Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Avdyl Sulaj

| E hene, 22.06.2015, 07:22 PM |


Avdyl Sulaj

Jetëshkrim i shkurtë

Avdyl Sulaj u lind më 1 korrik 1945 në fshatin Begaj të Tropojës. “Ju keni nji biografi të jashtëzakonshme për të cilën kam mjaft respekt e simpati.” (Hans-Joachim Lankscsh). Ka punuar afro 50 vjet në mbi 20 zanate, profesione e detyra të ndryshme, si bujk e bari; ushtar e karrocier në ushtri; buldozerist, skrepist, mekanik, saldator, axhustator e brigadier i makinerisë së rëndë në ndërmarrjet e bonifikimit të rrethit të Hasit e të Tropojës; nëpunës, kryeredaktor i gazetave “Shkëlzeni” e “Rrezja e Shkelzenit”, mësues, bibliotekist e drejtor biblioteke, poet, prozator, studiues e publicist etj. Veprimtarinë botuese e ka nisur në vitin 1979, në publicistikë. Në rrjedhën e këtyre viteve ka botuar 8 libra sikundër janë: Europa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, Publicistikë, Tiranë 1999; Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës I, Tiranë, 2000; Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës II, Tiranë, 2003; Kristale alpine, Poezi, Tiranë, 2006;  Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009; Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë 2012; Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013; Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula, Tiranë, 2013. Ai ka në dorëshkrim dhe disa libra të tjerë me poezi, prozë, folkloristikë etj. (Prof. dr. Zymer Neziri)

 

Pëllumbat mbi Gjakovë

 

Një tufë pëllumbash të bardhë e të zinj

nën shatërvanin e rrezeve mëngjesore

lodrojnë me reflekset diellore

ulen e ngrihen, rrotullohen gjithë hijeshi.

 

Një  tufë pëllumbash të zinj e të bardhë

Njëri - tjetrin ndjekin fluturim

në qiellin e zgjedhur skenë për vallëzim

një simfoni bukurie luajnë radhë - radhë.

 

Këtë shfaqje të hyjnishme

E kundrojnë një tufë fëmijë.

E u thonë prindërve me doçkat prej qielli:

- O, babi! O, mami! Shihni ç’mrekulli!

 

(Gjakovë, 15 maj 2014)

 

Ura ylberore

 

Dy shpatmale të një lugine

ballë për ballë prore

mrekullisht i bashkoi këtë mëngjes

ura shtatëngjyrëshe ylberore.

 

(20 prill 2014)

 

Fjongoja diellore

 

Një re flokëbardhë

U ul lehtas në majëmal.

Dielli e bukuroi madhërishëm

Me një fjongo rrezear.

 

(11 – 18 janar 2015)

 

Plepat

Plepat uniformëgjelbër,

ndanë rrugës, shtatgjatë,

si ushtarë në rresht,

qëndrojnë kryelartë.

(24 shtator 2011)

Përqafimi i Diellit

 

Dielli para se të kyçë

ditën me dyert e muzgut                                                                                                                      zgjati krahët e rrezeve                                                                                                                        dhe përqafoi malet

e vendlindjes sime.

 

(3 gusht 2014)

 

Ku je, e dashur, ku të gjej?

 

U bënë shtatë net

(U bënë shtatë vjet).

Ku je e dashur?

Je bërë erë?

Je bërë re?

Ke ikur në ndonjë planet?

 

Të vij me qilimin fluturues?

Të gjej e të marr

sa më shpejt?

 

U bënë shtatë net

(U bënë shtatë vjet).

Ku je e dashur?

Je bërë troftë?

Je bërë ngjalë?

Je tretur në det?

 

Të bëhem peshk,

a polumbar?

Të zhytem e të gjej,

të marr sa më shpejt?

 

U bënë shtatë net

(U bënë shtatë vjet).

Ku je e dashur?

Je bërë floçkë,

po lahesh në ndonjë liqen?

Je bërë zanë mali në bjeshkë?

Po garon me të Bukurën e Dheut?

 

T’i thaj shtatë liqene?

T’i çaj shtatë male?

Në kalë të bardhë të legjendave

të vij e të marr sa më shpejt?

 

(10 shkurt 2012)

 

 

Eja e dashur, eja!

 

Eja, e dashur, eja!

Nga kudo që të jesh, eja!

Në ndalesë të parë të dashurisë

do të pres.

Me vellon e ëndrrave rinore

do të vesh.

 

Rrugën do ta shtroj

me mozaikun e kujtimeve.

Për dekor të kësaj skene

Do të marr ngjyrat e ylbereve,

të mëngjeseve, të agimeve.

 

Për këngë dhe melodi

do u bëj ftesë pëllumbeshave,

thëllëzave e bilbilave.

 

Udhës mbi ne,

do fluturojnë dallandyshe,

gushkuqë dhe trishtila.

 

Deri në muzg do na përcjellë

dielli rrezear.

Hëna fytyrëpraruar

do të na presë te dera

e folezës së ëndrrave

e të dashurisë sonë.

 

(26-29 shkurt 20120

 

 

Do të vij, i dashur, do të vij

 

Do të vij, i dashur sa më shpejt.

Dyert e zemrës e të shpirtit tënd

me çelësin magjik të dashurisë.

do t’i çel menjëherë

 

Unë do vishem me vello resh,

ti do të vishesh me ylber.

 

Syprinat e oqeaneve

sheshe lumturie do t’i bëjmë

Në to do vallëzojmë ag e terr.

 

Pllajave qiellore do fluturojmë

me flatra të fantazisë.

 

Me nektar të ri dashuror

Ditarit të dashurisë

Fletë të reja do t’i shtojmë.

 

(26 shkurt   2012)

 

 

Trevargëshat e kryemjeshtrit

 

Poetit Milianov Kallupi

 

Maleve fluturuan haikut e Milianovit

E u bënë ngjyra në ylbere

Dhe cicërima zogjsh.

 

Imshtajave u shpërndanë

Me flatra thëllëzash

Dhe pëllumbash krahëshkruar.

 

Livadheve çelën në lule

Erëmira, ngjyra-ngjyra

E i bënë qilima të pranverës.

 

Irnimin ia fshinë ditëvdekjes

Në arka të durimit

Zemrave e ndrynë.

 

Arkmortit të poetit

Iu bënë shqiponja

E bartën për në amëshim.

 

Natëvarrimit të tij

U bënë llampadarë,

Qirinj të ndezur, pishtarë.

 

Oborrtarë të përgjëruar varg rrinë

Mbretin e haikuit shqip

Presin të vijë.

 

Valë - valë si lumi Shkumbin

Ngarendin shëtitoreve në  Elbasan

Portretin e Milianovit shfaqin si vegim.

 

(5 tetor 2014)

 

 

Shkove beftas, ike pa kthim

 

Shkrimtari Riza Lahi u nda nga jeta

duke shkruar autografin në  librin

  po i dhuronte një  miku.

Nga kronikat

 

Si u ndave ashtu

Shoku ynë i mirë,

Pa na thënë një fjalë,

Pa na thënë lamtumirë?!

 

Tridhjetë vjet aviator i qiellit,

Shqiponjë në fluturim.

Prej avionit të Vdekjes,

A do kesh më kthim?!

 

Pyesin qiejt,

Që prej fluturimeve tua

Ende ruajnë uturima.

 

Pyesin Buna e Valbona,

Shtojzovalle të poezive,

Duke ofsharë me shushurima.

 

Pyet vendlindja, Shkodralocja,

Që me qumësht zanash të mëkoi,

Pyet Përmeti, pyet Prishtina…

 

(5 tetor 2014)

 

Bjeshkët e Nemuna

 

(Fragment)

 

Mes bukurive pa cak                                                                                                                                                                                                                                                                      të këtyre Bjeshkëve

Shtrirë në madhështi.

Si kreshtë e madhe mali

Një pikëpyetje rri?

 

“Kush i quajti, vallë, ato

të mallkuara?

Epiteti “t’ Nemuna”

pse u mbet ?

me shtatë shkronjat

mbi shtatë shkëmbinj

si shtatë korba të zinj ?

 

Pse vallë,  “t’ nemuna”

Pse, të truara?!

Kur duheshin pagëzuar:

Bjeshkët e Bekuara.

 

(2006)

 

Udhëve të  Diellit kalorës i jetës

 

Kirurgut Sokol Sulaj

 

Mbi gjysmë shekulli kalorës i jetës

Udhëve të Diellit, duarmrekulli.

Qindra jetë prej thonjve të Vdekjes

I çlirove, u dhe lumturi.

 

Këtë ditë prilli Ajo të rrëmbeu

Nëpër vetëtima, stuhi dhe shi.

Bornajat e bjeshkëve t’u bënë bluzëbardha

Zogjtë qëndisën në to shirita të zinj.

 

Sokolat u ndalën mbi Shkëlzen

Emrin tënd cicëruan me përmallim.

Ylberi në Radeshe shtoi një ngjyrë

U mrrol me dhimbje e trishtim.

 

Një tufë drerësh me sytë prej qielli

Në një qafë mali mbi Dragobi.

Dhe të sëmurët dritareve të spitalit

Skurrjela lotësh derdhën për ty.

 

(Bajram Curri, 9 prill 2014)