E premte, 29.03.2024, 12:42 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Je nga fshati?!!!

E premte, 26.06.2015, 05:02 PM


Je nga fshati?!!!

Tregim i jetuar

Nga Përparim Hysi

Titulli i tregimit tim nuk është i stisur dhe as hipotetik. Përkundrazi, është real dhe pa vlera pezhorative. "Je nga fshati!" qe as më pak  dhe as më shumë ajo damka me hekur të skuqur që  u bënin sklleverëve në rendin skllavopronar. Natyrisht, një damkë e tillë ish sa e turpshme dhe aq fyese. Kjo, "damka" e tanishme, i bëhej pjesës më të madhe të popullsisë në regjimin hoxhist, i bëhej fshatarësisë. Sado me kushtetutë quheshin që të gjithë qytetarë dhe,sado që në statutin themeltar të partisë, fshatarësia qe aleat e "ngushtë" e klasës punëtore, ajo "damka me hekur të skuqur", nuk iu hoq jo vetëm nga shpina, por duket sikur iu vendos drejt e në ballë. Dhe ishte tepër fyese, por  do ta pranoje pa një e pa dy, se, ndryshe, në rebeloheshe apo në ngrije zërin,sado pak, të priste hapsana ku dinin mirë t'i këndonin "teskeretë".

Kjo" Je nga fshati" të privonte nga shumë e shumë të drejta që, duke t'i mohuar nën sloganet e partisë, befas kuotoheshin si krejt të ligjshme.  Pra, çdo rebelim ndaj këtij "ligji" të pashkruar, por kthyer në normë si slogan që vinte nga lart, merrej si shkelje ligji. Fshatarët e kishin mësuar përmendësh këtë ligj dhe as guxonin të loznin me zjarrin. Ata prodhonin grurë dhe hanin vetëm misër. Dhe jo misërvendi (që kërkojmë midenë qibare sot), por misër hibrid që të ta bënte stomakun sikur bluaje gurë. Ndaj dhe Shkodra ( ajo qe më e ndjeshmja në këto padrejtësi  që bënin mu), e quante jo misër hibrid, por ibret!!! Sado që fshati furnizonte qytetin me prodhime blektorale, fshati nuk njihte as djathë,as gjalpë dhe as gjizë. Vetëm një shishe qumësht dhe kaq.

Pra, sipas asaj gjë e gjëzës që tregojnë: mishin babai dhe kockat këlyshi.

*      *     *

Në u ndala pak më gjatë se zakonisht në këtë tregimin tim, e bëra për atë pjesë lexuesish që nuk e kanë njohur atë kohë të regjimit komunist. Unë tërë jetës jo vetëm kam punuar në fshat, por dhe kam jetuar atje. Si fshatar, atë  damkën" Je nga fshati", nuk e kam patur të "skuqur" fare, por pakëz të "përcëlluar". Them të "përcëlluar" se kam jetuar në një fshat  që ishte fermë. Fshatarët e fermës, ku e ku, qenë disi më të favorizuar: dallimi më ensencial qe, se paguheshin më mirë dhe, mbi të gjitha, nuk hanin bukëmisri. Nuk hanin "ibret". Një kooperativisti që i hapej dritajeshile për të punuar në fermë, i dukej sikur kish vënë krahë dhe po fluturonte. Nuk kish gëzim më të madh për të, kur shihte kalamanjtë e tij që hanin bukë gruri. Buka e grurit për ata me" damkë" qe ajo "Molla e ndalueme" e Migjenit në tregimin homonim. Ndodhte që fshatari kish një fëmijë të sëmurë dhe, sikur kish bërë faj, i lutej shitses për një bukë gruri, përgjigja qe e prerë:- Je nga fshati! Dhe, përsëri, më ravijëzohet Migjeni:"- Hajd, more, Zoti të dhashtë!".  Nuk kishte më fyese se kaq.

*       *       *

Fshati ynë-fermë ndahej me fshatin kooperativist si me një fije peri. Aty ku mbaronte fshati ynë, mbaronte dhe fshati fqi. Dy shinat e hekurudhës qenë  si vija "demarkacioni" për të vendosur kufinë. Ç'qe këtej shinave,qe fermë dhe,ç'qe matan shinave, kooperativë. Ne, këtej shinave (flas për pjesën e fundit të të dy fshatrave), hanim bukëguri. Dhe,po të ndodhte, që ndonjë matan shinave vinte tek dyqani ynë i bukës, shitsja, jo vetëm nuk i jepte, por ia përplaste mu në hundë:- Je nga fshati!!! "Lypsi" (tani nuk kish më ç'humbte),e zbrazte:- Pse ti nuk je nga fshati?

-E di partia.

Kaq dhe i kish thënë të tëra. Pra, ato dy shinat e hekurudhës, atje në fund të fshatit, më kujtojnë fshatin Pamuxho  që ndanë dy Koretë. Për të gjetur se kush qe Kore e Veriut dhe kush qe Kore e Jugut nga të dy fshatrat për të cilët flas,mendoj që Jugorët qemë ne, të fermës, që hanim bukëgruri. Veriorë qenë kooperativistët që hanin "ibret".

*    *   *

Kisha marrë hekurudhën dhe, tek erdha aty ku ndahen kufijtë, has një të njohurën time nga ata "veriorët" kjo që hante "ibret". Ende nuk kish filluar tufëzimi dhe kjo"veriorja" kish nxjerrë për kullotë pulat e detit. Ishte një tufë e tërë dhe unë, si vendali i të dy"Koreve" që jam, nuk lë njeri të gjallë pa përshëndetur, por dhe për t'i ngacmuar edhe në "intimitete" qofshin me zarar. Se "dy Koretë", për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin, janë dy fshatrat e mi, në rrethin e Fierit: Petova dhe MBrostar-Ura. Se dhe ngjarjet atje zhvillohen. Për të gjetur statusin e tyre,se cilës "Kore" i përkasin, ju them vetëm kaq:Petova ka qenë kooperativë  dhe Mbrostar-Ura, fermë. Duke ju qasur të dhënat për fshatrat, ju tregoj dhe statusin tim. Kam lindur në Petovë dhe kam punuar atje  për njëzet e pesë vjet, kurse në Mbrostar- Ura kam jetuar për pesëdhjetë vjet. Pra, jam i të dy "Koreve" dhe me të gjithë bashkëfshatartë e të "dy Koreve" kam pattur mardhënie shumë të ngrohta. Kjo që po ruante tufën e pulave të detit, e njohura ime nga Petova.U përshëndetëm dhe nuk ndënja pa ia kujtuar:- Aha, nuk të dha shtisja bukëgruri!!!- e rëmova unë.

-Eh,je nga fshati,- më tha jo.Për një copëbukë që me lekë e ble. Po se mos ka faj shtisja?!!

-Po sikur ta rregulloj unë që të marrësh bukëgruri,e bën kurban një nga ata,gjelat e detit?

- Në vend,- u zotua ajo.

*    *   *

Për t'u bërë nga "Koreja e jugut", duhej një vërtetim nga kryetari i këshillit. Mirëpo kryetari ynë i përmbahej ligjit dhe nuk lëshonte pe. Si mund të shkelej ligji?!!! I shkova në zyrë dhe i gjeta me sekretarin. Nuk kish se ku mund të vinte më mirë. I takova dhe, si u ula në një nga karriket e zyrës,e zbraza kërkesën time. Unë e dija që atyre kish kohë që u kish dalë turpi për "ynere" të tilla, ndaj fola hapur fare:

-Do t'ju çoj në një vend për darkë. Kini për të ngrënë një gjeldeti dhe nga ju kërkoj që ajo familja të marr bukëgruri në dyqanin tonë. Sado që jetonim në "Korenë e Jugut", mishi ishte shumë i rrallë dhe, këta të dy,sa dëgjuan ofertën time, pashë që goja u shkoi vesh më vesh.

E thënë, e bërë. Nuk e lashë që të ftohej pilafi, por, sa u err (punët e "bukura" natën bëhen), u rashë përpara shokëve të pushtetit dhe, si kalova "Pamuxhonë", çava pyllit me dafina dhe, kur iu afrova shtëpisë, thirra për të zotin. Doli dhe, si na priu përpara, na futi në dhomën e pritjes. Aty,pasi bëmë përshëndetjen e rastit, vura re që nikoqirja e shtëpisë po shtronte tavolinën. Një nga ato tavolinat  e asaj  kohe me hapje të dyfishtë. Qemë vendosur përballë: pushteti me tagër"Kore e jugut" dhe unë me të zotin e shtëpisë,  me "Korenë e Veriut". Si "Pamunxho" qe tavolina në mes. Gotat e rakisë plot dhe u ngritën shëndete. Si meze, një zog i skuqur. E shihja që "pushteti" nuk po ndihej mirë. Vetëm një zogfushe për të marrë"licencë" për bukëgruri qe fare pak. As kryetari dhe as sekretari nuk ndihej mirë. Lëviznin sikur po i hanin pleshtat. Po dhe unë "Veriori" në atë pozitë qeshë. Se premtimi qe për gjeldeti dhe jo për kaq. Ndërkaq,  si në ato përrallat që nga realiteti, hyn në jë botë të magjishme, ndodhi "mrekullia". Para " Koresë së jugut" u sevir një gjeldeti i pjekur për merak, sa, kur u  vendos mbi tavolinë, ne të"Koresë së Veriut" nuk i shihnim ata matan. Por më e bukura qe,se dhe ne,"veriorë", nuk e hëngrëm thatë. Për ne, një gjel tjetër. Me të vëretë një bollëk që nuk pritej. Ca nga rakia dhe ca nga bollëku që qe përpara, kryetari aq u ndez, sa e zbrazi:- O të keqen, o Papi! Papi, kuptohet, që isha unë që mos qofsha! Po nuk kisha si ai bëja ndryshe. Rakia i shkoi në kokë kryetarit qejfli dhe ia thirri këngës. Qe bërë tym! Unë po mendjen tek ajo shkresa për bukëgruri dhe ai:-Ore, për ca shkrese flet? Pse kaq? Mbase kanë  dhe ndonjë hall tjetër,se  nuk kemi vdekur akoma ne?

Unë,si për t'ia zënë  në grykë ato që po hante, flakë për flakë, i thashë:-Duan dhe një fletëpune për çunin.

I bërë tym, premtoi:-Hajde nesër ta marrësh.

Ia bëmë tym (sa lehtë është të ngrohesh në konakun e botës) dhe, tek po ktheheshim "këtej shinave",  u them të dyve:- Rrofshi,  se e mbajtët fjalën, vetëm një kërkesë kam:-Ju lutem mos merret  vesh ky "allishverish", se, po u mor vesh, me të vërtetë që do ndihem keq. U ndamë duke i uruar njëri-tjetrit natën e mirë.

*      *      *

Jo më vonë se të nesërmen në mëngjes, tek hyra tek klubi i fshatit, më afrohet një nga bashkëfshatarët dhe më thotë, pakëz si veçan:-  Edhe unë kam një hall si ai brendshmi, ty të shkon "zanati" dhe ndoshta ma rregullon.

U ndjeva, me të vërtetë, keq.

-Ore,- i  them,- kush të tha që më shkon "zanati?!"

-Kryetari,- më tha. Na kënaqi Papi mbrëmë dhe nga a-ja deri tek zh-ja. Nami im që më "shkonte zanati" kish vajtur matan Mollës së kuqe dhe tërë kjo "zallamahi" veç për një copë bukëgruri. Ja, kjo qe historia që sot duket si e shpikur. Jo nuk është historia ime fare e shpikur, por një e vërtetë në atë kohë të shpifur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora