E enjte, 25.04.2024, 12:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Maxhun Osmanaj: Dallëndyshet e qiellit poetik

E enjte, 25.06.2015, 07:48 PM


DALLËNDYSHET E QIELLIT POETIK FLUTUROJNË NË SHPIRTIN E  LEXUESIT

Vështrim rreth librit ‘‘Dallëndyshet e erës’’, poezi, ADA, nga Pëllumb Gorica

NGA MAXHUN OSMANAJ

Kur më ra në dorë (nga një mik) libri i mikut krijues, tiranas, Pëllumb Goricës, kureshtja më mbërtheu dhe s’u durova pa e lexuar pak më shpejt se të tjerat, për faktin, jo që të jetë vetëm lexim si relaksim, por më shumë si kureshtje, si hulumtim, si vëzhgim duke provuar të kërkoj veçanti, ku m’u ofrua në mendje një ide-kërkesë për të lexuar këtë poet?! Pëllumb Goricës ia kisha lexuar në shtypin e shkruar dhe portale krahas të tjerave dhjetëra poezi, të cilat më kishin lënë përshtypje në ide dhe porosi se ky poet nxjerr nga laboratori krijues vargje mjaft mbresëlënëse dhe me enigmën e jetës, ai gdhend aq bukur dukuritë sa të shtyjnë t’i përjetosh si nektar.

Duke lexuar vëllimin poetik “Dallëndyshet e erës’’, poezia e tij na vjen si një komunikim me lexuesin në dy rrafshe; në rrafshin përkushtues ndaj disa emrave, për të cilët autori ka një ndjeshmëri më  të spikatur, adhurim dhe në rrafshin tjetër, komunikim me kohën e shkuar si një dhuratë e çmuar që përherë ruan në mbamendjen dhe në shpirtin e tij që kurrë  nuk i del “afati’’. Kështu libri, që në faqen e parë hapet me përkushtimin; Laertës e Keidës, buzëqeshjet e të cilave janë më të bukura se të gjitha poezitë. E shkuara e poetit, qoftë fëmijëria, qoftë grimca autobiografike në mënyrë të drejtpërdrejtë grishin autorin për të thënë atë që s’mund të ‘’rrijë rehat’’, pa ngacmuar në formën poetike kohën e ikur, ku nostalgjia, malli, dhembja, kalërojnë indin poetik të poezisë. Te vargu poetik i Goricës hetojmë edhe disa veçori; rrëfimi poetik është i mbuluar me një ndjenjë skofiare - humane, të qetë, të butë, pa një gradacion dhe pa një stil, thuajse të rrufeshëm, siç hetohet të disa poetë me një stuhi a vërshim poetik. Gorica ecën me mendimin ashtu të qetë si një urtak që të përvetëson me aromën dhe nektarin poetik që mund t`i gjesh gati në çdo poezi. Nganjëherë mendojmë se pikërisht titulli “ Dallëndyshet e erës” janë ato poezi që i ngjajnë dallëndysheve (mbretëreshave të qiellit) që pushtojnë atë me dasmën e tyre fluturuese. Autori krahas një kënaqësie shpirtërore me njerëzit, me jetën, ai di të marrë në shënjestër edhe njerëzit që duhen etiketuar për dukuritë negative që iu ofrojnë shoqërisë, për njerëzit që s’duhet të jenë në mesin tonë.Poeti është i vetëdijshëm që sikur brenda shpirtit luftojnë fenomenet, format e ashpra, ashtu në jetë, në botë “ Bukuria, një fjalë që të mrekullon! Brenda saj gëlojnë mahnitje dhe mistere.” Ai e kupton bukurinë si gjënë e madhe shpirtërore që ka fuqi rrezatuese, por brenda saj ka mistere që ne nuk i njohim dhe na trondisin ngase; ,“Sikur në Botë në një çast të vockël, jeta të ndërtohej vetëm nga bukuria, ky do të ishte gëzimi i përbotshëm edhe pse kjo botë ka mrekulli me mijëra”. (Me emrin e saj). Poeti e kupton se bota nuk është e ndërtuar vetëm prej bukurisë, poenta e poezisë qëndron në atë se jeta nuk duhet shikuar kurrë vetëm zi apo bardhë, por ajo ka ngjyrat e saj, ngjyrat e shpirtit që reflektojnë me kënaqësinë e vet në mënyrën se si i shikojnë dhe i përjetojnë këto ngjyra (Drama apo skena jete). Gorica nuk i nënshtrohet fatit të asnjë skene, as jetës çfarëdo qoftë ngase në shpirtin e tij “Jetën e shikoj si një bard, zinxhirët kurrë si kam pranuar” (Pres mëngjeset mbi bedena).

