Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Shkolla fillore “Migjeni” e Muhocit

| E marte, 23.06.2015, 06:40 PM |


Botime te reja

Një monografi për 65 vjet të punës së shkollës fillore të Muhocit...

Nga Tefik Selimi

Para do dite, tre intelektualë të Muhocit, që janë edhe autorë të monografisë, si: Shefik Haliti, Adem R. Ademi dhe Begzad Ademi, botuan monografinë për Shkollën fillore “Migjeni” të Muhocit (1945-2010). Është një projekt i qëlluar dhe tjejet më rëndësi, për faktin se, po ndriçohet rrugëtimi 65 vjeçar i shkollës sonë kombëtare shqipe. Kjo vatër e diturisë ka edukuar me qindra të rinj e të reja, nga e cila vatër janë dalë doktorë shkencash, profesorë e mësimdhënës të profileve të ndryshme në Kosovë e më gjerë. Siç dihet, Shkolla fillore “Migjeni” e Muhocit ka pasur një rrugëtim të gjatë e me shumë peripeti të punës edukativo-arsimore. Por, falë vullnetit të mirë të prindërve e të stafit edukativ të shkollës, por edhe të organeve kompetente të arsimit në nivel komunal, “problemet” të kësaj natyre janë eleminuar dhe procesi mësimor nuk është ndalë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kësaj shkolle i kanë munguar kushtet e para për punë nomale. Stafi edukativ ka qenë i pakualifikuar. Mandej, ka munguar hapësira shkollore, kanë munguar tekstet mësimore për një fillim të punës. Kryesisht mësimi u zhvillua në mënyrë verbale. Prandaj, në këto kushte, Shkolla fillore e Muhocit e filloi procesin mësimor me vullnetin e arsimdashësve, të cilët ishin të frymëzues dhe të motivues për të përhapur dije e dituri tek gjeneratat e reja të kësaj ane. Këta pishtarë të parë, që nisen punën në këto kushte, nuk kanë kursyer asgjë nga vetja vetëm e vetëm për ta nxjerrë popullin nga prapambeturia e injoranca shekullore. Andaj, duke ndjerë nevojën për një monografi të historikut të këtij tempulli të dijes, autorët e larpërmendur; Mr. Shefik Haliti, Adem Ademi dhe Begzad Ademi, nuk hezituan për ta bërë një “projekt” të till, i  cili, sado pak, e ndriçon dhe e pasqyron rrugëtimin e kësaj vatre të dijes nga fillimi i vitit 1945 e gjer më 2010. Ky rrugëtim i kësaj johe ishte jo veteëm i gjatë e me safkrifica, por i rëndësishëm për shkollën kombëtare shqipe. Prandaj, në këtë monografi janë përfshirë mësimdhënësit të cilët kanë punuar në shkollën në fjalë, por duke i llogaritur edhe shkollarët, punëtorët administrativë e ndihmës të saj. Siç dihet, gjenerata e parë e semimaturantëve të kësaj shkolle kanë dolë në vitin 1956. Atëkohë, sipas autorëve në fjalë, shkolla pati gjithsejt 21 nxënës, por asnjë e gjinisë femërore. Këta shkollarë kanë vijuar mësimet e rregullta nga këto mese: 6 vinin nga Muhoci, 2 nga Breznica, 3 nga Ramabuça, 2 nga Gjergjeci, 2 nga Qarri, 3 nga Karaçeva, 2 nga Zarbinca dhe 1 nga Bilinica. Megjithatë, forcat progresive të këtij fshati dhe të kësaj komune, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, edhe në këto anë i kanë hapur shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Meritë e veçantë për hapjen e shkollës fillore të fshatit Muhovc i takon arsimdashësit Muharrem Kadriut, i cili, në kontakt me Ismet Dërmakun, një personalitet i shquar i kësaj ane, jo vetëm e  ndihmoi dhe e përkrahu përgatidjen e hapjes së shkollës qysh në vitin 1944, por dha çdo gjë nga vetja për shkollën shqipe. Dhe, në janar të vitit 1945 e fillon punën shkolla fillore e Muhocit. Fillimisht, mësuesi i parë i kësaj ane ishte Ismet Dërmaku nga Shipashnica e Kamenicës. Atë kohë, shkolla e Muhocit numëronte 17 nxënës të moshave nga 10 gjer në 12 vjeç. Nxënësit e parë të kësaj shkolle ishin: Sabit Haliti, Ismet Aliu, Sulejman Kadriu, Metali Xhemaili etj. Të shtojmë edhe këtë se, 27 vjet me radhë shkolla nuk pati pagëzim. Por, me 22 dhjetor të vitit 1973, me vendimin e Këshillit të punëtorëve, në krye të Rexhep Rexhepi, mësues, shkolla në fjalë emërtohet me emrin, Migjeni, shkrimtarin e madh të leetërsisë sonë. Mandej, në vitin 2006-2007, shkolla fiton objektin e ri shkollor falë fshatarëve dhe kreut të Bujanocit, Nagip Arifit. Tash për tash, shkolla ka kuadër të fortë mësimor. Është me rëndësi të shtojmë se, pas Luftës së UÇPMB-së, gati të gjitha shkollat e fshatrave të Malësisë së Bujanocit, edhe pse me numër të vogël të nxënësve, punojnë dhe edukojnë gjenerata të reja për dije e dituri. Kohës së fundit ka filluar kthimi i poullatës, ku vërehet edhe shtimi i numërit të shkollarëve nëpër shkolla të kësaj ane. Kjo monografi e parë e Shkollës fillore “Migjeni” nga fshati Muhoc paraqet një arritje të mirë, për faktin se, me disa të dhëna, ngjarje, njerëz, shkollarë, personalite etj., “rrëfen” për një të kaluar të nisur me vështirësi, por që kjo gjendje ka rezultuar me fitore dhe me arsimimin e shumë gjeneratave të reja e të shkolluara, të cilat sot janë krenar për shkollmin e tyre. Një pjesë e monograisë është kushtuar plejadës së mësimdhënësve nga fillimi e gjer në ditët e sotme. Po ashtu, ky dokumentar ka disa fotografi, por ajo që flet më shumë është e dhëna tjetër, se ky libër ka tabela dhe regjistra të klasave nga fillimi e gjer më tash. Kjo është një statistikë e bollshme, e cila flet për numrin e nxënësve, kuadrin mësimor, aktivitetet e lira shkollore dhe dokumente të ndryshme të një kohe të kaluar të kësaj ane. Monografinë e botoi Shtypshkronja “Blendi” në Prishtinë, 2015.

Gjilan, 23 qershor