E hene, 27.09.2021, 02:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Shahin Ibrahimi: Nexhmiu

E merkure, 17.06.2015, 07:07 PM


Nexhmiu

Nga Shahin Ibrahimi

Disa ditë më parë një kanal televiziv i njohur Italian dha një dokumentar interesant rreth fillimit të proçeseve demokratike në vëndin tonë. Më tërhoqi shumë ai dekumentar. Ndonëse kisha një punë në duar e lashë atë dhe nisa ta ndjek me shumë vëmëndje. Më bënë të lëshoj një psherëtimë të thellë planet që i kushtoheshin dy eksodeve massive të viteve 91-92. Spikeri fliste por në mëndjen time rrotulloheshin pa pushim turmat e refugjatëve, që iknin nga sytë këmbët për një jetë më të mirë. Në vazhdim kishte edhe filmime rreth trazirave të popullit tonë mbas falimentimit të Firmave piramidale, shpërbërjen e Shtetit mbas hapjeve së depove të armatimit. Me thënë të drejtën nuk më erdhi mirë kur i pashë, këto veprime të bëra jo nga individë por nga grupe njerzish. Ndaj i bëj pyetje vetes: - Gjitha problemet që lindin në jetën e përditshme, dhe pakënaqësitë që na dhurojnë administrat, apo në sjelljet me njëri tjetrin, ne duhet ti zgjidhim me dhunë apo me ligj. Dhe a është ligji i barabartë në parim për të gjithë, dhe të vlerëson për të të dhënë të drejtën që të takon? Sigurisht që jo! Shpesh dëgjojmë në jetën e përditshme sjellje jo të mira në familje, midis  shokëve, miqsh apo ndaj të panjohurve. Këto grindje me njëri tjtrin janë me fjalë acaruese, fyese dhe bëhen në çdo lloj ambjentesh shoqërore, pa menduar përshtypjet që lënë tek të tjerët, dhe në veçanti tek brezi i ri, që duhet ta edukojmë. Si e kemi trashëguar ne si popull edukatën qytetare në breza dhe a jemi të ndërgjegjshëm se sot ne po i ruajmë burrërinë dhe besën. Disa veprime që bëjnë individët në kohën e sotme vlejn për të dëshiruar, por dhe shoqëria i ushqen ata me indiferentizëm. Problematikat e konfortimit të njerzve sot janë nga më të ndryshme, që nga zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve deri tek respekti që kemi ne si popull për njëri tjetrin. Përgjigjen më të mirë për këtë ma dha dhe një njoftim prej gjashtë rreshtash botuar në kronikën e zezë të një gazette të pamvarur. U tmerrova dhe zura të dridhem sikur të më kishin futur në një enë me ujë të akullt. Ishin njohur me njëri tjetrin që në fëmini dy shokë dhe punuan bashkë në një brigatë në ndërmarje bujqësore {fermë} në rini. Njëri ishte shatmadh dhe i qetë ndërsa tjetri i keq dhe i rrëmbyer. Kushtet ekonomike nuk i lejuan të vazhdonte shkollën. Muratit bursa nuk i doli megjithëse klasën e tetë e mbaroi me nota të mira, ndërsa Nexhmiu nuk i kishte qejf librat. Murati vazhdoi shkollën e mesme të përgjithshme natën dhe kur shkoi ushtar e la në vitin e fundit, të cilën e mbaroi mbas ushtrisë. Punuan bashkë afërsisht dy vjet, se Murati filloj punë në një nga ndërmarjt e qytetit të vogël, kurse  Nexhmiu kur mbushi tetëmbëdhjetë vjeç vazhdoi kursin e shoferave dhe mori patentën e shoferit. Mbanin shoqërinë dhe rrinin shpesh bashkë duke e njohur më mirë njëri tjetrin për moshën që kishin. Por jeta vazhdonte për ta duke vazhduar të respektonin njëri tjetrin, megjithëse siç e thash ishin tipa të kundërt. Në bisedat që bënin shpesh tregonin karakteret e tyre, por asnjëherë midis tyre nuk pati qejf mbetje. Fillimi i demokracisë i gjeti të martuar dhe me fëmijë. Nexhmiu kur u shpërbë ndërmarja bujqësore jetonte në fshat dhe mori një copë tokë, një lopë dhe makinën që punonte. Nuk mori pjesë nga afër në proçeset demokratike dhe rrëmujat që u bënë, por punonte dhe jetonte mirë. Makina e tij ishte ende në gjëndje të mirë dhe punonte duke ju ardhur në ndihmë fshatarëve nëpërmjet transportit të prodhimeve bujqësore për në qytet. Murati vazhdonte në uzinë ndërsa e shoqja ishte mësuese në fillore. Sa herë që takoheshin do gjenin një copë kohë të pinin ndonjë kafe me raki, por Nexhmiu disa herë e kalonte masën, se ja tërhiqte vetja një çikë rakinë. Gjëndja e mirë ekonomike dhe makina e ndihmonin të bënte një jetë më të shfrenuar. Në vitn 1997 ai ishte ndër të parët në rrëmuja dhe shpesh në makinën e tij mbante armë. Lëviste orar pa orar me njerëz të dyshimtë dhe të urryer. Shumë herë i bënë dhe kontroll në makinë për armën, por ai dinte si ta fshihte. Koha filloi të ndryshonte shumë gjëra në jetën e njerëzve. Shumë e shumë ndërmarje u mbyllën duke flakur punëtorët rrugëve, çmimet u rritën, papunësia nxorri rrugëve gjithë rininë dhe mes tyre shumë familjarë. Kështu që varfëria filloj të ulej këmbëkryq kudo. Murati u mendua mirë dhe i dha karar të provonte fatin e tij në kurbet dhe kështu bëri. Në qershor të vitit 1995 mori rrugët e kurbetit dhe përfundoi në Athinë mbas dhjetë ditësh rrugëtimi në këmbë. U mbështet tek disa të njohur që e rregulluan në punë dhe shtëpi. Qëndroi gjatë pa ardhur në shtëpi se nuk kish dekumenta. E shoqja të paktën punonte dhe rriste djalin e vetëm. Ajo kishte pranë dhe mbështetej tek prindërit e tij. Në vitin 2002 mbas shtatë vjetësh qëndrimi në emigracion ai u kthye. I kishte ecur mbarë dhe solli lekë. Në fillim meremetoi shtëpinë dhe mori një dyqan me qira dhe filloi të punonte. Nuk kishte punë shumë, por jetonte me të dhe rrogën e të shoqes. Bënte dhe ndere, por gjithmonë e kursente lekun për ditë të vështira. Nexhmiut makina filloi ti vjetërsohej dhe pjesët e këmbimit për të gjëndeshin vështirë. Mbas një difekti në motor ai e shiti në varreza, me çëmim shumë të ulët. Ngeli ngushtë ekonomikisht se dhe punës në bujqësi nuk ja thoshte, se ishte dembel. Pijen alkolike e kishte shtuar dhe gati ishte bërë i pa dëshirueshëm për shumë të njohur. Por skamja e frenoi atë dhe nuk e degradoi aq shumë në shoqëri. Dilte më rrallë në qytet dhe ju shmangej shumë miqve dhe shokëve, se ata të dyshimtët ju vranë në një pritë. Bënte një jetë familjare me probleme sidomos kur vinte i pirë. Vajza që ishte fëmija e parë u rrit shpejt dhe pasi mbaroi shkollën e mesme kish nisur të hedhte shtat duke rënë në sy. E ëma mundohej ta edukonte dhe ta mbante pranë si fëmijë, por ekonomia ju ra shumë shpejt, dhe nuk ju a plotësonin dot më nevojat fëmijëve. Vajza zu të dilte shpesh në qytet gjoja të takohej me shoqet e shkollës dhe ngandonjëherë vinte vonë nga qyteti, vetëm apo me ndonjë shoqe me makina të rastit. Një ditë marsi të vitit 2005 ajo u vesh si zakonisht, i kërkoj ndonjë lekë së ëmës, e cila nuk i dha se s`kishte, dhe doli duke qarë nga shtëpia. Doli për mos tu kthyer në shtëpi për një kohë të gjatë. Ata e pritën si zakonisht por ajo nuk u kthye. Të nesërmen pyetën disa shoqe të saj, por ato nuk dinin asgjë. Në fillim u bënë merak për vonesën, më vonë i zuri frika, dhe mankthi zuri tja shtërngoi shpirtin. E ëma kujtoi lotët e së bijës për lekët që sja dha atë ditë, dhe i ngeli mëndja aty. Ku e dinte nëna e gjora se e bija qau, jo pse si dha lekë ajo, por se do ta mirrte malli më vonë për të. Ku se kërkuan vajzën, por më kot, ajo ishte zhdukur pa gjurmë. E qanë për së gjalli. Mbas disa javësh ajo mori të ëmën në telefon nga Italia. Ndër të tjera e lajmëroi që ishte martuar me një djalë nga Fieri dhe banonte në veri, në një qytet të vogël pranë Milanos. E ëma edhe u gëzua por edhe u merakos. Vrapoi tja thoshte të shoqit këtë lajm. E çtë thoshte Nexhmiu atë çast. Vdekjen e priste por ti largohej vajza nga shtëpia, dhe aq më tepër të martohej kaq pa pritur më një të panjohur, nuk e mendonte kurrë. Tani ai nuk dilte shpesh por shkonte me lopë në fushë se i ishin bërë dy me qumësht. Para dite shkonte shiste qumështin në qytet, dhe vinte shpejt në shtëpi.  Mbas katër muajsh ajo i dërgon edhe disa lireta të jatit me një familjar nga qyteti. I thotë në telefon emrin e tij që të shkonte ti mirrte. Nexhi i mori ata lekë. I mbante në xhepin e këmishës me frikë se mos ja mirrte njeri, se si i dukeshin ata lekë të së bijës. Brënda vitit ajo i solli disa herë lekë dhe ai filloi si më pare avazin, por rrinte nëpër klube dhe e shtoi pijen më shumë. Ndonjëherë kthehej edhe nga Murati, por thjesht sa për forcë zakoni. Mbas dy vjetësh e ca ai mendoi të shkonte tek vajza në Milano, për ta parë dhe për tu njohur me dhëndërin. Bisedoi me të shoqen, të cilën e brente meraku për të bijën, por meqë lekët e biletës kushtonin, më në fund vendosën të shkonte vetëm ai. Një të shtune mbas dite ai merr të shoqen dhe shkon tek shoku i hershëm Murat. Pinë kafetë, kthyen dhe nga një dopio dhe kur do ndaheshin ai i kërkon një sasi lekësh mbasi i duheshin për të marrë vizën dhe biletën. Murati e pa i habitur dhe nuk u ndie mirë. Atij i erdhi e papritur dhe i ra si bombë, kjo kërkesë, sepse Nexhmiu shpërdoronte pa kriter lekët kohët e fundit. Megjithatë ja dha sasinë e lekëve që i duheshin. Nexhmiu i tha dhe afërsisht se kur do kthehej nga Italia dhe do ja sillte huan që po i mirrte. Brënda javës ai e sajoi vizën dhe shkoi tek e bija. Kishte prerë biletë në linjën Tiranë-Bergamo. Sa zbriti atje e priste e bija me një djalë që u prezantua si shok i saj. Shkuan në shtëpi ku banonte ajo. Një hyrje e zakonshme me dhomë e guzhinë  pa salltanete, vetëm me orenditë e domosdoshme. E bija dhe shoku i saj e pritën mirë dhe gëzushëm. Të nesërmen ishte e diel. E shëtitën në qytetin e vogël ku baninte dhe kur hynë në një kafe ai porositi kafe dhe dopio raki, gjë që si pëlqeu as vajzës as shoqëruesit të saj. Të nesërmen ajo iku në punë dhe Nexhi kur u ngrit gjën mbi tavolinën e dhomës një sasi të hollash për kafe. Ajo erdhi vonë nga puna. E kam pak larg punën iu justifikua ajo të atit. Vajti menjëherë për të bërë dush, por më parë nxori nga gjiri një shuk kartmonedhash. I ata i vuri re me bisht të syrit, por s`kuptoj asgjë. Kjo gjë përsëritej ditë për ditë. Nexhmiu filloj të mërzitej vetëm dhe filloi të shfrynte vetminë e tij. Vajza i propozon për punë diku aty afër në ndërtim. Ai pranoi dhe për dy ditë filloi punë. Me që ishte ngushtë i gjeti një dhomë me qira pak larg saj dhe Nexhi rrinte atje. Filloi dhe për të jeta e beqarit të vetmuar. Ai qëndroi atje afërsisht tre muaj, por nuk u takua më me atë djalin që e pandehte për dhëndërr. E bija e justifikonte se gjoja ai punonte larg dhe vinte shumë vonë. Nexhmiu mundohej të lexonte përtej fytyrës së të bijës. Ajo në vetvete bënte jetë të shthurur, ishte prishur shumë në fytyrë dhe vuante shpirtërisht. Nexhi punonte shumë për moshën e tij. Donte edhe të justifikonte veten, për të rinovuar vizën të qëndronte në Itali. Disa ditë para se të ikte takoj të bijën. E pa më të vrenjtur dhe më të lodhur se herët e tjera, dhe në fytyrë seç kishte një të nxirë. Ajo i tha që qe gërvishur pa dashje në punë një ditë. Por i ati nuk e përtypi lehtë këtë justifikim. Bëri çbëri dhe mori nga firma ku punonte një garanci pune për ta patur më të lehtë marrjen e vizës për tu rikthyer në Itali. Kur erdhi në Shqipëri  takoi miq e shokë dhe nisi të krekosej si gjel deti. E harroi Muratin, as nuk vajti ta takonte. Diku e pa nja dy herë shkarazi dhe bëri sikur nuk e pa. Një nënqeshje tinzare i lodronte nën buzë. Su vonua shumë dhe mori vizë një vjeçare. Si bëri nja dy gostira me miqtë e tij më të vjetër, mbas pak ditësh qëndrimi në shtëpi, u nis si kapadai dhe shkoi përsërii atje. Punë filloi përsëri atje ku ishte, shtëpi kishte, por filloi të pinte më shumë dhe zuri shoqëri të re më të shfrenuar dhe të pa punë. Shumë herë i vardiseshin atij për të kaluar kohën dhe për tu ushqyer nga ai. Mbas pesë muajsh vajza e ndihmoi dhe bleu një makinë që të shkonte në punë. Ajo nga ana e saj vazhdonte të bënte një jetë të rrugës. Nexhi e kishte parë nja dy herë të shoqëruar me ca fytyra të këqia, por aq i bënte. Për të kish rëndësi paraja. Me makinën e tij filloi të lëvizte natën me njerëz të ndryshëm, që nuk e dinte kush ishin dhe me se merreshin. Një ditë kur po ikte në punë policia e ndaloi dhe ja kontrolloi makinën, me që si gjetën gjë e lanë të lirë. Ai nuk po e kuptonte se e përdornin për punë të këqia, se shpesh i ipnin shuma të mëdha për rrugën që bënte në shërbim të tyre. Erdhi dhe dy herë të tjera në Shqipëri pranë familjes brënda vitit, por nuk u bë i gjallë për shokun, as ta takonte, e jo më ti kthente huan. Vishej me rroba të shtrënjta italiane. E bija i dërgonte nënës para nga kurbeti, dhe i ati nuk nguronte tja përmëndëte emrin, sa herë që ulej tavolinave të rakisë. Murati kish nisur të ndihej keq. E ndjentee që ish shoku i tij i dikurshëm e kish mashtruar keq. Po çtë bënte? Nexhua bleu edhe shtëpi në një lagje të Durrsit. Ai vinte dhe ikte dhe dukej se e kishte harruar fare. Herë herë shkonte edhe si shofer taksie. Një ditë i dhanë të kryente një porosi të çonte një çantë sporti në një qytet tjetër. E mori me mënd se atje do kish lëndë narkotike, dhe kur kaloi pranë një makine policie ndjeu të rrënqethura dhe frikë. U takua me personin që e priste dhe i dha çantën, por u betua që nuk do mirrej më me kësoj punësh. Mbas një qëndrimi prej dy vjet e gjysëm në Itali e shkurtuan nga puna. Kërkoi punë kudo por nuk gjeti. Një ditë në një udhëkryq shikon vajzën e tij të veshur ndryshe. Ai e kuptoi se ç`punë bënte vajza kur e pa ashtu, me minifund në një vënd të shkretë, në rrugë dhe ……. Ndaloi makinën dhe u acarua me të. E bija edhe sja vari. U largua nga e bija i vrarë shpirtërish por dhe i pafuqishëm që të tregonte unin e prindit tek ajo. Kohët e fundit ajo e kishte lënë në harresë të atin, dhe takohej rrallë. Mendoi gjatë për vajzën dhe iu dhimbs. Pse mori jeta e saj atë rrugë, por pa marrë mbi vete përgjegjësitë e tij si prind. Ai ishte fajtori që fati i vajzës qe i tillë. Asnjëherë në jetën e saj vajza nuk pati ngrohtësinë e tij, kurrë se kishte pyetur atë, qoftë për mësimet apo për ndonjë kërkesë të saj. E takoi përsëri të bijën dhe bisedoi me të, më shtruar se si do i shkonte fati i saj. Po ajo i  tha të atit se dashuronte një Italian dhe së shpejti do të martohej me të, sepse kohët e fundit ishte ndarë nga i shoqi. Nexhmiu nuk i mori si të vërteta fjalët e saja, por sërish nuk i tha gjë asaj. Ndjenja e njeriut të vogël kish triumfuar edhe mbi zemrën e tij si prid. Tani gjetkë i rrihte zemra atij. Kishte grumbulluar një sasi të mirë lekësh dhe vazhdonte të fitonte ende mirë. Koha e vizës po i mbaronte, pa punë ishte, fuqitë po e linin ndaj, vendosi të vinte në Shqipëri dhe të jetonte këtu me të shoqen dhe djalin. Koha kaloi shpejt se ditët ishin të numëruara. Erdhi në shtëpi me një makinë të madhe ku solli disa orendi shtëpijake që mund ti shiste. Shumë shpejt doli në sipërfaqe se nuk e harroi pijen dhe takonte shpesh shokët e vjetër. Murati vazhdonte të jetonte me ato pak para që fitonte nga dyqani, djalin e kishte në shkollë të lartë për mësues. Një ditë ai u ndesh me Nexhin, ishte një takim i befasishëm për të. Nexhua për një çast u zu ngushtë, por si mjeshtër që ishte stampoi në fytyrë një buzëqeshje të shtirur. E përqafoi si i përmallur dhe e ftoi për një kafe. Por Murati nuk pranoi me preteksin se sa e kishte pirë. Si të duashi i tha Nexhua, duke fshirë nga xhaketa një njollë salcë kosi që i kishte mbetur, që nuk e kam harruar nderin që më ke bërë, do të takohemi tani afër. Muratit sikur ja zuri njeri gojën me shtupë. Ishalla murmëriti me vete, dhe i dha dorën pa zemër. Dhe kishte të drejtë Nexhua në muajt në vazhdim ju fsheh nga sytë. Koha kalonte dhe ai, nuk u kujtua më ta takonte. Mbas një viti të takimit të tyre Murati kishte një punë në Durrës dhe u nis ta takoi edhe atë. Ai kishte nevojë për ata lekë ndaj dhe ja kërkoi, duke i treguar gjëndjen ekonomike të tij. Po ku donte të dinte Nexhmiu për gjëndjen e keqe ekonomike që kishte shoku. Ai e kishte harruar varfërinë kohët e fundit dhe duke i nxjerrë fjalët si me pincë i tha përsëri, se do ja sillte në shtëpi. Murati s`duronte më, ndaj mbas gjashtë muajsh i shkoi bashkë me të shoqen në shtëpi. Donte që ta zinte ngushtë në prezencë të gruas dhe djalit. Trokiti në derë të cilën ja hapi djali i Nexhmiut, ai s`dinte gjë ndaj e përqafoi Muratin me respkt, edhe se ai me djalin e tij njiheshin dhe kishin shoqëri. Sa e pa Nexhmiu në derë shtangu, por e mblodhi veten. E mirëseardhi shokun dhe e urdhëroi të shoqen të nxirrte një gotë raki, edhe pse për veta kutërbonte i tëri. Në fakt kishte pirë shumë dhe linte të kuptohej, por mundohej dhe e mbante veten. La të kuptohej se kishte ndërmënd ta takonte këto ditë i tha gjatë bisedës. Përsëri Murati ja ruajti respektin në sy të familjes dhe iku i zhgënjyer, por i vinte inat në vetvete, për naivitetin e atij qeni. Me të ikur Murati në shtëpi plasi sherri. E shoqja e Nexhmiut e dinte se ja kishte dhënë Muratit 600 eurot, që ja kishin marrë hua para tre vjetësh. Mbas shumë debatesh ai e pranoi që nuk ja kishte dhënë lekët Muratit, por i kishte shpërdoruar duke pirë. Nexhua ngriti dorën ndaj saj duke ulëritur me të madhe, i dukej sikur po ja falte ato lekë tjetrit. Por i biri ndërhyri duke ja mbajtur duart të atit, bile duke guxuar edhe ta shtynte atë. Mbas disa ditëve ai ja dha lekët Muratit. Por në mbrëndësinë e tij ziente nga mllefi dhe inati.

- Majmuni e shan me zë në prani të disa shokëve të tij. Erdhi në shtëpi dhe më injoroi për 600 euro, por do të ma paguajë keq. Shokët që e rrethonin i shkelën syta njëri tjetrit. Hakmerru sikur thoshte heshtja dhe qëndrimi i tyre. Dhe nuk vonoi shumë mbas ca javësh u ndeshën në hyrjen e një kafeneje. Nexhua se përmbajti inatin dhe e qëlloi tjetrin me shpullë në sy të të tjerëve. Ndërhynë të tjerë dhe i ndanë. Dhe  Murati si gjithnjë gjak ftohtë u largua në heshtje, por i prishur në fytyrë. Rrugës për në shtëpi ai kujtonte kohët e kaluara dhe sjelljet përherë tekanjoze të shokut të tij. Tërë natën Murati rrutullohej në shtrat i fyer dhe i turpëruar, por edhe duke i bërë pyetje vetes:

- Pse të përfundonte kështu shoqëria e tyre. Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta japë kushdo, po të llogjikojë i qetë. Ka një kategori njerzish që e ashtuquajtura Demokraci Shqiptare i degradoi shumë keq, duke nxjerrë në pah pjesën e tyre më të errët, sa mund të barazohet me atë të një kafshe grabitqare. Harrohet miku, nderi, besa, por mbi të gjitha ana njerëzore. Dhe për fat të keq të tillë njerëz nuk mund ti numërosh më me gishta.

Janë bërë shunë, shumë. Zot na ruaj!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora