Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Kryetrimi Isa Boletini

| E hene, 15.06.2015, 06:50 PM |


ISA BOLETINI,  "GJENERALI  I  KRYENGRITJEVE  MBARËSHQIPTARE"

Kryetrimi shqiptar, “Heroi i Popullit” Isa Boletini ka thënë: "Njëqind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin e Atdheun tim!"

Nga Prof. Murat Gecaj

Lumenj gjaku u derdhën nga populli  trim e liridashës shqiptar, deri sa u kurorëzua akti i madh historik i 28 Nëntorit 1912, kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur. Në ballë të sa e sa kryengritjeve masive të shqiptarëve, kundër pushtuesve otomanë, qendruan shumë trima të ditur e luftëtarë. Me armë e me penë, me guxim e dituri, ata nuk kursyen asgjë, që të realizohej ideali ynë i lartë kombëtar.

Kur kujtojmë figurat e shquara të Kombit tonë, menjëherë mendja na shkon edhe te biri i thjeshtë i Boletinit të Shalës, në Mitrovicë të Kosovës, Isa Boletini ose, siç e thërrisnin malësorët “Isa Begi”, për të shprehur kështu nderimin dhe respektin e veçantë për të.

x    x   x

Lindi më 15 janar 1864, në një familje me tradita atdhetare. Kushtrimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për luftë kundër armikut, çoi në këmbë edhe Isën 17-vjeçar.Kudo, u dallua shpejt për trimëri dhe guxim, zgjuarësi e urtësi. Armiku pushtues e shprehu urrejtjen e madhe për të edhe kur i dogji kullën e tij, gjashtë herë dhe gjashtë herë e rindërtoi. Nuk u mposht ndaj përndjekjeve e presioneve dhe gjurmimeve, që i bëheshin nga pushtuesit gjakatarë. Ka mbetur në kujtesën e brezave shprehja e tij e njohur: "Unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia". Ndërsa nuk e zinte gjumi, kur shihte padrejtësitë dhe synimet grabitqare të otomanëve pushtues dhe të monarkive shoviniste fqinje.

Në fillim të shekullit të kaluar, Isa Boletini u vu në krye të Malësisë së Shalës dhe bashkë me Idriz Seferin u dallua në udhëheqje të kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Veçanërisht, spikati trimëria e luftëtarëve shqiptarë në grykat e Kaçanikut e Cerralevës. Shumë domethënës është epiteti, që i vuri shtypi i kohës, i cili e quajti Isa Boletinin: "Gjenerali i kryengritjeve shqiptare".

Ai udhëhoqi me trimëri luftëtarët shqiptarë edhe për të kundërshtuar synimet anaksioniste të shteteve shoviniste fqinje serbo-malazeze etj., që kërkonin t'i copëtonin trojet shqiptare. Qëllimi i lartë, që i vuri vetes, e afroi atë me atdhetarë të shquar e udhëheqës popullorë, ndër të cilët ishte dhe Ismail Qemal Vlora. Biri trim i Kosovës, Isa Boletini ishte në mbështetje të Kuvendit të Vlorëss e përkrah tij dhe delegatëve të tjerë shqiptarë, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Vehbi Agolli, Babë Dudë Karbunara, Nikollë Kaçorri, Dervish Hima, Rexhep Mitriovica, Myfit Libohova, Jani Minga, Bedri Pejani, Ilias Vrioni, Dhimitër Zografi etj.. Njëzëri, ata nënshkruan Aktin e madh historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe valvitën lart Flamurin tonë Kombëtar, pas 500 vjet robërie, nën sundimin otoman. Prijësi i betejave legjendare kundër pushtuesve armiq, Isa Boletini, në krye të mbi 300 luftëtarëve të armatosur kosovarë, u bë mburojë e çeliktë për zhvillimin dhe suksesin e atij Kuvendi të madh historik. Ndër të tjerët, aty mori pjesë aktive dhe “Mësuesi i Popullit” Sali Gjukë Dukagjini, delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Shtypi i kohës e përshkruante kështu ndihmesën, që ky dha, në ato ditë:

"Vetë Ismail Qemali, kur e pa të ndezur, duke folur për rëndësinë e asaj nate, e afroi afër dhe e puthi në të dyja faqet, me lotë ndër sy. Sali Gjuka kishte ndërgjegje me të vërtetë kombëtare. Kur ky pa se delegatët e Korçës mungonin në atë mbledhje, e qau fatin e zi të atij qyteti dhe propozoi që të zgjidheshin delegatë të tjerë, duke qenë se Korça ishte e pushtuar prej armikut".

x   x   x

Isa Boletini është i njohur edhe për udhëtimin, që bëri më 1913, nëpër disa shtete të Europës, për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat legjitime tëë popullit shqiptar, të cilat donin t'i nëpërkëmbnin armiqtë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.

Shovinistët serbomëdhenj kërkonin ta largonin trimin atdhetar nga rruga e tij e luftës për të drejtat kombëtare. Prandaj u përpoqën, me dinakëri e me të holla, i propozuan poste e detyra, që ta afronin të bashkëpunonte me pushtuesit e rinj ose, të paktën, të hiqte dorë nga lufta e tij e vendosur. Por Isa Boletini trashëgonte cilësitë më të mira të shqiptarit, si krenarinë, besën e burrërinë etj. Prandaj, i përçmoi të gjitha ofertat e përpjekjet e armiqve dhe, si kurdoherë, mbeti luftëtar i papërkulur, i vendosur deri në fund, që populli shqiptar të ishte i lirë dhe i pavarur. Ai i qëndroi besnik idealit të tij, betimit që kishte bërë një herë: "Unë, njëqind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!"

Pasi ushtritë  austro-hungareze pushtuan Cetinën, Isa Boletini kaloi në Podgoricë. Gjenerali gjakatar, Vashoviqi bëri plane për të organizuar një kurth. E lajmëroi të shkonte tek ai, por Isa e mori vesh qëllimin e vërtetë e djallëzor dhe nuk u bind. Në këto rrethana, forcat malazeze organizuan një pritë tjetër, në befasi. Ndërkaq, I.Boletini qëlloi me kobure, duke dhënë kështu sinjalin e luftës. Beteja ishte e përgjakshme dhe ai qëndroi si u ka hije trimave, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta. Pranë mbetën dhe djemtë e tij, nipat e disa bashkëluftëtarë. Aty, te Ura e Ribnicës, përherë u çimentuan themelet e një lapidari trimërie e burrërie, në shërbim të çështjes së madhe mbarëkombëtare. Kjo ngjau më 23 janar të vitit 1916.

x    x    x

Tashmë, është e njohur një histori, nga jeta e këtij kryetrimi shqiptar, që po e ripërsëritim më poshtë. Më 1913, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini shkuan bashkë në Londër, përfaqësues të denjë të popullit tonë. Aty do të takonin kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve, për t'i shprehur protestën e vendosur ndaj padrejtësive të mëdha, që po i bëheshin Shqipërisë. Gjithashtu, do t'i çonin atij betimin solemn dhe të njëzëshëm të mbarë shqiptarëve, se ata ishin të vendosur deri në fund për t'i bashkuar trojet tona amtare, të cilat na i kishin lënë të parët tanë trashëgim, brez pas brezi.

Ishte një rregull i caktuar që, para se të hynin në zyrën e sër Eduard Greit, duhej t'i lenin armët në garderobë. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe rojet Isa Boletinit, i cili veproi po ashtu: la koburën në garderobën e duhur. Pas bisedimeve zyrtare, Grei iu drejtua Isës me të qeshur: "Më në fund, zotëri Boletini, atë që nuk e kanë bërë dot pashallarët turq, e bëmë ne, në Londër!" Kreshniku i Kosovës martire e mori vesh mirë se diplomati  europian e kishte fjalën që, gjoja, ata e paskëshin çarmatosur!? Ndërkaq, Isa Boletini e shikoi drejt e në sy ministrin e lartë  dhe, po me buzëqeshjen dhe krenarinë e ligjeshme të shqiptarit, trim e të zgjuar, të paçarmatosur kurrë, iu përgjigj shkurt e prerë: "Jo, besa, kurrë, as në Londër!" Aty për aty, nga gjiri nxori një kobure tjetër, me fishekët në gojë...

Marrim, kështu, nga jeta heroike e këtij luftëtari të shquar të lirisë e Pavarësisë, mesazhin e madh që ka përcjellur historia për shqiptarët: Ata kurrë nuk do të durojnë t'i shtypin, t'i çarmatosin as t'i nënshtrojnë armiqtë, sado të fortë e dinakë të jenë. Shqiptarët "e bëjnë dekën si me le", kur i thërret zëri i tokës amtare, kur rrezikohen seriozisht liria dhe pavarësia e tyre. Për këtë gjë, flasin qartë sakrificat e shumta, që provoi në luftën kundër pushtuesve serbë, deri sa u çlirua, populli martir i Kosovës, vendlindja e kryetrimit Isa Boletini, "gjeneralit të kryengritjeve shqiptare". Gjeneralë të tillë të shquar, si Adem Jashari me bashkëluftëtarët, bënë që andej të largohen të mundur pushtuesit serbë dhe Kosova të hyjë e sigurtë në rrugën e lirisë dhe  pavarësisë, që e meriton.

Tiranë, më 9 qershor 2015

Shënim:

Megjithëse nuk jam poet, figura e ndritur e Isa Boletinit më ka frymëzuar që, kohë më pare, t’i shkruaja pak radhë, në vjershën, që po e paraqes më poshtë...Ju falënderoj për mirëkuptimin!

 

DY KOBURET E ISË BOLETINIT...

 

Kur Isa para Lordit Grei qendronte

dhe misërin kokoshka e bëri,

anglezi shumë gjëra mendonte

e me "dredhinë" u ngazëllye i tëri:

 

"Këtu nuk lejohet, zotëri, me armë,

prandaj hiqe shpejt koburen nga brezi!"

Ndërsa, sakaq, Isa diku atë e vari,

por në kokë një mendim i erdhi.

 

Ai një  kobure tjetër me vete kishte marrë.

"Ja, u çarmatose sot,o trimi Isë!"-

foli Lordi me qesëndi dhe në sy e vështroi,

se si do të vepronte bir’ i Shqipërisë.

 

Pa iu dridhur qerpiku Isës-burrë,

nga xhepi nxori koburen, të re flakë:

"Mua nuk më çarmatosë kush, kurrë!",

tha ai, si t'i kish rënë Lordit shuplakë!