Forma e komunikimit tek poezia e Pëllumb Goricës është më shumë ndjesore dhe emocionale sesa një patos i zjarrtë. Pra, autori duket si një urtak poetik që shkel qetë mbi fushën e mendimit pa lënduar dhe gërvishur idenë, por duke i dhënë porosi ndijimit dhe kënaqësisë, qoftë personale apo kolektive. Autorin e tërheq aty këtu edhe tema sociale p.sh tek poezia “Fshehur ditëve që kanë ikur”., ku ia kushton një lypësi për të cilën autori me mjeshtëri dhe ide mjaft e nivelizuar skalit portretin e jashtëm dhe të brendshëm, ku thotë “Ngjason si plak ndonëse i ri, trishtimet të mbulojnë, se qielli i moshës është i zi, për të diejtë nuk ndriçojnë.” Dhe këtu poenta e poezisë mund të kuptohet si shfryerje, mallkim, keqardhje ndaj lypësit që paraqet një anë të errët të jetës sociale, me një figuracion të pastërt veshur me metafora, epitete, autori arrin të përçojë indin poetik të dhembjes. Eshtë  e veçantë se autori u kushton poezi edhe miqve të rremë, të cilët me falsitetin e tyre synojnë të shtiren si miq, ku atyre ua ‘’dhuron’’,ndonjë mallkim; “ata janë të ligë,më shumë, si ujku i përrallës këmbëbardhë!, U tretshi si reja në qiellin blu, në ditën e fundit të  verës!’’ (Joshje u dhëntë buza e humnerës!) apo ai ia kushton një poezi; “ Kur s’ke ç’të thuash’’ (Një pedofili në gjyq). Gorica nuk hesht qoftë edhe ndaj njerëzve pa dinjitet, qoftë dukurive negative. Ndërsa tema e dashurisë nuk mund të anashkalohet si te asnjë poet, edhe Gorica e trajton në mënyrën e gërshetimit si ylber ngjyrash pas shiut të qetë, të prajshëm. Ndër poezitë përkushtuese, autori ua kushton emrave që kanë lënë gjurmë në artin letrar-poetik apo pamor, si p.sh, përkushtime për; “Fryma jote rreze dielli’’(poetit Milanov Kallupi),“Nën peshën e qiellit’’, (poeteshës Iliriana Sulkuqi),“Mikes poete’’,(Migena Arllatit),“Kitara e Jusuf  Gërvallës’’, “Telajo e ëndrrës’’, (Piktorit të Popullit, Vangjush Mio), si dhe vendlindjes, Sulovës së tij të dashur, Kalasë se Prizrenit, tragjedisë nga orteku në Dragash të Kosovës, ngjarjeve  të vitit ‘97 në qytetin e Cërrikut, dhe shumë përkushtime të njerëzve që i kanë lënë mbresa. Ai është poet i mbarë gjeografisë shpirtërore shqiptare që nga Prizreni i Kosovës, të Sulova e tij e dashur, e çmuar e deri  në Gjirokastër. Atë e joshin dëshmitë dhe shenjat historike të çdo pëllëmbë shqiptare. Me frymën e lehtë pranverore komunikon edhe me stinët, edhe me njerëzit. Kur komunikon me të kaluarën, na bie në sy poezia me mjaft prurje dhe vlerë stilistiko - metaforike ku përmes gjuhës përmbush atë dhembjen e kohës që iku dhe të gjithëve na sëmbon vazhdimisht ku thotë: “Iku larg e më s’u kthye… si fustan vejushe nxirë”. Me figurat letrare: metaforë, epitet, krahasim gdhend dhe jep atë tisin nostalgjik ku aq bukur pushon mendimi për kohën e ikur.

Vargjet e Pëllumb Goricës përmbushin kritetret që mund t’i quajmë modern, por që korrespondojnë edhe me traditën. Gjuha figurative të mbanë pezull dhe është një stoli e stilit dhe idesë siç thekson edhe redaktori i librit, Agim Bajrami:“…të bënë përshtypje figura e tij origjinale dhe fraza e plotë dhe e figurshme, dinamika dhe intensiteti poetik”. Pas mbarimit së lexuari të këtij libri mendojmë se Pëllumb Gorica vjen me një zë original, me një tingull poetik dhe guximshëm hyn në botën poetike.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora