Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hysi: Tranzicioni nën "lupën" e Istref Haxhillarit

| E hene, 15.06.2015, 07:33 PM |


Tranzicioni nën "lupën" e Istref Haxhillarit

Romani "Pretenca"

(ese)

Nga Përparim Hysi

Shumëkush që më lexon,e di që do thotë:- Po ky, prapë me  Istref Haxhillarin? Mos pretendon që ta lakojë në gjashtë rasat e shqipes? Kësaj pyetjeje që nuk e besoj që të jetë veç hipotetike, dua t'i përgjigjem, me një sentencë që ka lindur dhe gjallon andej nga kam gjakun: nga Skrapari. Atje thonë:- E sheh tjetrin me  një pallë, po s'e di se si e ka hall!!!

Pra e kam nga halli që shkruaj për Istrefin dhe shtoj dhe faktin shumë domethënës që, përsëri, më la pa gjumë se aq u befasova me romanin e tij "Pretenca", sa kundra gjithë stereotipeve të mia, jam ulur para kompjuterit, tani që sa mbarova romanin në fjalë.

Por gjithmonë, sa herë shkruaj, dua që të sqaroj shkakun përse e bëj akcilin shkrim. Kështu po shpjegohem dhe për këtë. Në esene tjetër për Istrefin "Pakt me të hënën", ngaqë kujtesa po më shterë, tek lakova disa nga penat relevante pogradecare, harrova të përmendja një poet që e dua. Ky, poeti, quhet Eduart Sulollari. Harrova dhe shkrimi u përcoll. Miku im (akoma nuk më qe ftohur kafja që shkëmbeva me të tek holli i Pallatit të kulturës), Eduarti, pa dyshim që e ka ndjerë veten të mënjanuar dhe e them troç: i kërkoj ndjesë. Meqë e gjeta si redaktor tek "Pretenca", i them që është një arsye më tepër që shkruaj. Se unë e di mirë që Istrefi,Bujar Balliu dhe ti, poeti aq i mirë,Eduart Sulollari, jini as më pak dhe as më shumë "Tre muskëtjerët" e letërsisë në Pogradec.Edhe ca më tej: qenka kujdesur për t'u botuar, Kalosh Çeliku, që dikur "më priste "o tek Rrapi në Shkup", o tek " Sokaku i të marrëve" po atje. Për Kaloshin u referohem viteve kur isha në mërgim, në Amerikë, dhe, në mos jam i saktë në citim, i kërkoj falje.

*      *     *

Kam dhe arsye të tjera që po merrem me këta, pogradecarët. Kur vija me pushime, mes viteve shtatëdhjetë të shekullit që iku, bujtja tek qytetari pogradecar,Niazi Hoxha dhe më kujtohet mirë që më thoshte:- Ne, pogradecarët, jemi  babaxhanër,bre. Kurrë nuk u vëmë lloz dyerëve. Vetëm kur vini ju, për të pushuar, se kushedi... Dhe vërtet që babaxhanër janë. Kështu që "kupa" e shkaqeve dhe sebepeve u mbush dhe unë, dalëngadalë, do ta zbraz për lexuesin.

*     *     *

Kur mbarova romanin "Pretenca" të Istrefit, befas u ktheva prapa në kohë. U ktheva mesviteve gjashtëdhjetë, gati 50-vjet më parë, që, kur lexova një roman të përkthyer nga anglishtja "Pjesëmarrës në vrasje", mbeta i sëmbuar në ndërgjegje. Romani qe aq i bukur  dhe tërheqës,sa  gati humbja në gjithë ato investigime të një detektivi privat. Ky, dedektivi privat, iu qep këmba këmbës një vrasësi që e i pasur. Drejtësisë ia kish hedhur me ato marifetet e njohura, po privati iu bë "hije" dhe e kapi, kur thonë, me "presh në dorë". Unë e ndiqja hap pas hapi dhe,sa u gëzova kur ia përplasi faktin mu përpara hundëve,aq u hidhërova se si mbaroi romani. Gjithmonë i referohem kujtesës që ma freskoi "Pretenca" e Istrefit.

Më lejoni që në vija të "trasha", t'ju kujtoj romanin:

Dedekitivi:-  Ju kapa. Nuk kini si bishtnoni.Faktet janë shumë kokëforta.Jini vrasës.

Vrasësi:-Përse e bëni të gjithë këtë?

-Në emër të drejtësisë.

- Nëse unë  ju fal një hotel në iks vend turistik, a e mbyllni procesin?

- Në vend,- pranoi dedekitivi.

Pakti u firmos.Procesi u mbyll dhe dedektivi u bë "pjesëmarrës në vrasje". Mua ky fund i romanit, atë kohë (po ne ashtu jemi gatuar dhe sot!!!), më la një shije të hidhur. Dhe mëdyshesha me veten time: është e mundur, nuk është e mundur? Nuk e dija,se, kështu, me të gjitha ngjasat, me të gjitha dramat, do të ndodhte dhe në vendin tonë në këtë tranzicion që po zgjat.

*      *     *

Tek i dhashë fund romanit "Pretenca", më erdhi prapë ai dedektivi dhe më bëri mu, mu mbi hundë. Se jam i sigurt që shkrimtari, Istref Haxhillari, nuk shpik dhe nuk bëhet pjesëmarrsë në "vrasje". Ai ka mizurën e atij shkrimtari që shkruan për ndjenja dhe ngjarje që i ka provaur vet. Dhe tek "Pretenca" gjen gjithë  tranzicionin me gjithë metastazat e tij: gjen drogën e prostitucionin; gjen ryshfetin dhe shkelje të drejtpërdrejtë të ligjeve. Nga hallkat më të larta e deri poshtë në njësitë lokale të prushtetit. Romani "Pretenca"  i shkruar nga Istrefi, sikur është futur nën "lupën" e tij vëzhguese dhe  ai sikur e zhvesh  lakuriq gjithë "trupin anatomik" të tranzicionit. Shkimtari jo vetëm nuk është ideferent ndaj "metastazave" të këtij trupi, po ai sikur ka marrë bisturinë e kirurgut, për t'i hequr këto plagë malinje.

Në faqet e romanit sheh një rini të droguar (rinia shkollore- kjo fidanishte që duhet të jetë e gjelbër), dhe, pse është e tillë, fundin e ka tragjik. Figura tragjike  e adoleshentes Orgeta me gjithë "probatinët" e orgjive që e çojnë drejt vdekjes, është pak që të të mbushë me mornica. Mandej, orvajtja ( a nuk ndodh dhe sot para syve tanë), për ta mbyllur "për mungesë provash", këtë vrasje mafioze dhe ca më  shumë se "mafioze", kur dora  e fortë e deputetit "mbyll kapakët" e dosjes. Më tej, fallsifikimi i notave, trastat me para, tenderat, kumari, orgji seksuale që t'i ngrjenë flokët gjëmb dhe nuk ke, me të vërtetë,se si të flesh rehat.

*    *    *

Kur i sheh se si zhvillohen ngjarjet, revoltohesh me të gjitha sa ndodhin. Sa revoltohesh me ato ç'lexon,aq të vjen mirë që shikon tek autori një njeri që, jo vetëm nuk hesht, por, përkundrazi,e zhbiron të keqen. Unë mendoj që shkrimtarët e mëdhenj janë të tillë se nuk  heshtin në kohë krizash shoqërore. Të heshtësh, do të thotë: që kjo nuk ka të bëj me mua dhe nuk  ka se ç'më duhet. Pikërisht, guximi qytetar ia rrit karizmën Istref Haxhillarit. Ai, me profesion, është mësues fizike dhe, racional siç është si "fryt i shkencave të natyrës", as zbukuron dhe as gënjen. E  ka futur "tranzicionin" në një kaleidoskop dhe, pak nga  pak,  na i shfaq si nën dritën e diellit gjithë  dinamikën e jetës sonë në këtë tranzicion.

Romani nga  ana  artistike, është shkruar me aq shije sa, shpesh, duket sikur lexon poezi. Ndonjëherë, poezia është e dhimbshme, por jeta e tillë është, se, siç ka thënë dikush," sikur njerëzit të kishin të gjithë nga një kamerë dhe të filmonini jetën e tyre, do të shikoni mandej sa herë kishin qeshur dhe sa herë kishin qarë".

*    *    *

Dhe së fundi...

Është e vërtetë që në roman ka shumë seks dhe "orgji seksuale". Nga përshkrimi i skenave të tilla (gjithmonë trëmbemi të themi të vërtetën lakuriqe!!!), më duket se Istrefi sikur ka "lincencë" pak të veçantë. Shpesh mua më akuzojnë se shkruaj shumë për dashurinë e "tërrci- mërrci", po kur lexon ato "orët blu" dhe jo vetëm  ato, mund të them me plot gojën që  e ka kot Daniel Stil që ka mbushur vitrinat e atyre pak librarive që ekzistojnë tek ne. Istrefi është nja dy çape më tej. Jam çuditur me Çarl Bukovskit kur lexova "Femrat", por çudia sikur m'u fashit kur lexova "Nata e Sofie Kondilit" të Koço Kostës. Koçon e kam mik dhe në intimitet i them:- Ore Koço, po ç'hata ke bërë atje?!!!

-Unë jam shkrimtar dhe them vetëm të vërtetën. Epo daullet bien për ata që kanë veshë? Mund që ta pyes  Istrefin? Natyrisht, që nuk mundem.

Se shkrimtari synon të qartësojë, të zbukurojë, të ëmbëlsojë, të japë mesazh, të gjallërojë, të vëjë në lëvizje, të nxitë  për më të mirën. Dhe, në një vështrim të përgjiithshëm, ai jo vetëm  e ka bërë, por e ka bërë shumë mirë. Cilësia më e mirë në një vepër është qartësia. Dhe ai është i qartë dhe i vërtetë.

Tiranë, 14 qershor 2015