E enjte, 21.11.2019, 04:01 AM (GMT)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Kërçova një çerdhe e lejlekëve

E premte, 19.06.2015, 07:33 PM


KËRÇOVA NJË ÇERDHE E LEJLEKËVE

NGA KALOSH ÇELIKU

Kërçova, historikisht njihet për mikpritje shqiptare. Im Atë, Emin Çeliku për çdo pranverë para se të shtegtonin lejlekët në Lisin e midis Livadhit në vendlindje, herët në mëngjes ua rregullonte çerdhet. Ndonjërit edhe mbi çati, në oxhak.

Ditën e nesërme Katundit tim Cërvicë nga “vendet e nxehta” i ktheheshin grupe - grupe shtegtarët. Gëzim i madh për ne fëmijët. Kthimin e shtegtarëve përmes Qiellit në vendlindje, ne e prisnim me duartrokitje, këngë e valle. Vërtetë, ishte një festë madhështore kombëtare. I madh e i vogël me kuaj shelgu u dilnim para në lëmë duke i pritur plot gëzim e brohoritje: O lejlek, haxhibek!

Gjatë kohë nuk e dija, pse Lejlekun e kishim krahasuar me Haxhibekun. Vite më vonë këtë fshehtësi popullore do ta mësoj tek Libri i këndimit. Vjersha e intelektualit të madh shqiptar Petro Janura, libri i tij me vjersha: O lejlek, haxhibeg.

Vite e vite kanë ikur që nga ajo kohë qorre. Unë, më nuk jam fëmijë: po, burrë plak me mjekër e mustaqe. Ende jo, veshë më veshë. Dita e Nesërme do të flasë deri ku i kam pasur mustaqet e Bajram Currit. Mos ta them publikisht,  se: edhe unë jam bërë si lejleku. Rrallë, shumë rrallë e vizitoj vendlindjen, rrëzë Çukës. Lisi midis Livadhit, nuk është më në vendlindje. Përmëkeq, edhe çerdhet e lejlekëve. Kakarrisjet e tyre me këngë, herët në mëngjes, mu si ajo zilja e shkollës që më thërriste tek Abetarja: Hajde, o biri im, të pret shkolla për mësim! Mendja ma thotë, sot: edhe ato shtegtarë nuk jetojnë dot pa njerëzit. E di, shkaku, se: Babai moti kohë ka ikur me Shtëpi në mesin e varreve, rrëzë Çukës. Vetëmse, një gjë ende nuk e kam të qartë, pse mbi ato varre historike shqiptare me barin mbi kokë, ende nuk shtegtuan me çerdhe e këngë edhe lejlekët?!

Faji dihet, është historik, përsëri i yni i “vëllazërim – bashkimit”: fshatarëve e qytetarëve në Shtetin e “përbashkët”. Pleqtë tanë ikën me vetëdëshirë ose me dhunë si “turq myslimanë” nga fshati e qyteti. Sot për sot, mbetëm ne pasardhësit e tyre, që njëri pas tjetrit na rrëmbeu kurbeti dhe arratisja nëpër “vende të nxehta”. Fatkeqësi kombëtare, ende edhe sot e kësaj dite nuk kthehemi me gjithë zogjë në çerdhet e të parëve tanë shtegtarë. Nuk ka kush t’i presë lejlekët në Katund.

Organizimet poetike pranverore: Guri i Hyjeshës Ilire Thana në Kërçovë nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptar “Mugullimi”, seç m’i kujtoi lejlekët e fëmijërisë dhe pleqtë tanë me kësula të bardha të Bajram Currit në Katund. Grupet e tyre që ateronin nga qielli e toka me këngë e valle mbi çerdhe. Dulin e  Ri me shokë, kur me veshje kombëtare e muzika, përmidis i bienin me flamurin kombëtar kuqezi Çarshisë Kërçovës. Anembanë Trojeve etnike shqiptare. Që në atë kohë, e lajmëronin ardhjen e kryengritësve, jetën në vendlindje. Moti kohë, nuk e kisha dëgjuar këngën e lejlekëve. Cicërrimet e dallëndysheve në çerdhe, shtëpi më shtëpi. Fluturimet e para të të vegjëlëve të tyre plot gëzim degë më degë Rrapi e nëpër qiell.

Dasma poetike kërçovare e kësaj pranvere, përsëri zogjtë shtegtar na i solli në vendlindje: Shtëpinë e Artit, në Knezhinë të Kërçovës. Organizatorëve, u falen gabimet e “rastësishme” organizative, por në të ardhmen duhet të pretëndojnë që ta vazhdojnë Traditën e Rilindasëve tanë Shqiptarë. Patjetër,  të kenë kujdes me dallëndyshet dhe lejlekët. Nëse, mendojnë të mbeten gjallë në Historinë e Letërsisë Shqiptare. Koha është, sot t’u iket parullave të thata patetike – patriotike. Edhe, pse e di, se: nuk është i keq parashikimi i organizatorëve për Ditën e Nesërme. Kurrë, nuk mund ta harroj Nënën time në mëngjes për Shëngjergj me një degë thane të legur me ujë, herët pa lind Dielli kur ma prishte gjumin. Pakërëndësi, ka kjo dukuri pagane tradicioanale shqiptare, mali Drenova eshtë ai që mund ta përfaqësojë Kërçovën nëpër botë.  Pse jo, edhe Çelëvjollca?!, Njësoj, si Baba Tomorin që e ka Shqipëria. Fjalën nuk e kam këtu për Andon Zako – Çajupin. Histori më vete e popullit shqiptar. Autorin e librit “Baba Tomori”, komedisë satirike  Katërmbedhjetë vjeç dhëndër”, dhe poezisë egër, “Kandari”.

Erdhën krah për krahu me shoqe e shokë nga të katër anët e Atdheut: dallëndyshe e lejlekë. Gjatë dy netëve poetike kënduan këngë e hoqën valle. Derën ua hapën karah më krah: Date Koçi, Xhelal Ademi e Adem Xheladini. Hava Hajdini ua hapi edhe dritaret: u tha, fluturoni të lirë në Qiell gjatë këtyre dy netëve e ditëve poetike në Kërçovën historike! Dorën në zemër, Ndonjëri nga mysafirët edhe na keqpërdori si mikpritës me “Një Minutë heshtje për dëshmorët”?! Nuk ka problem, erdhi në sofrën tonë me porosi kutadimë ne partiake, antishqiptare ose kotnasikoti “patriotike”.  Ndoshta edhe pse, ishte më “patriot” se ne shqiptarët e kësaj ane, mes çerepit e saçit. Shqiptarët, historikisht dinë ta presin edhe mikun, edhe armikun. Madhështorja, kënduan e fluturuan deri në qiell: Flora Brovina, Fatmir Minguli, Nikolla Spathari, Adem Gashi, Namik Selmani, Riza Braholli, Riza Çato, Shyqri Galica, Alfred Mollaholli, Ferida Ramadani, Rami Kamberi, Fatmira Loçi, Artan Almeta, Rakmond Shehu, Xhelal Ademi, Vladimir Muça, Agim Bajrami, Agim Xheka, Dan Ibrahimi, Petrit Ruka, Agim Berisha, Hasije Selishta, Dhimitër Nica, Flora Peçi, Kalosh Çeliku, Sadije Aliti, Begzat Rrahmani, Xhelal Luca, Mirije Vrangalla, Xhevdet Ukalli, Xhemile Adili, Agron Çalliku, Fisnike Rasimi etj.

Mbrëmjen e parë poetët patën Orë të lirë letrare që ishte pagëzuar "Duke pritur Thanën për frymëzim", ku ato lexonin kujt si t’i teket, ndonjëri dilte edhe për të tretën herë të lexojë poezi. Orë simbolike poetike, ku poetët mund të presin Muzën, Miken. Ose, Nusen me koçi, por jo edhe Thanën me të cilën nëna për çdo Shëngjergj, herët në mëngjes na stërpikte me ujë bunari të Katundit.

Ditën e shtunë karvani i poetëve e vizitoi Qendrën Përkujtimore "Nëna Shqiptare" në Zajaz, ku u pritën nga koordinatori i Këshillit për ndërtimin e këtij memoriali Musli Musliu, i cili vizitorët i njoftoi lidhur me rrjedhën e punimeve:

"Para disa ditësh kemi ngritur pllakat e mermerta, ku janë të gdhendur emrat e të rënëve gjatë periudhës 1900-1939, ndërkohë jemi duke analizuar edhe organizimin e një debati publik, për përfshirjen e periudhës së viteve 1940-1945 dhe periudhës së mëvonshme, pasi kjo periudhë duhet analizuar e debatuar dhe nga ai debat të nxirren vendime të shëndosha lidhur me nxjerrjen në dritë të të gjitha të dhënave nga kjo periudhë. Gjithashtu jemi duke punuar për përgatitjen dhe adaptimin e objektit të komunës së Zajazit në muze etnografik, ku do të mblidhen të gjitha vlerat trashigimore të shqiptarëve të Kërçovës dhe më gjerë",  tha ish kryetari i komunës së Zajazit dhe koordinator i këshillit të QP "Nëna shqiptare", Musli Musliu.

Kulmincionit të artitit kërçovar i erdhi në ndihmë  Ferit Abdiu me  atë porosinë e tij artistike: Të pret poeti. Nuk përmendi këtu lëshime organizative, besoj se i kanë kuptuar orgniaztorët. Arsye, mos ma marrin për të madhe: Vallja hidhet me “dahire e lodra”.

E vizituam edhe Kalanë e Kërçovës. Mezi u ngjitëm mes  barit të pakositur dhe përmendoreve komuniste pa kokë e të rrëzuara përdhe. Luleve, që dikur i mbolli Partia Komuniste e sot, nuk u kishin mbetur as për farë rrënjët në tokë. Mëkot, e kërkuam bustin e Skëndebeut në kala të Kërçovës, që dikur në prag të Luftës së Dytë Botërore (Shqipërisë Madhe),  rrinte rehat si burrat me shokë. “Vëllezërit” partizanë pas lufte e zbritën nga Kalaja, dhe e fshehën në podrum. Sot, një Zot e di ku është busti i Skënederbeut. Partaia Politike në pushtet (BDI) dhe kryetari i Komunës Kërçovës, pritet ta kthejnë gjatë këtij mandati që ia dha populli shqiptar në Kalanë e Kërçovës bustin e Skënderbeut. Ende kemi durim, presim ne shqiptarët. Vetëmse, një gjë duhet ta dinë politikanët: shqiptarët nuk mund të presin gjithë jetën barabarësi kombëtare. Dhe, Liri!

Natën e dytë u bë përurimi i librave, katër tituj të rinj: “Këmisha pa numër” e autorit Dan Ibrahimi nga Prishtina, “Të gjitha lulet kanë emrin tënd” nga Dhimitër Nica i Selanikut, “Ekuinokset” i autorit Vladimir Muça nga Durrësi, “Romanca dashurie” e autores nga Tetova Sadije Aliti dhe “Valsi i metaforave” i autorit Riza Çato, për të cilët vlerësime artistike bënë kritikët letrar: Adem Gashi, Fatmir Minguli, Rami Kamberi dhe Adem Xheladini. Vargjet më të fuqishme me ilustrime muzikore i përcillte miku i poetëve kantautori kërçovar Ferit Abdiu.

Aktorët Suela Demiri, Agim Xheka dhe Margaritare Ballazhi deklamuan vargje nga përmbledhjet e shumta poetike që ishin shtruar në tryezën e librit në sallën e Shtëpisë së Artit në Kërçovë. Natës Madhe i dha zjarr, këngtari i mirënjohur i melosit kërçovar
Dervish Dervishi me të birin Argëton Dervishi, i cili tanimë me artin e tij, ka shkelur skenën e Parisit me këngën folklorike kërçovare: Në bahçe na ka ra bryma, Shtatë bylbylat, Vjen valia prej Manastirit etj.

Pasmesnate, në emër të kryetarit të Komunës së Kërçovës, z. Fatmir Dehari, për të gjithë poetët pjesëmarrës këshilltarja e Këshillit të Komunës së Kërçovës Lirije Jusufi, ndau mirënjohje dhe falënderoi poetët nga të gjitha trojet etnike shqiptare, që Kërçovës për tre ditë me radhë i sollën freski kulturore.

Përsëri, kulminacioni i artitit kërçovar:  Ferit Abdiu me  atë porosinë e tij poetike antologjike: Të pret poeti e mbylli Natën e madhe poetike. E përsëris edhe një herë: Nuk përmend lëshime të tjera organizative, besoj se i kanë kuptuar orgniaztorët. Tekefundit, janë edhe normale. Kurrë, këto organizime kulturore poetike nuk mund të jenë të përkryera. I përkryer nuk është, as edhe vetë Shekspiri. Arsye, mos ma marrin për të madhe organizatorët: Vallja hidhet me “dahire e lodra”.

E përcollëm Natën e Madhe me poezi e këngë mes maleve. Dhe, e pritëm Ditën e Nesërme me shtegëtime të reja poetike nëpër Shqipëri e botë.

Këmbëkryq, te pragu i derës e presim edhe Lirinë. Nusen e maleve, që rrugës na u thye rrota e qerres, mbetëm mes maleve. Komitat, papritmas na e grabitën dhe na futën një nuse tjetër me “dollamë” në koçi…

Poetët për disa çaste gjatë pushimit para Orës Madhe letrare mes maleve, vetëm me poezinë  dhe Thanën, në Kërçovë…

Ora e Madhe letrare e percjellur me muzikë nga kantautori ynë , Ferid Abdiu. Dhe, Dervish Dervishi me të birin Argëtimin me këngë burimore kërçovare.

Poetët para përmendores së “Nënës Shqiptare”, në Qendrën përkujtimore të dëshmorëve të Luftës Parë Botërore (1900-1939), në Zajaz të Kërçovës.



(Vota: 89 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT