E premte, 19.04.2024, 10:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Deliu: Me mendje të ndritur dhe shpirt të madh

E enjte, 25.06.2015, 07:01 PM


Me mendje të ndritur dhe shpirt të madh

(Refleksion rreth librit  “Ju dua më shumë se veten”, shkruar nga Viron Kona. Libri i kushtohet mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit Sadulla Zendeli-Daja)

Shkruar nga Mehmet Deliu - Ish ushtarak, Fushë-Krujë

Duke lexuar shkrimet dhe komentet për veprat e Dajës, të shkruara me shumë dashuri nga Viron Kona, Sokol Demaku, Murat Gecaj, Baki Ymeri, Nehat Jahiu etj., të cilët bëjnë vlerësime të merituara për të dhe veprat e tij, imazhi i Sadulla Zendeli-Dajës tek unë shfaqej si një gjigant, triumfues dhe i pamposhtur. Gjithçka e shkruar më kishin tërhequr, më kishin ngacmuar e zgjuar respekt për këtë njeri të rrallë. Në perceptimin tim Daja shfaqet që herët në rini, një djalosh aktiv dhe i zgjuar, që kur vazhdonte shkollën fillore atje në vendlindje, në Vrapçisht dhe Gjimnazin në Gostivar e Strumicë, si i veçantë nga moshatarët, një shqiptar që dallonte nga sllavët-maqedonas për dije e kulturë, për humanizëm e krenari të ligjshme. Imazhi i tij lartësohej dita-ditës tek sa mësonte e rritej, burrërohej e ndërgjegjësohej për ligjet e jetës e të botës që e rrethonte, e cila gjithnjë e më tepër i dukej e ngushtë, shumë e ngushtë edhe hapësira ku ai jetonte e punonte.

Janë interesante përjetimet mbresëlënëse të Dajës, që kur ishte drejtor kooperative apo punonte në sipërmarrjen e hekurudhave në Gostivar. Ndonëse ishte me detyra të rëndësishme, i dukej se ajri nuk i mjaftonte, nuk e ngopte. Sllavo-maqedonasit, donin ta shtrëngonin, ta nënshtronin atë djalosh të ri ëndërrimtarë e pasionant, ta mbyllnin në kafazin e tyre të diskriminimit, këtë Luan Shqiptar, sepse ai, përbuzte çdo sjellje e marrëdhënie të pabarabartë,  kundërshtonte dhe neveriste çdo gjë që nuk ishte miqësore për atë vetë e për bashkëkombësit e tjerë shqiptarë që, ndonëse në tokën e tyre, rronin të shtypur e të survejuar nga merimanga e zezë e shtetit serb, që shtypte e nënshtronte, persekutonte e zhbënte me urrejtje shtazarake kombet e tjera që i mbante padrejtësisht nën thundrën e tij.

Teksa provonte hidhërimin e asaj shije të keqe që i impononte zaptuesi i tokës shqiptare, Sadulla Zendeli-Daja rritej vrullshëm bashkë me instinktin e padurimit, të vetëmbrojtjes e të shpëtimit nga e keqja që e shtrëngonte si një morsetë, që tentonte ta detyronte deri të bëhej hafije i bashkëkombësve ose deri në marrjen e shpirtit: “Prandaj – shprehet vetë Daja - edhe zgjodha të keqen më të vogël, duke emigruar nga vendi im i dashur, nga ai vend ku çuditërisht gurët, që më vrisnin këmbët e zbathura, më dukeshin të butë. Më dukej sikur ecja në barin e njomë të vendlindjes  sime të dashur! Pa i harruar pllajat e bukura shqiptare, vendosa të largohem kudo qoftë, në qiell, në hënë, në ferr!””

E ashtu me mendje të kthjellët, për t’ju shmangur të keqes që shtohej dita -ditës, Sadulla Zendeli-Daja zgjodhi të vetmen rrugë të mundshme të mbijetesës, atë të largimit prej tokës ku kish lindur, duke pranuar që të shkonte dhe në ferr e bashkëkombësit të mos i tradhtonte, të mos i shiste. Për fatin e tij të mirë, ai u vendos në Suedinë e largët e të ftohtë, e cila u bë një atdhe i dytë për të, sepse te Suedia ai gjeti besimin tek ëndrra e tij për  arsim e kulturë, gjeti  mbështetjen për  lirinë e shumëkërkuar të bashkëkombësve të tij shqiptarë.

 

Në këtë mirëkuptim shumë njerëzor, Daja qëndroi me dinjitet e krenari. Shteti serb ia ndaloi kthimin në vendlindje për 20 vite me radhe, deri sa makina e madhe shtypëse e atij shteti u shkërmoq si një gërdallë e vjetër mëkatare. E ndërsa përpiqej të mbijetonte në dhe` të huaj, Daja akumuloi forca për të përballuar dhimbjen që ndjente për njerëzit e afërt të familjes, të cilët i kishte lënë pa mbështetjen dhe përkrahjen e tij, teksa brenda vetes e gërryente boshllëku për mungesën e tyre.

Në Suedi, Sadulla Zendeli-Daja ka punuar në bibliotekë, më pas me këmbënguljen e tij hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe. Si simbol bashkimi, Daja çeli restorantin me emrin “Shqiponja”, i frekuentuar nga vendasit suedezë dhe nga bashkëkombësit e tij shqiptarë. Për emrin e atij restoranti, kishin protestuar serbët dhe kishin kërkuar që ai emër të hiqej. Por falë urtësisë së Dajës dhe respektit që ai gëzonte te suedezët, në referendumin e zhvilluar enkas për emrin e restorantit, kishte fituar përsëri emri “Shqiponja”. Për t`u ndjerë i rrethuar me dashurinë e tokës dhe të njerëzve të tij,  ai afroi përherë e më shumë pranë vetes bashkatdhetarë, ndau me ta çdo gjë, krijoi me ta marrëdhënie tepër të ngrohta, si të ishin një familje kompakte në dhe` të huaj.

Në shenjë nderimi e respekti Daja ka shkruar e punuar shumë dhe për Suedinë e suedezët. Por ai mendoi e shkroi dhe për vendlindjen e njerëzit e saj, të cilët i mungonin gjithmonë, sepse atdheu është gjëja më e shtrenjtë, është i pazëvendësueshëm. Në mendjen e tij kanë gjetur gjithnjë shprehjen më të plotë fjalët e Lukianit të lashtë se: “Edhe tymi i Atdheut do të duket më i ndritshëm se zjarri në vise të largët, sepse çdo gjë që njerëzit e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, ky i rrit dhe i edukon. Shumëkush mund të mahnitet nga madhështia dhe fuqia e qyteteve të huaja, nga bukuria dhe shkëlqimi i ndërtesave të tyre, por për të dashur të gjithë duan atdheun”.

Legjenda e “Dajës” u pasurua çdo ditë me episode të reja. Ai shkroi dhe vazhdon të shkruaj shumë libra, ka bërë përkthime nga suedisht në shqip, ka hartuar disa fjalorë Suedisht-Shqip dhe Shqip-Suedisht-deri në 35000 fjalë.

Një ditë, kur dëgjuam se Daja kishte ardhur në Panairin e Librit në Tiranë, bashkë me dy shokë të mi, poetin Halim Laçi dhe Seit Vuçaj,  i propozuam mikut tonë Vironit që të ndërmjetësonte te Daja për t`u takuar dhe bashkëbiseduar për jetën dhe veprën e tij, për t’u njohur nga afër me këtë krijues e leksikograf të shquar. Dhe kështu u bë, por ndryshe nga sa e kisha përfytyruar fizikisht, Daja nuk ishte gjigant nga trupi, ai vinte mesatarë dhe disi i brishtë, fliste qetë e qartë, çdo fjalë e tij të ngulitej e të linte mbresa, dëgjonte me vëmendje dhe shpjegonte bindshëm çdo problem që bisedohej. Nga mënyra se si fliste, si i shtjellonte e i shtronte problemet, si i nxirrte konkluzionet dhe se si i perceptonte zhvillimet e fundit kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, ndjehej se ai kishte një kulturë e formim të gjithanshëm, njihte mirë historinë, ekonominë e politikën, gjuhën e letërsinë. Në atë natyrë të qetë njerëzore fshihej një gjigant i punës intelektuale, një mësues e edukator i së ardhmes, një patriot e atdhetar me vlera të mëdha.

E, që nga ai çast kur u takuam e biseduam dhe në vazhdim, ruaj për atë njeri respektin dhe konsideratën time më të lartë, nderimin që ka secili nga ne për ata njerëz që përkushtohen dhe i shërbejnë Atdheut dhe  Kombit gjer në madhështi.

Më vjen mirë të them se njohja me Dajën, përputhet mrekullisht me rrëfimet e ngrohta të libri  “Ju dua më shumë se veten”, ku pena  e ngrohtë e shkrimtarit të sprovuar Viron Kona, ndalet në momente të veçanta, paraqet dhe ndriçon, si me një projektor artistik, anë të rëndësishme të karakterit të Sadulla Zendeli-Dajës. Mbase është kjo arsyeja që kur e lexojmë këtë libër, na krijohet përshtypja se po shohim të ekranizuar jetën e një njeriu të rrallë e tepër të veçantë, që meriton lëvdata dhe vlerësime të pafundme. Për këtë njëri ia vlen të shkruhen libra, t`u rrëfehet brezave jeta dhe veprimtaria e tij. Daja  është nga ata njerëz të rrallë që meriton t`i  ngrihen këngë e t`i thuren vargje, sepse shpirti i tij i zjarrtë, i mbushur me dashuri dhe i etur për liri, është ndër të përzgjedhurit e shoqërisë dhe të krijimtarisë, ai është një personazh real i veprave të mëdha në shërbim të Kombit.

Edhe tani që Sadulla Zendeli-Daja sapo mbushi 80 vjeç dhe ka kryer atë punë të madhe intensive, atdhetare e shkrimore, ndihemi të gëzuar kur e shohim se ai është mjaft energjik dhe produktiv, atdhetar i flakët, mendimtar dhe krijues, poet dhe publicist, pena e tij e  artë vijon të shkruaj me shpirt e me zemër.

Në këtë 80-Vjetor i urojmë nga zemra Dajës: Jetë të gjatë dhe plot shëndet, begati dhe shkrimtari`, siç di të krijojë pena dhe mendja e tij e artë!

Mehmet Deliu

Fushë-Krujë

Qershor 2015



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora