Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hoxha: Nënës sime

| E marte, 16.06.2015, 06:50 PM |


SKËNDER R. HOXHA

 

NËNËS SIME

 

(Tash, 23 vjet pas vdekjes së saj (Mars 1992 – 2015))

 

Syrit m'i mungon

përditë e përnatë

Por, nuk besoj që s'je më!

Shpalos ëndrrat rinore

djerset e tua

lagin kujtimet e mira!

Punoje si burrë e shkuar burri

në Vërtishtë e në Arë të Verrit

në Mal të Vnesht've

kullosje bagëtinë

e, më të afruar të muzgut -

me një deng shkurresh në krah

zdirgjeshe Kodrës së Madhe...

Në oborr kur mbërrishe

e dremitur nga lodhja, e djersitur

mendoje për darkën tonë

me ato pak ushqime që kishe

për t'na i shtruar në sofrën e varfër...

Endrrën e kishe të madhe

për të na rritur ne fëmijëve

që na quaje "Dritat e syve t'mi"

Ah, nënë malësore të patëm

e lindur dhe e rritur në Jabllanicë,

"Jam bijë e përkol've,

jam bijë e Dul' Ademit,

nuk koris farë e fis" - thoshe...

(Qershor 2015.)