s’i anashkaloi nivelet pozitive të së kaluarës, por veprimtaria e tyre hapin rrugë me shumë shtigje të kapshme kuptimësie. Shprehjet dhe stilet e tyre vetjake mbështeteshin fortë në shijet e tyre të kultivuar nga përvoja e të arriturave letrare të kohës së tyre. Prandaj pa kuptuar përvojat dhe lëshimet e të tjerëve në fushën e mjeteve shprehëse artistike s’mund të krijohen forma të reja, moderne, që do të kishin kultivuar veçantitë dalluese e individuale nga të tjerët. Niveli i sotëm i poezisë shqipe në kufijtë ballkanik e evropian mbetet një pasqyrë evidente cilësore, që reflekton bindshëm edhe jashtë suazave kombëtare. Do të isha i kufizuar po të mos përmendi, në këtë rast, se letërsia jonë është e përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ka autorë që i kanë thyer barrierat e kufijve të izoluar kombëtar, gjithsesi, se kjo është shkathtësia e tyre e arritur me cilësi  vlerash dhe kriter të lart artistik. Edhe pse ky numër i autorëve të përkthyer është i kufizuar, i paktë, kur tashmë dihet se çdo katund shqiptar i ka më pak nga dhjet poet të ngërthyer me libra në vete. Domethënë një hap cilësor në letërsinë tonë nuk e bën numri poetëve, por ngritja dhe cilësia e tyre e nivelit të goditur artistik. Ngutja për të bërë numra vëllimesh janë forma të ulëta dhe të vrazhda të kultivimit cilësor të kulturës sonë. Gjeneratat tona duhet të krijojnë vlera të reja letrare-artistike dhe t’i kultivojnë e kullojnë mirë e me suksese rrymat, dhe drejtimet letrare që ekzistojnë sot në botë. Kurrgjë nuk është absolute, e paarritshme në jetë dhe këtë vetëdije zhvillimi letërsia e ka treguar me përvojën e vet gjatë shekujve. Çdo gjë është relative në interpretimin e fenomeneve të universit tonë në jetë. Relativiteti në këtë rast të bindjes sonë nënkupton, saktësisht, që koha është e lidhur me lëvizjen, shkuarjes përpara, por kultivimi i shijes është absolutitet veprues individual, që përherë përsoset nga përvoja dhe tradita e kultivimit të një kulture, prandaj gjithnjë diçka mohohet, lëçitet e diçka kultivohet, stimulohet me përmasa kriteri, madje e vjetra zëvendësohet me të renë. Absolutja është e pranishme në çdo vepër të suksesshme, në kënaqësinë e veprimit dhe zbulimit. Këto janë disa elemente dhe veçanti ligjore, teorike, shkencore që mund ta çojnë letërsinë dhe krijuesin përpara. Poezia e vërtetë është magjia e shpirtit artistik kreativ, e lindur nga regjia e mendimit të përsosur në zbulim, që të ngrit apo ulë në standardin e kërkimit letrar e artistik të kozmosit tonë të niveluar me plotë kundërthënie jetësore. Forcimi i krijimit me njohuri dhe përvoja të reja poetike nga letërsia huaj mbetet një mundësi e shëndoshë për të krijuar standarde dhe nivele të larta edhe për letërsinë tonë. Poezia e kohës sonë duhet të ketë kujdes nga klishetë dhe patetizmi deklarativ i tepruar, i cili me vulgaritetin e shprehjes së devalvuar nga koha në kohë sjell nivel të ulët të njohjes dhe standardit poetik. Prandaj për të sjellë diçka befasuese, poetët duhet të kërkojnë mundësi më të mëdha shprehëse. Nga ky aspekt do ta kishte luajtur një rol të rëndësishëm edhe kritika krahasimtare, e cila tani për momentin është e pa mundur për t’i ndjekur, të gjitha botimet që krijohen në hapësirën tonë letrare.

Në horizontin e letërsisë shqiptare kritika në disa raste të duket se është e njëanshme dhe subjektive, gjatë periudhës së demokracisë akoma ka mbetur pa u konsoliduar sa duhet niveli kritik i përcjelljes, ndjekjes së letërsisë gjithëshqiptare, andaj edhe jepen mendime të njëanshme, klanore e sipërfaqësore. Derisa kritika e realizmit socialist në të kaluarën ishte roje e pararoje ideologjike e letërsisë që përcillte me vendosmëri kriji­met e asaj kohe për të mos u fut ndonjë ashkë shpuese e shprehjes së helmuar nga rrymat “dekadente” të perëndimit. Sot kritika e çliruar nga grilat ideologjike të së kaluarës, vëmendjen, tashmë, duhet ta ketë te ngritja e nivelit teorik letrar. Të kërkoj mundësi të shumta veprimi e aplikimi. Kuptohet se këtu fjala është për t’i përcjellë të gjitha rrymat dhe drejtimet, e të arriturave të poezisë në botë, nëpërmjet së cilës do të fuqizonin ide, tema dhe motive të reja të autorëve të rinj. Poezia gjithsesi se duhet të ketë individualitetin e vet, qëllimi i saj duhet të jetë reflektues, i veçantë, sepse arti nuk është një gjë që shpalon vetëm bukurinë e trupit të vet atraktiv të jashtëm, formal, por jep edhe emocion e mesazh ku do të kënaq të tjerët, njeriun, mjedisin, dhe botën, civilizimin. Çdo krijues është përfaqësues i një kulture të caktuar. Individualiteti për­gjithësues i tij varet krejtësisht nga talenti e kultivimi personal, nga rrethi dhe shkolla letrare prej ku vjen.

Profesionistët e mendimit kritik i japin prioritet gërshetimit të standardit të formës dhe përmbajtjes duke e kushtëzuar me kujdes vlerën e një vepre poetike në kornizat saja të stileve të mirëfillta, si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja dhe ç’farë risie artistike i sjellin ato kohës sonë dhe të ardhmes. Kritika duhet të jetë kujdestare e atyre krijimeve letrare me shprehje të devalvuar romantike, idilike, të errtë për kohën. Për mua s’ka poezi të pakuptueshme, të errët, por mund të ketë poezi të ngarkuar me figura dhe gjuhë eksperi­mentale të komplikuar, të cilat për lexuesin e rëndomtë do të sillnin siklete e vështirësi. Në këto përmasa të moskuptimit vetëm interpretuesit e shkathtë dhe të përgatitur mirë do t’i kishin ardhur në ndihmë lexuesit. Fragmentimet dhe amputimet e shprehjeve, që ndeshim sot nër shumë poezi janë kallëpe që nxjerrin digresion dhe standarde të pakuptimta, sepse arti, në këtë rast poezia nuk është një brumë që ka një jetë bajate të ngjeshur thjeshtë në vete, por ajo duhet me kujdesin më të madh të ngjishet, të thithet, gatuhet e piqet mirë në furën e përsosur të mendimit dhe ndjenjës, për ta “ngrënë” me shije të kultivuar të dhënën, të mundshmen, artistiken edhe të tjerët. Poezia duhet të ec me kohën e vet, ta shpaloj trupin nga forma dhe ferexhetë e errëta të vjetërsisë dhe imitimit të skajshëm. Me simbole tëtrashiguara dhe të përsëritura nuk bëhet art veçantë. Asaj i duhen mjeshtëri dhe tesha stilesh tjera moderne për t’i kap të gjitha format e drejtimet e reja që ka bota. Uniformat letrare sjellin monotoni dhe përsëritje të lodhshme që nuk kanë të bëjnë fare me konceptet e përparuara të standardeve estetike që frekuentojnë sot në botë. Larmia e shprehjes së mjeteve gjuhësore karakteristike të secilit autor, bashkë me zhvillimin teknologjik e kompjuterik, tanimë, duhet të sjell një pasuri ideo-artistike më të madhe për t’i përmbushur kufijtë tërësorë të kulturës shqiptare në përgjithësi. Kërkimet e përhershme estetike të tyre të niveluara shpalojnë një traditë me perspektivë të shëndoshë, duke sjell vlera aktuale të mirëfillta. Tani në poezinë tonë ka hyrë teknika e re e këngëtimit. Poetët e kohës sonë përballen me një zhvillim të madh jetësor dhe shoqëror. Teknika dhe zhvillimet industriale bashkë me informatikën dhe elektronikën janë motive, të cilat preferohen në mjetet e sotme artistike të shprehjes. Shumë poezi inkarnojnë në vete këtë standard jetësor të ngritjes së shijes. Përmbajtja e poezisë sot është e mbushur edhe me sustat e shumta elektronike që kurdisin jetën urbane me ndjenjë e mendime të reja të kohës. Undergraundi bëhet simbol i përditshmërisë së njeriut të ri. Mesazhet e tyre janë të lidhura ngushtë me veçoritë e reja të ambientit jetësor, si roboti që merr komandë, të japë me teknikën e vet reale, përfytyrimin e njeriut. Apo lavatriçja me zhurmën e saj, që mban ison e këngëtimit në ritmin e jetës së njeriut të vetmuar në “desktopin” e mbushur me mesazhe dite nga të gjitha meridianët e kozmosit tonë, apo makina thithëse që mbledh pluhurin e dembelisë së shtrirë në tepihun e importuar nga largësitë e botës, apo sharra me motor e fqinjit, që ta grinë me zhurmë skulpturën e ngjeshur në kujtesë, si dhe ta rëzonë piramidën e meditimit mu në mes të ditës, apo mesazhet e ardhura papritmas në telefonat mobil. Apo ndërtimi artistik i ‘’shtëpisë me kulm teposhtë’’ Të gjitha këto janë tablo ironike ditore të mundshme, të vizatuara me anë të fjalës e shprehjes së teknikës. Kështu poeti i sotshëm është i detyruar t’i kapë këto imazhe të jetës së përditshme në mënyrë artistike dhe me shprehjen simbolike të tij të përzgjedhur e të zgjoj në imagjinatën e njeriut tonë përfytyrime të gjalla për një fenomen të ri të jetës. Apo kur individi merr duqin e hedhur të cigares së Zhak Preverit dhe tymos vetminë e vdekjes figurative në dhomën e vetmuar përmbushur me gjëra të imta, që e neveritin ose e gëzojnë nga dita në ditë. Sjellin botën e shqetësuar të brendshme e subjektive të krijuesit dhe drejtimit ekspresionist i japin përparësi esenciale. Me spontanitet dhe intonacion të bisedës me veten dhe njerëzit që e rrethojnë poetët i sjellin fjalës tingëllimë të re. Fryma e gjuhës së tyre noton mbi ujëra të përditshmërisë sonë nga betoni e armatura e kohës. Figurat stilistike marrin shkëlqimin metaforik të latuar me kujdes nga gravurat e qëndisura në kujtesës të stërholluar në lëndinën e gjerë të gjuhës së përzgjedhur me armaturë idesh të qëndrueshme.

Secili poet që mundohet të sjellë veçoritë vetjake të emocioneve gjuhësore për nevojat e veta kërkon simbole e mjete të ndryshme stilistike të shprehjes së kultivuar. Koloriti i leksikut të poetëve modern të kohës sonë kap performanca tipike për të shpaluar atmosferën e një ambienti ku jeton e vepron. Përdorimi i mjeteve artistike në funksion të brendisë qëllimore, të shprehjes sa më tipike të idesë, poetin e kohës sonë e degdisin nëpër të gjitha kombinimet e gjuhës dhe nëpër driblingjet figurative. Ngandonjëherë hasen edhe poezi që bëhen qëllim në vete, ose të mbyllura hermetikisht në kafazin e errët të pa kuptimësisë dhe gugatja e tyre bëhet e paqëllimtë.

Gjatë viteve të fundit kam ndeshur në veprat e disa autorëve të rinj, ose ndeshim edhe figuracione poetike të pa kuptimta që derdhen si llavë helmuese në fushën e gjerë të poezisë. Këto anomali nuk kanë të bëjnë me kërkimin sa më të moderuar të mjeteve stilistike, Ato janë të meta reflek­sive të mosnjohjes së zanatit tyre. Prirja e përdorimit të fjalëve vend e pa vend, ose duke e ndërlikuar vargun e poezisë me sintagma të amputuar pa kuptim, ka çuar në errësimin e brendisë, si dhe në anashkalimin e vetë rrjedhës së formës së saj dhe së fundi e kanë shëmtuar vetë bukurinë e artit të poezisë.

Kështu njëri prej poetëve të kohës sonë, duke dashur të shprehet sa më i veçantë, apo sa më pak i ngjashëm me poetët tjerë të kohës shkruante në një varg të librit të tij:

“Gratë si korba / Herë pas here ofkollojnë”

Në vend që të thotë gratë qyqe.

Qyqet kanë vajtuar nëpër gurët e vareve te këngët popullore për kënduar të adhuruarin e tyre dhe jo sorrat. T’i kthesh të gjitha gratë në sorra, apo korba, do të ishte një ofendim skandaloz i rëndë si dhe atak i përgjithësuar ndaj asaj gjinie ekzistuese, Andaj siç thotë poeti danez, Petar Poullsen, në një poezi të tij nga një ofendim i tillë Shoqata e grave mund të të paditë, apo edhe të kërkoj dënim me “tredhje”, nga ndjenja e mos durimit, intolerancës së tyre për ofendim të gjinisë së tyre të kundërt. Lexuesi ynë, megjithëse e ka lexuar apo e ka dëgjuar nga këngët popullore, kukatjen e qyqes, ai s’pranon në kuptimin e vetëkuptueshëm zëvendësimin e termit, në këtë rast të fjalës, “qyqe” me korb. Sepse në jetë mund të ketë ndonjë grua që të bezdis, si sorrë, e që krrokat vend e pa vend në ndonjë hapësirë jo të preferuar, e kjo anomali s’mund të përgjithësohet. Ndonjëherë hasen edhe asi lloj figurash që s’kanë kuptim fare me figuracionin e poezisë dhe sjellin konfuzion te opinioni. Lexuesi i mençur e çmon lartë poezinë si një sintezë mendimi e ndjenje, e ajo vërtetë duhet të jetë e goditur me vend dhe shkathtësi të lartë artistike. Ajo duhet të jetë kursim tërësor i shprehjes, ashtu sikur ndonjë skulpturë e dalë, e ardhur, në skenë nga “teijshkat” e shkëputura gjatë gdhendjes së një druri me kujdes të posaçëm nga dora e skulptorit të shkathtë, për dhënien e një forme të dëshiruar, vetëm ajo figura e mbetur nga gdhendja me finesat e saja cilësore të fundit, nga dora eshkathtë e artistit, sjell kënaqësi për njeriun dhe kjo mënyrë e arritur me sakrificë e durim është në njëfarë mënyre art dhe stil i preferuar. Shpeshherë dashur ose padashur në rrjetën figurative të poezisë ngatërrohen edhe prirje vargjesh e simbole të pa goditura, si mish i egër në trup të shëndosh, që nuk miklojnë, provokojnë kujtesën dhe shijen e lexuesit, me figurat dhe me lojën e fjalëve të tyre të përdorura vend e pa vend. Eksperimentimi i tepruar sjell fasadë të ftohë në ndjenjat e kuptimit të lexuesit. Maskimi i poezisë me shprehje e vargje alogjike e varfëron veprën. Poeti i mirëfilltë përherë duhet ta ketë një mesazh për të tjerët, të bëj një fluturim të largët, provokativ, madje edhe për elitën e vet, me gjurmë malli të përjetuar mirë në thellësinë e botës në kozmos. Poezinë poeti nuk e shkruan vetëm për vete, ta kthejë veten në kënaqësi narcizoide, por edhe për të tjerët, domethënë ai krijon më në fund vepra për vlera të kapshme njerëzore me një nivel dhe standard të lartë artistik. Sot në botë edhe ata poetë simbolistë që janë të vardisur nën ndikimin e filozofisë ekzisistencialiste kanë kujdes në gjetjen e shprehjes sa më bindëse për të krijuar emocione dhe refleksione të shumta te të tjerët. Prandaj mund të themi sot se poezia është një mjeshtëri e rrallë, individuale që kërkon forma dhe mjete shprehëse artistike të shumëllojshme. Vetëm atëherë kur autorët të kenë kujdes të krijojnë autoktoninë e stilit të vet adekuat të përzgjedhur e të kursyer nga flashkat e shkapërdar­dhura të pakujdesisë gjuhësore, vetëm atëherë do të dalin nga rrethi i ngushtë i gardhit të mbyllur të kufijve të izoluar të letërsisë provinciale.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora