E premte, 03.04.2020, 05:39 AM (GMT+1)

Intervista

Ajete Zogaj: Intervistë Ekskluzive me Prof. as. dr. Begzad Baliun

E shtune, 26.07.2008, 08:00 PM


Begzad Baliu
GJENDJA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE SOT

Intervistoi: Ajete Zogaj - Zemra Shqiptare

Pyetje: Z. Baliu, cili është sot interesimi për gjuhën shqipe dhe për albanologjinë në botë?

Baliu: Interesimet për gjuhën shqipe janë të mira. Numri i vogël i katedrave dikur të hapura kryesisht në zonën Lindore të globit, që nga Sofja deri në Pekin është shtuar me katedrat, lektoratet e kurset edhe në Perëndim. Po kështu mund të thuhet për numrin e të interesuarve për mësimin e gjuhës shqipe. Është shtuar numri i të interesuarve për mësimin e gjuhës shqipe në Seminarin e Prishtinës, është shumëfishuar numri i studentëve për kurset e gjuhës shqipe që studiojnë ballkanistikën, etnografinë, historinë etj. Viti i fundit i Seminarit ka qenë mbresëlënës sidomos për pjesëmarrjen e studiuesve të rinj në sesionin shkencor, si me numrin e tyre ashtu edhe me konceptet e reja shkencore të cilat i sollen në fushë të studimeve albanologjike.

Mëgjithatë më vjen mirë që gjuha shqipe tash nuk është vetëm referencë e mësimit të një gjuhe për nevoja të ngushta të rretheve shkencore, por edhe për interesa më të gjera. E kjo do të thotë se shqiptarët në Evropë e më tutje janë bërë faktor të rëndësishëm kulturor, politik, ekonomik dhe historik.

Interesimi i shtuar për gjuhën shqipe, ndërkaq, nuk nënkupton edhe interesimin për albanologjinë. Po të përjashtohet leksikografia, si një prej fushave për të cilën ka interes tregu i brendshëm dhe i diasporës, për fushat e tjera të dijes, në albanologji interesimet janë kryesisht individuale, ndërsa edhe ato qendra albanologjike në Evropë (Vjenë, Grac, Munih), që dikur ishin sinonim i studimeve albanologjike, tashmë janë përkushtuar në rritjen e numrit të pjesëmarrësve thjesht për mësimin e gjuhës shqipe.

Dekadën e fundit, falë hapjes së rrjetit elektronik, komunikimi mes albanologëve është dendësuar dukshëm. Informacionet në fushë të albanologjisë për botimet shkencore, konferencat, hulumtimet dhe rezultatet e reja arrijnë mbrenda ditës nga njëri studiues tek tjetri, por për faq të keq kryesisht mes individëve, sepse institucionet tona shkencore ende nuk janë përgatitur të marrin dhe të përcjellin zhvillimet albanologjike në botë.

Pyetje: Sa po arrijnë albanologët t’iu përgjigjen kërkesave të epokës së globalizmit?

Baliu: Përgjigjja nuk mungon, por e rrudhur dhe e përgjysmuar. Në fushë të leksikografisë (kryesisht në fjalorët dygjuhësor), janë shënuar rezultate të mira, por brenda saj ka nevojë të botohen më shumë doracakë dhe gramatika të shqipes për të huajt. Për një rreth më të gjerë interesimesh janë shumë të nevojshëm korpuset e leksikonëve historikë dhe bashkëkohorë. Mirëpo këtë nuk mund ta përballojnë vetëm individët. Është e nevojë e ngutshme puna në ekipe për projekte të caktuara. Popujt e tjerë kanë dëshmuar se projektet e interesit nacional donë jo vetëm përpjekje të përbashkët të studiuesve dhe institucioneve shkencore, por edhe punë të vijueshme të disa brezave. Merreni shembullin e përgatitjes së Fjalorit të gjuhës rumune dhe sidomos Fjalorit etimologjik të bullgarishtes, në të cilin ende po punon një ekip studiuesish. Merreni shembullin e sllovakëve, të cilët vetëm disa vjet pas ndarjes nga çekët bënë fjalorin etimologjik të tyre në dy vëllime.

Ne ndërkaq, pikërisht pse kemi punuar kështu, individualisht, ende nuk kemi një vepër të plotë të karakterit akademik dhe nacional: Historinë e popullit shqiptar, Historinë e letërsisë shqipe, Historinë e albanologjisë, Gramatikën normative të shqipes (kujtoni faktin se në prag të përfundimit të këtij projekti u menjanua pjesa e fonetikës, disa thonë për shkaqe tepër meskine), Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (formati i madh), e të mos flasim për një fjalës gjithëpërfshirës të leksikut të shqipes, Fjalorin e toponimisë shqiptare, Fjalorin e antroponimisë shqiptare, i cili do t’iu përgjigjej nevojave tona të natalitetit, Leksikonin historik të popullit shqiptar dhe leksikonët e kësaj natyre për fushat e caktuara të gjuhës, letërsisë, kulturës, arkeologjisë, historisë dhe madje të folklorit, të etnografisë e të mitologjisë. Mos të harrojmë se të gjitha këto nuk paraqesin vetëm studime, më parë kemi të bëjmë me korpuse lëndësh dhe njësi informative. E veprat e këtilla nuk bëhen prej vullnetit individual të studiuesve, po prej angazhimit ekipor të disa studiuesve, disa institucioneve dhe madje disa brezave. Veprat e tilla, në të vëtetë nuk mund të përgatiten nga studiuesit që hynë e dalin në institucione shkencore, pa lënë një dosje në arkivat e tyre; këto nuk bëhen pa hulumtime në bibliotekat dhe arkivat, së paku nacionale; nuk bëhen nga studiuesit që shkojnë në pension duke përsëritur ato që ua ka lënë amanet mentori i tyre; nga studiuesit që në vitrinën e librave të shtëpisë mund të vendosin vetëm vepra që kanë njëkohësisht edhe kopertina të mira; nga studiuesit që nuk kanë idenë për botimet e fundit në fushën profesionale; apo nga ata që edhe lekturën shkollore të fëmijëve e mbajnë nën shtrat, në tavan të banesës a në garazhdë të veturës!

Ne ndërkaq ende jemi në fillim të këtyre projekteve. Ende kemi nevojë për botimet informative të karakterit bibliografik. Jo vetëm nuk e kemi projektuar Enciklopedinë nacionale, por  nuk e kemi përgatitur së paku një Leksikon të kësaj natyre për Kosovën. Dhe deri sa ne të sillemi me këtë komoditet është e natyrshme që në Enciklopedinë britanike emri i Kosovës të shënohet edhe Kosmet (madje disa herë), etnonimi shqiptar të shënohet i shoqëruar me cilësorin musliman, ndërsa fotografia e vetme e kësaj hapësire të jetë Manastiri i Graçanicës, foto e Tanjugut.

Pyetje: A është kjo arsyeja pse ju keni botuar një studim për krizën e albanologjisë dhe të institucioneve të saj?

Baliu: Jo. Për gjendjen klinike të institucioneve albanologjike ndër ne ka shumë arsye të diskutohet, por teksti im nuk kishte të bënte me këtë. Në 50-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës botova një artikull në të cilin mbaja një qëndrim kritik ndaj kërkimeve tona të gjertashme shkencore në fushë të albanologjisë (sidomos në histori, në gjuhësi dhe në folklor) dhe më doli se për shkak të metodës me të cilën po u qaseshim këtyre fushave, ne jo vetëm nuk sillnim rezultate të reja, por vazhdonim të emitonim, e madje edhe përsërisnim njëri – tjetrin.

Metoda historike, në të shumtën e rasteve deskriptive, tashmë e njohur vetëm si shkollë historike në Evropë, me të cilën ne vazhdojmë t’i qasemi albanologjisë, nuk sjell shumë gjëra të reja, ndërsa shkollat e reja (strukturalizmi, gjenerativizmi etj.) të cilat shumë dekada ligjërohen në shkollat gjuhësore evropiane (me përjashtim të Prishtinës, ku është ligjëruar që nga vitet ‘70) sa kanë filluar të bëhen fusha të dijes në universitetet shqiptare. Kjo është arsyeja pse atëherë artikullin tim e mbyllja me lajmin për krizën e albanologjisë, në të vërtetë të metodës së saj.

Pyetje: Në rrethet tona shkencore zakonisht kritikat janë të padëshirueshme. Si u pritët Ju?

Baliu: Për të qenë më i saktë, unë nuk kritikova, por mbajta qëndrim kritik. Më parë sesa qëndrim kritik, madje kam dashur që të nis një dialog serioz në jetën tonë shkencore, por si në të gjitha fushat e jetës komunikimi mes nesh është rrudhur në tryeza kafenesh, në tryeza klanesh, dhe madje në rrethe adminstrative të atyre që janë bërë peng jo vetëm të reformave institucionale, por edhe të kërkimeve të reja shkencore. Në meset shkencore, kam pasur mjaft vlerësime të mira, por mendoj se diskutimi më serioz ka ndodhur në Institutin Albanologjik ku është debatuar ‘nëse ky tekst i lexuar në Konferencën e 50-vjetorit të tij, duhej të botohej apo jo në vëllimin e kësaj Konferenceje’! Në Tiranë, gjithashtu, është botuar në disa gazeta ditore. Pas shpërndarjes së saj në Alb-shkenca, në adresë personale, kam marrë disa urime dhe kërkesa për shkoqitje shtesë.

Pyetje: A mund ta konkretizojmë këtë më përafër me disa probleme themelore në studimet albanologjike? Kohëve të fundit është rikthyer diskutimi për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, flitet madje për rrëzimin e tezës së Profesor Eqrem Çabejt nga Nermin Falaci! A mund të na thoni diçka më shumë për këtë çështje?

Baliu: Le të shkojmë me radhë. Së pari, koncepti i Hahnit për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar dhe e një lagjeje gjuhëtarësh arbëreshë (kryesisht rilindës), nuk ka të bëjë me konceptin e disa ‘studiuesve’ shqiptarë të kohës sonë për gjuhën shqipe si nënë e gjuhëve të botës! Dija e romantikëve tanë shkonte deri aty ku kishte arritur dija e shkollës historike evropiane dhe ishte transformuar në hap me të. Jeronim de Rada dhe Naim Frashëri ashtu si edhe Hahni besonin në tezën e kohës për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, por kur thememluesi i albanologjisë shkencore Gustav Majeri erdhi në përfundimet e tij për prejardhjen ilire të popullit shqiptar Ndre Mjeda e përkrahu atë në të njëjtën kohë. Tjetër është diskutimi për prejardhjen trake apo trako-ilire të një shtrese të toponimisë, që ishte dhe mbetet e diskutueshme edhe sot.

Po të bëhej një prerje e hipotezave për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, atëherë të gjitha këto do të ndaheshin në disa grupe: hipoteza pellazgjike (Hahni); hipoteza trake (H. Hirt, K. Pauli, Henrik Bariq dhe sidomos Gustav Vajgandi, i cili është autor i traktatit të saj); hipoteza iliro-trake (Norbert Jokli, Karl Paç) dhe hipoteza dako-mize (Vladimir Georgiev). Një hipotezë interesante është edhe ajo e Benvenistes dhe e Hampit: ‘shqipja, as ilirishte as trakishte por një protoshqipe-albanoid’.

Edhe njëri prej ndërtuesve më gjigant të hipotezës ilire të prejardhjes së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe Eqrem Çabej, në korpusin e madh të “Studimeve etimologjike në fushë të shqipes”, periudhave të lashta të shqipes iu referohet si “perioda historike” deri në indoevropianishte.

Përgjithësisht diskutimi për prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar në shkencën e albanologjisë vendore ka përfunduar në gjysmën e parë të shekullit XX, me veprën e Profesor Çabejt “Elementet e gjuhësisë e të literaturës shqipe» (1936), kur ka theksuar nevojën e menjanimit të teorisë pellazgjike. Një përpjekje për ta rikthyer tezën pellazgjike, madje në rrugë politike është bërë në fillim të viteve ’60, kur Spiro Kondo botoi veprën “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, por ishte merita e Profesor Eqrem Çabejt dhe e Profesor Selaman Rizës, të cilët patën guximin intelektual dhe shkencor për të kundërshtuar recensimin e saj: i pari duke e heshtur, ndërsa i dyti duke iu përgjigjur me një recension të rreptë shkencor, çfarë dinte t’i bënte vetëm penda e Profesor Rizës. Kujtoj se kjo ishte sprova e fundit për institucioanlizimin e këtyre koncepteve përmes linjës politike. Përpjekjet e sotme ala Katapano dhe ato të Nermin Vlora Falacit nuk mund të diskutohen as në kontekstin e djeshëm dhe të sotshëm shkencor të zhvillimeve albanologjike. Prandaj nuk mund të flitet për kurrfarë rrëzimesh të tezave të Profesor Çabejt, të cilat njëkohësisht janë edhe teza të albanologjisë.

Pyetje: Si të shpjegohet vërshimi i shkrimeve të kësaj natyre?

Baliu: Pellazgët janë një mit si të gjitha mitet. Në fund të shekullit XX, ashtu si edhe një shekull më parë, shqiptarët u gjetën në situata të vështira ekzistenciale. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin shqiptarët kishin nevojë për mitin e origjinës, për mitin e Pirros, Mbretëreshës Teutë apo për mitin e Skënderbeut, dhe është mirë që janë gjetur shkrimtarë e publicistë e madje edhe politikanë, të cilët kanë sforcuar shpirtin e shoqërisë shqiptare qoftë edhe përmes kultit të origjinës, gjuhës, moralit, besës, etj., të këtij populli që nuk arrinte t’i plotësojë dot nevojat jetësore për gjërat elementare, e megjithatë nuk dëshironte të humbte krenarinë e të qenit shqiptar.

Tekstet e kësaj natyre janë shkruar në këtë kontekst, dhe nuk kanë pasur ndonjë arsye që të priten me shqetësim, por kur ato kanë pretenduar që të diskutohen edhe në konferenca shkencore atëherë kanë marrë përgjigjen e duhur. Kur të kihet parasysh se me mitet dhe kultet e kësaj natyre nuk është dhunuar në asnjë mënyrë ndjenja kombëtare, gjuhësore, kulturore, etike dhe etnografike e asnjë populli, dhe kur të kihet parasysh se këto koncepte ‘shkencore’ prezantohen dhe ‘diskutohen’ zakonisht në disa faqe interneti apo gazete lokale të diasporës, nga ‘adhurues’ të disponuar për të mbatjur të ndezur krenarinë kombëtare, deri më tash nuk ka pasur arsye të forta që të ngritemi me ngulm kundër tyre. Pavarësisht nga kjo, tashmë që edhe faqet elektronike kanë filluar të bëhen referenca serioze të mendimit shkencor, është mirë që kohëve të fundit mendimi kritik ka zënë rrënjë edhe këtu. Mendoj se Alb-shkenca po bëhet një shembull i mirë.

Kjo stuhi, më në fund ka pasur partizanët e saj edhe tek popujt evropianë me një traditë më të madhe shkencore, dhe i ka edhe më tej tek fqinjët tanë, mitet e të cilëve kanë nxitur dhe madje prodhurar luftëra të përgjakshme.

Pyetje: Sa i dëmtojnë mitet e shqiptarëve marrëdhëniet me fqinjët?

Baliu: Të gjithë popujt kanë nevojë që në situata të caktuara të përdorin mitet e tyre apo t’i ngrejnë në kulte disa prej veçorive të tyre qofshin edhe krejt bashkëkohore. A nuk e keni vënë re mitin e papërkulshmërisë dhe kultin e krenarisë së të qenit amerikan, që ditën e 11 shtatorit. Prej kësaj logjike nuk mund të përjashtohet as populli shqiptar. Veçori e miteve shqiptare është se shqiptarët nuk kërkojnë që kufijtë e tyre të shkojnë në kufij të Ilirisë, deri te varri i Mbretëreshës Teutë, deri te beteja e fituar a e humbur e Skënderbeut etj. Nëse shqiptarët thonë se këtu ishin para serbëve, kjo nuk do të thotë se ata kërkojnë njëkohësisht edhe përjashtimin e tyre nga kjo hapësirë. Shkenca indoevropiane e ka caktuar kohën e depërtimeve sllave në Ballkan dhe albanologjia nuk ka nevojë të merret me këtë, mjafton t’i referohet asaj.

Shqiptarët, në përgjigje të miteve greke, ka disa vjet që kanë rikthyer konceptet e Falmajerit për origjinën greke dhe kanë ngritur tezat e tyre për përkatësinë kulturore dhe gjuhësore të disa njësive leksikore dhe figurave mitike greke, mirëpo në këtë mënyrë më shumë se ndarje po krijojnë afri. Pavarësisht prej dallimeve, kultura helene dhe ilire në njërën anë dhe kultura latine e ilire në anën tjetër, kanë shumë lidhje afrie dhe interesi ynë nuk është që kjo lidhje të jetë përjashtuese (si e para apo e prejardhur), por si interferencë kohore mes gjuhëve dhe kulturave të lashta.

Ndonëse me një metodë tjetër dhe me koncepte krejt të ndryshme nga këto që kemi sot, që në kohën e Rilindjes disa studiues arbëreshë, kishin nxitur studimin e marrëdhënieve gjuhësore, kulturore dhe sidomos etnografike mes grekëve dhe shqiptarëve. Për një kohë shumë të gjatë, sigurisht si rezultat i konflikteve të krijuara pas Krizës Lindore e këndej, këto studime sikur janë lënë mënjanë. Pas më shumë se një shekull vepra e Ismail Kadarese “Eskili ky humbës i madh” ka hapur një portë rrënjëse në studimet etnokulturore mes këtyre popujve, e cila duhet të zgjerohet dhe të thellohet me ngulm, jo për hir të letërsisë artistike greke të antikitetit, por për shkak të traditës së lashtë të pashkruar shqiptare. Nuk guxojmë t’ua lëmë vetëm grekëve atë thesar të artë, por as nuk guxojmë ta kërkojmë duke i përjashtuar ata. Ajo është tradita, shtrati i pranuar i civilizimit evropian. Grekët kanë atje gjuhën e shkruar, traditën, teatrin, etnografinë dhe kanë ruajtur në mënyrë të pandërmjetme vijimësinë e këtyre referencave, ndërsa ne kemi ruajtur me gjelozi reliktet e saj, vijimësinë etnografike dhe një ndërdije të banorëve të zonave epike (në një zonë që nuk ishte asnjëherë në kufi me grekët), disa shenja gjuhësore, kulturore dhe madje psikologjike të sjelljes. Grekët shumë kohë më parë kanë fituar qytetarinë evropiane dhe botërore të kësaj trashëgimie dhe nuk është interesi ynë të hyjmë në konflikte të tilla. Interesi ynë është që të jemi të pranishëm atje përmes elemente simbiozë të familjes indoevropine. Rilindasit tanë kishin të drejtë. Është shumë e rëndësishme që të jemi aty, bashkë, në themelet e trashëgimisë dhe civilizimit të Evropës së Bashkuar. Jemi të vetmit popuj të Evropës Juglindore, të cilët mund të luajmë në të njëjtin teatër me shumë relikte të civilizimit antik. Unë besoj se edhe grekët janë të vetëdijshëm për këtë. Afria e tyre me serbët është e re dhe e përkohshme, ajo është pjellë e re e fundamentalizmit ortodoks. Serbët nuk kanë çka t’i ‘falin’ popullit grek, veç interesit të tyre për të depërtuar në portat e Selanikut.

Origjinën e lashtë të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, më në fund, nuk e dëshmojmë duke e predikuar prejardhjen e të gjitha gjuhëve të botës nga gjuha shqipe! Mjafton të dëshmojmë se një grusht fjalësh të shqipes janë të moshës së greqishtes së vjetër, se një lagje fjalësh e krishtërimit të hershëm janë të latinishtes dhe se në shqipe kanë hyrë para se të hynin në sllavishte dhe në rumanishte, për të përcaktuar lashtësinë tonë në këto tërthore të moçme të Evropës Juglindore. Më në fund mjafton t’i referohemi Enciklopedisë linguistike të Kembrixhit, ku shqipja është vendosur në mesin e nëntë gjuhëve të veçanta të familjes indoevropiane dhe të mos kemi nevojë të shkojmë më larg.  

Pyetje: Përmendët terrenin dhe arkivat. Ç’keni përfituar ju në kërkime të kësaj natyre dhe sa punoni ju në këtë drejtim?

Baliu: Nuk mund të lavdërohem shumë. Kujtoni faktin se brenda këtyre dhjetë vjetëve, që kur kam filluar punën kërkimore-shkencore, kemi pasur një luftë çlirimtare, ku kërkimet në terren kanë qenë me rreziqe. Përveç kërkimeve shkencore në ekspeditat e përbashkëta të Institutit Albanologjik në disa krahina etnografike të Kosovës, vetë kam punuar gjatë në krahinën e Gallapit, e cila përfshin pjesën më të madhe të Kosovës Verilindore, dhe prej materialit onomastik të mbledhur kam përgatitur tezën e disertacionit “Onomastika e Gallapit”, ndërsa tashi punoj në një projekt tjetër, “Fjalorin historik të Gallapit”. Nga kërkimet ndër arkiva, do të veçoja hapjen e dosjes së autorësisë së “Bibliografisë së Skënderbeut”, të cilën pjesërisht e kam botuar këtë vit ndërsa versionin e plotë do ta botoj në të ardhmen. Unë në të vërtetë, thjeshtë kam botuar materialet e arkivit personal të Profesor Jup Kastratit, por ‘përgjigjja’ e Kasem Boçokut, aspak e denjtë për dialogun shkencor, meriton një vepër tjetër, një vepër me të cilën Kasem Biçoku do të marrë ‘të ligat’ e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre kanë keqpërdorur mundësitë e tyre të përkohshme politike, klasore dhe klanore, për të dëmtuar, atakuar dhe përvetësuar veprat e të tjerëve. Arkivi i Profesor Jup Kastratit, arkivi i Profesor Selman Rizës, dosje të tëra të Arkivit Shtetëror, dhe shumë arkiva të tjera personale, do të thonë shumë në të ardhmen. Sot vetëm mund të merret me mend mënyra se si është përvetësuar vepra e Selman Rizës, si është keqpërdorur dorëshkrimi (madje në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë) i veprës së Profesor Jup Kastratit “Faik Konica” derisa ka hyrë në shtyp dhe si është dëmtuar derisa ka dalë nga shtypi, si është përdorur “Vepra filologjike e De Radës”, ndonëse ende nuk e ka parë dritën e botimit, si është keqpërdorur vepra leksikografike e Benedikt Demës dhe e Tahir Dizdarit, si është ‘cituar’ Fjalori i orientalizmave, dhe fjalorë të tjerë në dorëshkrim pas Luftës së Dytë Botërore, si janë përvetësuar pjesë të studimeve në dorëshkrim të Filip Fishtës e të tjerëve që me vite prisnin botimin e tyre.

Fjala është për një temë e cila më ka preokupuar që kur kam filluar të merrem me më përkushtueshëm me probleme të historisë së albanologjisë dhe kam vënë re se si disa studiues kanë vjelë nga të tjerët mendime, koncepte, fjali, paragrafe, e madje edhe vepra të tëra, si të vilnin prej kopshtit të babagjyshit. Për fat të keq këtë e kanë bërë edhe studiuesit, përkatësisht albanologët, pa të cilët nuk mund të shkruhet albanologjia. Nëse studiuesit nga Kosova merrnin nga botimet shkencore duke menduar se vetëm ata ishin privilegjues të përjetshëm të përdorimit të botimeve të huaja, apo merrnin prej botimeve shkencore të botuara  në Tiranë, duke menduar se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte bekuar që të mos hapej kurrë, studiuesit nga Tirana kanë vjelë kur më hapur e kur më të kamufluar nga gjuhëtarë të dënuar a të pushkatuar të Shkodrës, thua se me hedhjen e tyre nëpër burgje do të harrohej edhe kontributi i tyre shkencor, apo, thua se me tretjen e eshtrave të tyre do të tretej edhe kujtimi për ta e për veprën e tyre në dorëshkrim.

Duke e mbyllur studimin e tij mbi ‘tezat’ e Ndre Mjedës për artin dhe poezinë, Profesor Jup Kastrati shkruante se ka ardhur koha që të shihen burimet e mendimit teorik të shkrimtarëve të rilindjes dhe të pavarësisë. Mendoj se kjo kohë ka ardhur edhe për albanologët e kohës më të re.

Pyetje: Viteve të fundit keni qënë i angazhuar në Këshillin për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës, a mund të na thoni diçka për punën në këtë këshill dhe për rezultatet e tij?

Baliu: Siç dihet, autoritetet pushtuese serbe të dekadës së dytë të shekullit XX, pas thyerjes së Perandorisë Osmane në Ballkan, e kanë përpunuar sistemin e emërvendeve në nivele të ndryshme shkencore dhe të politikës shtetërore.

Në këtë periudhë, në Kosovë, ata ndërruan emrat e shumë vendbanimeve shqiptare, stërkeqen emrat e mëparshëm, duke bërë rimotivimin e tyre të pranueshëm për gjuhën serbe, themeluan vendba­ni­me të reja me kolonë serbë e malazez, ndërsa në vend të toponimeve të mëparshme të gjuhës shqipte, turke, latine, romane, sase, greke etj., vunë emrat e oficerëve dhe të policëve serbë, të cilët pas vitit 1912 ishin treguar shumë të zellshëm në djegien e fshatrave shqiptare: Gjeneral Jankoviq, Tankosiq, Kaliqan(in) etj. Shembulli më tipik i kësaj fushate është krijimi i një sistemi të tërë ojkonimesh me emra të mitit serb për Betejën e Kosovës : Milloshevë, Llazarevë, Obiliq, Devet Jugoviq, Orlloviq etj.

Me qëllim të kundërvënies synimeve serbe për ndryshimin e emërvendeve të Kosovës edhe shqiptarët në dekadën e fundit patën filluar që t’i rikthejnë dhe emërtojnë vendbanimet e tyre me emra të rinj.

Sigurisht e vetëdijshme për pasojat dhe nën presionin e qytetarëve, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, si dhe Ministria e Kulturës e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në nëntor të vitit 1999 ngritën një Komision për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës, të përbërë nga specialistë të shumtë të shkencës dhe të kulturës: gjuhëtarë, historianë, arkeologë, gjeografë, etnologë, arkivistë etj., nga institu­cionet më të larta të shkencës dhe arsimit në Kosovë.

Ky Komision ka punuar në shqyrtimin e rreth 1500 emërvendeve të vendbanimeve të Kosovës, duke pasur parasysh, që më parë, disa kritere bazë:

1.   Komisioni ka konstatuar se e drejta e ndërrimit të emrit të vendbanimit është e drejtë qytetare e banorëve të atij vendbanimi, ndërsa e drejta e emërtimit të një vendbanimi sipas gjuhës që e flet është e drejtë e secilit etnikum që e flet atë gjuhë.

2.   Komisioni ka organizuar për çdo komunë bashkëpu­nëtorët e tij dhe për çdo ndryshim i ka konsultuar ata, të cilët që më parë kanë verifikuar mendimin e banorëve të vendbanimit përkatës.

3.   Komisioni, në parim, nuk i ka ndryshuar emërvendet me etimologji iliro - shqiptare, latine, sase, serbe - mesjetare, greko - bizantine, turke - osmane, arumune etj.

4.   Komisioni ka punuar në standa­rdizimin e një numri të madh emërvendesh nga aspekti fonetik, me qëllim të pengimit të shënimit të emërve­ndeve në trajta të ndryshme, të cilat më parë autoritetet serbe i kanë stërkequr në emër të rimotivimit të tyre, dhe në aspektin morfo­logjik, kryesisht në normëzimin e disa prapashtesave të cilat nuk janë të pranishme në të folmen shqipe të Kosovës.

5.   Komisioni ka mënjanuar një numër të caktuar emërvendesh, si: Gjylekarë, Muçibabë, Karashë­ngj­e­rgj, Kara­qicë etj., për shkak të konotacioneve pezhora­tive dhe asoci­acioneve të tjera negative që shkaktohen gjatë përdo­ri­mit të tyre, si dhe me qëllim të mënjanimit të parre­gullsive gjatë komunikimit ndërmjet gjinive të ndryshme.

6.   Komisioni nuk ka ndryshuar emërvendet e vendbanimeve që janë të banuara me serbë, pavarësisht nga etimologjia dhe trajta gramatikore e ojkonimisë.

9. Punën e tij Komisioni e ka përcjellë me një numër të madh artikujsh, studimesh e tryezash shkencore, ndërsa, rezultatet e tij i ka përmbledhur në një vëllim më vete: “Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës”.

Pyetje: Me punën që keni bërë ju keni ndrequr një padrejtësi shekullore që ka krijuar pushteti serb, por në të njëjtën kohë janë hapur diskutimet për emrin e Kosovës, për etnonimin kosovar të ndryshëm nga ai shqiptar. Kam dëgjuar se disa profesorë universitarë u thonë studentëve të tyre në Prishtinë, se jo vetëm gjuhësisht e gjeografikisht por edhe gjenetikisht jemi të ndryshëm nga shqiptarët e Shqipërisë!

Baliu: Së pari, është e drejtë e qytetarëve që të emërtojnë vendbanimin e tyre, pra edhe të Kosovës, ndërsa shembuj të tillë bota ka mjaftueshëm. Sa i përket ndryshimit gjuhësor që paskemi mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk mjafton të jesh as gjuhëtar e as shqiptar për të kuptuar se dallimet në makrosistem janë të papërfillshme.

Pyetni profesorët e tillë të Prishtinës se ku mbaron dhe ku fillon etnonimi kosovar dhe ka rrezik të mos e çojnë kufirin përtej mahallës së tyre.

E pyetje të tilla nuk duhet bërë vetëm profesorëve të Prishtinës.

Pyetni profesorët e Universitetit të Gjirokastrës, që ia lejojnë vetes të diskutojnë për lëndën e Letërsisë së diasporës (respektivisht për letërsinë e krijuar jashtë kufijve shtetërorë), me cilët autorë duan ta ligjërojnë letërsinë e humanizmit evropian, letërsinë e vjetër, letërsinë e Rilindjes etj., e cila është krijuar jashtë Shqipërisë londineze. Me Akademinë ballkanike të Voskopojes, me  bejtexhinjtë e Elbasanit, të Beratit e të Shkodrës apo thjesht vetëm me atë letërsi që është krijuar pas vitit 1912!

Pyetni profesorët e këtillë të Universitetit të Shkodrës, a ju mjafton vetëm qarku kulturor dhe gjuhësor i tyre, dhe do të dëgjoni se si do të kërkojnë që nga ky qark të përjashtohen edhe disa nga ata gjuhëtarë e shkrimtarë që kanë krijuar jashtë qytetit të Shkodrës, duke përfshirë edhe ndonjë lagje të saj, ‘që është e dominuar nga malësorët’!.

Pyetni profesorët e këtillë të Universitetit të Tiranës a iu mjafton Tirana dhe do të merrni përgjigjen refuzuese: le të bëjnë çka të donë atje, vetëm mos të mos na përzihen këtu, në kryeqytet!

Së dyti, ideja e këtij dallimi edhe gjenetik nuk është e profesorëve të caktuar të Universitetit të Prishtinës, por e akademikëve serbë të mbledhur rreth tryezave shkencore “Ilirët dhe shqiptarët”, dhe “Serbët dhe shqiptarët në fund të shekullit XIX”. Nuk e di ndërkaq nëse profesori i cili me studentët diskuton këto probleme në përmasa kaq të mëdha ndjehet shqiptar apo kosovar (e të jesh kosovar nuk do të thotë të jesh domosdo edhe shqiptar!), apo i një etniteti krejt të tretë, por e di se në Universitetin e Prishtinës, zor të gjenden shumë profesorë, të cilët janë në gjendje të diskutojnë këso problemesh dhe në këto përmasa kaq komplekese.  

Së treti, emri i Kosovës si toponim dhe emri kosovar si etnonim janë dy përbërës të cilat do të mund të diskutoheshin jo vetëm duke iu qasur nga aspekti gjuhësor e historik, por edhe nga aspekti semasiologjik, shoqëror, politik, diplomatik, paradigmatik etj. Le ta shikojmë njëherë etnonimin kosovar: njëri prej etnonimeve shqiptare, si dibran, mirëditor, shkodran, llapjan etj.; përcaktues i popullatës shqiptare në territoret e ish-Jugosllavisë nga nënshtetasit shqiptarë të Shqipërisë londineze; etnonim i përbashkët për të gjitha etnitë që jetonin brenda Kosovës nga regjimi i ish-Jugosllavisë; përcaktues etnik për vetveten nga shqiptarët e Kosovës së dëbuar dhe të vendosur nga bashkësia ndërko­mbë­­tare në shtetet e treta, për t’u dalluar nga nënshtetasit shqiptar etj.

Në fjalorin diplomatik të Evropës, etnonimi kosovar ka filluar të përdoret për shqi­ptarët që migruan këto dhjetë vjetët e fundit (ata të brezave më të hershëm janë quajtur jugosllavë), mbase më shumë për t’i dalluar nga emigracioni po kaq vërshues nga Shqipëria.

Tradita gojore jo edhe aq e largët e ka “shqiptar-kosovar” dhe anasjelltas: “jam shqiptar e kosovar” thotë rapsodi, e krahasuesshme me një shprehje të traditës “italo-arbëror” dhe “italo-shqiptar”. E ndihmuar edhe nga një ndërhyrje politike, pas vitit 1981, në traditën gojore emri malësor në shumë raste erdhi e u bë sinonim i emrit shqiptar. Këngëtari popullor për toponimin Shqipëri përdorte emërtimin Malësi, ndërsa për etnonimin shqiptar përdorte sajesën malësor. Gjatë kësaj kohe, një drejtues i Bibliotekës Universitare të Beogradit, duke më njoftuar për ardhjen e një punëtori të ri në Bibliotekën e Seminarit të albanologjisë, më thoshte: “Kemi pranuar një punëtor nga Mali i Zi, por ai është malësor e jo cërnogorac” (sic!), me çka më jepte të nënkuptoja se punëtori i bibliotekës ishte nga Mali i Zi, por ai ishte shqiptar e jo malazias.

Pas mbarimit të luftës dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë, disa të ashtuquajtur teoricienë të kombit kosovar, kanë marrë nismën për përkufizimin e tij. Përdorimi i emrit kosovar nuk ka mu­nguar as nga institucionet ndërkombëtare, me të cilin ata kanë emërtuar të gjitha nacionalitetet si një etnitetet i Kosovës.

‘Teoricientët’ e krijimit të kombit kosovar, jo rrallë janë nisur nga konceptet çinte­gruese në shkallë kombëtare të dala dhe të reklamuara shumë dhjetë vjetët e fundit për gegët dhe toskët, për Veriun dhe Jugun e Shqipërisë, prandaj është e kuptue­shme pse mendimet e tyre janë pritur me reagime, me ftohtësi dhe madje me frikë.

Një gjë ndërkaq është më së e vërtetë. Sot edhe analistët që merren me studimin e çështjes shqiptare dhe ballka­nike guxojnë të thonë se ‘një komb i ri po lind’, prandaj për ne tashmë shtrohet nevoja e disku­timit të kësaj çështjeje me vetëdije kritike për të sotmen dhe me vetëdije historike për të ardhmen. Ky është pro­blem kombëtar që duhet diskutuar në përmasat largëvajtëse të çështjes, e kurrsesi me pikëpamje dhe vetëdije krahi­nore.

Është shumë e rrezikshme nëse lejojmë që shenjat tona nacionale t’i përcaktojnë mendjet e tilla teorike në prag të hyrjes sonë në epokën e globalizmit.

Pyetje: Përmendët globalizmin si epokë të së ardhmes, a mund të na thoni cili është funksioni i institucioneve akademike në këtë situatë?

Baliu: Përgjithësisht nuk shoh ndonjë përpjekje për të dalë nga rrethi i vetëmjaftueshmërisë institucionale dhe madje partiake, klanore e individuale. Unë nuk shoh ndonjë projekt të interesit nacional, në të cilin do të ndjehesha keq për shkak se nuk mund të jap kontributin tim, dhe nuk shpresoj se së shpejti do të kemi ndonjë projekt të kësaj natyre.

Dhe pse të shpresoj. Shkoni dhe shikoni bibliotekat e këtyre institucioneve, kërkoni të hyni në arkivat e tyre, nëse i kanë themeluar ndonjëherë dhe nëse kanë dosje të sistemuara materialesh në to, kërkoni të dini sa bashkëpunëtorë kanë. Kërkoni të dini sa studiues kanë lënë gjurmët e tyre kërkimore dhe shkencore përveç listave të rrogave dhe projekteve të stërzgjatura e të papërfunduara, shikoni sa studiues dalin në penson me nga një vepër të magjistraturës dhe të doktoratës dhe sidomos sa prej tyreve u është pensionuar vepra para se ta ‘gëzojnë’ atë!.

Pyetje: Me duket se shumë po e përmendni arkivin?

Baliu: Natyrisht. Mendimi teorik mësohet në shkollë dhe zgjerohet gjatë gjithë jetës, ndërsa kërkimet shkencore varen prej arkivave personalë dhe institucionalë mbi të cilët punohet. Kjo, ç’është e vërteta, është edhe arsyeja pse në albanologji ende merremi jo me  kërkimin shkencor, por me zbatimin e tij. Kërkimi i ri nuk mund të mbështetet vetëm në citatet teorike të studiuesve, që rezultatet e tyre i mbështesin në hulumtimet e fiseve të Lindjes së largët, por prej teoritizimeve dhe rezultateve të mbështetura në korpusin e hulumtuar në hapësirën ku gjëllon trashëgimia jonë, apo në arkivat tona ku është sistemuar për një kohë të gjatë. Me rëndësi është që të nxiten metodat bashkëkohore pastaj modelin e zgjedh vetë studiuesi, e ai më në fund varet prej lëndës së trajtuar. Aq më tepër kur studiuesi sjell vrojtim krejt të ri në çështjen e kërkimit shkencor dhe i rikthehet asaj lënde sa herë shtrohet nevoja qasjes së saj.

Pyetje: A është kjo arsyeja pse ju iu ktheheni temave të njëjta disa herë. Bie fjala temës së Profesor Çabejt, Profesor Jup Kastratit, toponimisë së Kosovës etj.

Baliu: Nuk iu kthehem temave, iu kthehem materialeve, dhe kjo më është bërë e mundur falë kërkimeve ndër arkiva personale e shtetërore, si dhe formimit të dosjeve për këta studiues apo për toponiminë e Kosovës. Në kohën që merresha me projektin “Çështje të fonetikës historike të shqipes në veprën e Çabejt” kam përgatitur një dosje të pasur të bibliografisë, veprës së botuar dhe dorëshkrimeve të Profesor Çabejt, prej së cilës kam përgatitur projektin tjetër “Bibliografi e studimit të veprës së Profesor Çabejt në Kosovë”, projektin  “Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Çabejt” (tezë magjistrature), monografinë “Probleme të studimit të veprës së Çabejt” dhe së fundi “Profesor Çabej dhe ballkanistika”. Po kështu kam vepruar edhe me Profesor Jup Kastratin. Studimit të veprës së tij i jam qasur duke filluar me kërkimin dhe studimin e bibliografisë së tij, prej së cilës ka dalë edhe vepra “Mbi autorësinë e Bibliografisë së Skënderbeut”, për të vazhduar pastaj me projektet e tjera “Profesor Jup Kastrati dhe Kosova”, “Profesor Jup Kastrati dhe albanologjia”, “Letërkëmbimi Çabej – Kastrati - Rrota” etj. Të kësaj natyre janë edhe projektet për disa albanologë, të cilët kanë shënuar rezultate të rëndësishme shkencore në fushë të gjuhësisë së gjysmës së dytë të shekullit XX.

Sa i përket toponimisë së Kosovës, unë kam gjetur aty veprën time jetësore: “Fjalori mikrotoponimik i Kosovës”, prandaj të gjitha projektet e përgatitura apo të botuara në ndërkohë janë vetëm pjesë të këtij projekti largvajtës. Po kështu mund të thuhet edhe për sprovën e botuar “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan”, e cila është vetëm faza e parë e një projekti më të gjerë kërkimor, që u botua me kërkesë të disa kolegëve, me të cilët kishim punuar shumë kohë në Këshillin për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.

Pyetje: Në ndërkohë ju merreni edhe me letërsi: poezi, prozë, dramë, ese, ligjëroni në Fakultetin e Edukimit, jeni editor i një shtëpie botuese dhe i angazhuar në  një faqe interneti.

Baliu: Letërsinë, në të vërtetë leximin e saj, e kam hobi. Gjithmonë kam qenë i pasionuar pas romanit dhe rezultat i këtij pasioni janë dy projekte në të cilat punoj herë pas here: “Onomastikoni i romanit shqiptar” dhe “Skënderbeu në romanin shqiptar”. Dramën e shkruaj nganjëherë, ndërsa prej poezisë pothuajse kam hequr dorë, ndoshta, përkohësisht. Si editor vazhdoj të përgatis vepra të ndryshme, por mendoj se jam treguar tregtar i dobët, e në kushtet e sotme, tregtari i dobët nuk mund të jetë edhe editor i mirë. Ligjëratat i mbaj me rregull dhe jam i gatshëm që studentëve t’ua fal çdo kohë dhe çdo ditë. Esenë e lexojë dhe e shkruaj me shumë dashuri, aq më tepër që kjo është dhuratë pasionante e gruas sime, ligjëruese e letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe si përpjekje e përbashkët, këto ditë pritet që në Tiranë, në botim të “Ars-it”, të dalë nga shtypi vepra eseistike “Pesha e komunikimit”. Internetin e përdori shumë dhe e konsideroj dhuratën më të madhe të kësaj kohe. Përmes tij mbaj një komunikim shumë të rregullt me albanologë nga e gjithë bota: nga Los Angjelosi deri në Hiroshimë. Në këtë linjë në faqen e internetit Alb-shkenca, i jam bashkuar një grupi prej gjashtëqind studiuesish shqiptarë dhe të huaj nga e gjithë bota dhe përpiqem të jem i përgjegjshëm ndaj obligimeve që më dalin. 

Pyetje: Përmendët botimet, jemi në fund të vitit 2005, është e zakonshme të pyeten bashkëbiseduesit për planet dhe botimet?

Baliu: Në fillim të këtij viti kam botuar në Institutin Albanologjik monografinë studimore “Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit”, ndërsa në botimin tim editorial veprat “Profesor Jup Kastrati për Kosovën”, “Mbi autorësinë e Bibliografisë së Skënderbeut” dhe kam ribotuar dramën “Kafeneja ballkanike”. Gjithashtu në bashkautorësi me Këshillin për Standardizimin e Emërvendeve kam pëgatitur “Regjistrin e standardizuar të emërvendeve të Kosovës”. Për vitin që vjen kam gati edhe vëllime të tjera me studime nga historia e albanologjisë dhe nga fusha e onomastikës. Jam gati të përmbyll edhe ndonjë vepër tjetër, por botimi nuk varet nga përfundimi i tyre. Më parë, ato varen prej mundësive financiare.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT