E premte, 19.04.2024, 12:40 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Përpara drejt fitores

E enjte, 18.06.2015, 08:37 PM


Përpara drejt fitores*

Nga Reshat Kripa

Në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore për pushtetin lokal, para syve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi pinjollët e tyre janë  sot  në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur. Por mos harroni edhe sharlatanin dhe karrieristin Ilir Meta, figurën më të urryer të politikës shqiptare dhe të ashtuquajturën parti të tij, një parti mafiozësh dhe të inkriminuarish, që kanë zaptuar politikën shqiptare.

Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë, sepse ishte ky koalicion që në legjislaturën e parë të tij 1992-1997, realizoi përmbysjen e regjimit totalitar, që u dha lirinë ish të dënuarve politikë, që shkolloi me mijra bij tanët që regjimi i kishte lënë në errësisrë, që punësoi me mijra të tjerë në të gjitha rangjet e administratës, duke filluar nga drejtorët e institucioneve shtetërore dhe deri në krye të parlamentit dhe partive politike.

Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.

Mos harroni, por votoni për Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë, pasi ishte ky koalicion që i rezistoi me vendosmëri dhunës së kuqe dhe që solli, në vitin 2005, përsëri në pushtet Partinë Demokratike dhe këtë koalicion.

Por mos harroni edhe Partinë Socialiste e koalicionin e majtë por shikoni se si ka vepruar ajo gjatë këtyre viteve. A nuk ishte ajo që, me urdher të Edi Ramës, i nxorri jashtë nga parlamenti deputetët e saj kur votohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,  “Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit”? A nuk ishte ajo që, kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, po me urdhër të Edi Ramës i nxorri deputetët nga salla? A nuk ishte ajo, kur diskutohej amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq, përsëri me urdhër të Edi Ramës, i nxorri deputetët nga salla, madje pati edhe ndonjë, si ish kryeministri i zbardhur para kohe i socialistëve, Pandeli Majko, t’i quante ata “Plehra”? Cilët ishin plehra, zoti Majko? Mos vallë vullnetarët e batalionit 4000 të NATO-s që vinin në Shqipëri për ta çliruar atë nga thundra komuniste? A nuk ishte, më së fundi, Partia Socialiste ajo që, me urdhër të kryetarit të saj, Edi Rama, doli përsëri jashtë kur dikutohej ligji i ri i lustracionit që do të flakte jashtë politikës  më shumë se gjysmën e socialistëve të Shqipërisë. Dhe, çuditërisht sot këta kameleonë derdhin lot krokodili pët të përndjekurit politikë dhe kandidati i tyre grumbullon një grusht renegatësh që në të kaluarën nuk ishin gjë tjetër veçse një grup hajdutësh apo përdhunuesish të familjarëve të tyre dhe që pushteti i atëhershëm, qëllimisht, i futi në rangun e të përndjekurve politikë.

Mos harroni, por votoni Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë  sepse  ishte  ky  koalicion që e futi Shqipërinë në Këshillin e Europës qysh në legjislacionin e parë të tij, që e futi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat me Bashkimin Europian, në legjislacionin e dytë. Votoni për Doktor Halim Kosovën dhe Partinë :Dermokratike e koalicionin  e djathtë që ndërtoi Autostradën e Kombit, rrugën që bashkoi dy shtetet shqiptare me njeri-tjetrin, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradat Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, mijra kilometra rrugë rurale dhe rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Votoni Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë për ngritjen e mirëqënies së vendit tonë, për zhvillimin e bujqësisë moderne shqiptare, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Së fundi, votoni Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë se është e vetmja forcë politike në Shqipëri që do të zgjidhë brenda një kohe relativisht të shkurtër problemet e të përndjekurve politikë duke filluar nga dëmshpërblimi deri në kërkesat e tjera të tyre.

Filozofi Friedrich Nietzsche,  qysh në vitin 1906, shkruante në librin  “Vullneti për pushtet”:

“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.

Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.

Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”

Ndaj, t’i themi “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i  themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.

Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i thermi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.

Ndaj, le t’i flakim tutje të gjitha mospërputhjet e mendimeve që mund të kemi me njeri-tjetrin dhe të  bashkuar të votojmë për kandidatin e Partisë Demokratike doktorin e nderuar Halim Kosova dhe partitë e koalicionit të djathtë, sepse vetëm  kështu mund ta bëjmë realitet ëndrrën tonë shekullore për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe moderne. Përndryshe, nesër do të jetë shumë vonë.

Përpara drejt fitores!

*Mbajtur në takimin e zhvilluar me Kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Zotin Halim Kosova, me të përndjekurit politikë të kryeqytetit.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora