E marte, 20.10.2020, 09:55 AM (GMT+1)

Aktualitet

Entela Binjaku: Shqiptarët kërkojnë një jetë dinjitoze

E premte, 19.06.2015, 08:34 PM


Entela Binjaku: Shqiptarët kërkojnë një jetë dinjitoze, janë mbingopur me premtime e fushata

Binjaku: Gabimi që bëjnë gratë në politikë është se me t’u bërë pjesë e saj kërkojnë tu ngjajnë burrave

Ajo ka zgjedhur një mënyrë mjaft të veçantë të të bërit fushatë: pa luks, pa propagandë, pa pompozitet, por thjesht duke përdorur fjalën, më shumë përmes rrjeteve sociale se sa përmes kamerës. Shumë pak ka folur për veten dhe më shumë ka lënë të tjerët të flasin për të. Shumëkush që e ka mikeshë në Facebook Entela Binjakun e ka vënë re këtë gjë, pasi në faqen e saj sheh statuse dhe komente të shkruara me sinqeritet nga studentë, dashamirës të saj e qytetarë anembanë Shqipërisë të cilët e përgëzojnë Entelën për vendimin që ka marrë për të kandiduar në radhët e FRD-së si këshilltare në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke prezantuar kështu më së miri me intelektin e saj figurën dhe forcën e gruas shqiptare në politikë. Në një intervistë për “Tirana Observer” ajo tregon se si e mori vendimin për të kandiduar, sa afër janë sociologjia dhe politika; ç’mendon për fushatën zgjedhore në përgjithësi, për procesin e dekriminalizimit dhe çfarë do të bëjë ajo për të përmirësuar jetën e qytetarëve… Me sloganin “Për qytetin tonë”, Entela Binjaku i fton qytetarët të votojnë numrin 32 në fletën e votimit.

Ju njiheni si një sociologe dhe pedagoge mjaft e zonja, por në këto zgjedhje vini si kandidate e FRD-së në këshillin bashkiak të Tiranës, është një hap i rëndësishëm, keni vendosur ti përkushtoheni më shumë politikës se sa fushës suaj?

Ju falënderoj shumë për fjalët! Nuk e di sa e zonja jam në profesion, por jam e sigurt që çdo njeri ka nevojë për fjalë mbështetëse. Janë gjenerator energjie dhe motivimi për t’u bërë profesionist më i mirë. Politika është pranë fushës së interesit të sociologëve dhe e parë në këtë këndvështrim unë nuk jam larguar shumë fushës ku veproj, por është ndryshe të jesh aktor në politikë dhe ndryshe kur e monitoron dhe e studion atë. Sociologjia është pasioni im por ka qenë por me kohën ajo u bë dhe përcaktuese për t’u angazhuar në politikë. Teorikisht ndjehem në habitatin tim, për aq kohë sa në vitet e universitetit dhe atij më pas, kam studiuar mjaft lëndë nga shkencat politike, por kam shumë rrugë për të bërë për t’u ndjerë praktikisht në habitatin tim, në politikën shqiptare.

Si do ta komentonit fushatën e partive të mëdha deri më tani që nga organizimi e deri te financimet? Po për partitë e vogla është e vështirë të bëjnë fushatë?

Fushata e partive të mëdha në këto zgjidhje ka qenë e parakohshme, ka nisur që kur nuk mbahet më mend, aq sa të krijon psikozën se ky popull është gjithmonë në fushatë. Në dukje e qetë, në ekuilibër epitetesh, e pasqyruar në mënyrë aq intensive në media sa ka krijuar tek njerëzit mbingopjen, ka mjaft elementë të komunikimit politik bashkëkohor, por sërish lëvrohet në mjedisin shqiptar ku analiza ka pak vend. Partitë e vogla, mund të jenë të vogla numerikisht krahasimisht me të mëdhatë tradicionale, por kur mbartin vlera burimesh njerëzore, dhe kapacitete të intelektit dhe të korrektesës për të vepruar, ato nuk quhen më të tilla. Eshtë shoqëria që vendos nëse ato parti duhet të rriten dhe të jenë pjesë e politikës së re shqiptare. Vështirësi sigurisht që kanë, të të gjitha natyrave por kjo nuk i ka penguar mbi 100 e ca parti që kanë krijuar shqiptarët të ruajnë siglat dhe të garojnë, secila me profilin e saj.

Nga aq sa keni konstatuar në terren për çfarë kanë më shumë nevojë qytetarët shqiptarë, pavarësisht cili kandidat iu troket në derë?

Qytetarët shqiptarë kanë aq shumë nevoja, të paplotësuara sa të duket se nuk ka një dimension të jetës në qytetet dhe fshatrat tona që mund të jetë në ato parametra që kanë kërkuar shqiptarët që 25 vjet më parë. Ata thjesht kërkojnë një jetë dinjitoze për vete dhe për fëmijët, kjo është ajo që kërkojnë.

Po debatohet shume ditët e fundit për dekriminalizimin apo pastërtinë e figurës së kandidatëve në listat për kryetar bashkish, si e gjykoni këtë proces?

Në fjalorin e gjuhës shqipe nuk e gjen “dekriminalizim”-in si fjalë. Kjo tregon nga njëra anë se është fjalë e re, se në kuptimin e përgjithshëm nuk kuptohet nga të gjithë, por që natyrisht edhe pa u gjetur një ekuivalent i tij në gjuhën tonë, sërish është kuptuar se nëse është kuptuar nevoja e këtij pastrimi tregon ose praninë ose predispozitën që ka politika jonë që të “strehojë” brenda saj edhe qytetarë që kanë sjellje shmangëse nga normat shoqërore të pasuara edhe nga normat ligjore. Nuk besoj se do të gjenim një qytetar të ndershëm në këtë vend që do të miratonte praninë e figurave që nuk i përfaqësojnë apo më keq akoma i keq përfaqësojnë. Një proces i pastrimit do të ndihmonte shoqërinë së paku në orientimin drejt atyre vlerave që çojnë përpara çdo kauzë.

Sa të besueshme janë sondazhet e publikuara para zgjedhjeve, dhe sa ndikojnë ato te votuesit?

Sondazhet kudo përballen me skepticizëm që vjen nga ana e aktorëve të ndryshëm, aktorë të cilëve ju preken interesat, që mund të ndajnë qëndrime kritike për shkak të profesionit, apo për shkak të mosnjohjes së specifikave që ka një sondim opinioni. Në vendin tonë këto elementë i gjen të pranishëm të shoqëruar edhe me shkallën e ulët të besimit në shumë institucione që ne kemi ndërtuar apo edhe në shkallën e ulët të ndërgjegjësimit të shoqërisë për të bashkëpunuar në një proces sondimi. Çdo shoqëri me traditë politike i përdor sondazhet, por edhe ato që kanë dalë nga regjimi komunist i lëvrojnë dhe angazhojnë në to shumë studiues të shoqërisë. Sondazhet e kanë edhe efektin e orientimit tek votuesit, në disa raste ato shtrëngojnë pozitat e ndjekësve të një partie, nga ana tjetër nxisin të tjerë të përkrahin një forcë që e shohin në pozita të disfavorshme, por tek ne për shkak se mosbesimi është ngritur në kult, për shkak se me besimin është abuzuar shumë, ka bërë që edhe tek sondazhet njerëzit të tregohen skeptikë.

Entela Binjaku duke bere fushateSa të përfaqësuara janë gratë shqiptare në politikë?

Gratë në politikën tonë janë të domosdoshme për aq kohë sa janë gjysma e shoqërisë dhe është e drejtë të përfaqësohen në atë shkallë që dhe të votëbesohen. Ne jemi një shoqëri që shumë procese nuk i kryejmë si të natyrshme, për shoqëritë demokratike. Gabimi që bëjnë gratë në politikë është se me t’u bërë pjesë e saj kërkojnë tu ngjajnë burrave, ndërkohë që shoqëria i voton për ti pasur model.

Pse duhet ta votojnë qytetarët Entela Binjakun në këto zgjedhje, çfarë do të bënit për të përmirësuar jetën e tyre?

Duke votuar Entela Binjakun qytetarët i japin mundësinë një bashkëqytetareje të tyre të bëhet në struktura të vendimmarrjes së qytetit, zëri i tyre. Vullneti për të punuar, ndërgjegjja komunitare dhe besimi tek një njohës i çështjeve shoqërore do të shërbente si orientim për të më votuar. Duke votuar nr.32 në siglën FRD këtë të diel të 21 qershorit, qytetarët do të votëbesonin një individ që ka treguar në këto vite këmbëngulje për të bërë më të mirë “parcelën” e vetë. Kështu do të jepnin besim edhe të tjerëve që tregojnë po ashtu si unë, këto cilësi që kërkohen për një politikë të dimensionit të ri.

http://www.tiranaobserver.al/entela-binjaku-shqiptaret-kerkojne-nje-jete-dinjitoze-jane-mbingopur-me-premtime-e-fushata/



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora