Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Spanjollët koncert në Durrës

| E merkure, 24.06.2015, 07:44 PM |


DY MUZIKANTË SPANJOLL KONCERT NË DURRËS.

Nga Kadri Tarelli, Durrës

Këto dit të mes qershorit 2015, një ngjarje e rrallë për qytetin dhe jetën artistike në Durrës. Klubi i artit dhe kulturës “Sigal”, në bashkëpunim me ambasadën e Spanjës në Shqipëri dhe shoqatën “Syri blu” në Tiranë, organizoi në mjediset e tij, një koncert me muzikë nga Spanja. Dy muzikantët u pritën nga artdashësit durrsak me ngrohtësi e duartrokitje. Salla u mbush plot e përplot si rrallë herë.

Për të qënë të vërtetë e të saktë me veten dhe qytetarët, duhet thënë se janë të shumta veprimtaritë artistike që organizon kjo qendër në qytetin tonë bregdetar, për gjatë gjithë vitit. Mjafton të përmend se vetëm brenda Qershorit, në një muaj dit, janë zhvilluar katër veprimtari të tilla, të ndryshme në emërtim, pamje, lloj e përmbajtje, por që i lidh e i përshkon i njëjti fill i përbashkët, që është arti me mesazhet universale për shpirtin dhe të bukurën, për fjalën dhe vlerat njerëzore, për letërsinë, poezinë, historinë, pikturën dhe muzikën. Janë veprimtari që mbushin boshllëkun artistik të qytetit, duke ndihmuar sado pak në zhvillimin dhe mbajtjen gjallë të traditës artistike e kulturore të Durrësit të lashtë tremijëvjeçar. Për këtë duhen falënderuar dhe përshëndetur ideatorët dhe organizatorët.

Për të pasur një ide më të plotë mbi veprimtaritë e fundit të kryera në këto mjedise, po përmend shkurt vetëm katër prej tyre:

Si fillim: mbrëmje poetike organizuar nga poeti dursak Ruzhdi Gjolaj, i cili në një formë tepër origjinale, recitoi para publikut pjesë të zgjedhura nga veprat e tij.

Pa kaluar java, shkrimtarja durrsake Vitori Xhako, përmes emocioneve të forta, paraqiti librin e saj të fundit “Mos m`i vrisni arinjtë e bardhë”. Veç shkrimtarëve dhe artistëve durrsak ishin të pranishëm edhe shumë të ftuar nga Tirana dhe Elbasani.

Një tjetër veprimtari që meriton të përmendet është takimi muziko-letrar, kushtuar 101-vjetorit të vdekjes së Kolonelit hollandez Tomson. Me këtë rast studjuesit Fluturak Germenji publikoi librin “Koloneli Tomson. MISIONI HOLLANDEZ”, kushtuar këtij ushtaraku e burrë shteti, që dha jetën për çështjen shqiptare, në moment të vështira të historisë sonë të trazuar të viteve të para pas pavarsisë. Historian dhe studjuesi durrsak Skënder Lila, njohës i mirë i ngjarjeve të atyre viteve, vlerësoi lart librin dhe punën e autorit, sepse me dokumenta paraqet dhe plotëson më së miri, atë periudhë tragjike për historinë e ngatwruar tw Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në këtë hulli artistike është edhe koncerti i dy muzikantëve spanjoll, Daniel Bellon dhe Diego Maceiras. Të dy në moshë të re, rreth të tridhjetave, virtuozë në lojën e tyre muzikore në gajdë dhe fizarmonikë, shumë të njohur në Spanjë e vende të tjera, së fundi edhe tek ne në Shqipëri e në Durrës. Ata sollën për artdashësit durrsak muzikë folklorike tradicionale të krahinës së Galicisë në Spanjë, ritme muzikore të shpejta, të hareshme, do t`i quaja të nxehta, që burojnë e i shkojnë përshtat një populli gazmor e me shpirt të ndezur mesdhetar, siç janë spanjollët. Duartrokitjet e publikut i shoqëruan të gjitha pjesët. Çuditërisht gjuha e muzikës s`do përkthyes. Ajo i kapërcen kufinjtë e shteteve dhe dallimet mes popujve. E bukura është e bukur, pëlqehet nga të gjithë, pavarësisht vendit nga vjen.

Urime më të mira organizatorëve të klubit “Sigal”, për veprimtari të tjera artistike po kaq të bukura e të dobishme.

Durrës më: 22. 05. 2015