| E hene, 22.06.2015, 07:22 PM |
Avdyl Sulaj
Jetëshkrim i shkurtë
Avdyl Sulaj u lind më 1 korrik 1945 në fshatin Begaj të Tropojës. “Ju keni nji biografi të jashtëzakonshme për të cilën kam mjaft respekt e simpati.” (Hans-Joachim Lankscsh). Ka punuar afro 50 vjet në mbi 20 zanate, profesione e detyra të ndryshme, si bujk e bari; ushtar e karrocier në ushtri; buldozerist, skrepist, mekanik, saldator, axhustator e brigadier i makinerisë së rëndë në ndërmarrjet e bonifikimit të rrethit të Hasit e të Tropojës; nëpunës, kryeredaktor i gazetave “Shkëlzeni” e “Rrezja e Shkelzenit”, mësues, bibliotekist e drejtor biblioteke, poet, prozator, studiues e publicist etj. Veprimtarinë botuese e ka nisur në vitin 1979, në publicistikë. Në rrjedhën e këtyre viteve ka botuar 8 libra sikundër janë: Europa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, Publicistikë, Tiranë 1999; Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës I, Tiranë, 2000; Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës II, Tiranë, 2003; Kristale alpine, Poezi, Tiranë, 2006; Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009; Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë 2012; Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013; Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula, Tiranë, 2013. Ai ka në dorëshkrim dhe disa libra të tjerë me poezi, prozë, folkloristikë etj. (Prof. dr. Zymer Neziri)
Pëllumbat mbi Gjakovë
Një tufë pëllumbash të bardhë e të zinj
nën shatërvanin e rrezeve mëngjesore
lodrojnë me reflekset diellore
ulen e ngrihen, rrotullohen gjithë hijeshi.
Një tufë pëllumbash të zinj e të bardhë
Njëri - tjetrin ndjekin fluturim
në qiellin e zgjedhur skenë për vallëzim
një simfoni bukurie luajnë radhë - radhë.
Këtë shfaqje të hyjnishme
E kundrojnë një tufë fëmijë.
E u thonë prindërve me doçkat prej qielli:
- O, babi! O, mami! Shihni ç’mrekulli!
(Gjakovë, 15 maj 2014)
Ura ylberore
Dy shpatmale të një lugine
ballë për ballë prore
mrekullisht i bashkoi këtë mëngjes
ura shtatëngjyrëshe ylberore.
(20 prill 2014)
Fjongoja diellore
Një re flokëbardhë
U ul lehtas në majëmal.
Dielli e bukuroi madhërishëm
Me një fjongo rrezear.
(11 – 18 janar 2015)
Plepat
Plepat uniformëgjelbër,
ndanë rrugës, shtatgjatë,
si ushtarë në rresht,
qëndrojnë kryelartë.
(24 shtator 2011)
Përqafimi i Diellit
Dielli para se të kyçë
ditën me dyert e muzgut zgjati krahët e rrezeve dhe përqafoi malet
e vendlindjes sime.
(3 gusht 2014)
Ku je, e dashur, ku të gjej?
U bënë shtatë net
(U bënë shtatë vjet).
Ku je e dashur?
Je bërë erë?
Je bërë re?
Ke ikur në ndonjë planet?
Të vij me qilimin fluturues?
Të gjej e të marr
sa më shpejt?
U bënë shtatë net
(U bënë shtatë vjet).
Ku je e dashur?
Je bërë troftë?
Je bërë ngjalë?
Je tretur në det?
Të bëhem peshk,
a polumbar?
Të zhytem e të gjej,
të marr sa më shpejt?
U bënë shtatë net
(U bënë shtatë vjet).
Ku je e dashur?
Je bërë floçkë,
po lahesh në ndonjë liqen?
Je bërë zanë mali në bjeshkë?
Po garon me të Bukurën e Dheut?
T’i thaj shtatë liqene?
T’i çaj shtatë male?
Në kalë të bardhë të legjendave
të vij e të marr sa më shpejt?
(10 shkurt 2012)
Eja e dashur, eja!
Eja, e dashur, eja!
Nga kudo që të jesh, eja!
Në ndalesë të parë të dashurisë
do të pres.
Me vellon e ëndrrave rinore
do të vesh.
Rrugën do ta shtroj
me mozaikun e kujtimeve.
Për dekor të kësaj skene
Do të marr ngjyrat e ylbereve,
të mëngjeseve, të agimeve.
Për këngë dhe melodi
do u bëj ftesë pëllumbeshave,
thëllëzave e bilbilave.
Udhës mbi ne,
do fluturojnë dallandyshe,
gushkuqë dhe trishtila.
Deri në muzg do na përcjellë
dielli rrezear.
Hëna fytyrëpraruar
do të na presë te dera
e folezës së ëndrrave
e të dashurisë sonë.
(26-29 shkurt 20120
Do të vij, i dashur, do të vij
Do të vij, i dashur sa më shpejt.
Dyert e zemrës e të shpirtit tënd
me çelësin magjik të dashurisë.
do t’i çel menjëherë
Unë do vishem me vello resh,
ti do të vishesh me ylber.
Syprinat e oqeaneve
sheshe lumturie do t’i bëjmë
Në to do vallëzojmë ag e terr.
Pllajave qiellore do fluturojmë
me flatra të fantazisë.
Me nektar të ri dashuror
Ditarit të dashurisë
Fletë të reja do t’i shtojmë.
(26 shkurt 2012)
Trevargëshat e kryemjeshtrit
Poetit Milianov Kallupi
Maleve fluturuan haikut e Milianovit
E u bënë ngjyra në ylbere
Dhe cicërima zogjsh.
Imshtajave u shpërndanë
Me flatra thëllëzash
Dhe pëllumbash krahëshkruar.
Livadheve çelën në lule
Erëmira, ngjyra-ngjyra
E i bënë qilima të pranverës.
Irnimin ia fshinë ditëvdekjes
Në arka të durimit
Zemrave e ndrynë.
Arkmortit të poetit
Iu bënë shqiponja
E bartën për në amëshim.
Natëvarrimit të tij
U bënë llampadarë,
Qirinj të ndezur, pishtarë.
Oborrtarë të përgjëruar varg rrinë
Mbretin e haikuit shqip
Presin të vijë.
Valë - valë si lumi Shkumbin
Ngarendin shëtitoreve në Elbasan
Portretin e Milianovit shfaqin si vegim.
(5 tetor 2014)
Shkove beftas, ike pa kthim
Shkrimtari Riza Lahi u nda nga jeta
duke shkruar autografin në librin
që po i dhuronte një miku.
Nga kronikat
Si u ndave ashtu
Shoku ynë i mirë,
Pa na thënë një fjalë,
Pa na thënë lamtumirë?!
Tridhjetë vjet aviator i qiellit,
Shqiponjë në fluturim.
Prej avionit të Vdekjes,
A do kesh më kthim?!
Pyesin qiejt,
Që prej fluturimeve tua
Ende ruajnë uturima.
Pyesin Buna e Valbona,
Shtojzovalle të poezive,
Duke ofsharë me shushurima.
Pyet vendlindja, Shkodralocja,
Që me qumësht zanash të mëkoi,
Pyet Përmeti, pyet Prishtina…
(5 tetor 2014)
Bjeshkët e Nemuna
(Fragment)
Mes bukurive pa cak të këtyre Bjeshkëve
Shtrirë në madhështi.
Si kreshtë e madhe mali
Një pikëpyetje rri?
“Kush i quajti, vallë, ato
të mallkuara?
Epiteti “t’ Nemuna”
pse u mbet ?
me shtatë shkronjat
mbi shtatë shkëmbinj
si shtatë korba të zinj ?
Pse vallë, “t’ nemuna”
Pse, të truara?!
Kur duheshin pagëzuar:
Bjeshkët e Bekuara.
(2006)
Udhëve të Diellit kalorës i jetës
Kirurgut Sokol Sulaj
Mbi gjysmë shekulli kalorës i jetës
Udhëve të Diellit, duarmrekulli.
Qindra jetë prej thonjve të Vdekjes
I çlirove, u dhe lumturi.
Këtë ditë prilli Ajo të rrëmbeu
Nëpër vetëtima, stuhi dhe shi.
Bornajat e bjeshkëve t’u bënë bluzëbardha
Zogjtë qëndisën në to shirita të zinj.
Sokolat u ndalën mbi Shkëlzen
Emrin tënd cicëruan me përmallim.
Ylberi në Radeshe shtoi një ngjyrë
U mrrol me dhimbje e trishtim.
Një tufë drerësh me sytë prej qielli
Në një qafë mali mbi Dragobi.
Dhe të sëmurët dritareve të spitalit
Skurrjela lotësh derdhën për ty.
(Bajram Curri, 9 prill 2014)