E shtune, 20.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Në thellësi të toponimeve

E premte, 19.06.2015, 09:00 PM


DUKE DEPËRTUAR NË THELLËSI TË TOPONIMEVE

Toponimet janë si zbulimet arkeologjike. . . ,si këto, ashtu edhe ato nxjerrin në drirë popujt që jetuan dhe lulëzuan - Spiro Konda

NGA PËLLUMB GORICA

Toponimet janë një dokument i heshtur, që të parët tanë na e kanë lënë trashëgim. Dëshmi e qartë për historinë e shkruar deri në ditët tona, që ndriçojnë pjezësa të errësirës shekullore. Sigurisht çdo vend ka një emër dhe kuptim domethënës, të krijuar gjithnjë mbi baza bindëse e shpesh i lidhur me ngjarje që kanë ndodhur, emra njerzish, pushtimet e një kohe të largët, me pronarë tokash e familjesh, forma e ngjyra të relievit,  ndërtime të vjetra, etj. Të emërtuara natyrshëm ato u mbajtën mend brez pas brezi, por kanë pësuar edhe ndryshime. Disa prej tyre kanë kuptim, ashtu siç tregon rastësi ndonjë prej tyre,  e pa asnjë lidhje, të cilat vështirë se shpjegohen, por shumica pjesë përbërëse e veprimtarisë së njeriut, që mbartin në vetvete gjurmë të historisë,  forma arkaike të materialit gjuhësor,  elementë të konceptimit të jetës.

Mollasi i krahinës Sulovë,  në jug të Shqipërisë së Mesme është një vendbanim i vjetër, që e mban këtë emër prej shekujsh, si një nga toponimet më të hershme të trevës. aspektin gjuhësor ai ruan shumë mikrotoponime, të cilat rezervojnë në vetvete informacione të së shkuarës. Mollasi është i banuar që në lashtësi dhe asnjëherë nuk ka mbetur i pabanuar, edhe kur kanë ndodhur lëvizje masive emigrimesh.  Së këtejmi mund të arrijmë në konkluzionin se për të vërtetuar këtë mbështetemi krahas gjetjeve arkeologjike, burimeve të shkruara, por edhe tek toponimet e shtrira në gjithë territorin.  Ai ka një reliev të larmishëm me trajta të shumëllojta ku shtrihet lugina pjellore, duke iu ngjitur asaj kemi një varg kodrash me një kompleks të përthyer të tyre, në lindje teksa lartësohen mes gjelbërimit,  si një nga vendbanimet më të bukur të krahinës. Duke i hedhur një sy, në mbi 80 % të rasteve emërtimet pasqyrojnë karakterin natyror,  bujqësor-blegtoral, në gjithë sipërfaqen e saj. Çdo kodër, përrua, breg, burim, arë e gjithçka tjetër ka emër në Mollas. Një pjesë e tyre është me origjinë të huaj. Gjenden të tilla, që bëjnë fjalë për periudhën e pushtimit romak, të tjera sllave,  bullgare,  turke. Vërejmë edhe trajta të asimilimit të fjalëve nga njëri pushtues tek tjetri për interesat e tyre. Sigurisht shekujt e pushtimeve kanë lënë gjurmë.  Eksistenca e toponimeve sllave në trevat e Jugut është e pranueshme.  Në Mollas janë në minorancë në krahasim me toponimet autoktone. Me kalimin e shekujve dhe evoluimi gjuhësor ka pësuar ndryshime si:Molanj-Mollas, Kulla-Kula, Shënteodor-Shtodër, Shënmitër-Shmitër, Peishtë-Perishtë. Veçori është se ekzistojnë disa emërvende me fjalë të përbëra, që në rrjedhat e kohës kanë ndryshuar si:Mertelena, Gjimolla, Çorovan,  Shtodër, Dardalush, Dardaliaj etj, që janë edhe ndër të paktët emra të vjetër, të rezistuar nga koha. Është interesante se të shqipëruar këto emërvende në gojën e brezave të mëparshëm për shekuj me radhë,  përmendeshin të ndara; Merte Lena, Gji Molla,  Çoro Van, Shën Teodor, Darda Lush, Darda Liaj etj. Edhe pse pushtuesit bënë punën e tyre të ndryshonin shumicën e toponimeve ato mundën t’i qëndrojnë kohës dhe kanë arritur deri më sot të bashkuara. Disa nga toponimet më interesante të Mollasit do i përmendim në një shpjegim të shkurtër.

Kalaj është një mikrotoponim i vjetër dhe interesant në njërën nga kodrat e Mollasit.  Për emërtimin e tij mund ti referohemi faktit që 1 km më sipër tij është Kulla e Kamunaut, një kala ilire.

Kula(Kulla) është një kodër zotëruese. Lartësia e saj nuk i kalonte të 500 m dhe ngrihet mbi kodrat e tjera, edhe prej pozicionit të formës si kulm e ka marrë këtë emër. Ajo dikur ishte qendër e fortifikuar ilire,  nga e cila sot nuk ka mbetur asgjë, veç ca mbeturina gurësh të kthyer në rrënojë. Kula me lashtësinë e saj një krenari dhe një çertifikatë e moçme e këtyre trojeve.

Gomrri ndodhet në bashkimin e dy përrenjve Shica dhe Julova. Në të vërtetë vet toponimi është një kodër me vështrim që rri, shikon, çlodhesh. Vetë kuptimi i prapashtesës rri të bën të thuash kështu. Nuk përjashtohet mundësia,  që emri të jetë marrë pikërisht nga ky pozicion.

Mertelena ruan besnikërisht edhe sot e kësaj dite me vjetërsinë  e emërtimit një atroponim(emra njerzish). Ndoshta fakton edhe krishtërimin e hershmëm këtu dhe dëshmon se kalimi në besimin islamik nga ana e popullsisë së Mollasit është bërë në kohë realitivisht të vonshme. Ky emërtim i dyfishtë ka lidhje me disa rrethana të karakterit burrë-grua, për të kaluarën e këtij toponimi, që mund t’u përkiste vetëm atyre ky vend si bashkim i dy emrave në një kompozitë të çiftit Merte dhe Lena.

Çorovan shpjegohet me etimiologjinë sllave Çoro i zi, i nxirë. Ngase aty kur bie shi nxihet e bëhet sterrë.  Prapashtesa Van, emër njeriu. Mbase e ka marrë nga ndonjë person me këtë emër që ishte i zi. Në Mollas kanë jetuar familje rome.  Ata kanë ushtruar profesionin e kovaçit.  Banorëve u duhej kalitur plori i parmendës, u duhej mprehur kazma e lopata u duhej masha e kacia e dhjetëra sende të tjera metalike e këto bëheshin për bukuri vetëm nga dora e tyre.

Qela është trajta e rregullt shqipe qelëza. Është më e mundshme, që ky emër të ketë burimin e tij që në kohët e lashta dhe tepër e banueshme. Qela ështe një vend natyror i pakalueshëm, sot aty gjarpëron një rrugë automobilistike e hapur në vitin 1970, që lidh Dragotin e Sulovës me Mollasin.

Qetezë është një toponim i shtrirë në një hapësirë të gjerë me kushte të përshtatëshme për jetesë. Ka themele gurësh të zakonshëm, fragmente qeramike,  muresh etj dhe duke u nisur nga këto fakte mendja të shkon patjetër se këtu duhet të ketë qenë një vendbanim i lashtë dhe i qytetëruar.

Shtodër rrjedh nga fjala ShënTeodor. Në kohëra ndryshoi dhe banorët në nocionin e gjerë e quajnë Shtodër.  Shën nuk do të thotë e shenjtë siç duan ta thonë disa kur e interpretojnë në gjuhën latine. Shën në formën dialektore të jugut të Shqipërisë do të thotë gëzim.  Pra,  vend ku mblidheshin, gëzonin dhe festonin banorët.

Caraj është një toponim i gjerë në pjesën lindore afër lartësive shkëmbore të Sulovës(Gorica e Çalës). Toponim me mjaft interes dhe gjendet rrallë në Shqipëri. Sipas historive gojore është toponim i vjetër, i shtrirë në një sipërfaqe të madhe gjeografike. Nuk dihet nga e pse e mban këtë emër, por mund të mendohet se e ka marrë nga ndonjë familje carësh nga Rusia. Në sllavisht ka kuptimin saraje.

Rrah për shekuj me radhë në historinë gojore janë quajtur tokat e punueshme të hapura mes pyjeve. Emërtimet rrah në të shumtën e rasteve mbajnë emrat e pronarëve të dikurshëm.

Ara e Shaqes është një mikrotoponim në lindje të Mollas pak më sipër toponimit Kalaj. E ka marrë këtë emërtim nga emri i një banori kur e ka hapur si tokë dhe në kohë u njoh. Mikrotoponimet Ara janë të shpeshta në Mollas.  Këto ara njihen më së shumti me emrin e pronarit,  fisit, formës, ngjyrës apo edhe ndonjë shenje tjetër.

Arat e Mukës ndodhen midis fshatrave Mollas dhe Kamuna dhe prej shekujsh pronë e  familjes Muka. Thuhet se aty ka pasur edhe banesa të shumta dhe gëzonin mirëqenie banorët, por në kohën e qesatit(kohë e urisë)ikën prej hasmërisë. Ligjet e asaj kohe nuk vepronin e kështu mbetej vetgjyqësia.  Pas kësaj hasmërie,  Mukajt u larguan,  duke ikur natën për tërë natën si morën ç’mundën fshehurazi pa e ditur se ku.

Buzët e Bukura janë ara, sot kullotë të emërtuara dikur për vet formën si buzë. Mollasakët e moçëm i kanë emërtuar kështu, duke qenë edhe buzë kodrave shkëmbore. Herët janë mbjellë me grurë, elb, thekër. Por fatkeqësisht, këto ara që dikur mbajtën me bukë brezat sot janë kthyera në rrëpira nga erozioni.

Lumarake është një tjetër toponim në Kamuna me ara pemtore,  kullota. I ka mbetur emri i një fisi të larguar prej një shekulli në kërkim të një jetë më të mirë. Emra,  familje edhe pse janë zhdukur apo janë larguar plotësisht nga Mollasi kanë lënë si kujtim toponime modeste dhe histori tragjike,  sepse asgjë nuk mund të zhduket në mënyrë pa lënë gjurmë.

Jolova është emërtim që përmbledh:përrua, ara, kodra, në një sipërfaqe të madhe në lindje të fshatit Mollas afër lartësive shkëmbore. Mendohet se është emër i një grua, pronare Ee këtyre trojeve.

Stroset kuptimin etimiologjik të emrit rrjedhin nga shqipja e vjetër,  që do të thotë shtresë e sertë, e thatë, tokë që nuk prodhon asgjë. Ky emër është i mirëfilltë shqip dhe përdoret shumë në territoret shqipfolëse. Të shumta janë mikrotoponimet rripat, këto peizazhe argjilore ku nuk rritet asgjë,  ku edhe relievi është i thepisur.

Shica e ka marrë  emrin që në kohët e vjetra.  Kur binte shi, banorët thoshin ra ca shi dhe i mbeti Shica. Shica nis e formohet nga derdhja e shumë burimeve e rrëkeve të vogla dhe mbas një rrjedhje herë të vrullshme e herë të qetë,  në një luginë të ngushtë drejt lumit Devoll, të krijuar nga një lëvizje tektonike miliona vjet më parë. Shirat e rrëmbyer janë të zakonshëm në muajt e dimrit në Mollas dhe,  në kohë shirash, Shica të jep pështypjen e një lumi të rrëmbyeshëm. Hera-herës fryhet dhe egërsohet me rrezikshmëri, duke marrë përpara gurë dhe shkurre që gjen, deri sa të bjerë niveli i ujit.

Perishti është një përrua i vogël që zbret nga kodrat, ashtu si peri i hollë. Ndoshta nga kjo e ka marrë emrin si peri ishte. Në të shkuarën banorët ndërtonin prita me gurë e gardhe për mbrojten e tokës nga vërshimet e tij. Ai u ka sjellë banorëve në shekuj begati me ujin për vaditje, por edhe fatkeqësi.

Bregu i Bardhë është një toponim interesant, pjesë e një vendbanimi të vjetër. Veç se sot aty nuk gjen as më të voglën shenjë vendbanimi të vjetër. Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar nga hapja e tokës bujqësore u zbuluan qeramika,  themele banesash, varre të vjetër etj, që përforcojnë edhe më tepër lashtësinë e banimit këtu. Askush nga Mollasi dhe ata më të vjetërit nuk mbajnë mend tu kenë treguar ndonjë gjë nga të parët e tyre, më tepër se sa dinë të gjithë për këto varre të cilat ishin aq të lashta dhe me veçantinë e tyre me kate.

Bregu i Mretes është kodër kurrizore. Dikur një pyll i madh lisi, shkozë, ngasje,  cërëmdel, por më shumë mrete si një vlerë e madhe drusore për ndërtim dhe zjarr për banorët. Në fakt hapësirat e Mollasit në të kaluarën ishin të mbushura me drurë masive e të shumëllojshëm, të moçëm jo vetëm pyjor,  por edhe frutorë.  Ato duke u bërë ballë zjarrit, rrufesë nuk i shpëtuan sëpatës në fillim viteve ’70 nën parrullën ideologjike:T’i bëjmë kodrat,  pyjet,  malet pjellore si fushat. Në vitet e socializmit djersa e qindra të rinjve e kthyen këtë toponim, si shumë të tjera në një bllok me ullinj, e cila formon kurorën e gjelbër të Mollasit.

Varri i Kaçakut për të cilin thuhet se së hershmi është vrarë e varrosur një kaçak, prej së cilit e mori emrin. Se kur ka ndodhur kjo nuk mbahet mend, veçse tregohet kjo histori:Kaçakët qarkullonin duke vjedhur e grabitur edhe në Sulovë karvanët që vinin nga Elbasani për në Berat e anasjelltas. Midis karvanxhinjve e kaçakëve u zhvillua një luftë ku mbeti i vrarë një kaçakë e u varros aty.

Varri i Beut ka një histori tejet interesante:“Aty është vrarë duke u kthyer nga Berati, një nga të parët e derës së bejlerëve të Sulovës, në fillim të shekullit të kaluar nga hasmëria,  që kishin me një familje në Mollas. Thuhet se e patën vrarë,  se edhe ai kishte vrarë. Në këtë vend ku është ky varr ishte krijuar në kohëra një pirg me gurë. Se atje tek vritej një njeri kurdo që derdhej gjak njerëzit shkonin e hidhnin gurë nga, që kur të kalonin afër të mos e shkelnin”.

Kopshti i Tungut, ara të mira kryesisht afër shtëpive mbasi kanë dhe ujë për t’u vaditur,  por dhe janë toka të lehta e pjellore që punohen e mbilleshin, për të plotësuar nevojat e familjes. E ka marrë këtë emërtim nga që i përkisnin gjithë trungut të një familje të madhe. Fshatarët i mbillnin më shumë me grurë e misër, me perime dhe merrnin prodhime të mira duke krijuar një tradite.

Skunaj është i shtrirë një pllajë gjithë gjelbërim me lloj-lloj drurësh pyjor e pemësh frutore shekullor dhe ka këndvështrim të gjërë.  Sipas etnografit, Mark Tirta ky toponim ka kuptimin e sheh përkundrejt. Pylli ka arritur deri në ditët tona. Aty buron një ujë i ftohtë, rreth e rrotull ka burime plot, por siç thonë të vjetrit,  burimi i Marozit e ka ujin më të mirë. Me rrjedhje një krahë ujë të pashtershëm e të njëtrajtshëm në çdo muaj të vitit. Afër burimit në një kodër të vogël janë themelet e një kishe të vjetër, që sipas studimeve të bëra i përket periudhës bizantine.

Vromi është fjala e vjetër e rrugës së karvaneve, që vinte nga Elbasani për në Berat,  për të vazhduar më tej. E gjejmë në përdorim këtë emërtim vetëm në gojën e të moshuarve. Emëri i vjetër nuk u përdor në kohët e mëvonshme ndoshta për shkak të fjalëve të reja. Vromi kalonte përfund kodrave deri vonë, (vitet 60 të shekullit të kaluar)pasi u hap rruga e re mes për mes fushës.  Megjithëse ajo ishte një arterie pak e përshkruar dhe pak e njohur në dokumente historike.

Fong si toponim ka mbetur që prej kohëve të lashta dhe duket me mjaft interes.  I kanë vënë këtë emër sepse aty gjen një lloj bari të quajtur Fong. Është një toponim me një vendndodhje të bukur dhe me aq diell e dritë, që sipas dokumenteve dhe historive gojore ka shenja lashtësie, e ku herë pas here gjatë punimeve shfaqen mbeturinat e banimit të hershëm, gurë të gdhendur, tjegulla,  tulla,  etj. Banorët i kanë bërë të punueshme tokat aty dhe vende të banuara, ku ndodhen pjesa më e madhe e një lagje të re e Dasarit.

Gjimolla e ka marrë kë të emër ndoshta nga forma e tokës si gji dhe nga që dikur aty rriteshin shumë mollë. Bashkimi pastaj i emrave ka prurë atë përfundimtar të mikrotoponimit Gjimolla, e cila ishte dikur shumë e pyllëzuar, por që në rrjedhat e kohës u degradua nga prerjet.

Linore e ka marrë këtë emërtim, se dikur këtu është mbjellë lir një bimë industriale më të cilin e kultivonin banorët për të përgatitur veshjet e tyre në avlmend.

Gropa e Kaut ndodhet gjatë rrjedhës së përroit Shica. Ujërat, në kohëra kanë gërmuar shkëmbinjtë me natyrë gëlqerore dhe kanë formuar humnera, pragje e lartësi të ndryshme,  pellgje, që krijojnë një bukuri të rrallë. Kushdo që i sheh për herë të parë mrekullohet. Njëra nga këto gropa është e madhe në përmasa.  Historitë gojore tregojnë se është mbytur një ka parmende, prandaj e mori këtë emërtimin.

Guri i Kalit ka mbetur e emërtuar në kohën këtu burrat e njohur të Mollasit hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë mbi këtë gur. Që nga kohët e vjetra ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e madhështisë së tyre.

Guri i Bletës gjendet në një lartësi shkëmbore me faqe rrafsh, aty ku ndërpritet vazhdimi i kodrave. Në këtë vend është një guvë shumë e thellë, me labirinte dhe mjaft e frikshme. Dikur në thellësi të saj gumëzhinin bletë. A thua se aty ishte fole e madhe bletësh siç flitej, ndaj dhe këtij guri shkëmbor i mbeti emri. Për të janë thurur lloj-lloj tregimesh, të cilat kanë marrë trajtën e një legjende. Ekziston një mendim,  por duhet vërtetuar se pusi është shumë i thellë e me dalje diku.

Rrasa këtë emër e ka vënë banorët fenomeneve natyrore të formuara në shekuj në kodrat shkëmbore nga shembjet tektonike, të erozioneve, gërryerjeve të tokës nga agjentët atmosferikë në shekuj. Në Mollas domosdo do t’u ketë rënë në sy kujdo që vjen ajo faqe shkëmbore si e prerë me thikë e krijuar nga rrëshqitje tektonike të ndodhura miliona vjet më parë.

Hijet është vend që lidhet me veçoritë e tokës,  trajtave të saj në faqen lindore,  që rrihet pak nga dielli,  dikur pyll në lindje të Mollasit. Është me burim shqip dhe si e tillë vjen nga lashtësia.

Mullinjtë e Agove janë të ndërtuar në shtratin e krijuar nga ujërat e përrenjve,  me anë të cilave banorët siguronin miellin, si lëndë të parë kryesore për bukë. Ata kanë mbetur në kujtesën e të vjetërve si dëshmi, ngase çdo gjë sot nuk ekziston. Të përmendur në tërë krahinën e më gjerë, janë punuar nga fisi i Agollinjëve, me dy gurë njëherësh dhe veç bluante grurë e veç misër.

Hanore e ka marrë këtë emërtim ngase këtu gjendej një ndërtesë buajtje(han) ku kalonin natën karvanët që vinin e shkonin nga Berati në Elbasan e anasjelltas.

Stanet i ndeshim me emrin e pronarit, fisit, apo ndonjë shenje tjetër. P. sh: Stani i Gogos, Stani i Bregut, Stani i Jevgut, Stanez etj. Si toponime të tilla ka mbetur prej kohëve kur vllehët, barinj shëtitës vendosnin stanet e tyre të përkohshme në Mollas. Blegtoria ishte e ardhura kryesore e banorëve në kohëra. Kullotat ishin të shumta dhe të pasura për tufa të mëdha dhe ç`do shtëpi kishte tufën e saj. Aq sa ishte e vështirë të kuptoje edhe banorin e Mollasit pa bagëtinë dhe natyrisht krijoheshin vendgrumbullime larg qendrave të banuara.

Pusi i Komandës në Mollasi i ndërtuar në vitet e regjimit të Zogut i shërbeu postëkomandës së xhandarmërisë së ngritur këtu në fillim të shekullit të kaluar. Pusi ishtë shumë i thellë, mbi 30 m, në formë cilindrike i ndërtuar nga mjeshtërit oparakë.

Si çdo fenomen shoqëror dhe natyror që pëson ndryshime, edhe mikrotoponimia e Mollasit dhe e gjithë krahinës Sulovë i është nënshtruar kësisoj.  Sistemi socialist la gjurmë me emërtime të reja. Në disa vende emërtimet e vjetra janë hequr,  madje janë harruar, diku janë ngritur objekte që e kanë shuar imazhin e atyre të vjetra me të reja. Historitë gojore tregojnë gjithashtu se në shekujt e parë të pushtimit turk këtu kanë ardhur e janë vendosur nga Jugu e Veriu i Shqipërisë. Gjithçka në atë periudhë ishte një gjendje e rëndë nga pushtimi turk,  epidemitë e krizat e bukës, edhe bujqësia e katandisur në pikë të hallit duke rralluar popullsinë nga shpërnguljet e territorit të krahinës. Sipas një studimi, shumica e familjeve të ardhura kanë patur hasmëri në vendin e origjinës. Por kanë ardhur edhe nga shkaqe të tjera. Ata vinin nga vende malore ku në përgjithësi mungonin mjetet e domosdoshme për jetesë, më kryesore tokat dhe detyroheshin të ndërronin vendbanim. Ç’i kishte lakmuar territori i Mollasit?:Pozita gjeografike, klima, tokat, pyjet, ujërat. Ndaj, toponimet e emrave katolikë në Mollas kanë lidhje me faktin që prej krahinave veriore këtu janë vendosur prej shekujsh jo pak familje. Të përzënë me forcë nga sllavët ata u shpërngulën në trevat jugore dhe nga kjo kemi disa toponime interesante si: Gjeduda, Brekale, Nikaj, Lekri, Moskovil,  Gulshi, Qafalia, Rakushi, Prusa, Shorra,  Zhavur, Zhavarja, Bokafet, Çezma e Malsorit, e të tjera që përbëjnë interes në emërtimin e tyre të vendosjes së familjeve nga Suli apo krahinat e Korçës dhe Labërisë në Sulovë si:Meçita,  Gërxhel,  Qeronia,  Ligata,  Kollopeci, Kollovozi,  Nishanet, Muzga,  Shullonjat,  Shtegu i Deves, Kodra e Vezës, Sheshet e Mesme,  Broshkat, Korsita,  Kollosa,  Shulet,  Qyraze, Ngurrëza, Çurgu etj.

Siqoqoftë këto toponime flasin shumë për historinë e këtij vendbanimi. Ato janë në vetvete organizma të gjalla të cilët po të zbërthehen më në thellësi mund të shkruhen studime dhe vëllime të tëra pasi brenda tyre, lëvizin breza njerzorë, ngjarje dhe kohëra mbështjellë më mistere, që presin të zbulohen.

Caraj, Skunaj, Goricë e Çalës


Gërxheli dhe Kula(Kulla)


Gomrri


Mollasi


Perishti


Qela, Jolova


Shica në verë


Shtodri (Shën Teodor)



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora