Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Përsiatje për poezinë e Zef Mulajt

| E hene, 15.06.2015, 07:33 PM |


Përsiatje për poezinë e Zef Mulajt

Zef Mulaj vjen keto dite me librin e 11-të poetik, pas pesë botimeve në gjuhen italiane, angleze e gjermane.

Libi më i ri, që u publikua keto dite nga shtepia botuese “EDLORA” Tiranë me titull “HËNA NUSE E POETIT”. Me parathënie nga Ndue Ukaj dhe redaktor Halil Haxhosaj

Nga Ndue Ukaj

Koloriti i poezisë së Zef Mulajt është përplot imazhe, ndjenja, ide, porosi, mesazhe që kërkojnë e aspirojnë të bukurën e jetës si ndjesi, realitet ekzistencial, dhe shpërthejnë nëpërmjet poezisë si formë e veçantë e komunikimit njerëzor.

Është ky poeti që ëndërron yllësitë, si gjithë poetët, dhe me imagjinatën e bujshme poetike lundron nëpër yllësi, male e dete, duke e nuhatur të bukurën, për të cilën aspiron ai, dhe për të cilën, më shumë se kurrë ka nevojë humanizmi ynë. Atij mund të ndodhë t’ia merrë era fjalën në galaktikat e universit me trandje të shumta, ku përplasjet janë të përhershme, por gjithë kjo shkon në funksion të qëllimit të poetit – të gjejë prehje: “Në bibliotekën e dashurisë”; bibliotekë kjo që përfaqëson ëndrra universale të çdo poeti.

Ndonëse poeti Mulaj e di se qenia e poetit bën punën e krijuar për ta; ndonëse e di se atij “I mbeten vargjet/ Si lule pa ujë e diell”, ai nuk ndalet në betejën e tij krejt të fisme; ta sfidojë helmin e gjuhës, realitetin e trishtë, me fjalën e inspiruar poetike. Sepse, një poezi e ndaluar, mund të shpërthejë një ditë, dhe të bëhet kurorë për të kuptuar peshën e fjalës, atë peshë që na jep vullnetin dhe identitetin tonë njerëzor. E ky identitet i brishtë, mund të sforcohet më së miri nëpërmjet poezisë që ka forcë ta përsosë shpirtin dhe sensibilitetin tonë.

Poezia e kërkon të paarritshmen, ndaj përplaset me ata që e ngufatin, veçmas në kohë krizash, siç është ajo e poetit: “Në një pemë e në një ballkon/ Në një garazh e në ndonjë spital/ Lajmet me thikë presin urinë.” Poeti duket sikur të jetë në një varkë, dhe lundron nëpër ujëra e turbullta të kohës, ndaj i duhet me sy që shohin drejt qiellit në detin e pafund të ëndrrave, me aromën dhe me armën e fjalës, ta hedhë shikimin tejmatanë, aty ku pushteti i fjalës poetike

është i paprekshëm dhe mposht pushtet e politikës që prodhojnë shpeshherë të këqija, prishin humanizmin tonë dhe krijojnë varfëri dhe pabarazi.

Temat dhe poezitë e Mulajt janë subjektet dominuese të kohës sonë – kohët e liga nëpër të cilat rrugëton poeti, krizat identitare, ato të marrëdhënieve të politikës me njeriun, të mallit për atdheun, dashurisë, etj. Poeti, dëshpërimin e kthen në këngë, dhe kërkon shpëtimin me poezi e metafora, për t’i mposhtë të ligat e shumta. Në këtë betejë është kryeneç, sepse është atdheu i tij ai që e frymëzon përherë dhe e nxit të shkruajë vargje të hijshme; ai atdheu që i ka muret kullë, si Alpet dhe ato me krenarinë e tyre, tek dielli rrinë, prej nga joshin poetin. Është kjo dashuri imagjinare dhe poetike, një dhunti që ngreh flamurin e mirësisë përballë të këqijave që e godasin atdheun tonë nga plëngprishës të shumtë që sillen vërdallë…

Poeti është i pasionuar për paqen e përjetshme, ndaj komunikon me detin e pafund të ëndrrave, duke u shprehur: “Ah sikur të kisha forcën tënde!” Këtë forcë poeti s’e ka, sepse janë dallgët e detit ato që e trazojnë përherë, por ka një forcë tjetër, të vetën, atë të shpirtit të derdhur në vargjet e poezisë, për t’i pikasur ndjenjat e mendimit e tij, që janë po ashtu ndjesi të kohës, tallazet e këtij deti, që i simbolizon bashkëkohësia.

Ç’është Atdheu, në mos “Një lule një pemë një ferrë”, në universin e të cilit ai ndjen të bukurën e pakufishme që i japin malet, deti, fushat dhe njerëzit. Poeti është i ngazëllyer, sepse e di që “Bota është njeriu”, ndaj atë e kërkon përherë dhe kudo, me aspiratën e përhershme poetike. E kjo botë, është e larmishme, por bëhet hyjnore, kur poeti e portretizon gruan, e cila për të është një dhuratë e shenjtë. E dashuria e poetit për njeriun, është pakufishme dhe shkreptinë me vargjet: “Kur lind një fëmijë/ Dielli bëhet sy.” E ky njeri, nganjëherë është egoist, ndaj, s’ka sesi të mos gjykohet nga poeti sepse ata: “Kanë xhepa të fryrë/ E mëkate në shpirt.”

Poeti mund t’i ngjajë një ”Kitare pa këngë”, mund t’i plogështohet kujtesa, të sfilit nëpër sfida, por asnjëherë nuk sprapset, sepse ai ka fuqinë të rikthejë kujtesën dhe të lëvizë kah e mira me një vjershërim të mrekullueshëm poetik. Zef Mulaj aspiron Itakën e munguar, atdheun e largët, sepse vetja i ngjet me një ëndërrimtar të degdisur në tregun e botës. Kjo është ajo qenie e brishtë, që shtegton në drejtim të mirësisë dhe përsosmërisë. Këtu kemi të bëjmë me një perfeksionim briliant. Autori s’e ndalon zërin e tij që buçet, si poet që rrugëton, për të gjetur frymëzim dhe të shkruajë për tema e motive të bukura, në një mëngjes të bukur, kur poezia shfaqet me krejt spektrin e hijeshisë së saj.

-Per ZemraShqiptare, nga Prishtina, 12. 04. 2015-