E marte, 21.09.2021, 12:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Gecaj: Luljeta Gjosha-Pashollari - “Jargavanët e shpirtit”

E marte, 16.06.2015, 06:13 PM


Luljeta, me bashkëshortin…

LULJETA GJOSHA-PASHOLLARI: DHIMBJE E MALL’ I PASHUAR, PËR NJERIUN E ZEMRËS…

(Rreth librit poetik, “Jargavanët e shpirtit”)

Nga Prof. Murat Gecaj

“Erdha sonte, këtë natë,

te dritarja të përgjoja,

doja të shuaja një mall,

shpirtin tim ta qetësoja…”

Ende pa e shfletuar librin poetik të Luljeta Gjosha-Pashollarit, “Jargavanët e shpirtit”, lexova në FB një krijim të kësaj autoreje. Poezia ma tërhoqi vëmendjen, që nga titulli, “Përse e bëre zemrën gurë?” Tematikën e saj, natyrshëm, e lidha me ato, që më kishte treguar kjo autore, kur pimë kafe bashkë, në afërsi të dyqanit të saj, në “Rrugën e Kavajës” së kryeqytetit tonë. Pra, kishte të bënte me mallin e pashuar dhe të përhershëm të saj, në kujtim të bashkëshortit, që është ndarë përgjithnjë nga jeta, disa kohë më parë. Prandaj, aty ajo pyet me zemrën e lënduar fort dhe të thyer mëdyshë: “Ç’u bë dashuria, që patëm,/ ç’u bë, këtë dua ta di?/U kthye në ajsberg,/ në qiell lundron tani!” Dhe më tej, përsëri pyet edhe pse e di, që nuk do të marrë asnjë përgjigje: “Ç’u bënë premtimet e tua,/ç’u bë, këtë dua ta di?/Ikën diku larg, fluturuan,/ por nga zemra s’mi fshin njeri!”

X  X   X

Ky libër është ndarë në tri pjesë. Në të parën, “Mbresat e një dashurie të paharruar”, autorja u këndon me trishtim viteve të bukura të jetës bashkëshortore, që u ndërprenë në mes dhe nuk kthehen kurrë më. Ajo do që të jetë përsëri pranë njeriut të munguar të zemrës së saj, ashtu të dehur nga lulëzimi pranveror: “Më prit, si ngaherë, më prit se do vi,/ kur të çeli manushaqja e me aromë të na mbulojë…”. Prandaj,  udhëton ditën e natën, që ta gjejë dhe ta takojë atë: “Rend nëpër natë, pa orbitë,/ ku ta gjej, jo nuk e di!/Ku je, dashuria ime, ku je,/në krahët e kujt pushon tani?...”.

Në këtë dehje të shpirtit të saj, poetja sjell në kujtesë kohën e dashurisë së parë, që e përjetoi disa vite radhazi dhe, më në fund, i iku e fluturoi lart në qiell: “Thonë, dashuria e parë është Yll në ballë,/kështu ndodhi me mua, o miqtë e mi./ Nga ajo jetë, pse s’shkëputem, vallë,/fajin e kam unë apo para kohe ike ti?” Në pritje të pafundme, për ta rigjetur njeriun e zemrës, poetja shkruan plot trishtim: “Katërmbëdhjetë shkurti po afron/ e unë pres si çdo vit këtu,/ por ti në heshtje rri, si gjithmonë!/ Pra, më dërgo një shenjë nga qielli blu…”. Në këto pështjellime ëndrrash të trazuara dhe përjetimesh të së shkuarës, autorja  e parafytyron atë takim të munguar me bashkëshortin e saj: “Mbrëmë më erdhe në dhomën time,/më kape përdore e më the: kërce me mua!/Unë e veshur me të holla stine,/ u ngrita nga shtrati e thashë: Sa të dua!”

 

Duke e shfletuar radhazi këtë libër poetik, ne bëhemi pjesë e dhimbjes dhe trishtimit të autores Luljeta Gjosha-Pashollari. Këto ndjenja njerëzore janë shfaqur në disa poezi, të cilat na e dëshmojnë përmbajtjen, që nga titujt e tyre: “Mungesa jote””, “Lotët e shpirtit”, “Ditëlindjen, pa ty”, “Si të mban vendi aty!’,  “Flutura e zemrës sime”, “Përgjithmonë, po tretesh diku larg”, “Brenga e shpirtit tim” etj. Për të gjitha këto ndiesi të natyrshme, që autorja ia shprehë në mungesë njeriut të paharruar të zemrës dhe që nuk do ta ketë kurrë më pranë, ajo u kërkon ndjesë lexuesve të vargjeve të saj: “Më falni, o miqtë e mi,/ që sot kalova në nostalgji,/se m’u kujtuan ditët e lumtura,/kur ishim bashkë të dy!...”.

Pjesa e dytë e këtij libri e ka titullin domethënës “Njerëzve të familjes së shtrenjtë”. Aty autorja thurë poezi nderimi, respekti e mirënjohjeje për të dashurit e saj. Këto ndjenja të pastra e të çiltëra kuptohen dhe duken qartazi në titujt e tyre:”Nënë, moj e mira ime!”, “Në ditën e baballarëve”, “Sonilës, vajzës sime”, “Henrit-nipit tim”, por dhe për mbesat e dashura, Livia, Alketa e Xhulia, për vëllain Dritan, kusherirën Valbona. Ndërsa, me vargje të trishtuara shkruan ajo për njerëz të saj të zemrës, të cilët edhe ata janë ndarë përgjithnjë nga jeta, në moshë të re: Albana Osmenit,   Ilir Cokut, Meritës…

Në pjesën e tretë dhe të fundit, “Motive me tema lirike”, autorja L. Pashollari i vazhdon   kujtimet e paharruara të dashurisë së parë, të cilën e ka humbur përgjithnjë, nga kthetrat e pamëshirshme të vdekjes. Por aty lexojmë edhe ndjenjat e saj për një dashuri të gjithëpushtetshme, pra për vendlindjen e Shqipërinë: “Gëzuar Pavarësinë, Atdheu im!,” ”Bijtë e Shqipes”, “Njerëzit e bashkuar”, “Ku më ka bërë koka-bam…”(Memaliajt), “O, moj Shqipja dykrenare” etj.

Në përfudim, përmbledhurazi, mund të themi se autorja Luljeta Pashollari na paraqitet në këtë vëllim me ndjenja të holla e të pastra njerëzore edhe pse ato janë të “spërkatura” me nota trishtimi, nga humbja e bashkëshortit të saj.  Por, megjithatë, ajo i bashkohet gëzimit të jetës, kur flet e shkruan për vazhduesit e saj, nipat e mbesat, por dhe për Shqipërinë tonë, krenare e të bukur, të cilën ajo e do me gjithë zemr.

Ne i urojmë asaj shëndet e qetësi shpirtërore, bashkë me njerëzit më të dashur, por dhe krijimtari sa më të frytshme e të bukur!

…Në mbyllje, kam këtë sqarim për titullin e këtij shkrimi. Pra, atë edhe mund ta quaja:“Borxh i pashlyer, për poeten L.Pashollari”. E them këtë gjë, pasi kisha disa ditë që këtë libër, të cilin ajo ma dhuroi me shënimin e vet,  e mbaja pranë kompjuterit dhe nuk arrita të shkruaja ndonjë radhë. Kjo, ndër të tjera, erdhi edhe pse e dija që ky shkrim do të ishte një hapje e re e “plagës” së pambyllur të jetës së saj. Kështu, i kërkoj të falura mikes poete Luljeta, nëse me këto radhë e kam “ngacmuar” sadopak atë,  në ndjenjat e saj njerëzore!

Tiranë, 8 qershor 2015



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora